BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Shqipëria dhe kontributi i saj në fitore

Shqipëria dhe kontributi i saj në fitore

(Në kuadrin e 9 Majit, ditës së fitores mbi fashizmin)

Mesazhi që dha Shqipëria

Shqipëria, me fillimin e luftës ishte një vend i vogël, si nga përmasat, ashtu dhe popullsia e saj me afro 1 milion banorë. Ishte e natyrshme dhe e logjikshme se ajo nuk mund të vendoste fatet e luftës gjigante e shkatërrimtare. Por, mesazhi që dha Shqipëria në ditën dhe në vitet e para të pushtimit, ishte lufta pa kompromis kundër pushtuesit nazifashist. Në këtë mënyrë populli shqiptar, po e rendiste veten në krah të forcave antifashiste botërore. Kjo nuk ishte e lehtë dhe nuk erdhi vetvetiu e njëherazi. Ajo ishte produkt, nga njëra anë i zgjerimit dhe i zhvillimit gradual, gjithnjë në rritje i qëndresës e luftës së armatosur të popullit shqiptar dhe, nga ana tjetër, rezultat i një sërë aktesh politike të organeve të larta drejtuese të Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Në pikëpamje të forcës ushtarake, Shqipëria nuk trashëgoi asgjë nga ish-ushtria mbretërore. Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Partisë Komuniste Shqiptare, që ishte e vetmja forcë politike aktive në luftën kundër fashizmit, ju desh që gjithçka ta fillonin nga elementët më fillestarë të organizimit e të veprimit ushtarak. U organizuan njësitet guerile, si elemente fillestare e më pas, nga fillimi i vitit 1942, u kalua në formimin e çetave partizane, të cilat kryen një sërë goditjesh dhe çliruan zona të tëra në gjithë Shqipërinë, që shërbenin edhe si baza të tyre. Populli shqiptar, duke parë te Fronti Nacional-Çlirimtar forcën e vetme që siguronte jo vetëm bashkimin në luftë, por edhe zhvillimin dhe zgjerimin e saj, u rreshtua gjerësisht nëpër formacionet partizane. Kështu më 10 Korrik të vitit 1943 u krijua Shtabi i Përgjithshëm, ditë që u quajt edhe dita e themelimit të UNÇSH. Gradualisht u kalua nga çetat në batalione, brigada e në gjysmën e dytë të vitit 1944 edhe në divizione e korparmata.

Nga shtrirja, pjesëmarrja e forcave dhe e mjeteve luftarake, dëmet në njerëz, në mjete e të mira materiale, Lufta e Dytë Botërore ishte më e madhja dhe më shkatërrimtarja në historinë e njerëzimit. Lufta e Dytë Botërore filloi më 1 shtator të vitit 1939, kur u pushtua Polonia nga Gjermania naziste, Shqipëria ishte pushtuar më 7 prill 1939, por se bota në atë kohë thuajse e kaloi në heshtje dhe u bë viktima e parë në Europë, e pushtuar nga forcat e fashizmit italian. Në portet shqiptare Durrës, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, kur politika europiane tkurrej nga pesha e trysnisë nazifashiste, u hodhën pushkët e para dhe u dha sinjali i qëndresës antifashiste mbarë europiane. Krijimi i çetave të para atdhetare, si e Myslim Pezës, përbën jo thjesht krenari, por dhe ndihmesë në fillesat e qëndresës antifashiste europiane.

Luftën e tij kundër pushtuesit, populli shqiptar nuk e shikonte të shkëputur nga fati e lufta e popujve të tjerë të robëruar dhe në tërësi të Bllokut të Madh Antifashist Botëror. Viti 1942, veçanërisht gjysma e dytë e tij, shënuan disa ngjarje e akte që e afronin atë gjithmonë e më tepër me Aleatët e Mëdhenj. Akti i parë dhe shumë domethënës, ishte padyshim Rezolucioni i Konferencës së Pezës. Ai përshkohej tej e ndanë nga fryma e parullës së bashkimit në luftë të të gjithëve, pa dallim feje, krahine, ideje e seksi. Në të shprehej solemnisht se Shqipëria dhe Lëvizja Nacional-Çlirimtare qëndronin në krah të Koalicionit të Madh Antifashist. Kjo u pasua me një zgjerim të menjëhershëm të formacioneve partizane e atdhetare dhe të veprimtarisë luftarake të tyre kundër forcave pushtuese. Në mënyrë të logjikshme, Konferenca, me mesazhet që përcolli, por edhe me rezultatet që po binte në zgjerimin e luftës antifashiste, tërhoqi edhe vëmendjen e Aleatëve të Mëdhenj. Britania e Madhe, BRSS dhe SHBA, më 17 e 18 Dhjetor 1942, pavarësisht ndonjë nuance për ardhmërinë e kufijve të pasluftës të shprehura nga anglezët, me deklarata të veçanta mbështetën fuqishëm LANÇ-in, duke e njohur atë publikisht si aleat në luftën e përbashkët.

Krijimi dhe zgjerimi i UNÇSH

Një akt tjetër, krahas krijimit e zgjerimit të UNÇSH dhe fuqizimit të luftës së armatosur, për nga vendimet që mori për vijimin e luftës, por edhe tepër domethënës i renditjes së Shqipërisë në krah të Aleatëve të Mëdhenj, ishte edhe mbajtja e Kongresit të Përmetit më 24 Maj 1944. Punimet e tij u zhvilluan duke mbajtur në sfond, krahas flamurit kombëtar dhe portreteve të rilindasve të shquar, edhe flamujt e tre Aleatëve të Mëdhenj dhe fotografitë e Rusveltit, Stalinit e Çurçillit. Në vendimet e tij theksohej solemnisht se populli shqiptar do të vazhdojë luftën krah për krah me Aleatët e Mëdhenj dhe si pjesëtar i Bllokut Antifashist do të gëzojë të gjithë të drejtat që garantohen prej Kartës së Atlantikut, Konferencës së Moskës dhe Teheranit të firmosur prej udhëheqësve të mëdhenj Rusvelt, Stalin e Çurçill. E njëjta frymë e këmbënguljes në krah të Aleatëve të Mëdhenj u përshkua edhe në dokumentet e aprovuara në Konferencën e Dytë të Këshillit Antifashist, mbajtur në Tetor 1944 në qytetin e Beratit.

Në shkallë ndërkombëtare Lufta Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar ishte pjesë përbërëse e luftës botërore antifashiste. Me luftën e vet heroike populli ynë i tregoi botës se Shqipëria e vërtetë nuk ishte ajo që një grusht tradhtarësh e kishin shpallur “aleate të Boshtit”, por ajo që populli kryengritës, me Partinë Komuniste në krye, e kishte vënë veten në radhët e pjesëtarëve më aktivë të popujve dhe shteteve të koalicionit të madh antifashist.

Populli kryengritës shqiptar dërgoi edhe përtej kufijve shtetërorë mjaft luftëtarë të Ushtrisë së tij Nacional-Çlirimtare, të cilët luftuan me vetëmohim për çlirimin e popujve të Jugosllavisë dhe të vëllezërve shqiptarë të Kosovës.

Shqipëria nxori rreth 70.000 luftëtarë të përfshirë në 24 brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata. Konferenca historike e Bujanit i dha një zhvillim të madh Lëvizjes NÇ edhe në Kosovë ku u krijuan 9 brigada partizane dhe rreth 53.000 luftëtarë. Në luftime e operacione të ndryshme në Shqipëri u vranë 28.000 dëshmorë, krahas rreth 20.000 qytetarëve të masakruar, vrarë e gjymtuar nga pushtuesit fashistë e nazistë.

Në territorin shqiptar shkeli këmba e më shumë se 700.000 trupave nazifashiste dhe u angazhuan rreth 15 divizione italiane e gjermane duke ju nxjerrë jashtë luftimit rreth 70.000 trupa. UNÇSH plotësoi më së miri misionin që mori mbi vete duke çliruar vendin pa qenë e nevojshme që në truallin e saj të futeshin formacione ushtarake të forcave aleate. Kjo përbën, në pamjen luftarake, ndihmesën e drejtpërdrejtë të popullit shqiptar në kuadër të Koalicionit të Madh Botëror Antifashist. Shqipëria mbajti kështu një peshë të rëndë në raport me popullsinë.

Vendosja e lidhjeve me Aleatët

Në funksion të çlirimit të vendit nga pushtuesi dhe kuadrin e kësaj aleance, organet drejtuese të LANÇ-it, duke lënë mënjanë mospajtimet për çështje të ndryshme me shtetet fqinje apo edhe ngarkesat ideologjike, për një ideal më të madh, vendosën lidhje me Frontet NÇ të Jugosllavisë e Greqisë. Pranë Shtabit e Komandës së Përgjithshme, në vijim të vlerësimit prej tyre të angazhimit të pakompromis në Luftën Antifashiste e në krah të Aleatëve, në vitet 1943-1944 erdhën edhe përfaqësues ushtarakë të komandave ushtarake britanike, sovjetike dhe amerikane, duke dërguar edhe ne, në Shtabin Aleat të Mesdheut, përfaqësinë tonë. Madje, Shqipëria, besnike e angazhimit të saj në luftën e përbashkët, dërgoi edhe formacione të veta luftarake për çlirimin e trojeve shqiptare jashtë kufijve tokësorë si në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e madje edhe deri në Bosnjën Jugore. Kështu Shtabi dhe Komanda e Përgjithshme e UNÇSH kreu me nder misionin e vet në luftën çlirimtare antifashiste jo vetëm ndaj popullit të vet, por edhe ndaj aleatëve dhe popujve fqinjë.

Pushtuesit italo-gjermanë, u treguan shumë aktivë kundër LANÇ-it. Italia fashiste, me politikën e saj ndaj aneksimit territorial të vendit nën stemën mbretërore italiane, krahas përdorimit të dhunës ushtarake, punoi aktivisht për fashistizimin e jetës së vendit. Në të kundërt, Gjermania fashiste, me qëllim që të shkëpuste popullin nga lufta, luajti me kartën e “pavarësisë” duke mashtruar jo pak forca e politikanë shqiptarë të traditës. Gjithsesi ato u munduan, edhe nëpërmjet qeverive kuislinge të krijonin “ushtrinë”, “milicinë” apo “xhandarmërinë” shqiptare, si forca ndihmëse për ruajtjen e qetësisë në vend. Në funksion të qëllimit ato ndërmorën operacion pas operacioni ushtarak e ndëshkimor në treva të ndryshme të Shqipërisë apo edhe në shkallë vendi për shuarjen e LANÇ-it. Përpjekjet e tyre dështuan që në krye.

Ndihmesa e popullit shqiptar në krah të Aleatëve të Mëdhenj për fitoren mbi fashizmin dhe kostoja që ai pagoi për këtë është tepër e ndjeshme. Populli shqiptar, nën udhëheqjen e Frontit NÇ, me forcë kryesore udhëheqëse politike PKSH, radhitjen e tij në krah të Aleatëve të Mëdhenj nuk e pa thjesht si një aderim apo solidarizim e aq më pak për ta patur si një kartë për ta tundur në përfundim të luftës. Në të kundërt, besnik i traditave të të parëve të vet, ai këtë renditje e shikonte dhe e zbatoi, pa as më të voglin hezitim, si një detyrim e angazhim moral e atdhetar për të renditur në frontin e përbashkët gjithë potencialet morale, njerëzore, materiale e luftarake. Dhe ai, në sajë të ndihmesës së çmuar në shkallë ndërkombëtare, arriti me dinjitet ta renditë veten në ballin e qëndresës antifashiste e në krahë të fitimtarëve. Ky pozicionim i prerë antifashist ishte njëherazi edhe një ndihmesë në ruajtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar të pas luftës, të rrezikuar nga lakmitë e shteteve shovene fqinje.

Brezat janë krenarë për këtë luftë

Është ajo luftë dhe sakrifica mbinjerëzore që bënë brezat e shkuar që na japin sot krenarinë kur dëgjojmë që vendi jonë radhitet ndër të parët dhe përfaqësues të tij edhe dekorohen nga të huajt për merita në këtë luftë. Përulemi me respekt ndaj gjithë atyre që bënë LANÇ-in dhe brezave që përballuan me dinjitet peshën e rëndë të saj. Është meritë e padiskutueshme e atyre organeve e personaliteteve politike e ushtarake që udhëhoqën LANÇ-in, të cilët ditën të vendosin e të ruajnë raporte të drejta në mes të faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar në këtë luftë për jetë a vdekje.

Agjencia Reuters më 1 nëntor 1940 deklaronte se “mobilizimi i Shqipërisë dështoi krejtësisht”. Dhe kjo nuk erdhi rastësisht apo sikurse vepronin forca të caktuara politike që qëndronin në heshtje apo edhe duke e përkrahur intensivisht pushtuesin e duke ju kundërvënë LANÇ-it. Është një veprimtari e tërë e atdhetarëve, komunistëve, fetarëve, rinisë, gruas shqiptare që edhe pse nën terrorin fashist, ditën të organizohen dhe të bëjnë të dështojë çdo përpjekje e tyre, por edhe e bashkëpunëtorëve dhe shërbëtorëve besnikë për të kthyer fletën e luftës.