Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shqiptarët, të varfër edhe pas 27 vjetëve demokraci!

Postuar: 13/09/2017 - 07:38

Para viteve ’90, Shqipëria mund të themi se ishte e izoluar nga perëndimi dhe e varfër, po me punë e sakrifica ngriti uzina e fabrika, kombinate e hidrocentrale, ku për ndërtimin e tyre harxhoi shumë fonde. Vetëm për ndërtimin e tre hidrocentraleve mbi Drin u harxhuan tre miliardë dollarë amerikanë. Shumë objekte të tjera u ndërtuan me ndihmën nga jashtë. Deri në vitet ‘60 ishte ndihma internacionale e BS dhe pas prishjes së marrëdhënieve për arsye politike u ndërprenë edhe marrëdhëniet ekonomike. Meqenëse politika shqiptare e ndihmoi Republikën Popullore të Kinës kur ajo u godit nga Hrushovi në Konferencën e 81 Partive Komuniste e Punëtore në Moskë në vitin 1961, ajo ia shpërbleu atë Shqipërisë duke e ndihmuar jo vetëm në fushën politike, po në të gjitha fushat dhe në radhë të parë në atë ekonomike e ushtarake. Shqipëria u bë një forcë e madhe ushtarake duke zënë vendin e dytë në Ballkan. Në vitet shtatëdhjetë, marrëdhëniet e Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës ishin në lulëzim. Pa frikë, në vitet ‘70 Shqipëria mund të cilësohej si vendi i uzinave, fabrikave dhe kombinateve, dhe pse nga e kaluara nuk kishte trashëguar asgjë. Pra të gjitha këto u arritën për më pak se 45 vjet.

Në ato vite, Shqipëria e varfër përparoi në arsim, në kulturë dhe në shkencë. Në vitin 1990, Shqipëria kishte 86 mijë veta me arsim të mesëm dhe të lartë, një pjesë e madhe prej tyre kishin studiuar në universitet më prestigjioze të BS dhe më pas në ato të Kinës etj. Në vitin 1972, Shqipëria e varfër ngriti Akademinë e Shkencave me të gjithë institutet e nevojshme, duke përfshirë atë albanologjik, të mineraleve të ngurta, të hidrokarbureve, të historisë, të shkencave konkrete, të atyre filozofike e kështu me radhë. Edhe në fushën e kulturës, Shqipëria në ato vite bëri shumë përparime. Ngriti Akademinë e Arteve me bazë shkollën ruse, Teatrin Kombëtar, pallate e shtëpi kulture në çdo rreth, të cilat gumëzhinin nga aktivitet artistike e kulturore. Rinia merrte pjesë në këto aktivitete edhe pa shpërblim. Çdo vit, në muajin Maj organizohej festivali “Këngët e stinës”, një aktivitet kombëtar ku merrnin pjesë grupe nga të gjitha ndërmarrjet shtetërore, një herë në katër vjet organizohej Festivali Folklorik i Gjirokastrës, ku merrnin pjesë grupe folklorike nga të gjitha rrethet e vendit dhe grupe nga diaspora. Në këtë rrugë ruhej dhe pasurohej folklori ynë. Nuk harrohet kënga patriotike “Xhamadani i Mit Sokolit” e interpretuar nga mirditorja Mrika Trumshi, apo kënga e interpretuar nga dibrani Qerim Sula “Vijnë prej malit retë e zeza”, e shumë të tjera që ruhen në memorien e shqiptarëve. Shqiptarët ishin të pasur në shpirt, po jo ekonomikisht.

Shqiptarët votuan ndryshimin e sistemit me mendimin se do të jetonin më mirë se më përpara. Ata nuk e hodhën votën për 50 apo 60 milionerë që hendeku midis të pasurve dhe të varfërve të thellohej gjithnjë e më shumë. Shqiptarët hodhën që herët parullën; “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Vitet avancuan, po Europa sa vjen e largohet. U deshën 24 vjet, që Shqipëria të fitonte statusin e vendit kandidat për në BE. Edhe tani, Europa për të hapur negociatat po shton çdo ditë kushte të reja. Deri tani, kushti kryesor ishte zbatimi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe në mënyrë të veçantë zbatimi i vetingut. Tani, ky është futur në rrugën e zbatimit dhe sipas ONM, së shpejti do të japi rezultatet e para. Ne jemi një vend me mbi 70 % myslimanë, po nuk kemi përkrahur kurrë Islamizmin. Më vjen në mendje, në këtë rast, se duke qenë Europa në tërësinë e saj kristiane, me sa po shohim nuk na dëshiron të bëhemi pjesë e saj. Me ndryshimin e sistemit, jeta e shqiptarëve ka ardhur duke u përkeqësuar. Këtu ka ndikuar në radhë të parë korrupsioni, krimi i organizuar, dalja e parasë së shqiptarëve jashtë vendit. Në bazë të të dhënave të institucioneve financiare ndërkombëtare, çdo vit dalin nga Shqipëria 1.3 miliard euro dhe arkëtohen në bankat e huaja.

Në sistemin socialist kishte shtet me pak demokraci po që i kryente mirë detyrat e veta. Kujdesi për njeriun ishte parësor, “Njerëzit mbi të gjitha”. Kjo nuk ishte një parullë, po një thirrje e shtetit për zbatim. Thirrja “Një për të gjithë e të gjithë për një” gjente zbatim në jetë. Brezi i luftës solli lirinë, po së bashku me brezin më të ri morën pjesë aktive në ndërtimin dhe rindërtimin e vendit në mënyrë vullnetare. Brezaret e Lukovës, të Ksamilit, plantacione vreshtash ishin vepra të ndërtuara vullnetarisht nga rinia.

 Me ndryshimin e sistemit, thirrja e sistemit socializmit u zëvendësua me thirrjen “secili për vete e zoti për të gjithë”. Në sistemin socialist të gjithë ishim të varfër, por të kënaqur sepse të gjithë ishim njësoj të barabartë. Raporti midis pagave të larta me ato më të ulta ishte 1:2. Nuk bëhej fjalë për hendekun që ndodh sot midis të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë kontribuonin për të rritur masën e akumulimit shoqëror, për ta përdorur pushteti për zhvillimin e ekonomisë dhe për të ruajtur një pjesë për ditët e vështira. Ky buxhet ruhej në para dhe në mallra ushqimorë e industriale në rezervat shtetërore. Në vitet ‘80 rezervat e shtetit kishin aq mall sa shqiptarët të konsumonin për pesë vjet sikur të mos prodhohej asgjë. Këto në vitet ‘90 ranë në duart e kriminelëve dhe hajdutëve që i rrëmbenin dhe pastaj u vinin zjarrin sa disa gjetën vdekjen në zjarrin që ndezën vetë, siç ndodhi në Fushë-Arrëz ku grabitësit pasi grabitën i vunë zjarrin magazinave të supermarketit, duke mbetur të djegur 44 veta.

Në sistemin socialist, edhe shtimi i popullsisë ishte i kontrolluar që nga pushteti i bazës e deri në Komitetet Ekzekutive të rrethit. Një nënë në atë kohë lindte mesatarisht pesë fëmijë, në këtë mënyrë çifti zëvendësonte veten dhe kontribuonte për shtimin e popullsisë. Nuk është sot rënia e lindshmërisë jeta në luks, po në radhë të parë janë vështirësitë për t’i ushqyer, për t’i shkolluar dhe për t’u siguruar mjetet e domosdoshme të jetesës.

Në socializëm, jo vetëm që kontrollohej lindshmëria, por kujdesi për mirërritjen e fëmijëve ishte i jashtëzakonshëm, po sot nuk ndodh kështu! Shqiptarët e votuan ndryshimin për një jetë më të mirë, për të mos jetuar në varfëri, po për t’u bërë më të pasur dhe për t’u afruar sa më shumë me Europën e pasur e të qytetëruar. Sot shqiptari merr nga PBB 30 % të asaj që merr një person në BE. Që t’i afrohemi Europës kërkohet punë e përkushtim, jo duke shkatërruar tokat e bukës e në mes të tyre duke ndërtuar nga një mostër. Sistemi socialist e ruajti tokën me kujdes, nuk lejonte ndërtime jashtë vijave të verdha, harxhoi shumë para për tharjen e kënetave si atë të Tërbufit, të Vrinës, kudo ndërtoi argjinatura, hapi kanale kulluese e vaditëse dhe rriti prodhimin në to. Në vitet ‘80 nga këneta e Vrinës në Sarandë u mor një rendiment 80 kv/ha misër dhe në Lushnje 60 kv/ha grurë. Qeveria “Rama 1”, gjatë mandatit të parë ka punuar shumë për hapjen e kanaleve kulluese dhe ndërtimin e argjinaturave mbrojtëse të lumenjve që janë këcënues për përmbytjen e tokave bujqësore.

Në këtë çerek shekulli politikanët shqiptarë kanë bërë shumë gabime, të cilat kanë sjellë thellimin e varfërisë në shtresa të ndryshme të shoqërisë. Nga sistemi i kaluar, sistemi kapitalist që u vendos trashëgoi një bazë të fuqishme ekonomike, të cilën sistemi i ri duhej ta ruante dhe ta fuqizonte, po ndodhi e kundërta. Me logjikë prej fëmije, me një dekret të veçantë të Presidentit të Republikës në prill të vitit 1993 u mbyllën 254 ndërmarrje prodhuese, të cilat kaluan në konservim. Brenda pak kohësh u privatizuan rreth 80 % e objekteve shtetërore, kur në vendet e tjera rreth nesh privatizimi ndoqi një periudhë relativisht të gjatë, në bazë të një plani të hartuar me kujdes.

Logjika ekonomike të lejon që ato ndërmarrje që nuk janë rentabël duhet të mbyllen. Është fakt që në vitet ‘90 kishim ndërmarrje që punonte që nga viti 1936, siç ishte fabrika e shkrirjes së bakrit në Rubik, ku konvertet e saj i ishin nënshtruar dhjetra herë remonteve për të siguruar bakër blistër me cilësi, po ndodhte që elementët që e shoqëronin me vlerë të madhe kalonin në skorje duke përfshirë edhe arin e argjendin. Po mirë kjo dhe si motrat e saj duhet të mbylleshin, po pse duhe mbyllur uzina e rafinimit që prodhonte pak flori e argjend dhe bakër me cilësi për uzinën e telave e kabllove në Shkodër, ku sot që të fillojë punë njëra duhet vënë në punë edhe tjetra. Apo kombinati i tekstileve në Berat, që mallrat që prodhonte, konkuronin denjësisht në tregjet e tjera. Në këtë kombinat gjigand ishin të punësuar mbi 12 mijë punonjës, prej tyre 8000 femra. Për këtë rajon ishte zgjidhur përfundimisht punësimi. Nga një kombinat madhështor u kthye në kioska. Kështu ndodhi me Kombinatin e auto-traktorëve, me Kombinatin e çelikut në Elbasan, me kombinatet e superfosfateve në Laç e Fier.

Ky veprim i ndjekur nga politika shqiptare hodhi në rrugë mijra punëtorë, të cilët mbetën pa mjete për të jetuar familje të tëra. Kjo ishte një goditje që solli varfërinë në çdo familje shqiptare. Kjo bëri që shqiptarët të shpërndahen nëpër botë si zogjët e korbit.

 U lejua migrimi brenda vendit pa asnjë llojë kontrolli. Kjo solli si pasojë boshatisjen e fshatit dhe fryrjen e qyteteve të mëdha si Tiranën, Durrësin e tjerë. Tirana sipas INSTAT sot ka 862361 banorë, ose 682 banorë për kilometër katror, kjo shifër është rritur tre herë në krahasim me vitin 1990, pra më shumë për çdo kilometër katror se Mali i Zi që e ka 45, Bosnja 74, Maqedonia 81. Kjo ishte një politikë e gabuar e drejtuesve të tranzicionit.

Të rinj që zbritën në Tiranë ishin të pamësuar me anët negative të qyteteve të mëdha morën rrugë të gabuar, u lidhën me shoqëri të keqe, duke u rritur kështu e keqja e Shoqërisë po edhe e PD që i përkrahu, e cila u mbështet shumë në këtë popullsi të zbritur nga mali me qëllim që t’u merrte votën. Kjo prodhoi edhe fenomene të tjera negative që kanë ardhur duke u rritur deri në ditët e sotme. U zunë hapsirat publike, u shfaq si fenomen puna në të zezë, që vazhdon edhe sot. Qeveria “Rama 1” arriti të nxjerrë nga informaliteti 111.000 persona, që deri në atë moment asnjërit nuk u ishin paguar nga pronarët sigurimet shoqërore. Lulëzoi tregtia e paligjshme, vjedhja, demostrimi i marrëdhënieve fshatare në kushtet e jetës në qytetit, u shtua dhuna në familje duke e trajtuar gruan si pronë dhe jo si shoqe të jetës.

 Kështu gradualisht qyteti e humbi vizionin e tij arsimor e kulturor dhe marrëdhëniet shoqërore pësuan çarje të mëdha. Zbritja në qytet e njerëzve të pashkolluar dhe me kulturë fshatare u bë një kosto e madhe për progresin shoqëror. Mbi 110 mijë familje rrethuan Tiranën, të tjerë të ardhur nga Skrapari, Fieri, Dibra, Kukësi, Puka e Mirdita populluan kënetën e Durrësit. Me ato mendësi fshatare ndërtuan shtëpi dhe ngjitur ndërtuan stallat që strehuan lopë, dele, dhi, pula, njëthundrakë. Në periferi të qyteteve era e plehut të mbyt, mizat mbulojnë muret e banesave dhe djepat e fëmijëve të mitur.

 Duke pushtuar tokat private e shtetërore bllokuan rrugët për njerëzit dhe mjetet, me kalimin e kohës lindën ngatërresat për kufijtë ndarës mes pronave. Vetëm për këto lloj mosmarrëveshjesh, për një çerek shekulli kanë humbur jetën mbi 8.000 persona.

 Ndërtimet pa leje morën përpjestime të mëdha, të cilat vazhdojnë edhe sot. Legalizimet bëheshin të seleksionuara. Qeveria “Rama 1” arriti për një mandat të legalizojë mbi 140 mijë banesa informale. Ky proces do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të qeverisë “Rama 2”.

 Përdorimi i drogës nga të rinjtë kryesisht të ardhur nga fshati janë bërë një peshë e papërballueshme për shumë familje. Një fqinj i imi kishte një djalë rreth 40 vjeç, i cili ngrihej natën duke kërcënuar prindërit pensionistë për t’i dhënë para për të blerë drogë. Një ditë ndodhem në një dyqan ku shiten artikuj të përzier, ku janë vetëpunësuar tre pjestarë të një familjeje. Në atë moment vjen një grua pak e moshuar dhe i kërkoi shitëses t’i jepte diçka, po para nuk kishte. Shitësja i përgjigjet me zë të lartë; “Nuk të jap asgjë, më ke më shumë se 400 mijë lekë borxh. Më sill ato, pastaj të jap të tjera”. Për të mos e nxjerrë duar bosh i hodhi mbi banak dy simite të vogla dhe dy djathë nga ato që i përdorim për bebe dhe i tha: “Merri këto dhe mos u duk më këtu”. Lind pyetja; “Si mund ta kalojnë ditën dy persona të rritur me kaq ushqim? Mendova me vete se sa të tillë ka ky vend i vogël me pasuri të mëdha. E gjithë kategoria e pensionistëve sot jetojnë në mjerim. Shqipëria ka përparuar në këto 27 vjet, po është e pafalshme që nuk kemi arritur të heqim fletoret me lista kredie nga dyqanet ushqimore.

Sot, në vendin tonë trajtohen me ndihmë sociale mbi 86.000 familje, që i kushtojnë shoqërisë rreth 6 miliardë lekë në vit. Kjo shifër po ndryshon shumë ngadalë. Ka edhe kërkesa të tjera për ta shtuar këtë numër. Në Shqipëri, shumë familje kanë braktisur fëmijët e tyre se nuk kanë t’i ushqejnë. Një ditë shoh një grua që kishte një fëmijë të mitur në prehër dhe tregoi se fëmijës në vend të qumështit i jepte ujë se nuk kishte para për të blerë një shishe qumësht, pra diskutohej për 100 lekë. Në përgjithësi këto familje janë të zbritura nga fshati, që as burri dhe as gruaja nuk kanë ndonjë profesion. Në këto vite, braktisja e fëmijës është bërë ritual i tmerrshëm.

 Duam apo nuk duam ne, fshati e ka rrethuar qytetin dhe është futur në brendësi me të gjitha të mirat dhe të këqijat e tij. Një ditë, për nevojat e mija mora rrugën Bregut të Lanës nga ura e Teknologjikes në drejtim të rrjedhjes. Hoqa keq për të arritur deri tek ura e Unazës së re, aty ku shiten drutë e zjarrit, sepse i tërë bregu ishte bllokuar me stalla bagëtish ku strehoheshin lopë, dele, dhi, pula, njëthundrakë, këto të gjitha të ngjitura me shtëpitë e banimit ku jetonin të ardhurit nga rrethet e tjera. Era e plehut dhe e fekaleve të zinte frymën. Shtrohet çështja; A ka inspektoriat shtetëror që i kontrollon këto zona? Ka dy vjet që Kryetari i Bashkisë Tiranë ka premtuar se do ta sistemojë këtë pjesë të Lanës, po deri tani nuk është bërë asgjë. Le të presin se Erion Veliaj, premtimet që bën, i realizon.

 Të jetosh në qytet, në mjedise kolektive është e domosdoshme që çdo qytetar të plotëson detyrat që rrjedhin nga kjo bashkëjetesë. Të jesh i varfër nuk është turp, po të mos kesh kulturën e domosdoshme dhe të mos zbatosh rregullat e bashkëjetesës në qytet, apo të mendosh vetëm të zhvatësh nga shoqëria dhe të mos i japësh asgjë asaj është mëkat. Opozita shqiptare derdhë lot krokodili se po harxhohen taksat e shqiptarëve për fasada, sheshe, lulishte e kënde lojrash. Nuk e di, nëse liderët e opozitës e kuptojnë se shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara, sheshet e pushimit, lulishtet, rrugët e asfaltuara, largimi i bagëtive nga zonat e banuara, largimi dhe përpunimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza, janë pjesë e rritjes së mirëqenies së popullit?!

Nga Gjon BUSHPEPA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2017 - 07:13

Në përgjithësi, si shoqëri na ka mbetur ora disi shumë prapa në historinë e re tonën! E kam fjalën sidomos për ndarjen e madhe politike klasore që filloi mbas viteve ’44-’45-së!

Postuar: 19/09/2017 - 07:08

Dakord, mirë komunizmi (apo më saktë socializmi, se i pari mbeti në letra) vate se koha i doli kundër, po ç’ne akoma 30 vjet retorika antikomuniste të shërbejë si kriter p

Postuar: 19/09/2017 - 07:01

Në këtë periudhë diplomacia greke u njoftua me krijimin e një pseudo alibie të krijuar në Himarë për t’u hedhur në ofensivë, duke mos fshehur prepotencën e një shteti, që

Postuar: 19/09/2017 - 06:59

Në SHBA, në majën e malit Rushmore janë gdhendur figurat e katër presidentëve të këtij shteti lider botëror.

Postuar: 17/09/2017 - 07:39

Bashkëbiseduesi është një i njohur i vjetër me profesionin inxhinier.

Postuar: 17/09/2017 - 07:28

Është një çudi ekzemplare. Ne shqiptarët sa herë votojmë, dimë të zgjedhim institucione gjithnjë e më të dobëta, gjithnjë e më groteske.

Postuar: 17/09/2017 - 07:26

Qyteti më tradicional i vjetër në qytetërimin urban dhe historik të tij ose Shkodra, i ka rënë në qafë sidomos në kohë demokracie, figurave dhe lartësive të mëdha të qytetit!