BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Shoqata kombëtare e ushtarakëve në rezervë në 25-vjetorin e krijimit të saj

Shoqata kombëtare e ushtarakëve në rezervë në

Më 8 prill 2021 mbushen 25 vjet nga dita e formimit të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH). Tashmë kjo shoqatë ka hyrë në histori. Duhet të themi se ajo është një nga shoqatat më dinjitoze dhe më cilësore në vend. Ajo përfshin në gjirin e anëtarësisë së saj të gjithë kuadrot e ushtrisë të dalë në lirim, rezervë e pension dhe me degët e saj shtrihet në të gjithë qarqet e vendit dhe Greqi, Itali e SHBA. Në anëtarësinë e saj janë të përfshirë të gjitha profesionet nga mjekë e gazetarë, inxhinierë e financierë, diplomatë e specialist të të gjitha llojeve të armëve e shërbimeve e deri tek politikanë. Mbi të gjitha në këtë shoqatë nuk gjendet asnjë i përfolur si para viteve 90-të ashtu dhe gjatë këtyre viteve të demokracisë.

SHKUR i Shqipërisë dallohet nga shoqatat e tjera për faktin se vetë programi i saj nuk është vetëm për të mbrojtur të drejtat ekonomike të ushtarakëve, por është gjithashtu pjesë përbërëse dhe kontribuon për sigurinë kombëtare dhe integrimin në Bashkimin Europian mbi bazën e një marrëveshjeje dhe autorizimi që ka me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë duke qenë pjesë përbërëse dhe anëtare me të drejta të plota në Konfederatën Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s (CIOR).

Duhet të vëmë në dukje se puna dhe veprimtaria e SHKURSH dhe organet drejtuese të saj për të sanksionuar me ligj dhe për të mbrojtur të drejtat ekonomike ka zëne kohën më të madhe gjatë gjithë kësaj periudhe 25-vjeçare.

Është e vërtetë se në kuadrin e reformave që u ndërmorën në vendin tonë, pra dhe në ushtri që në vitin 1991 u miratua nga Parlamenti Statusi i Ushtarakut i cili kishte përcaktuar ndër të tjera edhe formulën e pensionit te parakohshëm për vjetërsi shërbimi për ushtarakët e dalë në lirim nga reforma e cila nuk u zbatua, por u trajtua financiarisht me një VKM Nr.225 dt.10.01.1996 ku si rezultat i mospagimit te sigurimeve shoqërore oficeret dilnin në pension pleqërie, me pension minimal. Më e keqja qe se në janar të vitit 1966 u shfuqizua VKM Nr.225 më dt.20.05.1992 dhe u ndërpre trajtimi financiar i ushtarakëve edhe pse u takonte me status. Më vonë u miratua ligji nr. 8087 dt. 13.03.1996 për pensionet e parakohshme, por për çudi aty u vendosën dy kushte absurde duke mos u mbajtur parasysh Statusi i Ushtarakut, që oficeri të kishte 25 vjet punë në Forcat e Armatosura dhe tre vjet me status për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Reforma masive në ushtri u krye pas një viti që ishte miratuar statusi dhe për rrjedhojë ata që kishin 25 vjet punë nuk kishin tre vjet me status dhe ata që kishin tre vjet me status nuk kishin vjetërsinë e 25 viteve punë, si rrjedhojë askush nuk përfitoi që prej 1 Janar 1996 e deri më 31 Dhjetor 1998. Pikërisht në këto kushte e rrethana më 8 Prill 1996 u formula SHKURSH si një domosdoshmëri për të mbrojtur interest ekonomike e financiare të ushtarakëve.

Me luftën dhe përpjekjet e Shoqatës nga ato institucionale e deri tek protestat u arrit që në Korrik 1999 të miratohej ligji 8521 dt. 13.03.1996 dhe fituan pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pension suplementar pleqërie rreth 12 mijë ushtarakë.

Kjo qe një arritje e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, por jo e mjaftueshme. E themi këtë për faktin se formula e caktuar në ligj u interpretua dhe u zbatua gabim gjë të cilën ushtarakët e vuajtën gjatë gjithë këtyre viteve, pavarësisht se mjaft prej tyre e kanë fituar me vendime gjyqësore.

Pas këtyre arritjeve për ushtarakët ishin shqetësim dy probleme të mëdha. E para ishte se nuk trajtoheshin me Status të gjithë ushtarakët që kishin dalë në pension para se të hynte në fuqi statusi. Por në anën tjetër vërtet u fitua pensioni i parakohshëm e u quajt vjetërsi pune dhe kontributet paguheshin nga shteti por ato paguheshin për pagë minimale dhe si rrjedhojë dilnin në pension minimal. Këtu u përqendrua dhe puna e Shoqatës në të gjitha format gjatë viteve 2000 – 2004 kur Parlamenti miratoi ligjin nr. 9210 dt. 23.09.2004 Statusin e Ushtarakut të përmirësuar ku e fituan atë edhe ushtarakët e dalë në lirim para viteve 1992.

Një vit më vonë u miratua dhe ligji Nr 9418 dt. 25.05.2005 për pensionet suplememtare bazuar në Statusin e Ushtarakut i cili përcaktoi se koha e trajtimit me pension të parakohshëm jo vetëm konsiderohej vjetërsi pune por kontributet derdheshin për pagë referuese dhe jo më si pagë minimale siç ishte në ligjin e mëparshëm. Kjo bëri të mundur që të arrihet një trajtim i pranueshëm nga ana financiare për ushtarakët e dalë nga Reforma në Lirim, jo se u arritën standardet e NATO-s, por duke marrë parasysh kushtet e vendit tone pati një përmirësim në trajtimin e tyre.

Fatkeqësisht nuk qe e thëne që këto përmirësime të gjenin zgjidhje në praktikë. Kjo pasi pas Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2005 në vend që qeveria që erdhi në pushtet të nxirrte aktet ligjore për zbatimin e ligjit 9418 dt 25.05.2005 i cili hynte ne fuqi në datë 01.01.2006 paraqiti dhe miratoi në Parlament disa amendamente për ligjin në fjalë në përmjet ligjit Nr 9481. Në këtë ligj ndërsa trumbetohej me të madhe përcaktimi i pensionit të parakohshëm me tavan sipas gradës në të në nenin 17 thuhej se këtë ligj e përfitojnë ushtarakët që dalin në lirim nga ky moment e tutje dhe gjithë të tjerët të vazhdojnë të trajtohen me ligjin 8087, dt. 13.03.1996.

SHKUR nuk u pajtua me këto amendamente sepse ushtarakët ndaheshin në dy grupe jo të barabarta para ligjit dhe e ankimoi atë në Gjykatën Kushtetuese. Por edhe pse u fitua gjyqi në Gjykatën Kushtetuese me vendimin Nr. 9 dt 26.02.2007 ai nuk u zbatua por u zvarrit dhe dy vjet e gjysmë.

Si rezultat i punës së gjithëanshëme të SHKUR nga ato institucionale e deri tek protestat e fuqishme u arrit që Qeveria miratoi ligjin 10142 dt 20.05.2009 që përkeqësoi ligjin Nr. 9418 duke shkelur parimin e sigurisë juridike ku një ligj nuk mund të bëhet më i keq se i pari.

SHKURSH edhe këtë ligj e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese dhe përsëri e fitoi gjyqin me vendimin Nr 33 dt. 24.03.2010.

Në pritje për zbatimin e ligjit dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese politika dhe qeveria shkoi edhe më tej duke nxjerrë e miratuar një akt normativ që u kthye në ligj dhe zëvendësoi nenin 14 të ligjit Nr. 10142 dt. 15.05.2005. Ai ishte i përkeqësuar edhe më tej dhe i kundërvihej vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë ligjit 10142 dt.20.05.2005, që ishte miratuar. Me gjithë kundërshtimet tona qeveria nuk u lëkund nga qëndrimet e saj, por vazhdoi antikushtetueshmërinë në zbatimin e ligjit duke përkeqësuar ushtarakët që trajtoheshin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Pas zgjedhjeve elektorale të vitit 2013 ku ne mbështesim këtë aleancë që është sot në pushtet duke ju lënë kohën e duhur kemi ngritur shqetësimet tona nëpërmjet medias e deri në rrugë institucionale nëpërmjet letrave, takimeve të ndryshme me institucionet përkatëse që lidheshin me këto çështje.

Për rrjedhojë u mor një vendim që të ndërpritej mbajtja e debisë qe ju vendos ushtarakëve në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese si pasojë e kryerjes me vonesë të rillogaritje së pensioneve të parakohshme. Në të njëjtën kohë u kthyen edhe paratë e mbajtura padrejtësisht për 5200 ushtarakë nga Nëntori 2016 deri në Maj të vitit 2017.

Pjesë e rëndësishme e kontributit të SHKUR janë edhe arritjet e saj në fushën e integrimit Euroatlantik. Fillimisht SHKUR mori informimin e nevojshëm mbi CIOR si dhe masat që duheshin marrë dhe dokumentet që duheshin përgatitur se edhe pranimi në të bëhej gradualisht nëpërmjet statuseve: mik, vëzhgues dhe asocues, ndërsa anëtarësimi në të me të drejta të plota kushtëzohej me pranimin në NATO të vendit tonë.

Pas një pune të gjithëanëshme të SHKUR u bë e mundur që më dt. 27.07.2002 në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të CIOR-it shoqata jonë pranohet vëzhgues në Konfederatën Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s në Strasburg të Francës. Në vitin 2005 në mbledhjen e radhës SHKUR të Shqipërisë u pranua asocues në CIOR. Në vazhdim SHKUR mori pjesë në të gjitha veprimtaritë që zhvillonte konfederata.

Pas pranimit të vendit tonë në NATO në 2009 shoqata jonë në kongresin e Bukureshtit të CIOR-it më 5 Gusht u pranua anëtare me të drejta të plota. Theksojmë se pas dy viteve SHKUR të Shqipërisë dhe vendi ynë u bë pritës i të gjitha vendeve anëtare të NATOS ku këtu ne Tiranë u organizua një Workshop me temë për organizimin dhe përgatitjen e forcave rezerviste ku morën pjesë të gjitha vendet e NATOS nga Kanadaja e SHBA deri në Turqi. Kjo veprimtari tre ditore në Tetor të 2011 me vendet anëtare te CIOR-it ishte një nder për vendin tonë, për forcat tona të armatosura dhe një aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar për SHKUR të Shqipërisë.

Në këtë kuadër me rëndësi kanë qenë dhe veprimtaritë e përbashkëta që ka bërë SHKUR me vendet fqinje si Italinë, Maqedoninë, Bullgarinë, Malin e Zi etj.

Për rrjedhojë SHKUR të Shqipërisë është bërë një faktor i rëndësishëm, një urë lidhëse për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian e cila duhet të vlerësohet edhe më shumë nga Ministria e Mbrojtjes dhe çdo qeveri që vjen në pushtet.

Në veprimtarinë e saj shoqata ka zhvilluar shumë aktivitete kushtuar datave të shënuara në historinë e vendit. Jo vetëm kap, por në mënyrë të vazhdueshme llojet e armëve e shërbimeve kanë kryer aktivitete kushtuar datave historike të krijimit të tyre dhe është përgjithësuar eksperienca pozitive për të përcjellë e çuar më tej përvojën në Forcat e Armatosura në interes të mbrojtjes së vendit. SHKURSH ka përjetuar e përcjellë me shqetësim disa ngjarje për vendin tonë. Ajo ka mbajtur qëndrim real, objektiv e të paanshëm për këto ndodhi siç janë ngjarjet e vitit 1997 e cila pasqyrohet në librin e z. Kol Ndreka “Përballë padrejtësisë” apo për ngjarjen e Gërdecit, 21 Janari etj për të cilat kanë ndikuar për një analizë objektive, nxjerrjen e përgjegjësive dhe sidomos për mësimet që duhet të nxjerrim pas këtyre ngjarjeve negative.

Në këtë mënyrë puna dhe veprimtaria e Shoqatës ka qenë më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse për jetën e vendit, zhvillimet demokratike duke kontribuar pse jo edhe për integrimin Europian. Edhe në të ardhmen bazuar edhe në përvojën e fituar SHKUR është dhe do të mbetet avokat dhe mbrojtëse e të drejtave të ushtarakëve të sanksionuara në Kushtetutë, Statusi i Ushtarakut dhe ligjet përkatëse, do jetë anëtare kontribuese e Konfederatës Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s dhe do të promovojë traditat patriotike të vendit dhe të popullit tonë për ta çuar më tej Demokracinë e zbatimin e shtetit të së drejtës si dhe mbajtjen e bashkuar të ushtarakëve në rezervë e pension.

*Kryetar i Këshillit Drejtues të SHKUR të Tiranës