BREAKING NEWS

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi zyrtar nga Policia shqiptare për sasinë rekord: Dorëzuam drogën

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi  zyrtar nga Policia
x

Opinion / Editorial

Shërbimet studentore, të pakta dhe jo cilësore

Shërbimet studentore, të pakta dhe jo cilësore

Cilësia e shërbimeve studentore në universitete ngelet ende problematike, e pazgjidhur dhe aktuale, duke rikthyer përsëri në qendër të diskutimeve dhe analizave, nga aktorë dhe faktorë të ndryshëm të hartimit, të ndjekjes dhe të zbatimit të politikave, për rritjen dhe garantimin e shërbimeve cilësore që iu ofrohen studentëve shqiptarë. Shërbimet studentore përbëjnë një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe të qenësishme në sistemin e arsimit të lartë, dhe si të tilla ato duhet të vlerësohen në dimensionin e performancës, kryesisht në atë të eficencës dhe efektivitetit. Ndërkohë që, mundësia e shfrytëzimit të plotë të hapësirës ligjore nga ana e IAL-ve publike ka krijuar premisat për rritjen shërbimeve dhe cilësisë së tyre ndaj studentëve, në kuadër të rritjes së autonomisë akademike dhe financiare të parashikuara në ligjin e ri për arsimin e lartë.

Por, sa efektive kanë qenë politikat e ndjekura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe nga Institucionet e Arsimit të Lartë publik (IAL)për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë? Për t’i dhënë një përgjigje shteruese kësaj pyetje, KLSH ndërmori një auditim në fushën e arsimit të lartë me tematikë mbi cilësinë dhe tarifimin e shërbimeve studentore në IAL-të publike. Koherenca me zhvillimet në fushën e arsimit të lartë, dhe sensibiliteti i përhershëm i treguar nga KLSH, për vlerësimin e performancës së arsimit të lartë në Shqipëri, nëpërmjet realizimit të auditimeve në këtë fushë, nuk është rastësi, pasi Departamenti i Auditimit të Performancës ka realizuar disa auditime si p.sh. “Kurrikula universitare dhe avancimi në karrierën akademike”, “Performanca e procesit të pranimeve në IAL publike nëpërmjet Maturës Shtetërore 2016” dhe sëfundmi “Cilësia dhe tarifimi i shërbimeve studentore pranë IAL-ve publike”.

Gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e dala në këto auditime, janë bërë objekt diskutimesh për grupet e interesit dhe publiku shqiptar, të cilat janë pasqyruar gjerësisht në median e shkruar dhe vizive. Në rastin e auditimit të cilësisë dhe tarifimit të shërbimeve studentore në IAL-të publike, KLSH auditoi një numër të madh të universiteteve, për të dalë në konkluzione dhe rekomandime të drejta dhe të plota, për vlerësimin e cilësisë së shërbimeve studentore pranë IAL-ve publike. Për këtë arsye auditimi u shtri në: Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Universitetin e Tiranës; Universitetin e Mjekësisë, Tiranë; Universitetin Bujqësor, Tiranë; Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës; Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë. Ndër konkluzionet kryesore të arritura në këtë auditim, janë: Së pari: Reformat e ndërmarra në fushën e arsimit të lartë nuk kanë rezultuar efektive dhe si të tilla, nuk kanë shërbyer si premisa për krijimin e një arsimi të lartë cilësor, që të mund t’i përgjigjej nevojave të tregut të punës dhe drejtimeve të zhvillimit strategjik të vendit, si dhe rritjes reale të autonomisë së IAL-ve publike.

Së dyti: IAL-të publike vazhdojnë tradicionalisht të ofrojnë shërbime bazike dhe jo cilësore për studentët, duke patur një numër të limituar shërbimesh dhe në të shumtën e rasteve jo on-line. Së treti: Shpenzimet e realizuara pranë universiteteve publike, janë kryesisht në nivelin e shërbimeve mbështetëse dhe jo në drejtim të shpenzimeve që kanë impakt dhe ndikim për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Së katërti: Përcaktimi i masës së tarifave të shkollimit për të gjitha ciklet e studimit bëhet apriori dhe jo mbi bazën e kostifikimit të tyre sipas programeve respektive të studimit. Rritja e cilësisë së shërbimeve të ofruara nga IAL - të publike dhe vlerësimi i tarifave mbi bazën e një analize kostoje do të ndikonin në rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të këtyre shërbimeve ndaj studentit. Së pesti: Mungesa e nxjerrjes të akteve nënligjore dhe kryesisht mungesa e ngritjes së Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) për financimin e IAL-ve publike sipas skemës së financimit të përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 75 datë 12.02.2018 “Për miratimin e modelit të financimit të IAL publike dhe kërkimit shkencor”, ka ndikuar që financimi i arsimit të lartë në Shqipëri dhe produktet e këtij financimi të vijojnë të mbeten çështje të parregulluara, kaotike, pa një model të qartë zhvillimi dhe larg realitetit europian ku aspirojmë të shkojmë.

Së gjashti: IAL-të publike ende nuk kanë të zhvilluar një kulturë të orientuar drejt cilësisë së shërbimeve si domosdoshmëri për vlerësimin e burimeve dhe mekanizmave të përdorur, për arritjen e objektivave të tyre, për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj studentëve. Në raport u pasqyruan edhe përgjigjet e pyetësorit të hartuar nga KLSH, ku pjesëmarrës ishin 1.322 studentëve, pra rreth 1,1 % e totalit të studentëve në rang vendi (numri total 123.159 studentë, për vitin akademik 2018-2019). Sugjerimet e studentëve, konsistuan kryesisht, në evidentim dhe kërkesa për përmirësimin e infrastrukturës së sallave; mungesës së përfshirjes së tyre në programet e kërkimit shkencor; rritjes së rolit të qendrave të karrierës; përmirësimit të programeve dhe kurrikulave në nivel master; aplikimin e sistemit digjital për menaxhimin e provimeve, etj. Në raport janë adresuar rekomandime të ndryshime, të cilat potencialisht mund të sjellin përmirësime në të ardhmen, për rritjen e cilësisë së shërbimeve, procesit të mësim-dhënies dhe kërkimit shkencor dhe njëkohësisht vendosjen e tarifave mbi bazën e metodologjive të sakta përmes analizës së kostove për çdo program studimi.

Në përfundim, KLSH ndër të tjera, rekomandon që IAL-të publike, duhet te përcaktojnë qartë në dokumentet strategjike, rëndësinë për vlerësimin dhe monitorimin e përhershëm të cilësisë së shërbimeve studentore dhe kostimin e tyre. Për të rritur numrin e shërbime studentore, kryesisht ato on-line dhe duke përcaktuar masën e tarifave të shkollimit mbi bazën e analizës së kostove sipas programeve të studimit.

*Auditues pranë KLSH