Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shqipëria ndryshoi, por këtë mund ta kuptojnë ata që vetë kanë ndryshuar

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me kaq pasoja të pashlyeshme për një kohë të gjatë; se sa një luftë civile. Përtej humbjeve njerëzore e materiale, lufta civile shkakton plagë përvëluese të padukshme që përshkojnë kujtesën e përbashkët dhe deformojnë logjikën e shoqërisë për shumë e shumë kohë edhe mbasi kanë ndaluar vrasjet”. (John O. Iatrides)

•Për vlerësimin e natyrës së veprimeve të armatosura midis forcave shqiptare, rivale gjatë zhvillimit të luftës së dytë Botërore në Shqipëri, në opinionin publik ka pasur dy qëndrime të nxitura nga pozicionimi ideopolitik: luftë kundër fashizmit e nazizmit për çlirimin e vendit dhe luftë civile për marrjen e pushtetit mbas përfundimit të luftës. Më afër të vërtetës duket se është mendimi që, përtej motiveve patriotike, gjatë luftës tek ne ka pasur edhe elementë të natyrës së luftës civile. Në rastin e Shqipërisë nuk mund të themi se kishim të bënim me një luftë civile të mirëfilltë në kuptimin klasik të këtij fenomeni, kjo sidomos për faktin e prezencës së trupave të huaja pushtuese. Sidoqoftë, evidentimi i plotë i shkaqeve reale të përplasjeve të armatosura dhe konkludimi në interpretime të bazuara në arsyetime të konsideruara si të mirëqena, është një mision i vështirë , që në realitet nuk arrihet kurrë plotësisht... Në kushte normale, mbas përfundimit të luftës, përpos kritikës së ashpër ndaj krerëve që bashkëpunuan me pushtuesin në veprime luftarake kundër partizanëve (të cilët pa dyshim shkruan një epope të lavdishme), nuk duhej në asnjë mënyrë të shfaqeshin tone ngadhënjimi ose keqpërdorimi sikundër ndodhi; përkundrazi do të duhej të zotëronte një “heshtje” me ndjenjën e keqardhjes e dhembshurisë për viktimat dhe për të keqen që e gjeti vendin. Kjo, mbasi të vrarët, partizanë apo pjesëmarrës të B. Kombëtar, nacionalistëve e Legalitetit ishin shqiptarë, burra e djem nënash; edhe pse këta të fundit ndoqën udhëheqësit e tyre në një luftë pa kuptim. [Guxoj të parashikoj, se do të vijë koha kur shoqëria shqiptare e emancipuar, do t’i nderojë të gjithë njësoj ata që ranë me armë në dorë, në luftë për Atdheun. Tjetër gjë do të ishte gjykimi individual i atyre që kishin kryer veprime, të cilat vlerësohen si krime të pastra lufte, nga të gjitha palët]. Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu dhe kjo për arsyen se udhëheqja e P. Komuniste (mbështetur në doktrinën Leniniste), qysh në embrionin e saj, kishte projektuar që të shfrytëzonte luftën çlirimtare për vendosjen tek ne të pushtetit të sovjetëve; sikundër kundërshtarët e tyre politik, mbështetën shpresat në bashkëpunimin me pushtuesit për të marrë pushtetin mbas përfundimit të luftës. Pavarësisht nga këto, pjesëmarrësit dhe komandantët patriotë që mbushën radhët e formacioneve luftarake të të dy palëve nuk kanë përgjegjësi për manipulimin e luftës nga krerët e tyre. Kjo, sepse shqiptarët, si dhe në të kaluarën (kur nuk kishin dëgjuar ‘antifashizëm’, ‘antinazizëm, ‘komunizëm’, ‘imperializëm’, etj.), mund t’i tërhiqje në luftë vetëm me motivin për çlirimin e vendit nga pushtuesit; motiv ky, që u shfrytëzua me sukses nga PK, e cila në rrafshin ideologjik, politik e ushtarak, ia arriti qëllimit të saj me një organizim për të patur zili; gjë që nuk u pa në B. Kombëtar, i cili me përjashtim të demaskimit të ideologjisë komuniste dhe idesë së Shqipërisë Etnike, nuk e shfrytëzoi siç duhej çështjen e prekshme të luftës kundra pushtuesit. Nën këtë këndvështrim, ajo periudhë e historisë dhe ato zhvillime mundet të vlerësohen objektivisht e shkencërisht nga studiuesit, duke pasur në vëmendje kushtet reale të kohës kur ato kanë ndodhur, pavarësisht se shumë gjëra ne sot, do të donim të kishin qenë ndryshe (kemi parasysh mos pajtimin për front të përbashkët dhe vëllavrasjet apo djegiet e shtëpive të kundërshtarëve, që pasuan). Që të kuptohemi drejt e të mos lihet shteg për ndonjë kritikë të shpejtuar apo keqinterpretim (bazuar në sloganin e Stalinit: “O me ne, o kundër nesh...”), le të bëjmë një supozim, e në vijim një pyetje:

“Në rast se gjatë operacioneve të luftës së Dytë Bot. do të kishte ndodhur që forcat e Ushtrisë së Kuqe (dhe jo ato italiane apo gjermane) do të ishin “stacionuar” në territorin shqiptar, duke e konsideruar dhe deklaruar si të përkohshëm këtë veprim, cili mund të kishte qenë vallë qëndrimi dhe roli i dy kampeve në atë kohë dhe si do ta gjykonim sot këtë, mbas ka që vitesh...!” Ose le të shkojmë pak më tej: Të supozojmë se B. Kombëtar do te kishte luftuar kundër ushtrisë naziste në kuadrin e Kom. të Shpëtimit të Shqipërisë. (që do kishte qenë gjëja e duhur); a do të kishte pranuar Nacionalçlirimtarja të ndante pushtetin mbas luftës? Unë paragjykoj: Jo! (Referojuni denoncimit të njëanshëm të marrëveshjes se Mukjes, apo më vonë dënimit të grupit të deputetëve) . Në atë rast, më me gjasa, do të kishim pasur një luftë të re, një luftë civile”...

Gjatë kohës së regjimit komunist historia e asaj periudhe u shkruajt me njëanshmëri, në shërbim të interesit partiak, duke amplifikuar apo zbehur, sipas rastit, veprimet e palëve në favor të tij. Kjo është një arsye më tepër që, disa autorë të huaj në ato kohë, duke mos pasur burime të tjera informacioni për shkak dhe të izolimit tonë, janë mbështetur pjesërisht në këto të dhëna. Prandaj është më e arsyeshme, që misioni i analizave të ngjarjeve me të tilla përmasa, le t’i besohet komunitetit akademik vendas, por dhe të huaj, larg paragjykimeve ideologjike...

• Sidoqoftë njohja dhe analiza e historisë është e nevojshme, por në se flasim vazhdimisht për të kaluarën, e kaluara bëhet pjesë e të sotmes dhe është ndikuese e të ardhmes sonë. Sidomos debatet e replikat agresive vend e pa vend, ushqejnë ndjenja e mendësi të dëmshme me pasoja të fatale për paqen sociale (sjell në vëmendje ngjarjet e viteve ’97, ‘98 apo 21 Janarin). Për më tepër, shoqëria shqiptare sot ka përballë sfida e prioritete te reja që kërkojnë zgjidhje...

Fakti që e majta postkomuniste tashmë, ka arritur të jetë konkurrente dhe pjesëmarrëse në qeverisjet e sotme të vendit, në të vërtetë kontribuon në vetënjohjen tonë; në kuptimin se ndihmon që të përmbysen mite dhe tabu të cilat u konfiguruan në fazat e para të ndryshimit të sistemit pas 1991, ku ish protagonistët e majtë, në një farë mënyre, ishin të përndjekur; si të akuzuar për pasojat e instalimit të diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Tejkalimi i atyre gjykimeve tregon pjekurinë dhe tolerancën e shqiptarëve, duke sjellë në shoqëri vlera dhe mënyra të reja të menduari, pa u “ngjitur” pa mbarim tek e kaluara... . Pasardhësit nuk ka pse të kenë as merita dhe as përgjegjësi për veprimtaritë e të parëve, të të gjitha drejtimeve; veprimtari këto, që në fund të fundit, pasqyrojnë pjesë të historisë sonë. Meritë apo përgjegjësi do të ishte vlerësimi objektiv i të kaluarës.

Shqipëria ndryshoi, por një pjesë ende nuk e kanë kuptuar këtë (përveç atyre, që vetë kanë ndryshuar); bile ndokush, gabimisht, mund ta marrë si dobësi këtë tolerancë të demokracisë shqiptare.

• Disa fjalë për kremtimet e 75 vjetorit të çlirimit.

Së pari duhet theksuar se sot, Partia Balli Kombëtar Demokrat nuk ka ndonjë përgjegjësi për zgjedhjet që bënë krerët e B. Kombëtar në kohën e luftës. Kjo forcë politike është tashmë një parti shqiptare, si gjithë partitë e tjera. Shoqëria e re nuk duhet të ketë nënvleftësim apo ndonjë kompleks për bindjet politike të kësaj partie. Shpresohet që prezenca e saj në mjedisin politik shqiptar, të mos ketë si qëllim në vetvete, thjeshtë dhe vetëm, prezantimin dhe mbrojtjen e disa pikëpamjeve të caktuara ideologjike; por si një forcë politike gjithnjë në rritje, të bëhet një faktor kontribuues në demokratizimin e përparimin e vendit, duke tërhequr në radhët e saj qytetarë nga të gjitha shtresat shoqërore. Kjo, në funksion të kompletimit e konsolidimit të polit të djathtë modern, për të sjellë në Shqipëri ekuilibrin e duhur politik... Duke bërë vlerësimin e drejtë, në realitetin e ri, kjo parti ka kapërcyer mendësitë frenuese dhe udhëheqja e saj ka bërë hapin e duhur, duke u shprehur haptazi me ftesën përkatëse publike, për lënien prapa të së kaluarës, në shërbim të paqes sociale. Por që “të mos i ketë borxh askujt” (e thënë në mënyrë figurative), duhet të bëjë hapin kurajoz, duke njohur publikisht vlerat e luftës partizane, nga pikëpamja e kontributit të popullit shqiptar në Aleancën për mposhtjen e ushtrive nazi-fashiste.

Nga ana tjetër gjykoj se është obligim kombëtar që, Shteti e shoqëria shqiptare në kremtimet përkatëse duhet pa tjetër të kujtojë, të nderojë e të vlerësojë të rënët, protagonistët dhe gjithë atë periudhë të lavdishme patriotike të historisë së popullit tonë; larg politizimeve dhe larg pozicioneve pompoze, triumfale e ngadhënjyese, por si ngjarja më madhore e Historisë sonë të Re, ku populli patriot shqiptar bëri detyrën e tij ndaj Atdheut.

Nga Maksi Vinçani

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të publikut", por dhe të dashur, përdorur sigurisht për mirë, të depërtuar dhe ngritur në skenë të famshme, që kanë në

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon

Postuar: 11/12/2019 - 07:09

Shumë shpesh duken nga Gjermania si LVV dhe LDK në momentin kur akoma nuk gjejnë dot një pikë të

Postuar: 11/12/2019 - 07:08

E hëna e 9 dhjetorit ishte pushim, pas së dielës që ishte festë kombëtare, Dita e Rinisë.

Postuar: 11/12/2019 - 07:07

Solidariteti si një produkt shoqëror, lind, rritet e zhvillohet në shoqëritë e emancipuara.