BREAKING NEWS

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë, zv/ministra, drejtorë e ish-anëtarë të LSI, zbulohen emrat që spostojnë veteranët

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë,
x

Opinion / Editorial

Shqipëria dhe bisedimet greko-turke

Shqipëria dhe bisedimet greko-turke

Agjencia prestigjoze e lajmeve “Reuters” mëtoi dje se Greqia dhe Turqia do të rifillojnë bisedimet mbi mosmarrëveshjet në Detin Mesdhe më 25 janar në Stamboll (https://www.reuters.com/article/turkey-greece-ministry/turkey-greece-to-resume-talks-on-maritime-disputes-on-jan-25-ankara-says-idUSL8N2JM5QL). Këtë e deklaruan me lehtësim edhe disa vende anëtare të NATO-s (https://www.oedigital.com/news/484448-turkey-greece-to-resume-talks-over-mediterranean-sea-dispute). Fakti që nuk kaloi pa u vënë re nga vendet e NATO-s ishte se kryeministri i Shqipërisë, gjatë vizitave në ditët e fundit në Turqi dhe Greqi, u investua për të mundësuar një dialog mes dy vendeve ballkanike, pas tensioneve të mëdha në gusht dhe tetor të vitit të kaluar, lidhur me aktivitetin kërkimor për naftë dhe gaz të anijes turke “Oruç Reis”, e kthyer në mollë sherri. Të hënën më 11 janar, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu i bëri një festë zyrtare Greqisë për të rifilluar bisedimet dhe konkretisht homologut të tij grek Nikos Dendias për t’u takuar në Tiranë me kryeministrin Rama dhe të nisnin bisedimet. Me një komunikim të Ministrisë së saj të Jashtme, Greqia pranoi ftesën, por nisjen e bisedimeve e shtyu për në Stamboll më 25 janar. Megjithatë, sprova e kryeministrit tonë la përshtypje të mirë. Ankaraja dhe Athina e provuan për 15 vjet bashkëpunimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me 60 raunde bisedimesh nga viti 2002 deri në vitin 2016, por nuk patën sukses. Vijoi një periudhë katërvjeçare ngrirjeje e pezullimi bisedimesh, e përkeqësuar me mosmarrëveshje të mprehta dhe deklarata shumë të ashpra të të dyja palëve gjatë vitit të kaluar. Kjo ashpërsi arriti kulmin në gusht 2020, kur dukej se vendet ishin në prag të një konflikti ushtarak, për shkak të aktivitetit kërkimor për naftë dhe gaz të anijes “Oruç Reis” në ujëra që rivendikoheshin si territoriale nga Greqia. Rreth zonës ku kërkonte anija nisën të patrullonin anije luftarake turke dhe greke, nën hijen dhe kërcënimin e një konflikti të hapur, ndërsa anija “Oruç Reis” vijonte të vëzhgonte për naftë dhe gaz në perëndim të Qipros. Kjo anije është kthyer në brigjet turke tashmë dhe kështu është larguar përfundimisht edhe molla e sherrit. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u shpreh se Athina po kërkonte një marrëdhënie "pjellore dhe produktive" me fqinjin e saj Turqinë, duke shtuar se qeveria e tij do të bashkohej me bisedimet, pasi të finalizoheshin. Turqia dhe Greqia janë në kundërshtim lidhur me shtrirjen e shelfit të tyre kontinental (ujërave territoriale) në Mesdhe, me të drejtat e energjisë në rajon, me hapësirën ajrore dhe statusin e disa ishujve në detin Egje. Ministria e Jashtme greke u shpreh më 9 janar se ajo ishte e gatshme të fliste për demarkacionin e një zone të veçantë ekonomike dhe shelfin kontinental. Ankaraja ka thënë që të gjitha çështjet midis anëtarëve të NATO-s duhet të diskutohen, duke u shprehur se ky ishte formati para se bisedimet të pezulloheshin në vitin 2016. Dora e nderur e kryeministrit shqiptar për të ndihmuar në rinisjen e bisedimeve të tyre të paqtimit, është vlerësuar si nga dy vendet tona aleate në Ballkan, ashtu dhe nga vendet e tjera anëtare të NATO-s. Nuk të fton kot tjetri për drekë në shtëpi të vet (kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis drekon në shtëpi me kryeministrin Rama më 8 janar 2021). As edhe kryeministri i një vendi të madh mik si Turqia, nuk merr përsipër ndërtimin e një spitali rajonal me vlerë 60-70 milionë euro vetëm dhe thjesht për të parë ndikimin turk të rritet në zonën tonë. Oferta shqiptare për ndërmjetësim ka qenë oferta e duhur në kohën e duhur, pasi moderatorja kryesore për të sjellë afër të dyja vendet, Gjermania, nuk kishte arritur sukses gjatë vitit 2020, kryesisht për shkak të mosbesimit nga pala turke. Edhe pse bisedimet nuk u arritën të rifilloheshin në Tiranë në kohën kur do të vizitojë Shqipërinë Ministri i Jashtëm turk, sprova shqiptare pati sukses të padyshimtë. Moderimi shqiptar me dy vizitat e Ramës në Turqi dhe Greqi në datat 6-9 janar u përmend edhe nga gazetat greke “Ekaterimini” dhe “Protothema”. Vendi ynë ka një profil të theksuar paqësor në rajon, të stabilizuar prej dekadash tashmë dhe mundësitë për të qenë vend promotor bisedimesh dhe marrëveshjesh janë të larta. Kësaj i shtohet eksperienca njëvjeçare e kryeministrit tonë në drejtim të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) gjatë vitit 2020.