BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Shqiptarët nuk rrezikohen më nga komunizmi, por nga korrupsioni

Shqiptarët nuk rrezikohen më nga komunizmi, por nga korrupsioni

Në një nga seancat parlamentare të kohëve të fundit, prapë u bë mjaft debat  nga disa deputetë që ende e quajnë domosdoshmëri dekomunistizimin. Ka ende politikanë që për ta konsideruar veten faktor në zhvillimet aktuale e për të krijuar një farë kredibiliteti në opinion, të cilin nuk e fituan kurrë me meritë në këta 30 vjet demokraci, mundohen të përdorin si kauzë të tyre ende luftën kundër komunizmit. Gjithkush duhet ta ketë të qartë se komunizëm nuk ka patur kurrë në Shqipëri dhe as në ndonjë vend tjetër të botës. Po të kishim arritur ne komunizmin, nuk do të kishim nevojë as për sharlatanë autokratë që mundohen sot të marrin në dorë frenat e luftës kundër komunizmit, dhe as llafollogë demokracie, që bëjnë sikur u digjet shpirti për atdheun e popullin. Komunizëm do të thotë bollëk, mirëqenie, barazi, harmoni e plotë midis shtresave e kombeve, rend pa shtet e klasa politike, realizimi më i lartë i qëllimit final të shoqërisë njerëzore. Të tillë e ka vlerësuar komunizmin edhe Papa Vojtila, të cilin kur e kanë pyetur njëherë, se kush është sistemi që afrohet më shumë me aspiratat e krishterimi, është përgjigjur pa ekuivok: komunizmi. Por komunizmi si rend, është shumë larg edhe për vende tepër të zhvilluara, pa le më për ne shqiptarët, që akoma luftojmë për të patur 24 orë ujë e drita! Ne sot mund të ndeshim me të vërtetë një farë mentaliteti komunist në arsyetimin e problemeve dhe drejtimin e shtetit, por kjo nuk do të thotë të bësh amendamente në  Parlament e të nxjerrësh ligje të posaçme për të çrrënjosur komunizmin. Dekomunistizimi i shërbeu dhe po i shërben prej tridhjetë vjetësh Sali Berishës si kauzë dhe alternativë e vetme. Si president e kryeministër, Berisha e përdori antikomunizmin për të mbajtur pushtetin dhe sot ai bashkë me disa liderë të tjerë të PD, po e përdor këtë luftë si alternativë për t’u rikthyer në pushtet. Ata që ngrejnë sot dallgët e luftës kundër komunizmit, janë Don Kishotë të demokracisë. Sot, në kushtet e demokracisë së zvarritur, ku hallet e popullit erdhën duke u shtuar, referencat ndaj sistemit socialist dhe Enver Hoxhës, kanë qenë më shumë në shembullin e mirë e sensin pozitiv, se sa në anatemimin e atij sistemi. Kanë kaluar tridhjetë vjet dhe koha tashmë ka vërtetuar plotësisht se për shqiptarët sot nuk është aspak rrezik komunizmi, i cili edhe pse mund të jetojë si koncept tek persona të veçantë, nuk ka më asnjë fuqi vepruese, as për të penguar dhe as për të nxitur. Sot rrezik i madh për vendin e shqiptarët është korrupsioni dhe mediokriteti dhe autori i këtyre dy fenomeneve që kanë marrë peng demokracinë dhe zhvillimin e vendit, është ish-lideri i PD, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, si dhe ndonjë ish-komunist tjetër fanatik që ka krijuar privilegje të pamerituara në emër të tij. Kemi lënë 30 vjet prapa dhe ata që mundohen të shesin teorira filozofike si burra shteti, nuk duhet të merren më me një sistem që ka vdekur njëherë e mirë, por të dalin në ballë e të ndeshen realisht me rrënjët dhe burimet e korrupsionit. Le të ishte kush të ishte ai sistem që lamë pas, por ama me korrupsionin dhe mediokritetin ai qe rreptësisht i papajtueshëm. Korrupsioni dhe mediokriteti nuk luftohen me debate televizive, as me deklarata populiste e karshillëqe mediatike, por duke ngritur institucionet përkatëse e duke përgatitur mjetet e duhura efikase për këtë qëllim. Duhet thënë se sistemi socialist, të dy institucionet që luftonin paaftësinë dhe korrupsionin, i pati shumë efektivë. Atëherë kishte masivizim të arsimit të të gjitha hallkave, por nuk kishte mediokritet. Në shkollë të mesme dhe të lartë shkonte vetëm ai që e meritonte, që kishte realisht një mesatare note cilësore. Një universitet kishte vërtet vendi, por ai ishte ajkë e shkencës dhe dijes e nxirrte nga dyert e tij kuadro të formuar për t’i shërbyer cilësisht vendit. Nga ai universitet dolën ata bij të dijes që më vonë u bënë personalitete me emër, si shkrimtarë, artistë, profesorë, mjekë, shkencëtarë dhe gazetarë të talentuar, që i dhanë nam të mirë vetes dhe atdheut. Por mjaft nga këta personalitete të nderuar, që nuk e njohën kurrë korrupsionin, me ardhjen e shtetit të Sali Berishës morën rrugët e botës, pasi nuk e gjetën më vetveten në këtë demokraci të gënjeshtër. Le të dalë një sot nga këta të rinj të arsimuar në universitetet e demokracisë dhe të krahasohet me kuadrot dhe intelektualët që nxori Universiteti “i komunistëve!” Në kohën e monizmit, jo vetëm që nuk kishte korrupsion, por as që njihej fare ky term, sepse shteti kishte ligje e kontroll të fortë. Atëherë ndodhte që bëhej ndonjë  ryshfet apo mitmarrje nga zyrtarë të veçantë, por ama menjëherë u bëheshin gjyqet në lagje e në qendra pune dhe dënimet përgjithësisht ishin kapitale. Ryshfetet shfaqeshin më shumë në zyrat e strehimit dhe ato të punësimit. Por duhet theksuar se ishin sporadike, se po të diktoheshin, shteti dhe shoqëria vepronin shumë ashpër ndaj tyre. Nuk flitej atëherë se u vodhën fondet në ndërtimin e kësaj apo asaj vepre, apo se u paguan kaq para për të zënë një vend pune në administratën shtetërore. Mbaj mend që në sheshin Namazgjaja në Elbasan u investuan pa kriter e planimetri të saktë disa dhjetëra mijë lekë në një objekt publik dhe kryeinxhinierit i dhanë dënim të rëndë edhe pse ishte dhëndri i një anëtari të Byrosë Politike. Në arsim dhe shëndetsëi nuk njihej fare asnjë lloj korrupsioni dhe privilegjimi i pamerituar. Mësues e drejtues, mjekë e infermierë, qëndronin në krye të detyrës më shumë nga ndërgjegjja, se sa nga frika e kontrollit. E ku gjeje në atë sistem që “demokratët” e sotëm e quajnë komunizëm, mësues apo pedagog që ta shiste notën me para? E ku mund të luante mjeku apo infermieri me shëndetin e njeriut, siç bëhet sot, ku njerëzit shtrohen në spitale për t’u shëruar dhe dalin prej andej të vdekur. Një mjek të famshëm kirurg të spitalit të Elbasanit, për një dhuratë 30 mijë lekë të vjetra që i dha një pacient nga kënaqësia që i shpëtoi jetën, e dënuan me punë korrektuese dhe e transferuan në një fshat të largët. Pyesim: Kush nga bijtë e udhëheqjes së lartë komuniste trashëgojnë sot pasuri e prona të paligjshme nga baballarët e tyre? Sot gjithsecili e ka të qartë, se këtij vendi në këto vitet tranzicioni e keqja nuk i ka ardhur nga komunizmi, por nga korrupsioni. Ashtu, si gjithsecili që e ka jetuar atë sistem, e di shumë mirë se komunizmi dhe korrupsioni kanë qenë gjithmonë të papajtueshëm. Të merresh sot me komunizmin, do të thotë të përfitosh materialisht dhe politikisht duke u përpjekur t’i heqësh patkonj një kali të ngordhur. Korrupsion do të thotë të kesh pasuri të vënë pa djersë, toka e prona të zaptuara me dokumente fallco, të zësh vende pune pa meritë, gjë që komunizmi nuk e lejoi dhe pranoi kurrë. Korrupsioni nisi që kur filloi demokracia. Dhe nëse sot korrupsioni është bërë vërtet tepër kërcënues, vjen nga fakti se më shumë lufta kundër tij është demagogji se sa luftë me bazë institucionale. Të gjithë krahët e politikës akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, por askush nga të korruptuarit e mëdhenj nuk është përgjigjur para ligjit. Bëjnë shumë deklarata kundër korrupsionit liderët e opozitës, por në fakt askush nuk i beson se ata janë të krimbur nga korrupsioni. Gjithë kjo zhurmë e bujë bubulluese që bëhet nga klasa jonë politike, kundër korrupsionit, me denoncime e kundërdenoncime, me padi e kundër padi në gjykata të korruptuara, të reklamuara nga media sipas krahëve të politikës, në fakt e ndihmon më shumë korrupsionin, se sa e shkallmon atë nga pozicionet e instaluara. Po kështu edhe mediokriteti në administratë vjen nga fakti se universitetet, sidomos ato private nuk nxjerrin kuadro cilësorë. Dhe kjo vjen nga fakti se kontingjentet që vijnë nga shkollat e mesme janë të papërgatitura. Liberalizimi i shkollës së mesme, ka ndikuar mjaft në uljen e cilësisë se tërë arsimit shqiptar. Kam mendimin që të vendoset kriteri i notës mesatare që arsimin e mesëm ta vazhdojë vetëm ai nxënës që e meriton. Nëse nuk zbatohen kriteri i notës në vazhdimin e këtyre shkollave, nuk përmirësohet kurrë cilësia e punës në universitete. Nuk ka pse çdo nxënës që mbaron shkollën 9-vjeçare, patjetër të vazhdojë edhe shkollën e mesme, e pastaj me rrugë korruptive të mbarojë edhe shkollën e lartë. Ka ardhur koha që lufta kundër korrupsionit dhe mediokritetit të zhvishet nga formaliteti dhe e gjithë shoqëria dhe shteti të angazhohen seriozisht në këtë luftë me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen. Ndaj asnjë politikan të mos e maskojë korrupsionin dhe mediokritetin e tij duke marrë poza të reja lufte kundër komunizmit. Sa herë dëgjoj sot ideologë shterpë që mundohen të veshin me faje komunizmin për boshllëqe të punës së tyre, më kujtojnë drejtuesit e kooperativës sime, që sa herë i kapnin mat për dobësi pune, apo donin të mbulonin paaftësinë e tyre në drejtim, ia hidhnin fajin dajë Rrapit, një i pashkollë që kishte qenë kryetar këshilli në vitet e para të pas çlirimit.