BREAKING NEWS

Momenti i SHUMËPRITUR! Holanda ndryshon qëndrim për Shqipërinë, i jep dritën jeshile për të nisur procesin integrues në BE

Momenti i SHUMËPRITUR! Holanda ndryshon qëndrim për
x
BREAKING NEWS

“LAJMI QE PRISNI”, kryeministri Edi Rama bën publik informacionin e rëndësishëm: Ia dolëm edhe kësaj sfide!

“LAJMI QE PRISNI”, kryeministri Edi Rama bën publik
x
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela lëshon ‘BOMBËN’ ndaj Lulzim Bashës: Ka procese penale në SHBA, ja mesazhi i ambasadores Yuri Kim

Spartak Ngjela lëshon ‘BOMBËN’ ndaj Lulzim Bashës:
x
BREAKING NEWS

Largimi nga politika i Gramoz Ruçit, Spartak Ngjela tregon dy arsyet dhe plas paralajmërimin e fortë: Do të ketë pasoja për PS-në!

Largimi nga politika i Gramoz Ruçit, Spartak Ngjela tregon dy arsyet dhe
x
BREAKING NEWS

Ishte krahu i djathtë i Arta Markut kur drejtonte institucionin e rëndësishëm/ KPK merr vendimin e menjëhershëm dhe shkarkon prokuroren e njohur të Tiranës

Ishte krahu i djathtë i Arta Markut kur drejtonte institucionin e
x
BREAKING NEWS

VENDIM zyrtar! Bashkimi Europian jep lajmin e shumëpritur për Shqipërinë

VENDIM zyrtar! Bashkimi Europian jep lajmin e shumëpritur për
x
BREAKING NEWS

Dhunohet drejtoresha në Bashkinë e Tiranës, policia fundos autorin. Zbardhet shkaku (EMRI+FOTO)

Dhunohet drejtoresha në Bashkinë e Tiranës, policia fundos
x
BREAKING NEWS

Grupimi 'Për PD-në' del në konferencë të jashtëzakonshme, Harxhi bën denoncimet e forta: Vëzhguesit janë kërcënuar! Ja cila është shkelja më e rëndë!

Grupimi 'Për PD-në' del në konferencë të
x

Opinion / Editorial

Shqiptar kudo që të jesh, fol shqip

Shqiptar kudo që të jesh, fol shqip

Gjuha shqipe është një gjuhë e lashtë, madje ndër më të lashtat e botës, me një leksik shumë të pasur dhe të larmishme, që të jep mundësi me diapazonin e saj, që të lëvrosh të gjitha gjinitë e shkrimit. Ky është një privilegj, që manifestohet dukshëm te dhuntia e shqiptarëve, që janë njohës të shumë gjuhëve të huaja dhe kjo vjen nga alfabeti ynë i pasur me 36 shkronja. Po t’i referohemi pemës të gjuhëve indoeuropiane e ndërtuar në vitin 1974 nga Instituti i Gjuhëve në Suedi, e botuar më 1975 tek libri botëror: Webester’s New Twentieth Century Dictionary, Unabridged Second Edition, de Luxe Color, William Collins and World Publishing Co.Inc. 1975, shohim qartë se në rrënjët e pemës është vendosur gjuha shqipe. Siç shihet nga ky publikim, gjuha më e vjetër është shqipja, që vijon me greqishten, armenishten, gjuhët iranike, gjuhët indiane, sanskritishtja dhe shkon në majë të degëve me serbo-kroatishten, sllovakishten anglishten, flamishten, holandishten, etj. Një pemë të ngjashme botoi gjatë viteve 1985-1999 edhe historian arbëresh, arvanitasi Aristidh Kola në Greqi. Në këtë sfond, ne vërejmë se gjuha shqipe është jo vetëm mëma e të gjithë gjuhëve, por ka edhe një fjalor tepër të larmishëm. Kjo na bën sa krenar aq dhe të përgjegjshëm, për të qenë jo vetëm të dashuruar pas saj, por dhe skrupulozë, për t’i qëndruar besnik të folurit. Shumë gjuhëtarë të shquar, duke filluar nga profesor Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Rami Memushaj, Idriz Ajeti, Gjovalin Shkurtaj, e shumë të tjerë, kanë theksuar nevojën e ruajtjes së pastër të gjuhës shqipe nga ndikimet e huaja. Mirëpo vërejmë një fenomen galopant, që shumë njerëz të mediave e deformojnë gjuhën shqipe në emër të modernizmit, apo më mirë të themi të varfërisë së tyre kulturore. Po të shohësh disa nga siglat e emisioneve televizive te rubrika “Opinion” mbajnë emra të huaj që tregojnë për snobizëm ose për media të blera nga fqinjët tanë që janë të pakursyer për të kompromentuar drejtuesit e mediave. Janë të njohura emisionet që titullohen “ Provokacia” të Mustafa Nanos, “Spotlight” të Alban Dudushit, “Open” të Eni Vasilit dhe “Wake Up”, etj. Snobizmi i shumë gazetarëve shkon deri aty, që në emisione televizive të përdorin fjalë të huaja, shpesh herë parazitare e të pakuptimta, për të treguar “erudicionin” e tyre kulturor. Kjo situatë tregon për papërgjegjshmërinë e drejtuesve të medias vizive, ose komprometimin e tyre dhe për indiferencën e AMA-s. Heshtja e qeverisë dhe gjumësia e Parlamentit që duhet të reagojë me një ligj të veçantë që të ndalojë përdorimin e emrave të huaj në institucione publike, është një përgjegjësi me karakter kombëtar. Jo vetëm njerëzit e mediave, por edhe zyrtarët që punojnë në institucione të larta shtetërore, kanë deficenca të theksuara gjuhësore, që duan t’i mbulojnë me një fjalor të huaj, që është i mbushur me fjalë të panevojshme. Fjalët e huaja i derdhin si gruri në lëmë. Kjo dukuri, më shumë shfaqet në media televizive, por nuk shpëtojnë dot nga kjo epidemi e tranzicionit dhe media e shkruar, megjithëse është më pak e infektuar. Gazetarët televizivë, në shumicën e tyre pasi mbyllin emisionin e radhës, të entuziazmuar nga deliri i madhështisë, ndahen me lexuesin me një piskamë “drithëruese okei”. Po të shohësh shumë botime, përkthime, letrare apo edhe shkencore kanë mangësi të theksuara leksikologjike e gramatikore. Në përmbajtjen e tyre gjen shumë gabime e mungesa gjuhësore. I madhi Çabej, tregojnë studentët e tij, po të gjente ndonjë rast që germës “Ë” i mungonin dy pikat, shqetësohej më shumë se t’i sëmurej fëmija dhe revoltohesh edhe me studentin më të mirë. Deformimi i gjuhës amtare duhet konsideruar si një krim kombëtar, siç bëjnë shumë popuj të kulturuar të botës. Francezët kanë nxjerrë ligj që nuk lejojnë të shkruhen në asnjë institucion shoqëror, tregtar apo kulturor emra në gjuhë të huaj, mandej ndëshkohesh po të shkruash edhe një emër të huaj qoftë edhe në një lokal periferik. Ndërsa tek ne, anë e mbanë Shqipërisë, ke të vendosur emra të huaj jo vetëm në lokale, supermarkete, por edhe në shkolla e universitete private, sikur të mos ketë emra të bukur shqip që trashëgojmë nga historia jonë shekullore. Shqipëria është e mbushur me emra sllavë të fshatrave nga Jugu në Veri. Jo vetëm kaq, por edhe emrat e fëmijëve të nipërve dhe mbesave tona në shumë raste janë të huaj, italianë, francezë, anglezë që na duhet përkthyes t’i shqiptojmë korrekt. E kam thënë edhe në një shkrim tjetër dhe më pëlqen ta përsëris, që duhet të marrim shembull nga shqiptarët e Kosovës, që janë një model për t’u ndjekur përsa u përket emrave shqip. Kjo dukuri na ka inspiruar idenë që të organizojmë në Prishtinë një veprimtari me shumë emra me terminologji nga Labëria si Vlora, Saranda, Aulona, Argjiro, Amantia, Orik, etj. Në fjalën e tij përshëndetëse Akademiku Kosovar Profesor Rexhep Qosja, theksoi se identiteti i një kombi shprehet nëpërmjet gjuhës dhe emrave. Ky fenomen, është njëra anë e medaljes të të sjellit me respektin ndaj vetes, ndaj origjinës tënde, gjuhës dhe kulturës kombëtare. Rilindësit tanë të shquar si Naimi, Samiu, Kristoforidhi, e shumë të tjerë, jo vetëm që e shkruan, e pasuruan dhe e konsoliduan gjuhën shqipe, por e vendosën atë në altarin e kombit, si gjënë më të shenjtë e më të çmuar për brezat.

 Naim Frashëri në veprat e tij të pavdekshme, te poezia “Gjuha Jonë” shkruan se:

“Të shkruajmë gjuhën tonë, Kombin t’a ndritojmë, Gjithë ç’ësht’ e ç’ka qënë, Nga dalëzë t’a mësojmë. Pa shihni ç’gjuhë e mirë! Sa shije ka e hije’ Ç’e bukur’ edh’ e dlirë, Si gjuhë Perëndije”! Shkëputëm këto vargje brilante të poetit tonë të madh të rilindjes Naim Frashërit, për të kuptuar se sa krenar duhet të jemi për këtë pasuri kulturore që trashëgojmë, por dhe sa të përgjegjshëm duhet të tregohemi në të gjitha segmentet dhe fushat e jetës, duke filluar nga shteti si tutor suprem i shoqërisë dhe institucionet e larta publike, si media, shkolla, familja dhe gjithë universi intelektual. Gjuha jonë është pasuruar në vazhdimësi nga korifenjtë e letrave shqipe, duke filluar nga Noli i madh dhe duke vazhduar me Akademikun Rexhep Qosja dhe shkrimtarët e shquar, si Ismail Kadare, e Dritëro Agolli. Në rast se duhet të ruajmë identitetin kombëtar, të respektojmë gjuhën amtare dhe të mos lejojmë që ajo të ndotet nga një shtresë injorantësh, snobësh, apo shërbëtorë të klaneve të huaja shoviniste, që kërkojnë të penetrojnë nëpërmjet deformimit të strukturës gjuhësore. Në horizontin gjuhësor janë shfaqur herë pas here disa pseudo gjuhëtarë që duan të godasin Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që u mbajt në Tiranë në vitin 1972, një tubim gjithëkombëtar, në praninë e elitës së gjuhëtarëve të kohës, nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Këta pseudopatriotë, janë zëdhënësit e një klase politikanësh, që janë vënë në shërbim të Serbisë dhe Greqisë, për të minuar kombin nëpërmjet gjuhës. Si revanshist “reformator”, kanë nxjerrë në fushë të lojës prioritetet e dialekteve. Dialektet Veri-Jug-Shqipëri e Mesme, janë një pasuri e çmuar, që duhet të ruhen dhe pasurohen si një trashëgimi e vyer kombëtare. Këta elementë gjuhësorë, që duhet të shërbejnë për të forcuar unitetin e komuniteteve, e jo për përçarje të brendshme, e as të përdoren nga disa politikanë të shitur te fqinjët, që ju shërbejnë atyre me shpërblim, për të arritur shkatërrimin e Shqipërisë nëpërmjet ndarjes Jug-Veri. Ata, kanë dështuar duke përdorur pushtetin si levë goditëse, por nuk kanë perënduar në strategjinë e tyre dashakeqëse, prandaj intelektualët patriotë duhet të jenë eficientë në mbrojtje të integritetit të vendit. Një fenomen tjetër që është shfaqur dukshëm në vitet e pluralizmit, ka të bëjë me emigracionin tonë në vende të ndryshme të botës. Të gjithëve ju ka ndodhur fenomeni snob, që prindërit që vijnë nga jashtë të komunikojnë me fëmijët jo me gjuhën e nënës, por me gjuhën e vendit nga ku janë rezidentë. Këtë dukuri, e ndesha të shprehur me nota romantike në plazhin e Orikumit, gjatë muajit gusht, ku prurjet nga jashtë janë më të bujshme. Në vendin ku isha instaluar bashkë me bashkëshorten për të bërë plazh, ndodh rëndom të miqësohesh provizorisht me ata njerëz që të rrethojnë për disa ditë rresht. Te njerëzit përreth, i dëgjoje të komunikonin me fëmijët e tyre në italisht, greqisht, anglisht dhe frëngjisht, sipas vendit ku jetonin. Të dukej sikur ishe në një popullatë shumëgjuhëshe. Një ditë prej ditësh, një çifti që e kishim pranë dhe e dëgjonim duke iu folur fëmijëve italisht, gruas time nuk iu durua dhe pak e indinjuar për situatën e bisedave, e pyeti gruan, fqinjën e saj, pse u flet fëmijëve italisht dhe jo shqip. Ajo iu përgjigj se nuk dinë shqip fëmijët, duke e justifikuar, se punojnë me turne në Itali, e të tjera justifikime groteske.

Bashkëshortja i tha: “I çoni fëmijët t’ua mësojnë gjuhën shqipe tek arbëreshët”. Atëherë, ndërhyra edhe unë me disa pyetje dhe e demokratizuam bisedën. I pyeta nga ishin dhe sa vjet kishin që ishin larguar në Itali. Na treguan se ishin nga një fshat i Vlorës të larguar prej 10 vitesh jashtë vendit. Kjo situatë të indinjon, se si është e mundur, që një çift burrë e grua shqiptarë, ta ndiejnë veten të qetë që fëmijët e tyre nuk dinë shqip. Gruaja ime me ironi iu tha, që shkoni e ua mësoni shqipen fëmijëve te arbëreshët, meqë nuk keni mundësi t’ua mësoni vetë. E keqja ishte se ata mundoheshin ta justifikonin këtë mangësi për kushte objektive dhe nuk e kuptonin si një dobësi të formimit të tyre kulturor dhe atdhetar. Shembuj të tillë i ndeshëm edhe në familje që vinin nga Greqia. Ishte dhe një rast tjetër që fëmijët flisnin anglisht, por më i tolerueshëm, se nëna e tyre ishte angleze. Por këto nuk janë raste të shkëputura se do të ishte një e keqe e vogël, por ka shumë shfaqje të tilla, që përbëjnë një shqetësim shoqëror, që duhet të kurohet me trysninë e komunitetit që i rrethon, në ato provinca ku ata punojnë e jetojnë. Shoqëria shqiptare, duhet të bëhet kritike ndaj këtyre fenomeneve dhe të marrë shembuj inspirues te komuniteti shqiptar siç është rasti i arbëreshëve të Italisë që kanë 500 vjet të larguar, apo te minoritarët e Greqisë, që kanë mbi 300 vjet dhe nuk gjen ndonjë rast që të mos e flasin gjuhën e origjinës së vet, greqishten. Shembulli i këtyre prindërve që janë të dy bashkëshortët shqiptarë, është krejtësisht e patolerueshme, por duhet synuar që edhe në ato raste që janë të martuar me të huaj, përsëri gjuhën e nënës duhet ta njohin fëmijët. Mesazhi do të ishte: Shqiptar kudo që të jesh, fol shqip.