Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Shqipëria- 75 vite në tranzicion socialist

Shqipëria- 75 vite në tranzicion socialist

Shqipëria edhe sot mbetet shteti i fundit në Europë në rrugën e zhvillimit, të mirëqenies, të shtetmodern ndërtimit, të demokracisë, të civilizimit dhe të integrimit. Kjo sepse nuk është e lehtë çrrënjosja e komunizmit dhe as dekomunistifikimi i Shqipërisë pasi këtë nuk e bëjnë as ish-komunistët e ish-sigurimsat e shtetit, por as neokomunistët bijë e bija të tyre. Komunizmi ra si pasojë e asaj se komunizmi si i diskredituar dhe i dështuar u tërhoq me djallëzi, me qëllim për t’u rikthyer e vazhduar si demokraci, por si demokraci e rrejshme. Shqipëria mbeti në tranzicion socialist që prej 75 vitesh sepse kështu deshi edhe Europa, për të eksperimentuar me tranzicionin në Shqipëri. Nuk është tranzicion kjo periudha që kur vetëra komunizmi diktatorial enverist në Shqipëri në vitet 90-të, nuk është tranzicion kjo periudhë kohore e këtyre 30 viteve të fundit, por tranzicion është periudha 75-vjeçare që kur u instalua në Shqipëri regjimi komunist. Tranzicion quhet gjithmonë koha e tashme që kalon, por politikisht kjo e tashme është 75-vjeçare. Kjo sepse komunizmi në Shqipëri ka ndërruar maskën, është bërë në dukje më liberal dhe komunizëm kapitalist. Ashtu sikurse edhe komunizmi i 45 viteve që ishte një komunizëm antihuman ashtu edhe metamorfoza demokratike e atij komunizmi, sot si neokomunizëm liberal ka natyrë po antihumane e djallëzore. Populli vuante e pësonte dje nën demokracinë socialiste, por po vuan dhe po e pëson edhe sot nën pseudodemokracinë neokomuniste, në këtë rilindjen e moderuar socialiste. Reformat që kanë ndërmarrë edhe regjimet politike të këtyre 30 viteve të fundit janë reforma prej të cilave ka përfituar klasa e ish-regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Kudo: në pushtet, në Parlament, në bashki, në politikë, diplomaci, ekonomi, biznese, në akademi, në media dhe administratën shtetërore si dhe në sistemin e drejtësisë janë po ai brum dhe po ajo trashëgimi dhe trashëgimtarët biologjikë e politikë të regjimit diktatorial. Prandaj dhe në këto kushte ka vazhdimësi edhe sot të tranzicionit komunist 75-vjeçar. Gjatë këtij tranzicioni komunist, në fazën e parë të tij,të asaj që quhet diktatura komuniste të viteve 1945-90-të, nacionalizmi dhe fisnikëria intelektuale e patriotike u shpronësua, u persekutua, u burgos e u vra, ndërsa në periudhën e moderuar e dytë të pas tij, në komunizmin e sotëm të moderuar të këtyre 30 viteve të fundit, nacional-patriotizmi pothuajse është asgjësuar jo me dhunë e me persekutim, por iu imponua që ata të largohen nga Shqipëria, ashtu si edhe në vitet 1945.

Nuk është e vërtetë se komunizmi në Shqipëri ra nga revolucioni apo nga ndonjë lëvizje demokratike në vitet 1990. Komunizmi në ato vite vetëra si diktatura e egër pasi ajo konsumoi veten, por që nga rrënjët e saj lastuan dhe u rritën filizat e neokomunizmit liberal, ku sundimin e mori njeriu i ri i botëkuptimit socialist, bijtë, bijat e nipërit e baballarëve të diktaturës komuniste si dhe ata të cilët nga ish-komunistë u konvertuan në demokratë. Dhe këta të tillët e sundojnë edhe sot Shqipërinë. Këta kanë kapur pluralizmin politik, partitë, politikën, shtetin, drejtësinë, diplomacinë, korrupsionin, pasuritë kombëtare, ekonominë, kapitalizmin, shtetin dhe demokracinë. Prandaj akoma vazhdon tranzicioni komunist 75-vjeçar me mutacione dhe i metamorforizuar.