BREAKING NEWS

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson të dhënat: Ja sa raste të reja u shënua në 24 orët e fundit nga koronavirusi

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik
x
BREAKING NEWS

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama jep mesazhin e fortë në France 24, paralajmëron ndryshimin e madh: Do të bëjmë çfarë është e mundur që...

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama
x
BREAKING NEWS

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena që donin të vrisnin biznesmenin e njohur në Sarandë?

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena
x

Opinion / Editorial

Shkarkimi të jetë precedent dhe jo hakmarrje poltike

Shkarkimi të jetë precedent dhe jo hakmarrje poltike

Mazhoranca, pa kaluar entuziazmi i fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kanë nisur nga procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Në vështrim dhe gjykim të thjeshtë duket si veprim i duhur i socialistëve pas gjithë kalvarit të përplasjeve që kanë kohë që ekzistojnë midis tyre dhe protagonistit të shkarkimit, por duket edhe si një veprim i nxituar, meqë ky është vendimi i parë i fituesve. Që presidenti e meriton një shkarkim mbase edhe spektakolar nga kjo mazhorancë që i ka ardhur në majë të hundës nga ky president grindavec dhe që nuk ka lënë epitet pa i vënë kësaj mazhorance dhe vetë kryeministrit, këtë e kupton edhe bufi. Por edhe që hapat që duhet të hidhen duhet të jenë të studiuara dhe pa asnjë shkelje Kushtetute po ashtu është shumë e rëndësishme dhe duhet kuptuar drejt nga mazhoranca. Nëse e gjitha kjo do të jetë vetëm hakmarrje politike ndaj tij do të lërë të njëjtën shije që la vetë presidenti me veprimet e tij kur teksa tundte në çdo dalje konferencash Kushtetutën dhe stërbetohej se ishte ushtari i saj, në realitet ishte shkelësi i parë i saj. Mazhoranca duhet të sillet si një institucion që shkarkimin më së shumti po e trajton si një precedent dhe mësim për presidentët që do t’i vijnë kësaj republike dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë të njëjtë me këta presidentë që kemi provuar në këta 30 vjet që kush më shumë dhe kush më pak, kanë qenë të politizuar dhe jo si simbol i bashkimit kombëtar. Po ashtu mazhoranca nuk duhet të harrojë se nuk po shkarkon thjeshtë një president republike, risi kjo në jetën politike shqiptare, por po shkarkon atë që vetë e çoi drejt atij kolltuku dhe më e rëndësishme, po shkarkon një nga të vetët, meqë shpesh presidenti ka deklaruar publikisht se është një “socialist i thekur”. (Vërtet Meta e ka deklaruar jo pa mburrje se është një socialist i thekur, por nga e thëna në të bërë shkon në mes një lumë i tërë. Me veprimet vetjake dhe institucionale, Meta jo një herë ka provuar me vepra se nuk është thjesht një “socialist i thekur”, por një “socialist i djegur”. Me kapërcimet akrobatike në përfaqësim, njëherë rreshtuar nga e majta e pastaj nga e djathta dhe sidomos me ripërsëritjet e këtij rreshtimi ai vërtetoi se nuk është as i majtë e as i djathtë, por një tregëtar i mirë politik, që ka ditur fare mirë të përfitojë nga shitblerjet e posteve në qeveri). Në fakt nisma për një ndërmarrje kaq të rëndësishme politike nuk është e para për këtë mazhorancë. Ju kujtohet komisioni parlamentar i para dy vjetëve që me aq pompozitet i zhvillonte mbledhjet e tij edhe për publikun e gjerë, madje thirrën në një seancë vetë presidentin Ilir Meta, që nga ana e tij jo vetëm nuk mungoi në atë thirrje, por rrethuar nga këshilltarët e tij u mbrojt njëlloj si Gjergj Dimitrovi në gjyqin për djegien e Raishtagut gjerman, gati një shekull më parë? “Mbrojtje dinjitoze” sa e bëri komisionin të tërhiqej me turp nga akuzat që kishte artikuluar në fillim dhe ta falë presidentin. A thua do të kemi “copy paste” të atij komisioni edhe nga ky që po bëhet gati të ngrihet? Gjasat janë që nuk do të jetë ashtu. Inati i socialistëve ndaj presidentit dhe sidomos i kryeministrit ndaj tij duket që larg që nuk është sa për të kaluar radhën. Ata kanë mobilizuar forcat më të rëndësishme parlamentare jo thjesht për të startuar me hapin e parë, firmosjen e peticionit nga 50 deputetë të forcës së tyre politike, por edhe në akuzat që do të futen në dosjen që do t’i dërgohet Parlamentit. Më konkretisht kjo mbetet për t’u parë kur dosja të jetë gati, por në një analizë tepër të thjeshtë dhe pa qënë nevoja fare të jesh jurist, për ne që e kemi ndjekur imtësisht gjithë veprimtarinë e këtij presidenti përgjatë muajve të fundit, bindesh se këtë dosje me fakte kundër vetes presidenti e ka ushqyer më së shumti vetë përmes deklaratave pa asnjë logjikë dhe po ashtu edhe prej veprimeve që nuk i shkojnë për shtat asnjë presidenti. Trashja e zërit në kërcënimet se “do pres duar në mes të sheshit “Skënderbej”, “mprihni sfurqet dhe sëpatat”, do thërras edhe njëherë popullin si më 2 marsin e kaluar” ishin aktrime të presidentit që jo vetëm nuk ia rritën kuotat atij, por bënë efektin e kundërt. Po ashtu dalja hapur në fushatë elektorale në favor të opozitës e zhveshi atë nga roli kushtetues si president i të gjithëve dhe dënimin e mori teksa mblodhi për opozitën vota të pamjaftueshme për të qenë fituese. Edhe shkelja e protokollit për shpërndarjen e dekoratave ishte një veprim i papranueshëm. Për shpërndarjen e tyre ka një protokoll shtetëror dhe jo ashtu si veproi presidenti që i vari në qafë njërit prej këshilltarëve “trastën” me dekorata dhe shkoi qytet më qytet dhe i shpërndau ato, për ata që ishin me LSI-në. Ne nuk kërkojmë nga presidenti përsosmëri në këtë protokoll, siç ndodh në Mbretërinë e Bashkuar deri në imtësi të tilla që kur mbretëresha lëshon në tavolinë takëmet e ngrënies, lugën, thikën dhe pirunin dhe që tregon se ajo e mbarojë procesin e ngrënies, askush tjetër nuk duhet të vazhdojë ngrënien, por edhe ajo mënyrë e ndarjes së dekoratave ishte tej mase demode. Por ajo që vulosi fatin e tij ishte acarimi i panevojshëm me ambasadën amerikane e konkretisht me ambasadoren Kim. Kur deklaronte se “më pushkatoni po në Malin me Gropa dhe të shpëtoj populli” ai mendonte se po bënte rolin e heroit për të marrë admirimin e votuesve, por në fakt ajo deklaratë e shigjetoj dyfish personalitetin e tij: votuesit qeshnin sepse kujtonin shumë deklarata të tij që nuk kishin gjetur zbatim ndaj e dënuan përmes votës dhe ndërkohë shtoi zemëratën amerikane që e braktisi përfundimisht atë. Mirëpo zullumet e Ilir Metës nuk u mbyllën ditën e votimit, por vazhduan edhe pas saj. Nëse kishte vetëdeklaruar se “më datën 26 do të japë dorëheqjen nëse Edi Rama fiton 71 mandate” ai jo vetëm nuk e mbajti fjalën, por filloi të bënte edhe “llogje Kavaje” me gjuhën e shifrave meqë Rama mori 74 mandate. Për vlonjatët dhe ata që kanë jetuar në qytetin bregdetar kjo të kujton “Benë e Bratit”. Ishte koha kur gjykimi për gabimet e bëra bëhej fshatçe përmes pleqësisë dhe kur kjo pleqësi kishte burra zamani. Dy bashkëfshatarë vendosën të grabisnin një vresht. Vranë mendjen dhe e gjetën zgjidhjen jo vetëm për grabitjen, por edhe mbrojtjen që do bënin kur të shkonin përpara pleqësisë. Hipi njëri kalipiç mbi tjetrin dhe fillojë vjeljen për sëmbari të vreshtit. U dyshua për të dy dhe dolën përpara pleqësisë. Ai që ishte kalipiç deklaroi me vendosmëri se “nëse këmba ime ka shkelur në atë vresht të mi këpusni të dyja këmbët”. Ai që mbante në kurriz shokun deklaroi se “nëse duart e mia kanë këputur qoftë një kalavesh rrush të mi këpusni të dyja”. Asnjë nga ata nuk bën benë e gabuar dhe pleqësia nuk i dënoi. Si ata edhe Ilir Meta është i pafajshëm se ka deklaruar “nëse merr 71 deputetë”. Po nuk është kjo deklaratë vdekje prurëse për postin e presidentit. Përgatitësit e dosjes kundër tij janë kujdesur që si provë kryesore të jenë deklaratat luftënxitëse të tij gjatë fushatës dhe sidomos kundërvënia ndaj amerikanëve. Këto do të mjaftonin që atij t’i hiqet kolltuku që mban sot. Kjo nëse komisioni i ngritur do të jetë serioz dhe jo si ato dhjetëra komisionet e ngritura në këto 30 vjet nga ky Parlament dhe që në asnjë rast nuk kanë dhënë një alternativë të besueshme dhe të realizueshme. Përfundimet e të gjithë komisioneve të ngritura në vite kanë qenë nul dhe të akuzuarit kanë shpëtuar pa asnjë gjemb në këmbë. Siç doli edhe vetë Ilir Meta nga komisioni i parë. Sepse komisionet janë ngritur në furinë e hakmarrjes politike dhe gjatë kohës furia ka rënë në nivelin “dashuri” apo “mëshirë”. Dyshojmë që kështu do të përfundojë edhe ky komision që ndoshta do të shprehet se “meqë edhe vetëm një vit e kemi president, le ta durojmë”. Nëse komisioni, por edhe Parlamenti do ta shikojnë jo thjesht si hakmarrje politike, por si një precedent për të ardhmen atëherë do të kemi një vendim që do të ndodh për herë të parë dhe tepër domethënës për të ardhmen e parlamentarizmit shqiptar.