BREAKING NEWS

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik raportimesh për UFO-t në Itali, ja rasti i paprecedentë që ka kapur radari në aeroportin Malpensa në Milano dhe lidhja me pandeminë e COVID-19

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik
x

Opinion / Editorial

Shqipja në fluturimin e vet, kurrë vdekje mos pastë!

Shqipja në fluturimin e vet, kurrë vdekje mos pastë!

Shpesh në jetën tonë të përditshme, vrasim mendjen se ç’është gjuha, si ka ardhur dhe na ka shoqëruar ajo hap mbas hapi në shekuj? Kjo të ketë qenë dhe kështu të jetë folur dhe nga të parët tanë? Nëse jeta dhe zhvillimi i shoqërisë, që prej fiseve ilire, madje dhe para tyre e deri në ditët e sotme, janë shoqëruar me zhvillime të vrullshme historike duke kaluar nga një shkallë më e ulët zhvillimi në një më të lartë, po gjuha a pëson ndryshime paralelisht me zhvillimin historik të shoqërisë apo jo? Sigurisht dhe kjo e kërkon një përgjigje. Veçse shpjegimi për gjuhën, kurrë nuk mund të ishte e plotë nëse nuk e shikojmë atë të lidhur ngushtë me organin material fiziologjik e muskuloz, atë që ka aftësinë jo vetëm e kombinacionit të tingujve, por dhe të përcjelljes së mendimit, duke luajtur kështu një rol jashtëzakonisht të madh në komunikim në të gjithë shoqërinë njerëzore. Është pikërisht kjo aftësi e saj dhe falë ekzistencës, që shqipja jonë e bukur dhe e bekuar, lidhet ngushtë dhe me koloritin e madh e të gjerë të popujve të botës, gjuhë kjo sa e shenjtëruar po aq dhe jetëgjatë. Stuhitë e furishme të kohës, dyndjet dhe zhvendosjet valë valë të barbarëve mëkatarë të gjuhës së lashtë të arbrit, lutjet deri në kupë të qiellit duke e mallkuar atë me tymin e temjanit të zi, bënë që shqiptari falë maleve të tij të lartë dhe po me atë lartësi të shpirtit të vet luftarak, të gjente strehim, për mbiekzistencën e vet, pikërisht atje, ku thuhet se qëndrojnë shqiponjat. Në këto kushte, gjuha ngeli në male, andej nga do të lindnin epikat dhe këngët e kreshnikëve, për t’u përhapur më paskëtaj e për të zbritur në gjithë Iliridën, kështu që gjuha jonë kaq e ëmbël kaq e mirë e kaq me vlerë, u bë jo vetëm formë e ekzistencës dhe përcjelljes së mendimit arbëror, por dhe sintezë e ekzistencës së një populli vital e të paepur. Aje ku ka një gjuhë, ka dhe një popull i cili lidhet drejtpërsëdrejti me kulturën, doket, zakonet, këngët, vallet, gëzimet dhe hidhërimet e tij, të cilat janë shprehur jo vetëm me gjuhën e artikuluar të zëshme, por dhe atë të simboleve artistike, të cilat i gdhend ndërgjegjja kombëtare. Duke qenë e tillë, me të drejtë mund të themi madje dhe me krenari, se ajo ka qenë, është e do të ngelet përherë e në shekuj, arteria jonë shpirtërore e cila na jep jetë, por dhe që përcakton vërtetësinë tonë të veçantë, por dhe prejardhjen si popull e të dallueshëm nga të tjerët. Çuditërisht, një vend me një dendësi kaq të vogël popullate si kjo e jona e që dikur ka patur shtrirje të madhe e të gjerë, pothuajse në gjithë Ballkanin e deri në malet e Kaukazit, prej Jonit e deri në Apenine pse jo dhe deri në brigjet e gadishullit Iberik, ka qenë njëkohësisht dhe objekt i lakmisë së armiqve tanë, të cilët i janë vërsulur me egërsinë më të madhe për të na shkombëtarizuar duke derdhur mbi trojet tona arbërore, gjithë egërsinë e tyre për të nënshtruar tokën tonë, popullin dhe gjuhën tonë. Me shekuj dhe shekuj mbas shekujsh, na pushtuan, aq sa dhe vetë globi do të dridhej. Beteja të ashpra, të dukshme e të padukshme, me tonelata u hodh helmi dhe vreri mbi gjuhën tonë duke e shoqëruar këtë projekt- tragjedi, jo vetëm për shpopullimin me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre, por dhe me plane ogurzeza për vrasjen e shqipes, të cilës ju vërsulën me zjarr e me hekur duke nëmur e mallkuar gërmat e Kongresit të Manastirit dhe mësuesit e parë të shkollave tona shqipe. Mos vallë pikërisht në kohën e mallkimit të madh dhe vetë shqipet uleshin dhe lotonin në gjuhën e tyre pikërisht në bjeshkët tona të cilat morën dhe emrin “Bjeshkët e Namuna”?! Jo jo nuk është e mundur! Ato, mund të jenë ulur aty dhe të kenë lotuar vërtetë, por ato nuk e ndalën fluturimin e tyre të lirë, ndaj dhe shqiptarët janë bij të shqipes dhe gjuha e jonë është gjuhë shqiponjash e lindur për në të largëta fluturime. U mendova kaq gjatë, për gjuhën tonë. Ta gjeja dhe unë një urim, me kët' rast. Edhe pse mundimshëm, në kërkim deri vonë. Nuk gjeta, veç thashë: - Kurrë vdekje mos pastë! Për gjuhën tonë të bukur do të uronim me këtë rast: “Shqipja në fluturimin e vet, kurrë vdekje mos pastë”!