BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Shëruesi

Shëruesi

Mesazhi që 74 milionë e 478 mijë qytetarë amerikanë i dhanë me votat e tyre ish-zv.presidentit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte “Shëro kombin”. Në nëntor 2016, Donald Trump trashëgoi një komb në udhëkryq, me zhgënjim dhe mosbesim të theksuar në politikanët e vet, me shqetësimet e një situate ekonomike të pasigurtë, me borxh publik gjigand dhe rritje të dobët ekonomike. E shndërroi atë çdo ditë në një komb të zemëruar, gati-gati të indoktrinuar, të përçarë nga protagonizmi dhe agresiviteti i vet, ku kundërshtari politik shihej si armik. Gjuha e sharjeve, përçmimit, talljeve dhe dasisë i nxori amerikanët nga identiteti 240-vjeçar i një demokracie me njëqind milionë probleme e mangësi, por që ama funksiononte. Qytetarëve të këtij kombi të madh iu bë sikur shpirti i kësaj demokracie po vdiste ngadalë, nën premtimet, gënjeshtrat dhe gërthitjet e miliarderit të mësuar të respektojë vetëm egon e tij. Në fjalët e një komentuesi afro-amerikan të shpërthyer në lot në një prej rrjeteve më prestigjoze dhe të mëdhenj të botës, rrjetit “CNN”, dita e djeshme e shpalljes së fitores së ish-zv.presidentit Joe Biden ishte një ditë e mirë për të, pse nuk do të zgjohej më në mëngjes me mesazhet në Twitter të Presidentit Trump, që i bënin shitësit e bardhë racistë në supermarketin “Wallmart” të mos kishin frikë të shfaqnin racizmin e tyre, që e bënin atë të kishte frikë për fatin e fëmijëve të tij që shkonin në shkollë, apo të motrës së tij, se mos dhunohej rrugës për në punë. Amerikanët janë në kërkim të një shëruesi edhe pse gati gjysma e atyre që votuan (70 milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) shpresonin në fjalët e presidentit më jo-tradicional që historia e demokracisë amerikane kishte parë deri tani dhe ia falnin gënjeshtrat, injorancën në shumë tema, qeverisjen e Shtëpisë së Bardhë si biznes të vetin dhe racizmin e fshehur prej të bardhi superior. Fakti që ky sipërmarrës miliarder i suksesshëm ishte në krye të vendit dhe ngjante me vite dritë larg nga politika tradicionale dhe mediat e lidhura me politikën, nga mënyra si sillej dhe fjalët që thoshte, i bënte njerëzit të shpresonin se papunësinë më të pakët në 50 vitet e fundit dhe rritjen 4.7 për qind të pagës minimale çdo vit që ai ua siguroi në mandatin e parë, do ta kishin edhe 4 vite të tjera. Mbështetësit e Trump shpreheshin për të se është një njeri që nuk ka frikë të thotë në cilëndo rrethanë atë që mendon. Prandaj dhe gara zgjedhore më 3 nëntor ishte kaq e ngushtë edhe pse rivali i tij siguroi katër milionë vota më shumë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë për zgjedhjen e Presidentit të ri, në një kohë që infektimet e reja nga Koronavirusi janë mbi 100 mijë çdo ditë dhe viktimat e virusit vrasës arrijnë 240 mijë. Është vendi me numrin më të madh të infektimeve dhe të vdekjeve nga koronavirusi në botë. Renditet i teti në nivelin më të lartë të vdekshmërisë për 100 mijë të infektuar. Secili nga të 19 vendet e tjera më të zhvilluara të botës (nga Grupi G-20) ka bërë më mirë në përballimin e pandemisë, në krahasim me Shtetet e Bashkuara. Ish-zv.presidenti Joe Biden ka deklaruar se beson tek shkenca dhe se do t’ua lerë në dorë shkencëtarëve (ndër më të mirët e botës) që ka në SHBA, për të përcaktuar skenarët dhe tërësinë e masave të domosdoshme për të përballuar në vijimësi koronavirusin në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, zgjedhja e Biden solli një psherëtimë lehtësimi tek drejtuesit e Bashkimit Europian dhe të shumicës së 28 shteteve anëtare të tij, pasi Trump bëri gjithçka për të vështirësuar eksportet e BE-së në SHBA dhe detyroi shtetet e BE-së anëtare të NATO-s të paguanin më shumë në këtë organizatë. Trump ishte dyshues ndaj temave të dashura të politikanëve të Europës së Bashkuar, si sigurimi atlantik nga Rusia dhe lufta ndaj ngrohjes globale të Planetit. Sipas fjalëve të Senatorit James Rosapepe të Partisë Demokratike amerikane në Senatin e shtetit Maryland në SHBA, ish-ambasador i SHBA-ve në Rumani dhe që njeh mirë çështjet e Ballkanit, të thëna të premten në një televizion shqiptar: “Biden ka luftuar për demokracinë në Shqipëri, përpara se Shqipëria të kishte demokraci. Por edhe në momentin që Shqipëria u bë një shtet demokratik, ai ka luajtur një rol të madh që Shqipëria ta ruante demokracinë”. Në nivel të politikës së brendshme, Biden ishte zv.presidenti që arrinte marrëveshje në Senat me drejtuesin e shumicës republikane në këtë strukturë të Kongresit Amerikan, në kohën e presidentit Obama. Biden do të dijë ta gjejë gjuhën e bashkimit të kombit të vet në politikë. Dhe me një gjuhë mirëkuptimi në politikë, do të nisë shërimi i ngadalshëm i kombit më demokratik dhe të fuqishëm të botës, si dhe përparimi i demokracisë dhe globalizmit në Europë dhe në të gjitha rajonet e tjera të botës.