BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Shpirtrat e “vdekur” të një kryehetuesi të pashpirt

Shpirtrat e “vdekur” të një kryehetuesi të pashpirt

Ka shumë kohë që rrjetet sociale, gazetat, televizionet madje dhe mjediset e kafeneve plot maska e pa maska, janë pështjelluar dhe kapur keq me diskutimet komentet rreth “Historive” të katër dekadave të mëparshme të ish-kryehetuesit të përgjithshëm “Qemalçikovit”. Shprehem kështu duke bërë paralelizëm me personazhin e poemës me famë botërore “Shpirtra të vdekur” të shkrimtarit rus N.Gogol. Në fakt personazhi kryesor i kësaj poeme është “Çiçikovi” i cili bënte biznes me fshatarët e vdekur, duke shkuar varr më varr dhe mbledhur emrat tyre me qëllim fitimi, duke përfitur nga një dekret i qeverisë cariste. Kështu na ndodh dhe me Qemal Lamen. Por ky ndryshe nga Çiçikovi, për t’u bërë edhe më i besueshëm në opinionin publik me pjellën e fantazisë së tij të sëmurë sajon, manipulon dhe luan në mënyrë spektakolare duke “hedhur dritë mbi të vërtetën” e mbajtur fshehur në skutat më enigmatike për gati katër dekada dhe që “trimi i paepur” njeriu më kurajoz i kryehetuesisë guxoi më së fundi të bëjë publike. Materialet e shkrimeve të tij nisur dhe nga fakti se kanë të bëjnë dhe flitet për ngjarje e ndodhi të bujshme të kohës, por dhe nga vetë karakteri mistik që ngjallin kureshtje agjentët me jakat përpjetë të kapardinave e tyre, duke u fshehur mbas xhamave të syzave të errëta e me cigaren e ndezur gjasme duke lexuar gazetën, kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe si ata që besojnë te “Qemalçikovi”, por dhe ata që nuk e besojnë.

Unë nuk kam për qëllim të bind publikun se kishte apo nuk kishte dosje “Kadareja”, apo nëse ishte dhe ekzistonte me të vërtetë “grupi puçist” i M. Shehut, K. Hazbiut apo jo! Nuk më takon sepse kjo ka qenë një punë kolegjiale e organeve të specializuara të saj kohe që autori në fjalë i bën të manipuluara të sajuara e të montuara artificialisht, në një kohë kur sipas tij ato nuk kanë qenë të tilla. Autori i librit “Kur shembeshin themelet” zgjedh si titull të kundërtën e librit të Enver Hoxhës “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” që në fakt autori Qemalçikov, për të përligjur “trimëritë” tij, por dhe që të marrë “kartën e pafajësisë” nga ata që dikur e kishin akuzuar në vitin 1992 për krimet e bëra prej tij në krye të institucionit të hetimit, sikurse kërkon të bindë tashmë të gjithë shqiptarët se e vërteta na qenka ndryshe. Se ky “hero i heshtur” që deri më sot shqiptarët nuk e paskan njohur na qenka “përleshur dhëmbë për dhëmbë” me kupolën e diktaturës, madje dhe pse Enver Hoxha i kishte porositur të shikonin dhe Kadarenë (për shoqërinë që ky na kishte me djalin e Mehmetit) ky i paska dhënë mendje dhe Enver Hoxhës, pse jo e paskësh këshilluar Enverin se me analizën e bazuar mbi të vërtetën e padiskutueshme Kadareja nuk duhej të ishte objekt i arrestimit. Dhe Enveri e dëgjoi Qemalin. Por është me vend të theksojmë, se me këtë rast ai insinuon ngaqë nuk është e mundur. Nuk është e mundur, sepse jo vetëm telefonatat por dhe bisedat me Enverin të mos incizoheshin dhe për më tepër Enveri të rrinte vetëm për vetëm me nje aguridhe 33-vjeçar si Qemali i asaj kohe pa qenë prezent dhe një i tretë, jo që Enveri shënonte gjithçka në takimet që bënte dhe në mos ai, një nga sekretarët e tij. Kjo katërcipërisht është një gënjeshtër tejet naive e Qemalit. Ai në shumë shkrime të tij për t’u bërë “bindës” me sajesat e veta merr dëshmitarë okularë të asaj kohe, por që të gjithë ata, të cilët ky kryemashtrues i merr si gur prove, për të vërtetuar shkrimet e tij nëpërmjet bisedave dhe dialogëve “orgjinalë dhe autentikë”. Kini parë ju të nderuar lexues që asnjeri prej tyre sot nuk jeton? Ja le të supozojmë për një moment se Ismaili kishte dosje. Edhe nëse do të kishte, patjetër që është marrë vendim nga instancat e partisë të asaj kohe, sigurisht që duhet të ketë një dokument i cili e vendos nën vëzhgim veprimtarinë e tij, sikurse dhe një dokument i cili e jep lejen që të survejohet. Por ka dhe një deduksion logjik, i cili të çon në përfundim të sakta. Egërsia e Ismail Kadaresë së dytë mbas viteve ‘90-të, kundër asaj partie ku ai militoi, atakon dhe siluron vetveten, pra del kundër Ismail Kadaresë së parë, para viteve 90-të. Ky rast tregon se ai me të vërtetë e meritonte të ndiqej. Ismaili si në veprat e tij, ashtu dhe në qëndrimet e tij është karakterizuar nga luhatje të mëdha, që labçe ne i themi “njeri i pa bythë”. Pra qëndrimin e tij hipokrit ai e ka manifestuar qysh në organet e partisë dhe të pushtetit të asaj kohe ku dhe ai në një farë mënyre u bë pjesë e nomenklaturës së nënlartë. Gjithsesi hipokrizia është ves që luftohet e kritikohet, por nuk është i dënueshëm me ligj, sepse nëse do të ishte ashtu i pari që do dënohej do të ishte vetë Lame-ja. Po pse do të ishte Lamja? Sepse nëse ky kryehetues nuk ka qenë i bindur në veprimtarinë armiqësore të M.Shehut, K. Hazbiut &Co përse nuk bëri të njëjtin veprim si me Kadarenë ku t’i raportonte Enverit se armiku i vërtetë është Ramiz Alia dhe jo Kadri Hazbiu dhe të kërkonte lirimin e Fiqirtit sikurse i kërkoi të pushohej çështja Kadaresë? Kur Enveri e mori në konsideratë dhe e dëgjoi këshillën e Qemalit, do të thotë se Enveri ishte i arsyeshëm dhe për rrjedhojë si të mos e dëgjonte dhe për Kadriun Fçorrin, Mihallqin Llambin dhe Fiqirtin, të cilit e kishte patur shok pune dhe lufte? Të jetë trembur Qemali se mos bëhej ai kokë turku në vend të tyre? Shtrohet pyetja pse për Ismailin (që është gjallë) e beri dhe për Kadriun nuk arriti ta bënte këtë gjë që ta kishte “shpëtuar”. Nëse ka qenë i bindur se nuk ka patur grup puçist atëherë ai dhe kolegët e tij duhet të vihen në bankën e të akuzuarve, për mashtrime, manipulime të provave, kërcënime dhe ushtrim dhune duke i shtrënguar të “pranonin fajin” në këmbim të lehtësirave familjare etj. etj. Këtë përfundim se nuk kishte grup puçist është vetëm përfundimi tij apo i gjithë grupit hetimor? Po të jetë i gjithë grupit hetimor atëherë puçistët e vërtetë janë hetuesit e tij, nëse është përfundim personal i tij a ka ndonjë dëshmitar të asaj kohe që “Qemalçikovi” e ka biseduar si shqetësim të madh dhe si është e mundur kjo gjë që po bëjmë armiq-pa patur armiq?

(Sa për dijeni e informoj “Qemalicikovin” se vetë ambasadori Ëithers në një emision i ftuar në një nga Tv private, kur drejtuesja e emisionit e pyet se a ishte M.Shehu në shërbimin tuaj, ai në mënyrë lakonike pohon: Po M.Shehu ishte në shërbimin tonë.)                        Dosjet e krimit dhe të veprimtarisë armiqësore nuk i përpunonte hetuesia por Sigurimi i Shtetit. Ka ndonjë rast që Hetuesia e Përgjithshme dhe ajo që është marrë me grupin puçist ta kthente sepse subjekti në fjalë nga hetimet e bëra nuk rezulton armik? Këto a mund të na i thotë z. hetues? Po e supozojmë se kur ishte hall koke (dhe me “kokën nuk bëhet shaka”) e sidomos që t’ia thoshte Enverit, por kur vdiq Enveri pse nuk ja tha këto fakte tronditëse Ramizit?! Nuk i mjaftuan dhe 5-6 vite të reflektonte apo priti sa të vdisnin të gjithë dhe pastaj të bënte “shoë” mediatik, që nuk i dihet se në interes të kujt?! Shkruan e shkruan “Qemaliçikovi” për personazhe që tashmë nuk jetojnë më thjesht merret shpirtërisht me ta. Mendja diabolike e këtij njeriu të sëmurë shkon deri në atë pikë sa që përveç kësaj ai na paska bërë dhe një akt të madh atdhetar duke i ndalur dorën vrastare Ramizit, që të mos hapte zjarr kundër popullit. Flet mavrimadhi Lame, jo vetëm për Ramizin, Rrapin, Simonin, Hekuranin, Nexhmien ngaqë di se nuk jetojnë as fizikisht shpirtërisht, kështu që duke e ditur se nuk ekzistojnë më, nuk e kanë dhe mundësinë ta përgënjeshtrojnë, por ja që “vorba volant - e scripta manent (fjalët fluturojnë e shkruara qëndron).

Problemi është se në kohën e Ramiz Alisë, Qemali na qenka zgjedhur dhe anëtar i KQPPSH. Pse e zgjodhën, mos vallë rastësisht apo për devotshmëri? Nëse nuk ka qenë i devotshëm nuk do ta bënin kryehetues, por ai me të vërtetë ishte i devotshëm, ishte por përkundrejt hipokrizisë së tij, apo bashkëpunëtor i Ramiz Alisë për t’i hapur rrugën tradhtisë, për të shembur socializmin dhe fitoret e popullit shqiptar duke përgatitur tryezën e shkrimit të vet, për të shkruar librin “Kur shkatërroheshin themelet”, libër ky në fakt i veprimtarisë personale të tij. Ky hero i heshtur paska shpëtuar me dhjetra kuadro ushtarakë nga arrestimet dhe falë trimërisë, kurajos dhe zotësisë së tij që ata na paskan shpëtuar!! Personalisht e kam njohur një kuadër të tillë të ndershëm sa ska, punëtor i palodhur dhe njeri me vlera, i cili nuk mund të krahasohet as dhe me mijëra “Çiçikovër” si puna jote. Ai është i thjeshtë si e vërteta, lëviz rrugëve të qytetit pa zhurmë e pa bujë, është një nga ata që ti e ke “shpëtuar” nga arrestimi dhe që përgjigjen ta ka dhënë në editorialin “Dita”.

Ismailit “disident” i interesojnë shumë deklaratat letraro-fantastike të Lames, sepse vërtetojnë para Europës që nuk po ja jep “Nobelin” veprimtarinë antikomuniste të Kadaresë e që atij në këtë rast i shërben si “curriculum vitae”, për t’u thënë europianëve se ja unë nuk jam ai që i kam shërbyer komunizmit, por ka qenë komunizmi ai që më ka përndjekur mua. Por “memuaret” shkrimet dhe librat e sidomos “përleshja” që ka bërë Lame-ja i shërbejnë dhe vetë atij, për të justifikuar para gjermanëve dhe azilin e vet politik. Kështu që do bënte më mirë që në të ardhmen të shkruante nje roman autobiografik me titull “Vetëvrasja e shpirtit, të një njeriu të pashpirt”. Kaq do borgjezia e jo më shumë nga ty ish-ant. i KQPPSH-së që rrezik të ishe dhe sot sikur të ekzistonte socializmi. Do të ishte me siguri sepse i tillë je ti “ujor” kimikat pa ngjyrë që merr formën e çdo lloj ene ku ta hedhësh.