Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Shqipëria, nuk është pjesë e sarajeve tuaja, të hipotekuara në Greqi

Shqipëria, nuk është pjesë e sarajeve tuaja, të

Mediat tona, në këto ditë të nxehta të fundverës çuditërisht i janë rikthyer përsëri problemit të rishikimit të “kufijve të detit” marrëveshjeve, apo mos marrëveshjeve me Greqinë, se çfarë humbasim ne e çfarë fiton Greqia. Debatet e medias në fakt nuk janë produkte dhe pjellë e imagjinatës për qëllime fitimi, por e kanë bazën mbi mendimin dhe lëvizjet e politikës së jashtme shqiptare dhe qëndrimet e tyre për këtë çështje. Për këtë çështje?! Po pse çështje e thjeshtë, është tejpashmëria politike dhe vigjilenca e një vendi, për të ruajtur integritetin e vet territorial, tokësor detar apo ajror e për më tepër kur dihet prej të gjithëve, se qarqet shoviniste greke të përkrahura vazhdimisht nga politika helene, përherë ndaj vendit tonë, kanë patur qëndrim të njëtrajtshëm e tejet reaksionar?! Në pamjen e parë, duket sikur është një problem i thjeshtë, si një bashkëbisedim shtetarësh, psh, si të një koordinimi se si do bashkëpunonin për “Çminimin e Kanalit të Korfuzit” dy vende fqinje me njëri-tjetrin. Fundja ecuria deri në këtë pikë, është e pranueshme.

Por ja që nuk është ashtu, sepse për fatin tonë të keq, zemërgjerësinë shqiptare, bujarinë e tij dhe dëshirën e shqiptarëve për miqësi të vërtetë me fqinjët, na e kanë marrë historikisht si një dobësi dhe një naivitet, e shoqëruar kjo me pikëpamje raciste, të cilat i kanë çuar fqinjët tanë përkundrejt lakmive shoviniste. Në situata të ndryshme të historisë së vendit tonë, sidomos mbas shpalljes së Pavarësisë, por dhe qëndrimeve reaksionare të Europës, këto orekse morën përmasa e një grykësie të tillë, sa që kush nuk u fut në Shqipëri. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një pjesë tradhtarësh të etur për pushtet, në tratativa të fshehta me grekët, serbët, malazezët e italianët bënin pazare me Atdheun tonë, duke filluar qysh nga Esat Toptani, Ahmet Zogu, M. Frashëri, M.Bajraktari, këta të fundit i gjatë periudhës së përfundimit të luftës, ashtu dhe mbas saj, etj. duke përkëdhelur ëndrrën shoviniste të Napolon Zervës të mëshiruar te andarët modernë të sotëm. Madje qarqet shoviniste greke nuk i hante shumë meraku, pse i sulmoi fashizmi italian (në të njëjtën ide me ballistët tanë), por ishin më tepër entuziastë që sulmi u krye nga Shqipëria, me qëllim që këtë, të nesërmen e mposhtjes së fashizmit ta përdornin si një “modus argumentus” për të rifilluar poshtë gjuhës së tyre jargosjen e pushtimit të “Vorio-Epirit”. Që prej shpalljes së Pavarësisë së Greqisë, të cilën tonin ja dhanë shqiptarët me Kollokotronin, Boçarin, Bubulinën sidomos disa vite mbas saj grekët i kujtuan të krijonin identitetin e vet. Po si mund ta bënin këtë? U mendua që “Greqia e madhe” të përbëhej nga Epiri, Maqedonia, Thraka, Thesalia dhe vise të tjera që kishin prejardhje ilire. Doemos duhej justifikuar “helenizimi” i popujve, ide kjo, të cilën fuqitë e mëdha e miratuan dhe që vazhdimisht deri në Konferencën e Paqes së Parisit më 1946 e kanë përkrahur dhe mbajtur anën e Greqisë për çështjet territoriale. Qysh prej viteve 1913, Çamëria jo vetëm se ndodhet me dekret europian nën sundimin e Greqisë, por politika shfarosëse dhe genocidi racor i ka përndjekur shqiptarët e këtyre viseve deri në shpopullimin me forcë të shqiptarëve të Artës çame, pa folur këtu për vrasjet barbare, therjet, djegiet helmimet e patriotëve të mëdhenj nga Patriarkana grek etj. etj. Mizoritë e shovinizmit grek dhe pabesisë së tyre ndaj shqiptarëve nuk gjen dot njësi matëse për t’i nxjerrë të gjitha në dukje. Vetëm mijërat tonelatave me lot, të kësaj pjese të vëllezërve tanë do të mjaftonin për këdo, si dëshmi akuze për qëndrimet e tyre shoviniste. Qenëria e “magalli idhese” i uli veshët (edhe pse ëndërronte si qeni për kocka) mbas viteve 1946, kur Enver Hoxha nga një foltore e Parisit iu drejtua presidiumit të Konferencës, por dhe atyre që mbështetnin idenë e tyre se “populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e vet këtu për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari të gjithë atyre që i shkaktuan kaq plagë dhe popullit shqiptar”.

Dhe 3 vjet më vonë, ata përgjigjen do ta merrnin me grykën e topave më 1949 në provokacionet e gushtit nga ku na sulmuan pabesisht e që në të pastajmen u larguan me bishtin në shalë. Për t’u deklaruar po më vonë përsëri nga Enver Hoxha se: “nëse ju (shovinistë grekë) do të futeni në aventura duke ndezur zjarrin e luftës, ky zjarr do ju bjerë e përvëlojë ju. Provojeni po deshët për të sulmuar Shqipërinë dhe atëherë do ta merrni vesh dhe jo vetëm kaq, por ne do të vëmë në vend dhe padrejtësitë shekullore, që na janë bërë historikisht nga fuqitë e mëdha dhe fqinjët tanë shovinistë”.

Por ajo kohë kur kishte burra shteti, fatkeqësisht u zëvendësua me karabythecër, të cilët hidhen e përdridhen më keq se “kurva Europë”, madje aq keq, sa dhe vetë ajo po habitet me elitën tonë udhëheqëse që mbas viteve ‘90-të me kurvëllëqet e tyre politike po ja kalonin dhe vetë Evropës.

Vitet nëntëdhjetë, edhe pse shënuan një marrëdhënie të re në unifikimin e rendit ekonomiko shoqëror, që do të thoshte se Shqipëria ashtu si dhe Greqia, politikisht sundoheshin nga i njëjti sistem, u ruajt plaga e vjetër e mbarsur. Me këtë rast, fqinji që kishin prejardhje të lashtë si ne dhe që shkencërisht, janë derivati ynë, ashtu si djemtë plëngprishës, u hodhën rishtas në sulm. Episodet e njëpasnjëshme si sulmi mbi postën kufitare të Peshkëpisë, shpërndarja e hartave prej misionarëve greko-ortodoksë (që më shumë veladonin e përdornin për të fshehur misionet e tyre të shërbimit sekret të “Asfalisë”), ku jugu i Shqipërisë konfigurohej si tokë greke, implikimi i disa krerëve të organizatës “Omonia” në veprimtari spiunazhi, largimi i përfaqësuesve shqiptarë në kërkimin e eshtrave të ushtarëve grekë, kontradiktat mbi toponimet e emrave në tabelat e qarkullimit rrugor, kërkesa dhe presioni për helenizimin e emrave të shqiptarëve emigrantë, ngritja e flamurit grek në institucione shtetërore, si ajo në Bashkinë e Himarës, mosnjohja e pronave të ligjshme të popullatës shqiptare të Çamërisë, mosabrogimi i ligjit të luftës e deri te presionet për mospranimin e Shqipërisë në BE, bile dhe te kërkesa për aneksim (natyrisht e moderuar “nëpërmjet një pakti të përbashkët”), të një pjese të hapësirës detare, flasin qartë për shovinizmin dhe agresivitetin e politikës së jashtme të Greqisë ndaj vendit tonë. Po si shpjegohet idiotësia e gjithë politikanëve tanë që nga Nano-Berisha-Meta e Rama? A nuk e kuptojnë se mbas hapësirës detare për shfrytëzim ekonomik në fakt është kërkesë politike për të qenë sa më afër Himarës, kur dihet se jo rastësisht qarqet shoviniste të “Agimit të artë” dhe organizatës kriminele “Mav” i kanë përcaktuar kufijtë e “Vorio-Epirit”?

Dimitris Avramopulos, gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2013 për Greqinë, ka rikthyer edhe një herë përpara parlamentarëve të vendit të tij çështjen e kufirit detar, duke i mëshuar dhe faktit për zhvillimin e zonës ekskluzive ekonomike. Ai thotë: “Politika e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke është caktimi i zonave detare, përshirë zonat ekskluzive ekonomike, me fqinjët”. Zonja dhe zotërinj, kjo është një politikë që do të pasohet nga veprime konkrete dhe politikat që do të shfrytëzojë pasurinë e territori grek në tokë dhe në det. Vërejeni me kujdes shprehjen (po e nënvizoj Y.M) “Politikat që do të shfrytëzojë pasurinë e territorit grek në tokë dhe në det”. Territori grek?! Pra ai e deklaron hapur se po u zgjeruan kjo tashmë është hapësirë detare greke dhe kufijtë detarë afrohen shumë pikërisht atij territori që ata e ëndërrojnë, Himarën, pavarësisht se specialistë ushtarakë në fushën e detarisë e shikojnë si një problem teknik, duke shtruar pyetjen idiote, madje më shumë është vetasgjësuese se përse grekët nuk tremben, kur ne jemi shumë afër me ta në kufijtë me Korfuzin?! Së pari ky “specialist”, nuk duhet të ngatërrojë frikën me vigjilencën politike dhe i rekomandoj të studiojë historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë, sidomos çështjet që përcaktojnë natyrën e shovinizmit “vorio-epiriot”. Së dyti shqiptarët e vërtetë nuk e njohin frikën, por nuk duhet të tregohen aq naivë dhe të trashë, sa të bien pre e djallëzisë së njohur greke (për herë e kam fjalën për qarqet reaksionare dhe shovinizmin e tyre dhe jo aspiratat e popullit të mirë grek). Së fundi ne kemi tre çerek shekulli që u themi “Hiqeni ligjin e luftës me Shqipërinë” (edhe pse ata me 1949-na sulmuan) ata nuk po e heqin, me pretekstin se këtë ligj na e paskan nxjerrë “Mbreti” dhe do të na duhej, po mbreti ta abrogonte. Le ta ngjallin mbretin Kostandin, pse jo kur “ngjallet Krishti” le ta ngjallin (sepse politikanët tanë do e presin deri në Krishtlindje) të paktën sa të hedhë firmën për ta anulluar, pa pastaj “sto dhiavolo” dhe Kostandini me gjithë familjen e tij mbretërore!! Është deklaruar nga shumë personalitete greke, presidentë, ministra e k/ministra, se ligji i luftës me Shqipërinë de fakto nuk ka më vlerë, veçse për habi të të gjithë opinionit n/kombëtar ai nuk është hequr. Meqenëse Greqia dhe Italia, dy partnerët tanë europianë të copëtimit dhe lakmive moderne të pushtimit, mirë që u kemi dhënë “detyrën të na ruajnë” nga deti dhe nga ajri, pse nuk i lënë dhe trupat pushtuese te futen në kuadrin e NATO-s, për të na ruajtur? Po nga kush na ruajnë vallë? Nga kush?! Sepse ne armiq për më shumë se një shekull kemi patur Italinë, Greqinë dhe Serbinë (me ca lakmi “të vogla” të Maqedonisë që tokat jua u shitëm po ashtu dhe Malit të Zi, e që si shpërblim na u përgjigjën me Masakrat e Tivarit). Kujdes o “patriotët tanë” se me Atdheun nuk bëhet shaka dhe mos harroni se në luftra ka ndodhur shpesh që ka humbur trimëria greke, por kurrë nuk ka humbur dinakëria e tyre. Mos guxoni të bëni pazare me detin, se nuk i kini sarajet e prindërve tuaj të hipotekuara në Greqi!