BREAKING NEWS

Bilanc i frikshëm, koronavirusi u ka marrë jetën mbi 42 mijë personave. Si është ‘pushtuar’ bota, cili shtet ka shifrën rekord të të infektuarve

Bilanc i frikshëm, koronavirusi u ka marrë jetën mbi 42 mijë
x

Opinion / Editorial

Shoqata “Çamëria” s’dallon nga partia

Shoqata “Çamëria” s’dallon nga partia

Me lindjen e pluralizmit në Shqipëri, vërshuan një mori partish (që arritën shifrën mbi 100 ), të emërtuara të majta e të djathta, që me frymën e tyre destruktive e turbulluan dhe e përçanë klimën shoqërore dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në këtë mjedis të kontaminuar, për kundërpeshë u krijuan dhe disa shoqata atdhetare-kulturore, që morën si mision të amortizonin konfliktet politike dhe të krijonin një frymë miqësore brenda një komuniteti të caktuar. Në këto vite ku demokracia ishte e brishtë u krijuan shoqatat atdhetare-kulturore “Labëria”, “Kosova”, “Çamëria” dhe kështu vijuan një sërë shoqatash të tjera, që numri i tyre u rrit duke konkurruar me partitë politike.

Këndvështrimi ishte krejt i ndryshëm. Partitë të ndara në kampe formale të majta e të djathta, konkurronin njëra-tjetrën me egërsi për të pushtuar pushtetin fitimprurës, ndërsa shoqatat zhvillonin veprimtari atdhetare-kulturore për të përjetësuar historinë, traditat, zakonet dhe heroizmin e popullit tonë në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Por ka disa shoqata që kanë dalë nga shtrati i tyre dhe kanë rënë pre e interesave të disa partive që i përdorin për qëllimet e tyre diabolike. Një nga këto shoqata që ka rënë nën tutelën e partisë PDIU, është Shoqata Patriotike Çamëria.

Është bërë e modës që në përvjetorët e krijimit të shoqatave, që kanë karakter festiv, të ketë ftesa të ndërsjella. Unë në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, kam marrë pjesë në të gjitha ceremonitë festive, që kur është krijuar shoqata Çamëria, që drejtohej nga Abas Dojaka, e më vonë nga kryetarët Ardian Tana e Abas Hado dhe reciprokisht dhe ata kanë asistuar në ceremonitë e Labërisë. Fryma e këtyre veprimtarive ka qenë brenda kuadrit të shoqatës, për të prezantuar veprimtaritë atdhetare-kulturore. Ndryshe nga herët e tjera, shoqata “Çamëria”, në kremtimin e 29-vjetorit të krijimit të saj ngjante me një parti ekstremiste, që nisi e mbaroi me akuza politike ndaj Partisë Socialiste dhe qeverisë së saj, me në krye kryeministrin Rama.

Në fjalën e tij, kryetari i shoqatës Çamëria, z. Dritan Sejko nuk shpalosi veprimtarinë e kësaj shoqate për misionin atdhetar e kulturor, por u pozicionua në një poligon politik, që zgjatimi i idesë së shoqatës, pasoi me fjalën e kryetarit të partisë PDIU, z. Shpëtim Idrizi. Të dy lektorët ishin në sinkron dhe si dalloje dot njërin nga tjetri nga fryma që përcollën në fjalën e tyre. Kjo situatë jo normale për një shoqatë, irritoi jo vetëm të ftuarit nga shoqatat homologe, siç ishte dhe kryetari i Mallakastrës e ndonjë tjetër, por dhe disa miq çamë, personalitete të Çamërisë dhe më gjerë, të Shqipërisë.

Krahina e Çamërisë, në shekuj ka njohur njerëz të mençur, trima e patriotë, personalitete të shquara të kombit, që me veprimtarinë e tyre atdhetare kanë dhënë kontribut rrënjësor në identitetin e kombit. Labëria dhe Çamëria, janë si motra binjake, që si zgjatim të njëra tjetrës i ka vendosur historia. Labëria, e do fort Çamërinë, si motrën e vet. Çamëria, historikisht e ka pasur strehë Labërinë. Edhe gjatë gjenocidit të egër grek në vitin 1944, porta e parë ku ndalën çamët ishte Labëria. Por unë kam dhe një arsye më shumë që më afron me vëllezërit tanë çamë, vendlindjen time Dukatin, që i priti përzemërsisht, i strehoi dhe i trajtoi si pjesë të familjes së tyre. Dhe komuniteti çam i Vlorës, për të shprehur mirënjohjen e tyre ka ngritur një lapidar në Fushë-Dukat. Kaskada e marrëdhënieve me të përndjekurit nga Çamëria zbret deri te familja ime, që jo vetëm strehoi një familje çame, por babai im ka bërë një gjest human që pak e bëjnë, që kësaj familje i dhuroi 2 dynym tokë dhe 20 krerë bagëti për t’i bërë pronar të pavarur dhe njëkohësisht punonin së bashku në veprimtarinë bujqësore e blegtorale.

Qarqet reaksionare greke, ja kanë ndierë peshën, njohur vlerat dhe ja kanë pasur frikën Çamërisë, duke e parë si rrezik për komunitetin grek që jetonte në rrethinat e Çamërisë. Por jo vetëm Çamërisë, por dhe emri i Labërisë, e tmerronte Napolon Zervën. Jo më kot, ai është shprehur: “Le të ketë një çik Shqipëri, por mos ketë Labëri”. Por kjo ëndërr e tij s’mund të jetojë sot, kur Çamëria e Labëria dhe e gjithë Shqipëria e Kosova, janë të bashkuara në një front unik për çështjen çame. Për çështjen çame s’ka e s’duhet të ketë të majtë e të djathtë, por ka vetëm shqiptarë dhe kush mendon ndryshe është antishqiptar, është i shitur, mercenar. Kam shkruar shumë shkrime për çështjen çame, pasi është një plagë që s’ka gjetur shërim, që mua më lëndon dhe s’ka libër timin publicistik ku mos të kem dy e tre shkrime për Çamërinë, si te “ Papagajtë e politikës”, “Ishim më mirë kur ishim më keq” dhe te “ Shqipëria dhe Krahinomania”.

Kam marrë pjesë aktivisht në tubimet që ka bërë shoqata Çamëria dhe e ndiej obligim shpirtëror dhe institucional, që të kontribuoj intelektualisht dhe nëpërmjet shoqatës Labëria për çështjen e Çamërisë. Por intelektuali dhe shoqata kurrë s’mund të bëhet lodër djallëzore për interesat meskine të partive. Te kryesia e shoqatës “Labëria”, ka personalitete kombëtare të majta e të djathta, që brenda shoqatës ndihen komodë, se aty nuk ekziston fjala Parti Socialiste apo Parti Demokratike. Duke i parë në këtë sfond, unë partitë i kam përcaktuar si një kopsht me gjemba që shpojnë dhe helmojnë njëra-tjetrën, ndërsa shoqatat një kopsht me lule, kolor, që i bashkojnë e vëllazërojnë njerëzit brenda misionit të tyre patriotik. Shoqata Labëria ka treguar me fakte se ajo mund të reagojë vetëm atëherë kur preken interesat kombëtare.

Dhe një rast flagrant ka qenë marrëveshja e detit. Për këtë akt antikombëtar, shoqata Labëria bëri një tubim me 67 shoqata, përfshirë këtu dhe shoqatat Kosova dhe Çamëria, ku u firmos një peticion kundër marrëveshjes së detit dhe aktorëve shtetërorë që e iniciuan këtë akt antikombëtar. Po të përsëriten raste të tilla, nga kushdo qoftë, të djathtë apo të majtë, ne do jemi në një front të përbashkët për t’i denoncuar e ndaluar në aktin e tyre tradhtar. Por kurrë, s’duhet t’u bëjmë fresk partive, që të na përdorin disa vagabondë politikë të djathtë e të majtë për të realizuar qëllimet e tyre diabolike.

Shoqatat duhet të realizojnë misionin e tyre patriotik dhe të ruajnë identitetin social për t’i shërbyer emancipimit të shoqërisë shqiptare. Është për të ardhur keq që një vend i BE-së siç është Greqia, flet për të drejtat e minoriteteve, në një kohë që popullsisë çame nuk u njeh vendlindjen e tyre, Çamërinë, që është e shenjtë, pa folur këtu për t’i njohur pronat dhe varret e të parëve të tyre. Ne me Greqinë vazhdojmë marrëdhënie fqinjësie me ironinë më diabolike si “dy popuj miq”, që na bashkon ligji i luftës. Kanë ndodhur shumë incidente në trojet shqiptare si në Himarë, në Boboshticë të Korçës, në Këlcyrë, e së fundi në Bularat të Gjirokastrës, ku autoritet greke na shfaqen si në shtëpinë e tyre me ministra, deputetë e politikanë dhe para një situate absurde shteti ynë hesht. Inferioriteti dhe heshtja e qeverive tona ndaj veprimeve agresive të Greqisë, është dobësi. Pa dashur të bëj interpretime sipas qëndrimeve personale që i kam shprehur në shtyp, po shkëpus disa fragmente nga teksti i një prej deklaratave të Shoqatës “Labëria”, që ka bërë për çështjen e incidentit të Bularatit në Gjirokastër.

 Deklaratë e kryesisë të shoqatës kulturore atdhetare “Labëria”

...Shoqata “Labëria” i bën apel qeverisë që të vendosë standarde reciproke në tërë marrëdhëniet që funksionojnë me Greqinë, duke kërkuar partneritet dhe barazi për kërkesat preferenciale që ka pala greke. Krijimi i varrezave me eshtrat e ushtarëve grekë në territorin shqiptar të rënë në luftën italo-greke, është një precedent i rrezikshëm që do acarojë klimën mes dy vendeve dhe do krijoi tensione të vazhdueshme nëpërmjet pelegrinazhit që do kryhet në vite, për ritualin e të rënëve. Shoqata “Labëria”, konstaton se:

-Duhet bërë kujdes dhe transparencë publike për marrëveshjen e detit nga negociatorët e Shqipërisë.

-Të kërkohet me forcë njohja e të drejtave të rikthimi i shqiptarëve të Çamërisë në tokat dhe trojet e tyre etnike.

-Të hapet Konsullata Shqiptare në trojet shqiptare në Çamëri.

-Të hapen shkollat shqipe në të gjitha territoret Çame.

-Të lejohen nga qeveria greke të zbulohen eshtrat e shqiptarëve të masakruar nga gjenocidi grek, mbi shqiptarët e pafajshëm në trojet e tyre etnike.

-Ti kërkohet shtetit grek, dëmshpërblim për masakrat greke në trojet shqiptare.

-Respektimin në mënyrë rigoroze të parimit të reciprocitetit midis shteteve fqinje.

-Agjencitë ligjzbatuese shqiptare të hetojnë mbi skandalin e pagesave të shtetarëve dhe gazetarëve shqiptar etj, dhe kushdo qofshin ata të përballen me ligjin. (Tiranë më 09.11.2018).

 Për të gjitha këto raste e të tjera si këto, shoqata “ Labëria” ka protestuar me deklarata eventuale për çdo rast. Papagalli i qarqeve greke, kryetari i PBDNJ-së, z. Dule, (ngule e shkule), që lëviz si lavjerës sa te e majta, te e djathta, është i shqetësuar për fatet e minoritetit grek, që në Shqipëri i kanë me tepri, duke na e quajtur dhe Himarën minoritet grek. Përgjigjen koherente ja dha kryeministri Rama, që i tha se Himara është njësoj si Tropoja. Por, ajo që dua ti kujtoj unë z. Dule është të shfletos historinë e Himarës te libri i profesor Pëllumb Xhufit, “Arbërit e Jonit” dhe aty do shohë se Himara qysh në vitet 1635 ka qenë kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra, që fillon nga bregdeti, shkon në fshatrat e Kurveleshit dhe përfundon në Delvinë. Ja kujtoj këtë fakt, jo se ai nuk e di, por si çdo grek, ka në ndërgjegje pak dredhi, që ja bën shpirtin më të zi. Ky “human i madh” i opozitës, përfaqësues i minoritetit grek, pse nuk ndikon në qeverinë greke që t’i lejojnë çamët që kanë lindur në Çamëri të vizitojnë trojet e tyre, se po largohen nga kjo jetë me brengën e thellë pa prekur pragun e portës së tyre, ku kanë marrë ninullat e para, duke u përkundur në djepin e nënës.

Ndiej keqardhje dhe për një mikun tim, Profesor Resmi Osmanin, që ka ikur pesë vjeç nga Margëlliçi dhe s’ka mundur dot të vizitojë shtëpinë ku lindi, falë “demokracisë liberale greke”. Greqia e ka realizuar strategjinë e saj në aspektin politik dhe atë fetar. Edhe në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare kanë prurë kryepeshkop Janullatosin, ku Berisha e emëroi dhe Meta e ligjëroi, duke i dhënë dhe nënshtetësinë shqiptare, që ta kenë grekët si pretekst pelegrinazhi, te ati i tyre shpirtëror. Shoqatat duhet të jenë të bashkuara për çështjen kombëtare. Kur shoqata rrëshqet në politikë, s’ka më patriotizëm, por partitizëm. Të gjitha shoqatat shqiptare duhet të bashkojnë zërin në një front unik për çështjen çame dhe të reagojnë me peticione e tubime të përbashkëta ndaj organizatave ndërkombëtare, që të vendosin drejtësi për një çështje që ka mbetur pezull si rrjedhojë e padrejtësive të fuqive të mëdha. Shoqata “Çamëria”, në kuadrin e 30-vjetorit të krijimit të saj, duhet të jetë lideri dhe lokomotiva që do tërheqë të gjitha shoqatat pas vetes për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për të korrigjuar padrejtësinë ndaj çështjes çame. Ky do të jetë kontributi final.