Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shqipërisë i mungojnë liderët vizionarë

Postuar: 25/08/2019 - 07:58

Një udhëtim drejt humnerës. Kështu mund të vlerësohet lëvizja gjatë këtyre 30 viteve e Shqipërisë sonë. Sa, as sot e gjithë ditën ende nuk e dimë mirë rrugën nga po ecim vetëm, po e shohim se, varfëria e mizerabliteti sa vijnë e na shtohen në sofër. Arsyet e kësaj vërdallosjeje janë të shumta. Po, kryesorja është mungesa e liderëve vizionarë. Sot, ne shqiptarëve na mungojnë liderët e duhur, ndërsa punët na i drejtojnë një grup maskarenjsh që as vetë nuk e dinë nga po shkojnë. Kanë ditur vetëm të ngrenë një pushtet nepotiko – familjar që arrin t’u mbushë xhepat atyre përmes varfërimit të tejskajshëm të shumicës së shqiptarëve. Kjo është arsyeja që ne shqiptarët e ndjejmë udhëtimin drejt humnerës. Për t’i shpëtuar këtij udhëtimi, shqiptarët si rrugëzgjidhje kanë gjetur emigracionin. Duket sikur kjo toka shqiptare prodhon vetëm varfëri dhe mizerablitet. Ndodh kështu, pasi liderët tanë që na kanë sjellë vetëm të këqija, nuk po arrijmë t’i ndryshojmë. Mungesa e plotë e vizionit te këta liderët tanë është rrjedhojë e sojit të pistë nga kanë dalë ata. Dalja e tyre që në fillim të viteve ’90 nga soji i mafies, ka bërë që sot ata të mbeten të vetmit sundues që po e plaçkitin Shqipërinë duke mbetur të pandëshkuar. Edhe pse i kemi liderë prej 30 vitesh as vetë nuk e dinë se ç’punë kanë arritur të katranosin. Veçanërisht ata, deputetët e përjetshëm që ngrefosen se janë kryetarë të partive politike, po deputetë zgjidhen të mbuluar me jorganin e PD-së. Kur do t’ia arrijmë t’i largojmë të tillë deputetë? Ndoshta vetëm atëherë Shqipëria do të mund të marrë frymë tamam e lirë. Është për të qeshur e për të qarë. Kemi kryetarë partie si Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Dashamir Shehi e të tjerë që nuk harrojnë asnjëherë të shënojnë se janë kryetarë partie, po deputetë mbeten vetëm përmes futjes në listën e PD-së. Ne shqiptarët i kemi palo deputetë, po një herë nuk i pamë të zgjidhen deputetë nën siglën e partisë së tyre. Nejse. Kjo është vetëm një prej mysyfeteve të liderëve tanë. Janë ata që kanë ngritur në jo pak raste edhe parti familjare. Nuk bëhet fjalë vetëm për LSI-në. Ajo të paktën e pranon dhe këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët. Po për partitë e tjera të vogla që në listat për këshilltarë shënojnë me radhë, djemtë e vajzat, kushërinjtë e kushërirat, gjithë pjesëtarët e fisit. Është kjo arsyeja që në jo pak raste këshilltarët I kemi edhe pjesëtarë të një fisi. Gjithsesi, në Shqipëri është vështirë të kryhen zgjedhje për pushtetin vendor. Përderisa na mungojnë liderët vizionarë, ndërsa sundohemi nga liderë familjaro – partiakë. Janë këta liderë që na sjellin kartëpostare kandidatin duke na urdhëruar: këtë do ta votoni. Poshtërsi të tilla ndodhin vetëm në këtë Shqipërinë tonë. Ne votojmë çfarë na sjellin liderët mostra që kanë zaptuar prej 30 vitesh Shqipërinë. Pak ditë më parë, socialistët shkodranë u detyruan të ngrinin krye. “Nuk jemi dele. Na thoni pse na e sollët kandidat për kryetar njeriun që deshët vetë, kur ne kishim djalin tonë këtu”,- iu drejtuan delegatit të qendrës tuaj”,- iu drejtuan delegatit të qendrës socialistët shkodranë. Kështu nuk ndodh vetëm me socialistët. Një mënyrë e tillë pune është e pranishme te e gjithë klasa jonë politike. Është kjo arsyeja që shqiptarët i kanë vënë klasës politike nofkën “hale”. Në realitet, bash e tillë është kjo klasë politike që po na lë gjithnjë e më shumë mbrapa kohës. Bie fjala, të gjithë e mbajmë mend, kur PD dorëzoi në KQZ listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2017 pas orës 24. Që askush të mos kishte mundësi të shprehte pakënaqësinë e tij ndaj kryetarit Lulzim Basha që kishte përgatitur listën pa pyetur askënd. Mungesa e liderëve vizionarë ka sjellë që fushatat elektorale të mbizotërohen nga të sharat mes kundërshtarëve politikë. Thuajse asnjë palë nuk evidenton ndonjë program zhvillimi, fondet që duhen për realizimin e tij. Asgjë nga këto gjëra, vetëm të shara e mashtrime pafund. Me liderë të tillë, që as vetë nuk e dinë pse janë zgjedhur liderë, nuk mund të shkojmë askund ne shqiptarët. Po grindemi me njëri tjetrin sa edhe drejtuesit vendor nuk e dimë mirë në i kemi zgjedhur apo jo. Bile nuk dimë kur mund t’i zgjedhim pa u grindur. Pasi edhe për datën 13 tetor, PD dhe PS as u shkon mendja të hyjnë në votime. Ndërsa LSI, si forcë e parë, forcë e paparë thotë: unë do të hyj me gjithë seriozitetin e duhur në votime. Edhe pse e di mirë se e kthyer në parti familjare, ajo po shkon drejt vetasgjësimit. Problemi është: shqiptarët kjo politikë kur do t’i pyesë? Kryetarët na i psonisin mbretërit e partive, po ata i zgjedhin si ushtarë të tyre e jo si shërbëtorë të popullit. Kjo bëri që njëri të dalë kallp. Pas ca ditësh doli kallp edhe një tjetër. Askush nuk na tregon sa kryetarë lokalë i kemi tamam, tamam kallp! Ne e dimë se parlamentin e kemi të mbushur me qenie kallpe. Sa na e kanë neveritur gjithçka në këtë vend. Pak ditë më parë një i ri 26 vjeçar shkoi në punë, po atje mbeti i vrarë. I ati Baftjar Celaj mes dhimbjes për të birin 26 vjeçar të vrarë na e përcakton saktësisht çfarë klase politike kemi sot ne shqiptarët. “Sa të jenë këta politikanë të ndyrë, të fëlliqur. Po nuk u dënuan këta të fëlliqurit ca kanë qenë politikanë këto 30 vjet Shqipëria nuk bëhet”. Këto fjalë dhimbjeje na kërkojnë ne shqiptarëve që për të shpëtuar veten dhe brezat që do të vijnë duhet që këtë hale – klasë politike ta flakim në humnerë. Nuk duhet më të pranojmë që nën siglën e një partie të hyjnë në parlament lloj lloj mostrash që sot më shumë kanë urrejtjen e shqiptarëve pas, se i dëgjon njeri kur llomotisin në të rrallë në parlament.

Sot e keqja më e madhe e shqiptarëve është se kanë në krye të punëve liderë pa asnjë vizion. Kanë liderë që shohin vetëm xhepin e tyre. Është kjo arsyeja që kemi mbetur populli më i varfër në kontinentin plak. Kemi të tillë liderë që nuk duan t’ia dinë për varfërinë që sa vjen e po rritet në tokën e shqiptarëve, ndërsa për vete i gjejnë vrimat për t’u pasuruar. Shqiptarët u çuditën kur morën vesh se një ministre e tyre për një natë paguan në hotelet më luksoze deri 700 euro. Kjo ministre e di se, 700 euro që ajo i paguan për të fjetur një natë është më e madhe se paga mujore e mjekut, mësuesit, e specialistëve inxhinierë et, etj? Nëse ky detaj i dhënë nga media një ditë më parë është i vërtetë, e çuditshme mbetet si ka mundësi që kjo ministre ende nuk është larguar nga posti. Për shqiptarët është turp të kenë një ministre të tillë, që tall me nderën me varfërinë e tyre. Varfërinë e shqiptarëve nuk është vetëm kjo ministre që e çudit. Është edhe lukunia e deputetëve që kanë braktisur Kuvendin, punën e tyre dhe hardallosen mejhaneve, ndërsa kërkojnë pagat në dorë. Këta dy shembuj tregojnë se sot Shqipërisë i mungojnë krejtësisht liderët vizionarë. Ndërsa të gjitha punët i drejtojnë lloj lloj liderësh që vetëm moral nuk kanë. Kemi ende liderë pa asnjë vizion për të nesërmen.

Nga Riza Hoxha

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2019 - 07:22

Do të numëroja shtatë arsye ndonëse janë 140 të tilla, përse Shqipërisë sonë të vogël nuk ka ç’i duhet një Parlament kaq i madh. 1.

Postuar: 21/09/2019 - 07:19

Shembulli i zgjidhjes së krizës qeveritare për një kohë shumë të shkurtër, në Italinë fqinje, duh

Postuar: 21/09/2019 - 07:18

Të gjithë, politikanë, burra, gra, militantë, socialistë, demokratë, lësëistë, familjarë, ish bas

Postuar: 21/09/2019 - 07:16

Shoqëria shqiptare dhe ndërkombëtarët kanë shumë që ankohen për drejtësinë e korruptuar e të inkr

Postuar: 20/09/2019 - 07:20

Këtë të vërtetë e shohim më së miri te dëshmorët e LANÇ.

Postuar: 20/09/2019 - 07:18

Nuk mund të ketë më folklorizëm patetik, më fantastik, se sa kur një lider politik shkon në një t

Postuar: 20/09/2019 - 07:16

Edhe pas dy dekadave, ende nuk mundemi, apo nuk duam që t’i zgjidhim problemet politike, ek