BREAKING NEWS

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e njohur Luan Dacin

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e
x

Opinion / Editorial

Sheqerja dhe Ilir Meta – kollovari

Sheqerja dhe Ilir Meta – kollovari

Sa herë përballem me Ilir Metën, fizikisht apo mediatikisht, më vjen të qesh sepse më kujtohet historia e Sheqeres, gjitones sime të hershme. Ka ndodhur rreth viteve ‘70. U përhap si rrufe lajmi se Sheqerja jonë kishte hipur mbi urën e re që kishte lartësi sa dyfishi i urës së vjetër dhe do të hidhej në lumë. U mblodhëm në të dy anët e urës me kuç e me maç dhe i luteshim të mos e bënte atë veprim, por vetëm dëgjonim ulërimat e saj: Do të hidhem, nuk e duroj dot kurvarin (e kishte fjalën për të shoqin. Ai ishte një burrë i mirë por fatkeqësisht për të keqen e Sheqeres kishte qëlluar edhe i bukur çka e bënte atë të dyshonte se ai shkonte me çdo femër që punonte në ndërmarrjen e tij, gjë që nuk ishte e vërtetë dhe këtë e dinim të gjithë). Shqetësimi ishte tek të gjithë po më në ankth ishte i plotfuqishmi i zonës që i lutej të mos e bënte atë veprim se do ta ndihmonte ai. Dikur vjen në njërën anë të urës dhe xha Simoni, plaku më i mençur në gjithë zonën. Pyeti se çpo ndodhte dhe kur ia shpjeguan situatën, pyeti qetë e qetë: Sa kohë ka aty? Kur i thanë rreth 20 minuta, u kthye të ikte dhe foli zë lartë: Ikni dhe ju në shtëpitë tuaja. Nuk ka për tu hedhur. Thërrisni burrin e saj ta marrë e ta çojë në shtëpi. Të kishte ndërmend të hidhej nuk ulërinte dhe nuk na thërriste ne si spektatorë po shkonte tek parmakët dhe …pëlltuq në lumë. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Sheqerja e bënte këtë ritual në çdo 3-4 vjet derisa mbylli sytë e mjera. Të njëjtën gjë po bën Ilir Meta me kërcënimin se do shpërndajë Parlamentin këtë vit, por me ritëm më të shpejtë kohor, gati në çdo dy-tre muaj. Sa herë acaron marrëdhëniet me Edi Ramën që e bëri president dhe me mazhorancën, ai del në konferencë shtypi dhe kërcënon se do shpërndajë Parlamentin, pa guxuar të marrë asnjëherë veprimin konkret. Kërcënimin të paktën publikisht dhe që e kanë dëgjuar gjithë shqiptarët e ka bërë disa herë, por Parlamenti është ende aty dhe vazhdon punën normalisht. Me Kushtetutën në dorë dhe duke bërë shqiponjën, duke na vërtetuar postulatin se streha e fundit e maskarenjve është patriotizmi ai bën butaforikun dhe vetëm kaq. Edhe perifrazimi në çdo puntatë të Klanifornisë nga aktorët e humorit nuk e ka detyruar të heqë dorë nga kjo sjellje. Dalja kaq shpesh me Kushtetutën në dorë ne që kemi pak mend dhe e njohim jetën dhe politikën, lokale dhe më gjerë, na bën të dyshojmë se ai ose nuk e ka lexuar dhe kuptuar fare atë Kushtetutë, libër të shenjtë për çdo shtetas ose bën shejtan budallanë dhe kujton se ne jemi akoma në vitet ‘90 dhe vetëm pse do dëgjojmë një britmë të një lideri se do ndryshojë sistemi dhe do mbushim sheshet. Sepse nuk kuptohet dot ndryshe ky guxim prej të marri i tij teksa është ngarkuar me një barrë akuzash të ndryshme politike dhe ekonomike dhe flet për drejtësi. A mundet vallë një prostitutë e vjetër të bëjë moral për virgjërinë (jo me të qepur tek doktori)?! Absolutisht jo. Kështu që edhe presidenti ynë i nderuar, teksa bërtet me Kushtetutë në dorë më parë le të pastrojë veten publikisht për akuzat që i janë bërë. Le të jetë i pari i zbatimit të Kushtetutës në këtë drejtim. Por këtu atij i ngec sharra në gozhdë. Sepse gjen alibi dhe del pastër e i pafajshëm per floririn e Kërrabës (pas ngjarjes të së cilës ortaku i sotëm i ndryshoi edhe mbiemrin duke e quajtur Ilir Floriri) po ku do t’i fshehë filmimet me të ndjerin Dritan Prifti me të cilin ndanin bakshishet?! Këto pamje i pa i madh e i vogël dhe i shikojnë edhe sot, vetëm organet e drejtësisë tek ne dhe vetë Ilir Meta nuk i shikojnë ose nuk duan ti shikojnë. Mund të shmanget duke mohuar të jetë pronar apo bashkëpronar në guroret e stërmëdha të malit të shenjtë të Tomorrit po ku dreqin do ta fusë vilën me 12 banja për Monën, fëmijët dhe macen, që vetë bashkëshortja e tij na i tregonte me mburrje në një emision ekskluziv me të famshmen Sonila?! Dhe meqë jemi tek vila, a mendon Meta se edhe shqiptari me gjykim mesatar (se ne të tjerët jo e jo) e beson atë dhe Monën tek thotë se të ardhurat fillestare kanë ardhur nga shitja e qepëve të së vjehrrës? Kam njohur vetë personalisht shitës qepësh, madje edhe me shumicë në Korçë, në Kuçovë, në Vlorë dhe Tiranë, që e bëjnë këtë punë prej 30 vjetësh dhe kanë mundur të blejnë një shtëpi në Tiranë e një në Vlorë apo Golem për pushime, një makinë dhe kanë çuar fëmijët të studiojnë në një shkollë private dhe kaq, asgjë më shumë. Apo të besojmë rrenën tjetër se pallati i saj u ndërtua në tokën që i ati e mori me ligjin e famshëm 7501? Edhe sot e kësaj dite 75% e shqiptarëve ende si kanë certifikatat e pronësisë për tokat që kanë marrë me këtë ligj të famshëm edhe në fshatrat që toka është ndarë në mirëkuptim të plotë, si mundi babai i Monës të marrë këtë certifikatë në mes të Tiranës? Meqë Monës i këputet shpirti për popullin e thjeshtë, a ka marrë ndonjëherë guximin e të pyesë fqinjët e të atit, a i kanë marrë edhe ata çertifikatat e pronësisë? Nëse jeni të vëmendshëm dhe besoj se po, kërkova të pyesim Monën, bashkëshorten e presidentit sepse Ilirin si kollovar nuk e pyesim dot sepse do ta ketë të vështirë të përgjigjet. Sepse dihet nga të gjithë, kollovarët përpara vjehrrave rrinë sus. Një sivëllai im, kur ishim në kohë martese mori një vajzë shumë të mirë qyteti dhe hyri kollovar. Të gjithë u habitëm se ai mbahej si më garipi nga ne. Por edhe durimi i tij zgjati vetëm pak muaj. Kur e pyeta se ç’pati, mu përgjigj: nuk durohej vjehrra. Mirë që më përcaktonte racionet e ushqimit që do konsumoja, mirë që më tregonte ku duhej të zhvisheshin dhe visheshin këpucët, por donte të më tregonte edhe detajet e higjienës personale. Këtë se durova dhe mora nusen dhe erdha ku jam rritur. Mesa po kuptojmë ne, presidenti ynë duhet të futet në librin e rekordeve Guiness si më durimmadhi ndaj vjehrrës, që i ka dhuruar miliona. Se me ato dhurime ajo ka të drejtë t’i bëjë presidentit tonë edhe shikim rreshtor mëngjes, drekë, darkë dhe ai të mos bëj zë fare. Presidentit tonë shyqyr që i erdhën mendtë dhe kërkon zbatimin e Kushtetutës, por së pari ai duhet të jetë i gatshëm të shkojë tek varri i Shën Marisë dhe të dëgjojë Papun tek thotë se “Ata që nuk kanë bërë asnjë mëkat të hedhin një grusht dhe mbi kufomën e saj”. Nëse ai nuk do iki si mëkatarët që ikën këtu e 2000 vjet më parë, por do të hedhë atë grusht dhe besimplotë, atëherë do të besohet nga shqiptarët që ta ndjekin pas në rrugën e mbrojtjes së Kushtetutës. Nëse Ilir Meta me të vërtetë është në mbrojtje të Kushtetutës, të mos kërcënojë hera-herës me shpërndarje Parlamenti po ta marrë atë Kushtetutë, të shkojë tek dera e parlamentit dhe ta firmosë shpërndarjen. Të mos thotë herë pas here, kur përplaset me mazhorancën se Parlamenti është ilegjitim, por ta zbatojë me të vërtetë Kushtetutën dhe ta shpërndajë atë. Parlamenti nuk shpërndahet me konferenca shtypi po me dekret presidencial. Sepse deri më tani shikojmë Ilir Metën me dy fytyra dhe dy qëndrime. Njëra është ajo e egërsimit të tij dhe kërcënimit për shpërndarjen e Parlamentit që sipas tij është ilegjitim dhe tjetra ajo e Ilir Metës që në postin që ka aktualisht firmos (jo të gjitha) vendimet e këtij Parlamenti. Me këtë veprim ai nuk bën asgjë tjetër veçse dakortësohet me këtë Parlament. Kështu ai heshturazi pranon legjitimitetin e tij dhe del bllof me kërcënimet që bën dhe që duken shpesh si ato të Sanço Panços. Që ta ndjekim pas në zbatim të Kushtetutës, ai duhet ta zbatojë atë për vete dhe familjen e tij. Por mesa duket tani e ka kuptuar se kjo është vonë dhe shtyn kohën në kolltukun presidencial vetëm duke kërcënuar. Deri kur?.

P.S. Nuk po ja përmendim faktin publikuar kohët e fundit në disa portale se me ndërhyrjen e Ramës së LSI paska vajtur në një motel me të famshmen B.Q, ku e ka gjetur edhe Mona që është mjaftuar vetëm me nxjerrjen prej flokësh jashtë të Bleonës dhe nuk dihet se çfarë kushtesh i ka vënë bashkëshortit. Nuk po i kujtojmë as orët që u ka falur gazetareve më të bukura që shkonin në konferencat e tij të shtypit. Se mendojmë që këto janë punë personale.