BREAKING NEWS

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora
x

Opinion / Editorial

Shqiptarët bëjnë kriminel njëri-tjetrin, të gjithë kanë të drejtë

Shqiptarët bëjnë kriminel njëri-tjetrin, të

Në çdo cep të Shqipërisë dëgjon shqiptarë që bëjnë kriminel shqiptarët e atdheut të tyre. Ngrihen akuza pa fund, të cilat jepen si provë e pakundërshtueshme për të vënë para një fakti të ndodhur, por të paprovuar ligjërisht. Në këto afro tre dekada tranzicion, njerëzit e kanë bërë shprehi të drejtojnë gishtin tek shqiptarët e gjakut të tyre duke i akuzuar se janë hajdut, janë të lidhur me klanin e mafias, janë trafikantë, janë koka e krimit të organizuar. Madje shkojnë deri në ekstrem, i cilësojnë Eskobar të Kolumbisë. Nuk ndodh të thuhet në një rast të vetëm, të ngrihen akuza të drejtpërdrejta për vendasit, për ata që kanë një histori jete ndryshe nga të tjerët. Flasin shqiptarët e niveleve të ndryshme, që nga politikanët, deri tek njerëzit më të zakonshëm. Etiketimi si kriminel i shqiptarëve me njëri-tjetrin, ndotja e rëndë e shoqërisë me shprehje që kanë kosto të lartë morale, ligjore, kushtetuese, e kanë kthyer jetën e vendit në një epidemi, që zor se kurohet në një kohë të shkurtër. Shqipërinë e kanë “kanabizuar” zërat e papërgjegjshëm të shqiptarëve për shqiptarët. Nuk e kuptojmë nga buron gjithë kjo energji, gjithë këto klithma të politikanëve, të intelektualëve, të analistëve, të njerëzve të medias, të cilët flasin me shumë “përgjegjësi” duke theksuar me forcë se ky apo ai është i lidhur me krimin, me njerëzit që kanë kryer vepra të rënda penale. Dimë qartësisht se këtë frymë mes shqiptarëve e futi politika e flamosur, politikanët që e shitën Shqipërinë, e shpërbënë pasurinë e këtij kombi në këto vite tranzicioni. Ishin dhe mbeten ata të parët që helmuan moralin e shëndoshë të shoqërisë shqiptare, prishën traditën e bukur të popullit që nga koha e komunizmit dhe sot në demokraci. Janë pa fund shprehjet të ndotura, të pista, të gatuara me ngut, me nerva kaçurrel, shprehje që kanë klithma vrasjeje, plagosje, rrëmbime, trafikime të qenieve njerëzore, të cilat politikanët i kanë demonstruar në Parlament, në mjedise të hapura publike, si argument për të nënshtruar kundërshtarët politikë. Kjo armë e përdorur prej politikanëve të papërgjegjshëm, ka shërbyer si leksion në njerëz që nuk e kanë mundësinë intelektuale, profesionale, njerëzore të kenë qasje tjetër. Ata e kanë fare të lehtë të imitojnë udhëheqësit e tyre shpirtërorë, duke marrë si model fjalorin e mbushur me gjuhën e urrejtjes, me gjuhën e fyerjes në ekstrem. Të etiketosh kriminel një njeri, të përçmosh një tjetër duke hamendësuar se ka vjedhur, ka shitur drogë, si i lidhur me banda kriminelësh, nuk është aspak normale. Kjo ndodh rëndom nga shqiptarët, të cilët marrin si të mirëqenë një opinion të ngritur nga dikush tjetër, që as nuk e njeh, as nuk e ka parë personin si autor të veprës penale. Ku e gjejnë të drejtën këta njerëz të ngrenë akuzë ndaj dikujt, ose ndaj një grupi njerëzish, ku nuk kanë fakte konkrete, por e marrin me mend që kështu mund të jetë, pasi këtë e ka dëgjuar nga një deputet në Parlament. Deputetë të caktuar bëjnë romuze në emër të karriges dhe nëpërkëmbin dinjitetin e kundërshtarit politik për të nxjerrë përfitime politike. Kështu veprojnë edhe njerëz të zakonshëm që, edhe pse nuk kanë asnjë njohje konkrete, lidhur me akuzën, ngrenë zërin dhe fajësojnë shqiptarin tjetër për abuzim me detyrën, me vendin e punës, me të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin. “Qeveri kriminelësh”, “ministrat vjedhin dhe askush nuk i dënon”, “shpërdorohen fondet publike për të ndërtuar resorte”, “qeveritarët, parlamentarët janë kthyer në sheik, janë pasuruar me djersën e popullit”. Njerëz që nuk përballojnë jetesën akuzojnë shtetin, qeverisjen se “PPP-të janë modeli më i keq ku vjedhjet, grabitjet, janë megagrabitje të taksave të popullit”. Kanë lënë gjurmë të thella në kujtesë përballjet e ashpra të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha me kryeministrin në detyrë Edi Rama, ku janë evidentuar shprehje me përmbajtje të ashpra, duke e etiketuar njëri-tjetrin, jo si kundërshtarë politikë, por si dy armiq, paçka se thonë “nuk kemi asgjë personale. Gjithçka bëhet në emër të së vërtetës, në emër të demokracisë, në emër të lirisë, paqes e mirëkuptimin me njëri-tjetrin”. Shqiptarët janë në gjendje të kuptojnë mesazhet që vijnë përmes gjuhës së ashpër që burojnë nga kupolat politike, shtetërore deri tek njerëzit në lokale kafesh. Ta etiketosh tjetrin kriminel, vrasës, gjakpirës, bashkëpunëtor i bandave kriminale pa patur asnjë argument nuk është aq e lehtë. Nuk është e lehtë, madje është e dënueshme sepse janë organet e drejtësisë, është gjykata ajo që të bënë kriminel, vrasës, hakmarrës. Janë organe të specializuara ato që zbardhin të vërtetat e një historie krimi, është vendimi në emër të ligjit ai që të cilëson se dikush ka kryer një vepër penale të rëndë, të dënueshme ose jo. Në opinion është thënë e përsëritet nga njerëz të nivelit të ndryshëm intelektual se Lul Basha vodhi milionat gjatë ndërtimit të Rrugës së Kombit. Berishës ia përmendin emrin në çdo rast se shkaktoi ngjarjet e vitit të zi 1997 ku u vranë mijëra njerëz, Rama akuzohet si bashkëpunëtor me krimin e drogës, Monika Kryemadhi është përfolur si fallxhore. Kështu thonë gojët e shqiptarëve për shqiptarët. Janë të paparë! E ngrenë zërin me lart kur janë përballë ndërkombëtarëve. Kollarisen, ngrefosen, pispillosen kur gjenden me ndërkombëtarët në tavolina pune, në mjedise ku “qajnë hallet për shqiptarët”. Fjala e parë e tyre në takime të tilla është se në Shqipëri lulëzon droga, shqiptarët trafikojnë me shumicë në vendet e tjera sasira të mëdha lëndësh narkotike. Madje u thonë bashkëbiseduesve të mbajnë shënime se informacionet janë të sakta dhe betohen se thonë vetëm të vërtetën. E kanë nxirë Shqipërinë, e kanë bërë sikur trafikantët shqiptarë janë më të specializuar nga ata të Kolumbisë. Gjithë ky pompim bëhet për të nxirë punën e Edi Ramës, sepse nuk e duan kryeministër, nuk e duan në krye të qeverisë. Këta “lektorë” nuk mendojnë se kanë gabuar kur flasin para mendjes. Opinionet asnjëherë nuk janë informacion, që duhen marrë detyrimisht për hetim nga organet e specializuara. Përse ndodh gjithë kjo tallava në shoqërinë tonë me demokraci të brishtë? Ka një shkak, një shkak serioz, për të cilin përgjegjësia është e politikës, por edhe shqiptarët nuk janë pa gjë. E kërkuam demokracinë dhe ajo erdhi. E donim të pastër, qelibar, ashtu siç e ka bota demokracinë. Ku barazia është e para. Po ku të lënë në Shqipëri të ketë barazi, të funksionojë shteti i së drejtës, të sundoi ligji, jo Maliqi. Se kush e futi murtajën e vjedhjes tek ne, nuk dihet. Vjedhja, pasurimi u bë viral dhe e sëmuri të gjithë shoqërinë shqiptare. Shqiptarët filluan të grabisin, të kriminalizojnë njëri-tjetrin, saqë sot e kanë të pamundur të kurojnë këtë sëmundje të hershme, që është kthyer në malinje. Dhe të gjithë kanë të drejtë. Kështu e nisën rrugëtimin e tyre shqiptarët për të integruar vendin në BE dhe aty kanë mbetur. Ndoshta do nxjerrin diçka në dritë reforma në drejtësi, organet e reja, që po formatohen dita-ditës. Shpresa është ëndrra që nuk fle.