BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Shesim tokë e det Shqipërie... hajde, kush do me ble tokë e det Shqipërie?!

Shesim tokë e det Shqipërie... hajde, kush do me ble tokë e det

Kryeredaktori i gazetës duke e njohur pikën time të dobët për “Çështjen mbarëkombëtare” më porositi që me rastin e fundvitit të përgatitja një artikull në formën e opinionit. Natyrisht që e pranova, por duke qenë se isha tejet i lodhur u shtriva dhe e lashë për të nesërmen. Por keni parë që se si mu feks në ëndërr e gjithë “tre dekada”, ëndërr kjo, që unë do ta tregoj fill e për pe, sepse e di që ëndrra janë dhe nuk dalin... Mu bë në ëndërr, sikur turma të mëdha ulërinin “Liri- demokraci” dhe me një flamur të Shqipërisë etnike parakalonin entuziastë si për t’i thënë Europës “ik pirdhu” se për qejfin tënd që nga Londra kanaleve të zeza e deri te Beogradi i shtëpive të bardha, nuk kini se ç’të na bëni më! Perëndoi ajo kohë e ambasadorëve tuaj, madje kini për ta parë se sa shpejt do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, teksa një burrë i gjatë me një kapele cilindër tundet e tundet në tribunë para një grupi me kapardina të bardha, një çek të madh ku shkruhej “I Love Albania ”, “Ohh my lovely Albania, i have gift for you 30 million $” dhe ata të kapardinave hidheshin përpjetë se kush e kush ta merrte i pari. Duke qenë se askush nuk mundi dot erdhi një shqiptar i cili hapi një gropë të madhe mu në mes të Tiranës dhe tha: Ça ka ba vaki?! Doni pare ju? Ja e shikoni këtë gropën e madhe këtu që sapo hapa, ky ka për të qenë hambari i Shqipërisë jo me drithëra e bereqet, por me pare. Ca nga ata të tribunës shqyen sytë dhe mu bë sikur zoti Berisha me Tritanin jepnin e merrnin me duar e këmbë që të mundnin dhe ata të prodhonin pare pa e lëvizur aspak gishtin, por nuk mundën dot ta përfundonin bisedën se ca përfaqësues të “Megalli idhesë” greke apo të “MAV”-it ishin futur në një postë kufitare të Shqipërisë dhe patën bërë një krim të madh, i cili tronditi shumë miqësinë shqiptaro-greke dhe që për hatër të asaj miqësie ne i patëm falur, i patëm falur sepse ata vërtet kishin bërë krim, por ama silleshin jashtëzakonisht mirë me popullatën shqiptare të Çamërisë. Madje në atë moment si nëpër tym mu shfaq Janullatosi me temjan në dorë nga ku prej tij dilte një tym, i zi i cili një herë bekonte shqiptarët duke u lutur t’u shkonte shpirti në parajsë, pastaj kthehej e bekonte ata të MAV-it duke iu lutur zotit të rronin sa më gjatë për interesa të paqes. Por në moment del Shpëtimi ai pari i partisë së çamëve, pa e merr Janullatosin për gryke dhe pastaj ia grisi veladonin e zi dhe niset drejtim Çamërisë me tapi në dorë i shoqëruar nga Barka. Madje ky i fundit kishte marrë dhe miratim nga qeveria greke se do hapte shkolla shqipe në të gjitha qendrat e banuara nga çamët autoktonë dhe se qeveria greke do u njihte tapitë. Kjo ishte fare e sigurt, por ai përpiqej tashmë me gjithë Berishën, Nanon, Majkon, Metën dhe Ramën për të hequr ligjin e luftës. Por kot e keni u thoshte herë Metksai, herë Papndreu e herë Micotaqi. Po pse ore dhjavole, ç’iu duhet juve paqja, kur shqiptarët dihet se janë racë e lindur për luftë? A nuk e kini thënë vetë dhe ju qirjes Rama, se nga luftrat vijmë e në luftra shkojmë?! Dhe si të tillë bravo ju qoftë që nderuat dhe korofillakët tanë të rënë. Përse e hapni temën e luftës kur ne jemi për paqe?! Kush ju ruan juve jugun e Shqipërisë dhe gjithë ajrin? A nuk jemi ne grekët që mendojmë për të mirën tuaj? Kështu që shtrojuni punës hapni kufijtë të futim kapitalet tona dhe kini për ta parë si do lulëzojë allvanikoja! More qirjes Rama, po atë bazën e Sarandës, përse e mbani apo doni t’i harxhoni paratë kot?! Po ne përse jemi apo mos mendoni se bëjmë lojën e “kalit të Trojës”? Mirë ia bëtë atij oficerit marinarit Meçollari që e shkarkuat nga detyra, se ai nuk kupton asgjë nga gjeo-politika. Jemi apo s’jemi dy popuj vëllezër. Vetëm ai Enveri i juaj nuk kishte aspak besim te ne, po mirë ore dhjavole, po ke parë ti “që populli i inë greku” donte më shumë atë, se sa ne? Jo po ta them një sekret: Një herë vetëm të fliste ai dhe ta drejtonte gishtin nga Hellasi (Greqia) ne rrinim një muaj në llogore me gavetë në dorë. E tani ikën ato kohë.Veçse si miq që jemi për interesa të dy vendeve tona pse të mos i ndajmë ca gjëra bashkë. Doni det ju? Ju japim ne në Peleponez sa të doni, e ju na jepni atë përballë Himarës. Doni tokë ju, ju japim ne tutje nga Trakia, merrni sa të doni ama na jepni dhe ne vëllait të madh “Vorio Epirin” në mos Himarën, Korçën, Gjirokastrën e deri në kufijtë e Vjosës. Mato theoo! Po ç’iu lidh ju me sllavët e Serbisë e sidomos Kosovën? Ç’iu duhen pazarllëqet me ta duke shkëmbyer territore, po ne kot jemi këtu? Nuk thua “Dhokso sto theos”(Lavdi zotit) që ai Fazlliçi ia rruajti bishtin Shqipërisë, se desh e bleu me një Euro metrin?! Po ai qirjes Berisha është në metro apo jo, a nuk e di ai se te ne 20 euro kushtojnë vetëm një palë brekë kurvash?! Sa qillometro katrore jini ju 28 mijë? E shikon që me 28 miliardë euro do e kishte blerë Berluskoni gjithë Shqipërinë? Jeni me fat agapi Rama, jini me fat, që nuk i shkoi atij në mendje se ai mendjen e kishte te Robi që për pak “mish të bardhë pule” i fali 1 milion euro asaj marokenes. Ore ta themi hapur, do ju kishim blerë dhe ne, po ç’e do, na qëlloi keq se ishim për vete në krizë të madhe. E dini ju se ajo tedeska Merkel që duket si e urtë, deshi të na blinte ca ishuj nga Egjeu?! E dini si na tha? Doni ju Evro? Ju jap unë sa të doni, por nëse kini mundësi mos mi jepni përsëri evro, por ishuj. Po pse e hanim ne atë koqe ulliri, apo ta hanim sa krahu që përveç Erdogan efendiut të kishim mbi kurriz dhe Frau Merkelin? Këtë e ka thënë dhe vetë Presidenti i Serbisë Vuçiç në mos gaboj aty nga viti 2002, se ne ikim nga Kosova për të mos u larguar kurrë prej saj. E jo doni të bëni “mini shengen”. U mortja që s’u ha! Më dëgjoni mua mo u merrni me Serbinë e as me Italinë, a jemi vëlla me njëri-tjetrin? Këtë e kanë thënë dhe deputetët tanë dhe një historiane e juaj që dhe ne jemi fisi antik iliri. E se ishim fisi antik iliri, do të thotë se jemi vëllau, unë i madhi e ti i vogli kalla qirjes? Ella e të bashkohemi me greku e jo me serbi. Befas më ikën grekët nga ëndrra teksa në të pastajmen pashë Ramën me një kapele arabësh në kokë dhe përpara një tas me makarona, me ca ikona shtruar në rrugët e Parisit në krahun e majtë të lumit Sena krejtësisht i vetmuar duke bërtitur përpara disa ikonave të cilat ishin aq të trishtuara madje gati më të qarë: Hajde det dhe tokë Shqipërie, kush do me ble? Çuditërisht më doli Dik Marty, i cili i drejtohet Ramës: Keni tokë Kosove për Europën? Dhe jo shumë mbas tij i afrohet Nano me një çamçakëz në gojë si ai Roberti i filmit, duke tundur njërën këmbë si me tangërllëk e më i përvishet Ramës: “Po ti ore, ç’më je katandisur kështu, anës Senës i palarë e me thonjtë e paprerë”?

Ëndrra si për çudi më spostohet e si për inat më del Saliu me një tezgë të madhe mbushur me kallashë e fishekë duke bërtitur: Hajde Shqipëria një euro...Kush e do Shqipërinë për një euro? Po ky thashë me vete, në tezgë mban municion e armë, teksa shet tokën tonë?! U ngrita nga gjumi i tmerruar, por përsëri dhe i zgjuar u lebetita, nga ajo që pashë dhe do më ndiqte nga mbas çdo ditë. Vërtet ëndrra janë dhe e di që nuk dalin, po sikur të dalin?! Të nesërmen ëndrrën time, në formë opinioni ia lashë mbi tryezën e punës K/redaktorit. Le të vendosë ai nëse do e botojë apo jo, veçse nuk është ky problemi... Puna është së mua që nga ajo ditë mu vra qetësia, mu vranë ëndrrat, mu vra liria e gjumit. Nuk e di por çdo gjë më duket e vrarë. Nga ajo ditë më dalin qeveritarë me kandar dore duke peshuar tokë, disa futin nëpër qeska ajrin e Shqipërisë, ca të tjerë në b/detin e Himarës, e Sarandës dalin çdo ditë me flamur të vorioepiriotëve. Pyes: KUSH NA E VRAU SHQIPËRINË?

Duke zbritur shkallët e redaksisë një miku im i vjetër lab, kur më pa në atë gjendje më tha: Po ti pse ecën ashtu a i vrarë?! I vrarë, të vrarë, të vrarë. Po po ashtu është -ia ktheva - jemi të vrarë!