BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Shoqëri arrogante, që pretendon një shtet ndryshe vetes!

Shoqëri arrogante, që pretendon një shtet ndryshe vetes!

Nuk të lëshojmë rrugën në një korridor të ngushtë, nuk hapim rrugë kurrë qoftë dhe në dijeni që nuk kemi të drejtë. Absolutisht me zor, por në përgjithësi nuk përshëndesim, nuk themi faleminderit dhe as të lutem. Vendosim makinën në dy vende të vizuara, nuk hedhim plehrat në kazan, por në afërsi nuk presim të gjithë në radhë, por thyejmë radhën të gjithë, nuk flasim butë, por bërtasim që të dëgjojë dhe tavolina tjetër. Jemi një përzierje mes arrogancës dhe injorancës në mënyrë tragjike. Arrogancë groteske me shikime tip "gangster që nuk ta bën të gjatë burra dhe gra" dhe makinë të bukur që prishet shpejt sepse nuk ja ndërron vajin asnjëherë. Një shoqëri që sillet në horizontalen e saj poshtë, akoma më me arrogancë se sa në vertikalen e pasurisë dhe pushteteve politike është akoma në embrion filozofik në eksperiment demokracie. Në fakt, është një reflektim kokëposhtë i arrogancës së shoqërisë, e cila kur ngrihet në vertikale ka kulmin e saj gazsjellës te kryeministri që i thotë gazetares: vdeksha unë për ty dhe Bashën. Po po në groteskun më të madh "asgjë seriozisht marrë" dhe "çdo gjë korruptivisht bërë" që kjo shoqëri katapulton mbi krye të saj. Por jo se nuk e meriton dhe se nuk është pasojë direkte e retro kulturës dhe folklorizmi dekadent ambicioz korruptiv i saj. Absolutisht gjithçka që është politikisht mbi kryet e kësaj shoqërie nuk është jashtë saj. Duke filluar nga individët Zog, Enver, Ramiz, Nexhmije, Mehmet dhe Sali e Fatos apo Rama etj etj. Ka poshtë në shoqëri akoma më të këqij, akoma më injorantë dhe akoma më të korruptuar dhe kriminelë nga këta që përmenda më lart. Por sigurisht këta janë ata që kishin kushtet dhe vetitë për të dalë në krye të turmës të atyre shqiptarëve që këtë prodhim nxjerrin. Nuk është se ky prodhim erdhi ashtu, pa asnjë lidhje me shoqërinë. Nuk është se jua morën nga diku tjetër dhe jua sollën mbi supet dhe kokat e tyre, apo kokat tona. Pra atyre që kuptojnë dhe jo. Absolutisht janë denjësisht arrogantët e një shoqërie arrogante mbushur me injorancë dhe vese që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën europiane dhe perëndimore. Kush është kulturalisht i tillë ose ikën jashtë ose vuan brenda. Po arrogantët kanë lidhje me një mesjetë idiotësh dhe folklorikësh që në Europë jo vetëm nuk ka qenë kaq e tillë, por as ka pasur mundësi të jetë në këtë mënyrë kaq arrogante dhe e përgjithësuar si te ne. Jemi shoqëria në kulmin e egoizmit e dalë nga kulmi i një varfërie absolute dhe goje të mbyllur absolutisht. Nga arroganca e klikës së medemek komunistëve shqiptarë që ishin më folklorikët në botë dhe si pasojë më arrogantët injorantë, që bota ka parë si praktikë shtetërore dhe politike. Imagjinoni Europa sa afër gjeografikisht dhe larg filozofikisht dhe kulturalisht. Një shoqëri, ajo pra, e cila kishte parë kriminelë dhe tiranë, por jo arrogantë të delirit personal jashtë ideologjisë dhe qeverisjes. Në mënyrë absurde jemi kthyer në sajë të arrogancës që ja morën si të "drejtë" demokracisë në shoqërinë më ambicioze në marrëzinë tonë kolektive. Giacomo Leopardi thotë: Egoizmi ka qenë gjithmonë murtaja e shoqërisë dhe sa më e madhe ka qenë, aq më keq kanë qenë kushtet shoqërore. Ne sot jemi shoqëri më ambicien më të madhe dhe kushtet më të këqija dhe anormale pikërisht shoqërore. Kjo nuk do asnjë vërtetim sepse edhe Kosova në këtë drejtim është diçka më mirë, kurse të tjerët absolutisht më mirë përfshi të gjithë Ballkanin. Një shoqëri arrogantësh dhe injorantësh, si prerje vertikale dhe horizontale e di veten më të diturën në botë. Dy lek të ketë në xhep kjo shoqëri kujton se ka dijenitë e botës në dorë. Në përgjithësi individi shqiptar i post komunizmit apo post diktaturës në ambicien e tij, mori përsipër arrogantin sigurisht të shoqëruar me injorantin për të bërë si pasurinë e tij dhe padyshim politikën në liri dhe pothuaj demokraci. George Bernard Shaë thotë: Ai nuk di asgjë dhe mendon se di gjithçka dhe kjo të lë të kuptosh qartësisht për karrierë politike. E gjithë politika jonë, pothuaj gjithë individët janë plotësisht një përfundim i qartë i këtij mendimi filozofik. Por janë prodhim i plotë i një shoqërie që krahas gabimit dhe fajit të duartrokitjeve ndaj diktaturës dhe Enverit, për shumë vite, po bën tashmë duartrokitjen ndaj injorancës së saj, arrogancës në ambicie dhe pushtet. E kjo prodhon në mënyrë masive korrupsionin bazik, qelizor dhe galopant. E keqja është se një pjesë e madhe e kësaj shoqërie pretendojnë një qeverisje ndryshe modelit dhe veseve të saj. Pretendojnë që Rama apo dikur Berisha apo Nano dhe të tjerë, të mos ishin dhe jenë arrogantë sikundër është vetë në pjesën dërmuese vetë shoqëria. Kjo është fantastike. Pretendojnë një qeveri të urtësh, kur katapultojnë me dëshirë arrogantë të marrë. Ju duken më trend dhe më të besueshëm se sipas tyre bëjnë shtet. Kjo është pastaj një nga deliret kryesore politike të një shoqërie arrogante. Kur politikanët tonë nuk lirojnë rrugë, nuk reagojnë qetësisht, nuk kthejnë rrugë në faj, ose kur nuk zbatojnë atë që premtojnë dhe grabisin kjo shoqëri kujton se nuk i kanë ngjarë asaj. I vjen keq në përgjithësi. Pothuaj të gjithë kështu jemi dhe kush arrin të kuptojë se nuk shkon më kjo marrëzi kolektive, shkëputet dhe nuk mund të qëndrojë filozofikisht pjesë e një deliri të tillë shoqëror që bën keq pastaj politikisht në këtë vend të bukur, por folklorikisht arrogant dhe injorant.

Ne, të gjithë ne, nuk do të ndryshojmë kurrë qeverisje, as zgjedhje (që nuk janë zgjidhje) as model drejtësie dhe arsimimi apo shëndetësie e punësimi pa ndrequr modelin shoqëror tonin, pa larguar keqedukimin dhe arrogancën shoqërore mbështetur në injorancë anti europiane në mënyrë tragjike. Fajet e lidershipeve politike, krimet e herëpashershme dhe fajet ekonomike vijnë drejtpërsëdrejti nga një shoqëri që nuk ndalet në vijim të arrogancës së saj, në degradim të lirisë dhe përdhunim të demokracisë. Sigurisht në degradim të vazhdueshëm që i jep jeta informale në çdo aspekt. Tashmë janë shumë që e kanë kuptuar këtë marrëzi kolektive dhe ikin, por akoma më mirë e ka kuptuar Rama që mbi të tillë marrëzi kolektive vendos përfitimin e tij, forcës politike dhe elitokracisë devijate që quhet Rilindje.