Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Shkëlqejnë studentët shqiptarë në Universitetin Teknik të Stambollit

Shkëlqejnë studentët shqiptarë në Universitetin Teknik

Është krenari e ligjshme të entuziazmohesh kur dëgjon një lajm të bujshëm transmetuar në rrjetet sociale, për tetë studentët shqiptarë që zunë vendin e parë në Universitetin Teknik të Stambollit. Ky fakt flet shumë për traditën arsimore në vendin tonë dhe për një gjeneratë të re që ka ambicie të arsimohet e kulturohet në universitet më prestigjoze të Europës e të botës. Ata synojnë jo thjesht për të marrë një diplomë për stoli, por si liderë për të përvetësuar dijet si një kapital shkencor për të ecur në rrugën e gjatë të jetës nëpërmjet konkurrencës dhe jo lëmoshës që të ofron pushteti. Ky realitet tregon për disa komponentë, që kanë reflektuar në rezultatet e larta dhe kanë arritur jo vetëm një individ, por plot tetë, që përbëjnë një skuadër, që po t’i rreshtosh secili ka individualitetin e vetë diferencial. Kjo arritje është meritë e familjes, shkollës së mesme ku janë diplomuar, mjedisit ku janë formuar dhe inteligjencës personale për secilin student. Të bën krenar, si shqiptar që “hartën” e Universitetit Teknik të Stambollit e çelin studentët shqiptarë. Duke qenë se rezultatet me nota maksimale renditen kronologjikisht, klasifikimi është bërë në grupe katërshe ku kryesojnë emrat e studentëve shqiptarë. Në katërshen e parë të studentëve që kanë dalë me rezultate të shkëlqyera, listën me numrin një e çel Emiljo Mëhillaj, nga Dukati i Vlorës, i diplomuar në degën e Inxhinierisë Elektronike dhe Telekomunikacionit. Shansi për të vazhduar studimet në Turqi Emiljos iu dha nga një bursë që fitoi nga Ministria e Arsimit, pasi doli me rezultate të shkëlqyera në provimet e maturës. Por për të nisur studimet në një universitet me kërkesa të larta, iu desh të konkurronte dhe të fitonte të drejtën për t’u arsimuar. Në këtë universitet pranohen më të mirët, pasi ka konkurrencë të lartë. Vullneti, ambicia, puna sistematike e këmbëngulëse, në çdo veprimtari njerëzore, të çon drejt autostradës së suksesit. Emiljo i ka vënë synim vetes që të arrijë në majat më të larta të dijes, duke vazhduar studimin për master në Zvicër, në ETH, në Zyrih. Atje do specializohet për Inxhinieri Biomjekësore. Pasi të mbarojë specializimin, ai preferon që të vijë dhe të punojë për vendin e tij. Këto ëndërrime të këtyre të rinjve të talentuar, duhet t’u përgjigjet qeveria me një vëmendje, klimë e predispozicion për t’u krijuar mundësi punësimi, duke hequr dorë nga praktikat e deri më sotme me preferenca të militantizmit, nepotizmit, krahinalizmit dhe klientelizmit. Kur të zërë vend meritokracia, shpresojmë se do bëhet Shqipëria. Kur shikon renditjen e 10-shes së parë të studentëve të diplomuar për bachelor të vitit akademik 2019-2020, Universitetit Teknik të Stambollit, ndihesh krenar që 8-të të parët janë shqiptarë, ku katërshja e parë ka rezultatin me mesataren 3,99. Pas Emiljo Mëhillaj renditen Bianka Pajo në degën Inxhinieri Ndërtimi, Sigela Muharremi dhe Alueda Kuka në degën e Ekonomi-Financë. Në katërshen e dytë renditen Arlind Billa në degën e Inxhinierisë Elektronike dhe Informacionit dhe Xhoela Bame në degën Biologji Molekulare dhe Gjenetike, me mesatare 3,96. I treti i universitetit me mesatare 3,94 është Alket Çiku për Inxhinieri Ndërtimi dhe i katërti Gerald Topalli me 3,93. Listën e dhjetëshes e më të mirëve të Universitetit Teknik të Stambollit, e mbyllin dy studentët turq, Ahmet Yasin Kul në degën Inxhinieri Kompjuterike dhe Çigdem Buse Oral në degën e Kimisë. Edhe në vitin e kaluar vendin e parë e ka zënë një studente shqiptare Ida Gjergji, me mesatare 4.0. Ky klasifikim tregon për standardin e lartë të shkollës së mesme në Shqipëri, që i ka pajisur me dije për të përballuar kërkesat ekselente që ka universiteti në Turqi. Ky fakt flet dhe për një shoqëri të emancipuar të Turqisë që nuk ka paragjykime nacionaliste siç ndodh kryesisht me fqinjin tonë jugor Greqinë dhe më pak me fqinjin detar Italinë. Studentët e diplomuar si elitarë tregojnë se Turqia jo vetëm që nuk i paragjykon kombësitë nga vijnë studentët, por përkundrazi veçanërisht për shqiptarët ka një trajtesë preferenciale pohojnë studentët. Ka ndodhur disa herë që në Greqi të dalin të parët nxënës dhe studentë shqiptarë dhe u është mohuar përfaqësimi në evente kombëtare për hir të kombësisë shqiptare. Racizmi dhe antishqiptarizmi grek është një trashëgimi historike, deri në agresive e përçmuese. Nuk është një shfaqje sporadike, por një strategji dhe mentalitet që buron te institucionet në strukturat shtetërore dhe shpërndahet në arteriet e popullit grek në mbarë Greqinë. Në Greqi antishqiptarizmi është kthyer në fenomen masiv, ndërsa në Itali është ndonjë rast i shkëputur te individë të veçantë të indoktrinuar me ndjenja nacionaliste. Një rast me një studente të talentuar në lëndën e letërsisë, mësuesja e ngre në mësim dhe pasi i përgjigjet shumë mirë e vlerëson me një notë që i korrespondon me 7-të tek ne. Studentja u mërzit, por nuk e dha veten. E ngriti në mësim përsëri dhe e vlerësoi me të njëjtin rezultat. Vajza e nervozuar për këtë padrejtësi filloi të qajë. Mësuesja iu drejtua pse po qan Isida. Ajo i tha: Pse më vure 7-të mësuese, unë iu përgjigja shumë mirë. Mësuesja ja priti se unë s’po u vë 10 italianëve e jo ty. Studentja e acaruar dialogoi pse do më penalizosh se jam e huaj dhe u ankua te drejtori që e vuri padrejtësinë në vend duke krijuar komision dhe studentja u vlerësua me notën 10-të. Por në Itali kemi të bëjmë me raste të shkëputura, ndërsa në Greqi me një fenomen që ka infektuar mbarë opinionin grek. Qeveria greke ankohet dhe flet vazhdimisht për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, kur janë më të privilegjuar se vendasit me shkolla në gjuhën greke dhe ku ka pak nxënës, me degë në gjuhën greke në Universitetin “Eqrem Çabej” dhe harron që shqiptarëve në Greqi iu ka mohuar shkollën, gjuhën, e deri te emrat që jua kanë greqizuar. Kjo padrejtësi, është njëkohësisht përgjegjësi e dobësi e shtetit shqiptar, që nuk vendos marrëdhënie reciprociteti mes dy vendeve, por tregohet inferior. Fenomeni i nxënësve me rezultate të shkëlqyera nuk shfaqet vetëm në Universitetet e Turqisë, por në të gjithë vendet e Europës dhe të botës ku ka emigracion shqiptar. Rasti i Turqisë u propagandua se ishte në grup, por ka studentë ekselentë në shumë universitete të huaja që nuk njihen në institucionet tona, pa folur për opinionin publik.

Do ishte e udhës që Ministria e Arsimit dhe institucionet përkatëse të evidentonin e listonin studentët elitarë ku do ku studiojnë në universitete brenda dhe jashtë vendit dhe t’u ofronin mundësi punësimi duke i paraprirë me një përkujdesje të veçantë shtetërore. Arsimi është fytyra e kombit. Për të përmbushur cilësisht këtë detyrë shtetarët tanë të kujtojnë sentencën kineze se: “Po mendove për një vit mbill një farë, po mendove për dhjetë vjet mbill një pemë dhe po mendove për 100 vjet arsimo popullin”.