Opinion / Editorial

Sherri i Bashës me portieren e konviktit dhe frigoriferi bosh i qytetarit

Sherri i Bashës me portieren e konviktit dhe frigoriferi bosh i qytetarit

Politikat e mëdha kanë në themel detajet e vogla. Pikërisht, këto shqetësimet e vockla kërkon të ngrejë në strategji politika, si makiazh për tu dukur më njerëzore, e dhimbsur, qëllim mirë që nuk e zë gjumi për vuajtjet e shqiptarëve. Të gjithë duan të shfaqin imazhin, si të lindur për të qarë hallet, gju më gju me popullin që shtynë muajt me asistencën sociale, pagën apo pensionin e vogël. Ishte ky motivi i vizitës së papritur të Lulzim Bashës në konviktet e Qytetit Studenti, ku në një moment, pa asnjë paralajmërim për t`i kontrolluar rrufe dhe për të verifikuar gjendjen e mjediseve, ku jetojnë studentët, bëri vizitën blic, kryetari i partisë më të madhe opozitare jashtë parlamentare. Që Basha ka të drejtën e zotit dhe politikës, si pjesë e sistemit pluralist që zë gjysmën e sferës të politikës, atë të opozitës aq shumë të domosdoshme në shoqërinë demokratike, kjo nuk do as mend as fantazi. Të gjykosh të kundërtën është paradoksale dhe si të vësh gurë nën rrota, rritjes dhe perspektivës së opozitës, si alternativë pushteti. Pikërisht, këto kanë qenë besojmë arsyet që vet kryedemokrati bëri vizitën pa paralajmërim në “Qytetin Studenti”, atje ku përgatitet e ardhmja e vendit dhe mësojnë e jetojnë shtresa më e re e shoqërisë sonë. Kuptohet, vizita ishte shumëdimensionale. Studentët janë barometri i shoqërisë, leva që sjell ndryshimin. Po në këtë vizitë, pa paralajmërim, pati një mungesë në dukje jo të vogël. Atje, lideri i opozitës shkoi pa asnjë njoftim. Nuk është fjala t`i marri dorën Ministres së Arsimit, Drejtorisë së Arsimit të Tiranës apo Drejtorisë së Administrimit të Konvikteve. Ai është zot në vendin e vet dhe siç deklaroi ata që e pengojnë t`i vënë gishtin kokës. Po një paralajmërim apo njoftim se do shkonte në konviktin numër pesë apo gjashtë, duhet ta bënte edhe për etikë sepse është lider i opozitës dhe e dinë se duhet të njohë rregulloren e funksionimit të Qytetit Studenti. Nuk akuzojmë se shkoi në Qytetin Studenti për të vënë para përgjegjësisë personat kompetent që kanë marrë përsipër të kryejnë rikonstruksionet e thelluara të godinave të këtij qyteti. As për të gjetur godina të shkatërruara se ato atje janë dhe nuk ndryshojnë për një ditë. Edhe nëse shkonte për këtë pak rëndësi ka. Po më e pakta për seriozitet dhe ligjshmëri, kishte detyrimin ligjor e qytetar për të njoftuar paraprakisht. Ishte kjo arsyeja që në Këshillin Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e konsideroi vizitën dhe sherrin e Bashës me sportelisten, si një veprim ordiner dhe pa sens që do ishte mirë të mos ndodhte. Bile e quajti hyrjen e palejuar si të shkonte atje një lac i lagjes. Mirë në Qytetin Studenti, është një armatë aq e madhe që nuk mund të neglizhohet nga asnjëri prej politikanëve aq më tepër nga një politikan që për katër vite ka drejtuar Bashkinë e Tiranës dhe e kishte detyrë të ndryshonte gjendjen e qytetit, po ja që gjatë asaj kohe nuk u bë asgjë. Vetëm në këto dy vitet e fundit me sa kemi parë, komoditeti i konvikteve dhe kushtet e jetesës së studentëve kanë ndryshuar, si nata me ditën. Po edhe kjo e detyruar. Për studentët nuk ka pse kursehet asgjë në aspektin e sigurimit të kushteve të jetesës dhe krijimit të lehtësirave për lëvizje dhe marrjen e shërbimeve sipas të drejtave që u jep karta e studentit, tanimë të miratuara për pjesën më të madhe të tyre. Studentët nuk lypin mëshirë. Ata nuk duan burokraci, po realizim të kërkesave të tyre dhe këtë e treguan me protestat që organizuan, të cilën opozita kërkoi ta ndryshojë, duke e shpënë në rrjedhën e interesave të veta. Pikërisht për të bërë politik me studentët e bëri vizitën në konvikt papritur edhe Basha. Dhe për këtë bëri edhe atë kryengritjen në pallatin rezidencial të studentëve, me një zonjë që qëndronte në sportel për të penguar individët që kërkojnë të hyjnë pa leje. Pasi mbaroi punë me studentët, Basha, duke ecur në gjurmët e Ramës, i cili gjatë ditëve post tërmetit, vizitoi me dhjetëra familje, ata që u gjendën në qiell të hapur nga shembja e shtëpive apo që humbën njerëzit e tyre të dashur, si dhe udhëtoi deri në Romë për t`u bërë surprizë, dy vogëlushëve që i shpëtuan katastrofës, nisi edhe Basha marshimin e madh. Vizitat përsëri papritur në shtëpitë e qytetarëve. Këtë stilin e vizitave të papritura, po e bëjnë modë dhe ngjajnë si kontrollet e rojeve të bostaneve të kooperativës në sistemin komunist, ku rojtarët ndiqnin lëvizjet e kooperativistëve se mos dikush futej në parcelën e bostanit që kalbeshin dhe merrte ndonjë prej tyre për të shuar etjen edhe pse ishte ai që i kishte mbjellë e rritur. E kështu të papriturat e kryedemokratit nuk kanë të ndalur. Pikërisht në këtë udhëtimin me të papritura, pa paralajmërim paraprak, shkoi edhe tek familja e qytetarit. Edhe këtu me të njëjtin stil. Po ajo që të habit, është hapja e kontrolli i frigoriferit, një surprizë që më shumë se vet qytetarin me thjeshtësinë e liderit, habiti Bashën, pasi e gjeti frigoriferin bosh. Disa nga familjarët e kanë merak ta mbushin deri në tavan frigoriferin dhe kjo edhe sipas xhepit e takatit, disa të tjerë për pamundësi e kanë bosh dhe në to mund të bjerë miu e të thyejë kokën. Nuk mungojnë edhe një pjesë që nuk e preferojnë ushqimin në frigorifer, po e duan të freskët. Kështu ndodhi edhe me frigoriferin e kontrolluar nga lideri opozitar, i cili u trishtua me boshllëkun me të cilin u ballafaqua. U ul i pezmatuar dhe bisedoi me qytetarin për varfërinë dhe kuptohet sqaroi edhe programin e partisë që kryeson, e cila në qendër do të ketë zhdukjen e varfërisë dhe sjelljen e begatisë. Detaji i vockël në dukje i frigoriferit, hapur papritur, po politikanët e mëdhenj, zemërgjerë që vuajnë dhe nuk i zë gjumi për varfërinë e shqiptarëve, bashkëkombësve të vet, hapet një debat i madh për një politikë e strategji ndryshe. Shkurt edhe kryedemokrati u detyrua të kapërcejë habinë për frigoriferin bosh dhe të flasi se si do jenë, jo vetëm frigoriferët në ditët që do vijnë në pushtet, si pushteti antivarfëri dhe si qytetarët, ato që kanë marketet do i kenë në shtëpi, sa hap e mbyll sytë. Po askush nuk sqaron si do arrihet, si me sustë, një nivel i tillë, shumë i ndryshëm me të sotmin dhe si nuk do të kemi më të varfër në Shqipëri. Kjo politika me bollëk, është loja e ngopjes me lugë bosh, si puna frigoriferit që hapi Basha. Me politikanët tanë ndodh e njëjta histori: Sa janë në opozitë, partitë tona politike, deklarojnë, se do sjellin begatinë e lumturinë. Do bëjnë atë që për vite me radhë, paraardhësit e tyre nuk ia arritën, se i vodhën fondet dhe i përdorën për luks dhe avionë, për fisin e familjen, për t`u pasuruar në kurriz të popullit. Që varfëria mbetet një problem madhor tek ne, kjo nuk ka asnjë diskutim. Po Basha dhe të gjithë Bashët, veçanërisht një duzinë udhëheqësish e ish-shtetarësh për dekada, atje kanë qenë dhe varfëria nuk ka ndryshuar asnjë milimetër, veç të varfrit janë varfëruar edhe më shumë dhe të pasurit janë pasuruar edhe më shumë. Varfëria e mirëqenia nuk ndryshon me vizitat blic, slogane, shfaqje, mburrje, gjetje, efekte, populizëm. Vizitat pa paralajmërim në konvikte, ndërmarrje, institucione, biznese, me hapje e kontrolle të frigoriferëve, dollapëve, sepeteve, xhepave edhe sikur të hapen tërë frigoriferët e shqiptarëve nuk sjellin zgjidhje, progres, ndryshim. Kjo e frigoriferëve bosh mund të ngjallë habi si risi, po jo se nuk do kemi më varfëri.