Opinion / Editorial

Shoqëria shqiptare ka lindur vampirët e vet

Shoqëria shqiptare ka lindur vampirët e vet

Tre dekada dhe ajo çka po ndodh në vendin tonë është prova më e mirë, se kapitalizmi në përgjithësi dhe më konkretisht, ai i instaluar në Shqipëri, ka dhënë prova të pakundërshtueshme, se nuk është i aftë të zgjidhë problemet më të rëndësishme të të gjithë shoqërisë. Në këtë rast vërtetohen edhe një herë në praktikë teoritë e Marksit. Bota e sotme përparimtare përherë e më shumë e kupton këtë realitet të hidhur sepse gjithë pesha e vuajtjeve bie vetëm mbi njërën klasë teksa klasa sunduese përherë e më tepër mendon se si të rritë fitimet e saj mbi bazën e shfrytëzimit të egër kapitalist. Të njëjtën gjë e ka shprehur edhe vet ish-ministri grek i ekonomisë dhe prof dhe lektor i ekonomisë në shumë universitete me emër të Europës, Yanis Vaurofagis, në të cilat precizon se teoria e Marksit mbi shfrytëzimin kapitalist ngelet aktuale, problemi shtrohet në gjetjen e rrugëdaljeve nga krizat që e shoqërojnë atë.

Pra sikurse vërehet edhe pse me gjysmë zëri vet prof. në fjalë, është i detyruar të pranojë teorinë e Marksit mbi shfrytëzimin kapitalist. Duke ju larguar shtjellimit teorik, le të shikojmë si në “skaner” etapat nëpër të cilat kaloi kapitalizmi shqiptar në fillesat e para të veta mbas viteve ‘90-të të shekullit të kaluar. Por përpara se të mbërrijmë në këtë pikë duhet theksuar se për të rrëzuar një sistem shoqëror duhen plotësuar dy kushte: a ) Përkeqësimi i situatës ekonomike, i cili të çon në destabilizimin politik dhe b) përpunimi ideologjik i masave të popullit, për të kuptuar se me këtë lloj mënyre të jetesës që po bëhet, nuk mund të ecet më tej, ndaj duhen ndryshuar kushtet ekonomiko- shoqërore. Në Shqipërinë socialiste përpjekjet dhe lufta e klasave të përmbysura në aleancë me faktorin e jashtëm, që prej çlirimit e deri në vitet 60-të të shekullit të kaluar, për ta rrëzuar pushtetin e popullit me armë, dështuan të gjitha pa asnjë përjashtim. Reaksioni jo vetëm që nuk fitoi, por i humbi të gjitha betejat ballë për ballë me pushtetin popullor të drejtuar nga komunistët. Kishte ardhur koha të ndërrohej taktika, duke i kushtuar rëndësi jo luftës me armë, por luftës ideologjike, për ta “rrëzuar kalanë nga brenda”. Kjo do të thoshte të degjeneroheshin kuadrot e partisë dhe të pushtetit popullor, sidomos te ata elementë të cilët ishin karrieristë, burokratë, teknokratë, të degjeneruar në shpirt e në moral. Këta duheshin mbajtur në hallkat e pushtetit sepse ata tashmë do e luftonin socializmin jo me parulla të djathta duke dalë hapur kundër tij, por me parulla ultra të majta, që në pamje duken revolucionare, por në thelb nuk janë të tilla, sepse duk qenë se nuk u ka ardhur koha, atëherë ato në vend që të ndreqin do të prishnin punë.

Këtë veprimtari armiqësore të tyre doemos do ta udhëhiqnin ata drejtues të lartë në shtet bile dhe ne udhëheqjen e partisë, të cilët e kishin shumë të kamufluar veprimtarinë e tyre armiqësore nga ku dhe disa prej tyre ishin në shërbim të agjenturave të huaja. Sa ishte gjallë Enver Hoxha ata nuk guxuan dot të dilnin hapur kundër tij, sepse Enveri në popull gëzonte një simpati të padiskutueshme. Të ndërmerrje hapa të tilla sa ishte gjallë ai, do të ishte me rrezik të madh për puçistët. Në këto kushte ata orë mbas ore prisnin vetëm vdekjen e tij. Duhet theksuar se me këtë rast ata nuk ndenjën duarkryq, por punuan për të goditur ekonominë socialiste, sepse përkeqësimi i gjendjes ekonomike do të bënte më të manipulueshme masat e popullit. Veprimtarisë sabotuese të këtyre armiqve ju bashkëngjit edhe bllokada e egër ekonomike ndaj vendit, që armiqtë e jashtëm e kishin organizuar me qëllim që ta gjunjëzonin Shqipërinë. Dhe Enveri vdiq. Bashkë me vdekjen e tij, si kurrë ndonjëherë u shtua presioni i jashtëm.

Armiqtë duke patur një mbështetës liberal dhe një shërbëtor të devotshëm, një frikacak apo më saktë një agjent në radhët e udhëheqjes së lartë sikurse ishte Ramiz Alia, duke organizuar rrëzimin e “Murit të Berlinit”, vrasjen barbare të Çausheskut dhe kundër-revolucionin e Les Valesës në Poloni (këto të gjitha ishin mesazhe të deshifruara për kupolën tradhtare të PPSH) i futën frikën deri në palcë Ramizit dhe ky i tmerruar organizoi “kundër-revolucionin e bardhë”, duke e kthyer tashmë timonin e anijes tërësisht djathtas. Hapja e ambasadave ishte vepër e Perëndimit dhe agjenturave të huaja. I pari që ndodhej brenda tyre ishte Ramizi, i cili kishte kohë që i strukur punonte ethshëm sepse shpirtërisht ishte brenda tyre. Demonstratat e fuqishme të popullit dhe rrëzimet e busteve dhe monumenteve ishin vepër e tij. Është e vërtetë se ai ditën betohej për “vazhdimësinë e rrugës së Enverit” sikurse është po aq e vërtetë se ai natën punonte për çmontimin e tyre. Po vallë mos kishte gabuar populli që u ngrit në demonstrata? Jo aspak, populli nuk kishte gabuar sepse gjendja me të vërtetë ishte e rëndë. Por duhet kuptuar se populli edhe pse për momentin mbase nuk e kishte atë nivel të lartë të vetëdijes së tij politike, “de facto” pa e kuptuar, ishte ngritur kundër revizionizmit, i cili tashmë të gjithë veprimtarinë e tij sabotuese ja faturoi Enverit, duke realizuar dy objektiva. Së pari, krijoi urrejtje për socializmin e Enver Hoxhës dhe së dyti morën në dorë flamurin e “shpëtimtarit të situatës”.

Të dy këto objektiva do të sillnin atë gjendje që populli shqiptar nuk ka për ta harruar. “Shpëtimtarët e situatës” formuan parti të reja, propaganduan demokracinë alla perëndimore, teksa ecejaket e diplomatëve euro-perëndimorë nuk reshtnin. E famshmja PPSH tashmë kapur nga “boa” shtrëngohej fort e më fort në çdo frymëmarrje të saj deri sa ajo u dorëzua plotësisht me konvertimin në Parti Socialiste në Kongresin e 10-të të saj. Doemos duke qenë se ajo i tradhtoi interesat e punëtorisë shqiptare dhe gjithë popullit e humbi dhe të drejtën morale të udhëheqjes së vendit. Vendin e tyre e zunë njerëzit e “kapardinave të bardha” me syze të zeza e shpirtin akoma më të zi paçka se propagandohej “demokracia euro-atlantike”. Nën maskën e luftës kundër socializmit filloi “gjuetia e shtrigave” sipas projektit të hershëm të “makartizmit”. U denigruan arritjet e socializmit, u denigrua lufta Nacional-Çl, veteranët, komunistët dhe njerëzit e ndershëm, u vendos i famshmi ligj 24/1. Në të pastajmen mbasi u lodhën me këto, atëhereë filloi shkatërrimi tërësisht i ekonomisë, industrisë, bujqësisë, veprave heroike të popullit shqiptar. Kjo gjendje, Perëndimit por dhe vet Amerikës i leverdiste shumë, sepse u lindte e drejta morale tu thoshin shqiptarëve: Hëëë e doni përsëri socializmin? Shikoni se ku ju katandisi? (Në fakt kjo ishte vepër e tyre në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm të konvertuar në socialistë demokratë). Në këtë pikë fillon rruga e Shqipërisë drejt kapitalizmit. Po çfarë solli kapitalizmi këto tridhjetë vjet në Shqipëri?

U propagandua se Shqipëria do të lulëzohej e do të na bëhej si Zvicra dhe për ti trullosur shqiptarët hapën firmat rentierë nga ku në mënyrën më barbare më të paskrupullt në mes të ditës dhe në mënyrë spektakolare vidhej e gjithë pasuria e shqiptarëve nga “katër dragonjtë e ekonomisë ” prej kryebanditit historik të përmasave epike Sali Berisha. Edhe pse ai ulërinte në çdo tribunë për “shtetin e të drejtës” u tregua më hipokriti më i padrejti më gjakatari sa dhe vetë A.Zogu po të ishte gjallë do shqyente sytë nga habia. “Katër dragonjtë e ekonomisë shqiptare” rezultuan katër bajlozë të zinj e më të zinj se vet shpirti i Saliut, jo vetëm nga përmasat e vjedhjes, por ato goditën rëndë dhe ndjenjën e punës në shpirtin e shqiptarëve.

Shtrohet pyetja: Po kush i vodhi shqiptarët? Mos vallë shqiptarët u vodhën nga punëtorët e pa punë, apo u vodhën nga endacakët xhepistë e adoleshentë të autobusëve urbanë? Jo aspak. Shqiptarët u vodhën nga borgjezia e re që po lindte në Shqipëri, apo më saktë, ishte vet sistemi kapitalist në shoqërinë shqiptare, i cili kishte lindur vampirët e vet për t’i pirë gjakun popullit. Gjithsesi ashtu sikurse e përmendëm dhe më sipër faktori ekonomik është ai që trondit nga themelet çdo sistem dhe doemos do të ndodhte ajo që pritej. Masat e popullit të revoltuara u ngritën në kërkim të të drejtave të tyre. Revoltat e Vlorës u përhapën në të gjithë Shqipërinë. Nuk bëhej më fjalë për Sali Berishën por për sistemin. Duhej shpëtuar kapitalizmi pa në djall Saliu me gjithë bandën e tij. Në këtë situatë Europa u ngrit në alarm sepse kishte hallin e vet ngaqë një shkëndijë në Ballkan mund të ndizte dhe vet Europën. Përkoi në atë kohë që, demonstratat në Napoli i referoheshin revoltave të Shqipërisë. Kështu që në këto kushte, ecejaket e Ëranickit kishin për qëllim shuarjen e valës kryengritëse të shqiptarëve. Ata këshilluan largimin e Berishës dhe zëvendësimin e tij, nga një tjetër aventurier me puro në gojë jo aq luftarak, ish-lideri F.Nano, i cili dergjej në burg të Bënçës për shpërdorim të fondeve dhe ndihmave humanitare.

Për tu bindur dhe për të qenë më të sigurt në shtypjen e kryengritjes, Europa me urgjencë nisi drejt Shqipërie dhe operacionin ushtarak italian të koduar “Alba” nën maskën e ndihmave dhe stabilizimin e situatës. Ardhja e Prodit më 1997 kur sapo ishte rrëzuar dhe Berisha kishte domethënie të madhe jo vetëm për socialistët frikacakë, të cilët Saliut pushtetin nuk ja merrnin dot, por dhe për Europën e cila u bind se kjo kryengritje gradualisht po shuhej. Socialistët borgjezë që vinin nga sallonet e pushtetit të dikurshëm fërkonin duart nga gëzimi. Kishte ardhur koha që ata të gëzonin frytet e punës së mbrapshtë të Saliut dhe jo frytet e punës së tyre. Ashtu sikurse ndodh përherë revoltat ishin të popullit fitoren e korri paria, të cilës i erdhi shansi në duar për tu pasuruar. Boll vodhi kupola e PD, tashmë e kishte radhën PS-ja! Kanë kaluar më shumë se 20 vite nga ajo kryengritje “e rebelëve të kuq” sikurse e cilësonte Sala (kishte hallin e vet, që ta shpëtonte Europa nga “gogoli komunist”). Po çfarë kanë fituar shqiptarët gjatë gjithë kësaj periudhe? A u realizuan ëndrrat e tij për një jetë më të mirë?

Po të hedhim një shikim pa u futur në diskutime analitike do të vërejmë se shteti ligjor vetëm emrin ka të tillë sepse ligjet as që nuk i menderos kush. Futen e dalin njerëzit nga burgu sikur të jenë në një valle dasme, pa folur se kërcet kallashi për larje hesapesh në mes të ditës, si dikur kur bëheshin atentate kundër spiunëve të fashizmit. Dhe e dini kush e plas i pari kallashin? E fillon shteti, i cili të vret pa Kushtetutë dhe as me “Kanun” sikurse e thotë kapobanditi Sali. Vjedhjet tashmë janë bërë më të sofistikuara, vidhemi me Kod Etik me mirësjellje e me buzëqeshje. Vidhemi kudo, në shkolla, në spitale, në zyra shteti, në Kadastër. Vidhemi nga noterë, avokatë nga gjykatës, prokurorë, policë, bankierë, afaristë, deputetë, ministra, teksa ëndrra e shqiptarit është: “Do “zoti” të na futin në Evropë të ikim e shpëtojmë një herë e mirë nga ky vend. Kështu sikurse është nisur nuk është çudi që në Shqipëri të ngelen vetëm pleq e plaka madje dhe qeverinë ta kemi qeveri pensionistësh. Do të jemi i pari vend në glob që të kemi një qeveri të tillë. Dhe pse? Sepse kapitalizmi nuk mendon dhe kurrë ska për të menduar për ne, nuk mendon për punën tonë, as për pagat tona, as për shëndetin tonë, as për pensionet, por mendojnë për veten e tyre. Mjafton tu hedhim një sy pagave të tyre, për të bërë raportin e drejtësisë shoqërore. Drejtësinë shoqërore mos mendoni se do ta vendosi SPAK. Jo aspak, as ai nuk e vendos dot drejtësinë, sepse baza ekonomike e shtetit është kapitali dhe ligjin e bën “zoti kapital” dhe ai (kapitali), as që e menderos SPAK-un.

Do të besohej (por kjo ngelet utopi) nëse do të arrestoheshin gjithë kusarët dhe të korruptuarit me kravatë, gjithë banditët kusarë të parave dhe të floririt, gjithë ata që kanë abuzuar me fondet e shtetit, por që në fakt janë djersa e jonë, do të besohej nëse me të vërtetë kjo pasuri e sekuestruar të vihej në shërbim të popullit, sepse është e jona dhe jo e tyre. Është e jona sepse na e kanë vjedhur. Por duke qenë se shteti është më kusar se kusarët e rëndomtë, kjo ska për të ndodhur kurrë, e shumta do të kapin persona të dorës së dytë apo të tretë (mjerë kujt do ti bjerë lotaria) dhe do na i trumbetojnë si fitore të mëdha të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, por ama kapitaliste! Rroftë e qoftë kapitalizmi edhe pse është i pa shpirt! Sa shpirtmirë jemi ne shqiptarët!