BREAKING NEWS

A do shkarkohet Ilir Meta? Pandeli Majko tregon dy arsyet pse mazhoranca është e lëkundur

A do shkarkohet Ilir Meta? Pandeli Majko tregon dy arsyet pse mazhoranca
x

Opinion / Editorial

Shqipëria është vetëm në krah të vendeve demokratike

Shqipëria është vetëm në krah të vendeve

Konflikti politik dhe ushtarak midis SHBA dhe Iranit, nuk ka filluar aspak me vrasjen e gjeneralit iranian Kasem Sulejmanit, por ajo i ka rrënjët më të thella dhe shumë më përpara në kohë. Kjo krizë nis me përpjekjet e Iranit për tu shndërruar në fuqi rajonale në Lindjen e Mesme, duke dashur të dominojë ushtarakisht dhe politikisht mbi vendet e rajonit. Në vazhdën e këtij qëllimi qëndron edhe përpjekja e Iranit për prodhimin dhe pajisjen e tij me armë bërthamore, apo të shkatërrimit në masë, gjë e cila bie në kundërshtim me konventat ndërkombëtare botërore “mbi prodhimin dhe ndalimin e armëve të reja bërthamore” sot kudo në botë. Vendet europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithmonë kundër kësaj përpjekje apo tentative të Iranit për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë, sepse kjo do të përbënte një rrezik të madh për rajonin dhe për botën mbarë dhe shkak për nisjen e luftërave rajonale dhe më gjerë. Këto armë nuk mund të jenë, në dorë të një shteti diktatorial që kërkon të eliminojë sovranitetin e fqinjëve të vet. Gjithmonë nuk kemi menduar, apo kemi nënvleftësuar rrezikun luftënxitës të Iranit, pasi ai ndodhet larg nga Europa dhe se nuk do të mund të arrinte dot të influencojë tek disa njerëz apo gazetarë larg saj këtu në Shqipëri, synimet e veta perandorake apo fenë e vet xhihadiste, e cila patjetër është një shtrembërim i shëmtuar i fesë islame. Ajo sot po luan rolin e viktimës së pafajshme shkaktuar gjoja nga amerikanët dhe ndërkombëtarët dhe nga të gjitha forcat demokratike në botë. Asnjëherë nuk kam menduar që në Shqipëri do të kishte njerëz që do të mbështesnin armatimin bërthamor të Iranit. Ata do të rreshtoheshin në krah të tij, duke sulmuar aleancën tonë strategjike me Europën dhe SHBA. Këta njerëz janë në një rezonancë me thënien dashakeqe dhe ofenduese të presidentit Iranit se: “Shqipëria është një vend i vogël dhe i keq”. Kemi dëgjuar këto ditë disa gazetarë “xhihadistë”, që shprehen se - janë me Iranin në këtë konflikt, Irani është shtet me dinjitet, apo që Irani është vend i paqes. Vrasjen e gjeneral Kasem Sulejmanit, ata e quajnë një akt terrorist nga SHBA dhe nuk përmendin aspak se pse u detyruan amerikanët ta ndërmerrnin këtë veprim të vështirë dhe jo të dëshirueshëm për ta. Si është e mundur që këta njerëz që jetojnë në mes të Europës demokratike, në vend që të përkrahin qëndrimet europiane dhe amerikane, kanë mendësinë e shtetit xhihadist iranian? “Ata që përkrahin Amerikën janë të shitur”, shprehen ata. Po i gjithë populli shqiptar e di shumë mirë që Amerika është një përkrahëse e madhe e Shqipërisë, e cila nuk lejoi copëtimin e mëtejshëm të saj, nga fuqitë e mëdha të kohës. A nuk ishte ndërhyrja amerikane dhe europiane që Kosova të fitonte lirinë dhe pavarësinë e saj? Po a nuk janë Europa dhe Amerika që po e përkrahin Shqipërinë në ndërtimin e institucioneve demokratike të saj? Po Irani çfarë kontributi ka dhënë për Shqipërinë? Nuk ka asgjë për tu përmendur. Ai na ofron vetëm ofendime dhe përçmim. Këta zotërinj a nuk e kuptojnë që Shqipëria i ka të lidhura interesat e saj me Europën dhe me Amerikën dhe nuk i ka me Iranin? Është absurde teza që përdorin sot disa gazetarë pro Iranit, apo xhihadit, që: është turp të jesh shqiptar, ngaqë ne nuk po përkrahim Iranin, të cilit gjoja, po “i bëhet një kërcënim dhe padrejtësi e madhe”. Këta pseudo- gazetarë nuk deklarojnë që Irani po prodhon armë bërthamore të shkatërrimit në masë dhe se ne përkrahim politikën amerikane, e cila është kundër ndërtimit të armëve bërthamore nga Irani. Shqipëria nuk është një “vend djallëzor” siç shprehet Kohmeni, sepse ne nuk kemi luajtur asnjëherë me dy porta, por qysh në fillim të proceseve demokratike jemi shprehur se jemi për ndërtimin e sistemit demokratik dhe të vlerave dhe si aleatët kemi përcaktuar Europën dhe Amerikën dhe çdo vend demokratik sot në botë. Shqipëria asnjëherë nuk ka deklaruar se është aleate me Iranin, ajo vetëm është shprehur se kërkon marrdhënie të mira me këtë vend. Shqipëria nuk mund të braktisë lehtë përkrahësit e saj, Amerikën dhe Europën dhe të mbështesë veprimet luftënxitëse të Iranit në rajon. Këta njerëz janë akoma me mendësi komuniste, pasi ata gjykojnë si në periudhën e diktaturës ku ishim kundër “imperializmit amerikan dhe atij Europian”. Ne nuk “jemi me më të fortin”, siç na akuzojnë ata, por ne jemi dhe do të jemi me ata vende që kanë sistemin demokratik në themel të ndërtimit të shtetit të tyre. Ne do të jemi me ata vende që kanë përkrahur sovranitetin e Shqipërisë dhe të Kosovës, ne do të jemi me ata vende që kanë përkrahur proceset demokratike në Shqipëri. Je në anën e gabuar të përkrahësh sot Iranin, që po përpiqet të prodhojë armë bërthamore të shkatërrimit në masë. Ai sot ka një regjim gjakatar që kërkon të eliminojë opozitën e vet, apo edhe fqinjët e saj. Këta gazetarë acarues, opozitën iraniane e quajnë terroriste, ndërsa ata që duan të ndërtojnë bombën bërthamore shkatërruese, i cilësojnë njerëz patriotë dhe të ndershëm. Këta njerëz janë aq antishqiptarë dhe të shitur, sa mohojnë dhe historinë e lavdishme të popullit shqiptar ndër shekuj. Ata deklarojnë pa pikë përgjegjësie se: “Historia e Shqipërisë është bërë në laborator”. Dhe thjesht se: “Historia e Shqipërisë është një e paqenë dhe e trilluar”. Këto teori dashakeqe dhe të pavërteta, çuditërisht ngjasojnë me teoritë qëllimkeqe të pseudo-historianëve serbë dhe grekë. Për marrdhënie të mira me Iranin duhet të mendojnë detyrimisht dhe preokupohen vendet fqinje të saj dhe jo domosdoshmërisht Shqipëria, ajo është e obliguar fillimisht për marrdhënie të mira me fqinjët e saj dhe me vendet demokratike kudo në botë.