BREAKING NEWS

Përplasje me armë zjarri në Vlorë/ Dalin emrat e të plagosurve, xhaxhai i 28-vjeçarit rrëfen si ndodhi ngjarja: Ishim duke pirë kafe, kur dëgjova...

x

Opinion / Editorial

Për shoqëri që prish themele dhe shton kate, "koha ndalon"!

Post tërmeti sigurisht ka mënyrën më të mirë "përfituese" kur nxirren konkluzione, jo vetëm "armiqësisht" dhe realisht mbi qeverisjen, por dhe mbi veprimin e shoqërisë tonë këta pothuaj 30-të vite në demokraci! Koha sot imponon jo vetëm kritikën dhe akuzën ndaj pushteteve këto tre dekada, por sidomos konkluzionin e papërgjegjshmërisë ndaj rregullave dhe parimeve urbane në liri! Kam kujtuar se "papërgjegjshmëria jonë më e madhe në demokraci është marrëzia e piramidave" kur njerëzit me një "modë idiote" humbën kursimet e tyre, por dhe fitime që ju siguroi puna shpesh herë pa rregulla! Jo kjo është e dyta. E para, është veprimi mbi urbanitetin, arkitekturën dhe fajin që paguhet kur bie tërmet pikërisht me jetën e tyre! Për këtë nuk dua të marr më në analizë pushtetet që janë padyshim fajtorët më të mëdhenj, por vetë shoqërinë e cila sillet si një diçka pa moral dhe pa përgjegjësi me veten! Çfarë dua të them? Në fakt, më duhet të kujtoj se janë tre faza ndërtimi në diktaturë. Ne kemi mësuar të jetojmë në pallate në mënyrë masive vetëm mbas viteve 1950-të me ndërtimet e para, ato të "Shallvareve" në Tiranë dhe pastaj në vazhdim. Ishim një shoqëri që jetonte në shtëpi si familje dhe kaq. Ndërtimet e para ishin me themele guri dhe punuar relativisht mirë. Por atyre ju shtuan dhe faza e dytë e ndërtimeve në ‘60-të, 70-të si kontribut vullnetar me materiale të dobëta dhe mbas tërmetit të 1979-s ndërtimet me beton dhe hekur apo me kolona! Tërmeti i fundit, tregoi se një pjesë e pallateve të asaj kohe ishin vulnerabël, jo kaq shumë nga cilësia se sa nga prishja e themeleve të kateve të para për lokale apo dyqane në demokraci! Problemi rëndohet akoma më shumë kur dihet qartë se: mirë themelet e kateve të para sidomos të pallateve në rrugë janë rrëmuar, por ju janë shtuar dhe nga një ose dy kate sipër. Një mik imi urbanist dhe arkitekt, të cilin tashmë regjimet sot nuk e duan dhe respektojnë, sepse flet gjithmonë të drejtën dhe që ka një karrierë prej 40-të vitesh në profesion, thotë se janë mbi 30.000 apartamante si kate të para të "shkallmuara", kështu dhe mbi 14.000 shtesa sipër kateve më të lartë që kanë poshtë themele të rrëmuara dhe prishura si struktura ndërtimi. Kudo, në Tiranë sasia më e madhe, në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë e Sarandë apo të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë, por dhe në qytete të vogla në qendrat e tyre! Fati është te tre-katëshet, por që janë bërë katër-katëshe dhe pastaj me radhë në ndërtimet e diktaturës si të cilësisë me para-tensionime dhe ato me llaç e gurë e tulla sipër. Në informalitetin tonë absurd, që manisë për të kthyer çdo kat të parë në lokal dhe duke rendur mbas fitimit qytetarët shitën hyrjet dhe ai që i bleu (tregtari) në mënyrë të qartë në sasinë më të madhe theu themele dhe rrafshoi mure mbajtëse, duke prishur lidhjen e pallatit në mënyrë që tërmeti ta kishte më të lehtë shembjen dhe veprimin sizmik. Për më tepër, se katet e katërta ngritën struktura mbi to (veten) duke rënduar e shtuar mbi themelet e dobësuara, peshën e përgjithshme të ndërtimit që dhe vetë kishte defekte të mëdha në cilësinë e konstruksionit dhe materialeve. Po kush dreqin nuk e di këtë marrëzi tonën si shoqëri e papërgjegjshme në dorë të tregtarucëve që njohin vetëm fitimin dhe nuk pyesin as për vdekjen e tyre? Kush nuk e di se "aprovimin" e këtyre ndryshimeve të strukturave mbajtëse në themele e kanë bërë pa pyetur dhe pa kontrollin e pushtetit apo shtetit?! Edhe kur ka ardhur për kontroll, çdo gjë ka kaluar me një lek nën dorë dhe firmë e vulë në letër, Sigurisht dy veta (tregtar pronarë) në pallat, mbase kanë vepruar mirë, por shumica kanë parë vetëm punën e fitimit të tyre nesër dhe jo standardet e themeleve dhe betonit, apo lidhjes së themeleve (kolona betoni me hekur dhe cilësi) për të plotësuar kushtin mbajtës dhe sidomos atë sizmik. Shoqëria shqiptare në "kapitalizmin idiot dhe kriminal" që ndërtoi klasa e saj politike, ka bërë krimin e shkatërrimit të themeleve në urbanitetin e saj edhe ashtu të dobët! Ne jemi një shoqëri "tregtarucësh", që mendoi vetëm si të fitonte dhe se nesër do të paguante me jetë fitimin e saj. Nuk e ka bërë këtë gjë askush në Ballkan. Në Europë jo e jo në këtë masë dhe në këtë papërgjegjshmëri absolute. Kam të dhënat nga një mik i mi apo Dr Shpend Bengu për pallatin e tij, i rrëmuar keq themelesh dhe të denoncimeve që nuk ju është vënë veshi kurrë dhe kam dhe pamje apo dhe dijeni të shumta kudo në Shqipëri mbi vulnerabilitetin e kësaj mënyre ndërtimore, e cila tregoi se është sot një nga marrëzitë kolektive tonat. Po po dhe të vetes time dhe miqve të mi kudo për këtë moment tragjik marrëzie kolektive shoqërore. Jo vetëm e shtetit dhe pushteteve që sigurisht janë në vijën e parë të fajit pikërisht kolektiv, por dhe fajit vend e për vend personal, që pastaj kthehet në shoqëror. Mirëpo një shoqëri që prish themele dhe ndërton sipër kate ka një veçanti: ajo ka kohën të ndalur. Ose më mirë për këtë lloj shoqërie - koha ndalon. Si ndalon? Po po ndalon! Nuk ka mundësi që një shoqëri e tillë e papërgjegjshme të ketë ecuri normale në modernitet me të tillë koncept mbi fitimin dhe zhvillimin apo më mirë mbi urbanitetin në zhvillim. Te një shoqëri e tillë koha nuk ka kuptim, sepse nuk respektohet kurrë si ajo dhe e reja ligjore e përparimtare. Moderniteti te një model i tillë filozofik nuk vjen kurrë. Jean Paul Sartre thotë: Është e vërtetë që nuk je përgjegjës i asaj që je, por je përgjegjës të asaj që bën. Pra mund të jemi si shoqëri e pazhvilluar, arrogante dhe folklorike që nuk jetojmë dot realisht në komunitet dhe me rregulla urbane, por përgjegjësi duhet mbajtur mbi atë që bëjmë, sidomos në dëm të vetes. E pikërisht ky dëm i madh, ky krim urban është shumë i vështirë për t’u riparuar! Në mos i pamundur. E për këtë faj koha ka ndalur, ajo nuk ka më rëndësi sepse pritet (zot na ruaj) vetëm që natyra të nervozohet dhe është e sigurtë fatkeqësia. 

Nga Besi BEKTESHI