BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Shqiptari e ka parë shtetin gjithmonë si kundërshtar

Shqiptari e ka parë shtetin gjithmonë si kundërshtar

 Historikisht marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin kanë qenë kundërshtare e të papajtueshme. Ndoshta edhe shteti nuk i ka shërbyer atij sa e si duhet, ka qenë i dhunshëm dhe jo plotësisht social, por edhe shqiptari për vetë temperamentin dhe mendësinë e tij, më shumë e ka parë atë, jo si bashkëpunues, në mbrojtje të tij, por e ka vlerësuar nga pozitat e një kriticizmi të tepruar. Qoftë të keqen, qoftë të mirën, shqiptari ia ka adresuar gjithmonë shtetit dhe rrallë herë potencialeve e kontributeve të tij, duke e fetishizuar ose duke e mohuar kështu krejtësisht rolin e shtetit. Një popull si yni, që e ka përjetuar gjithmonë historinë në luftë të ashpër me politikën keqbërëse brenda vetes, dhe me një liri dhe pavarësi të kërcënuar vazhdimisht nga të huajt, ndoshta ka qenë i detyruar të krijojë marrëdhënie të tilla acaruese me shtetin. Ngaqë shteti dhe shoqëria, njeriu dhe ligji tek ne, nuk e kanë kuptuar respektivisht njëri-tjetrin dhe nuk janë vënë plotësisht në shërbim të njëri-tjetrit, është arsyeja kryesore që ne ndodhemi shumë larg vendeve të tjera edhe pse gjeografikisht jemi në mes të Europës. Ende nuk është kuptuar si duhet, se në kushtet kur prodhimi nuk plotëson sa e si duhet kërkesat e shoqërisë, kur demokracia dhe ligji nuk janë në raporte të barabarta, kur ndërgjegjja shoqërore nuk ka arritur shkallën e një civilizimi të plotë, shteti dhe njeriu nuk mund të bëjnë kurrë pa njëri-tjetrin. Në kohën e Skënderbeut, kur po formësoheshin tiparet e para të shtetit, motiv kryesor ishte lufta ndaj pushtuesit dhe shqiptari e shihte shtetin si armatë me shigjeta që vetëm godiste e vriste njerëz. Edhe pse Skënderbeu braktisi luksin e sulltanatit turk dhe u hapi dritën e shpresës për liri, shqiptarët përveç një krenarie patetike që shfaqën në disa raste, prapë nuk e vlerësuan sa e si duhej shtetin. Madje armiqtë më të këqij Skënderbeu i pati brenda vathës së tij. Ndoshta ky atavizëm primitiv është një arsye që edhe sot, kur kanë kaluar qindra vjet, disa nga studiuesit tanë, me një dell prej kritizeri, se gjoja po bëjnë “risi historike”, diskutojnë nëse është shqiptar apo sllav Skënderbeu, mbrojti veçanërisht krishterimin, apo lirinë e gjithë shqiptarëve. Një marrëzi e pajustifikueshme kjo, kur ka vende e shtete që duan ta kenë të tyre Skënderbeun dhe armët e lavdishme të tij ndodhen në muzetë prestigjiozë të botës. Pra gjatë historisë, shteti shqiptar u fut pak në marrëdhëniet morale e shoqërore të shqiptarëve, duke u marrë evazivisht vetëm me problemet e ekonomisë dhe në këto kushte shteti u pa nga ai si një makinë e frikshme, që vetëm kontrollon, ndëshkon, dënon e vret sipas fuqisë që ka. Në kohën e Enverit, pavarësisht se shteti e reklamoi veten si “shtet i popullit e për popullin” dhe faktikisht u bënë mjaft gjëra për edukimin me moral të shëndoshë të shoqërisë dhe të zhvillimit të disa sektorëve të saj, sidomos të arsimit e shëndetësisë, përsëri njeriu dhe shteti e panë veten si kundërshtarë të njëri-tjetrit, duke ndërtuar marrëdhënie krejtësisht hipokrite. Gjithë ditën shqiptari duartrokiste e thërriste: Rroftë Enveri, i cili simbolizonte shtetin, natën mallkonte duke mos u pajtuar me shumë veprime të atij shteti. Duke ndërtuar kudo fasada nga një propagandë boshe, shteti u njësua me partinë dhe shqiptari nuk e dalloi dot kurrë, se ku fillonte shteti e ku mbaronte propaganda dhe Enveri nuk arriti të bëhej dot burrë shteti. Se siç shprehej Zhorzh Popidu: “Një burrë shteti është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të tij”. Erdhi demokracia dhe filloi propaganda për një shtet krejtësisht tjetër në përmbajtje, në struktura dhe në funksionime e populli u gënjye mjaft nga bishti “ligjor” që i vuri propaganda pragmatiste, e cila përgatitej që nga kolltukë të rinj, t’i ngulte thika të tjera shpinës së shqiptarit. Por zhgënjimi qe i shpejtë dhe prapë shqiptari dhe shteti u vunë në pozicione të kundërta me njëri-tjetrin. Kur panë shqiptarët se çdo gjë u shkatërrua e u dogj në emër të “anti-komunizmit”, kur shteti berishist jo vetëm u vodhi edhe ato pesë lekë që kishin vënë me mund e djersë, por edhe i vrau e i gjakosi, ata u vunë në pozita krejtësisht armiqësore me shtetin, saqë rrëmbyen armët për ta larguar me pushkë. Kaluam kështu tridhjetë vjet me radhë, shqiptari sa fillonte të rehatohej me buzëqeshje hipokrite të shtetit kur i merrte votat, menjëherë zemërohej në kulm, kur e shihte shtetin që vetë ngrinte vila e shtonte privilegje, kur ai e trulloste me pseudodemokracinë që predikonte, përsëri detyrohej të ngrinte grushtin e urrejtjes ndaj shtetit. Në rrjedhën e këtyre viteve, populli bën protesta, e “ka lëshuar gjuhën” në gjoja demokracinë që “i ka falur” shteti dhe ky i fundit majmet në emër të ligjit e opozitarizmit formal që ndryshon ngjyrë brenda privilegjeve të disa politikanëve të pangopur. Dhe kështu populli bën sikur proteston, opozita sikur kërcënon dhe qeveria sikur punon në emër të shtetit ligjor dhe kështu të zhytur në vorbullën e një demokracie fallco, sillemi nga sillemi dhe kthehemi po aty ku ishim. Për t’i dhënë frymë kësaj demokracie formale lejohen kundërshtime e sharje të shtetit, debate pa bukë të politikanëve të dështuar dhe protesta “të paligjshme”, lakuriqësi të neveritshme dhe banalitete pornografike në ekrane. E në këtë tollovi, disa shajnë e kritikojnë shtetin, disa e glorifikojnë në kulm atë, por më absurdja është, se në këtë tollovi demokratike më shumë bërtasin dhe shajnë ata që kanë përfituar më shumë nga shteti. Shteti shqiptar në këto 30 vite duhet thënë se i ka shërbyer pak shtetasve të vet, duke spekuluar me lirinë private, liberalizimin e tregut e konkurrencën e alternativave, e duke e kthyer pak ose aspak kokën nga ana sociale e qytetarit. Në shërbim të vetes së tij shteti vazhdimisht ka vënë jo vetëm paaftësinë dhe nepotizmin, por edhe krijimin e opozitave qesharake që lejojnë gjithëpushtetshmërinë dhe pakontrollueshmërinë e tij. Edhe pse demokracia cënohet nga viti në vit, shteti e ndjen veten më të fuqishëm përballë shtetasve të vet dhe për këtë fajtorë janë të dyja palët, edhe shteti, edhe shoqëria. E para se një pjesë e mirë e shqiptarëve është larguar nga vendi. Ata andej kanë shkuar, shohin interesat e tyre dhe nuk u bie shumë mendja për shtetin dhe politikën që bëhet këtu. Ata me pasurinë që kanë vënë andej, mbajnë edhe një pjesë të afërmish që kanë lënë këtu, duke ushqyer kështu edhe indiferentizmin e tyre ndaj qëndrimeve autokratike të shtetit. Pjesa tjetër e shqiptarëve që kanë mbetur këtu, është e punësuar ose e vetëpunësuar dhe e ka rregulluar disi ekonominë kështu që dhe kjo pak e vret mendjen kur shkelet demokracia. Kurse pjesa tjetër që është e varfër, nuk ka asnjë lloj mundësie të organizohet, të demonstrojë e të ndryshojë gjë në këtë shtet pa një databazë të halleve dhe politikave sociale. Arsyeja e dytë është se ata e quajnë veten opozitë e duhet të jenë kontrollues të rreptë të shkeljeve ligjore të shtetit, janë më të fuqishëm ekonomikisht dhe politikisht se shteti dhe bëjnë opozitarizëm për gallatë. Së treti tek shqiptarët është krijuar mendimi se lirinë, demokracinë, funksionimin e shtetit ligjor, do t’i kemi peshqesh nga bota. Një e dy ne mbajmë veshët ngritur: Çfarë tha ambasadorja amerikane, si vendosi Venecia, çfarë rekomandon OSBE, ç’kushte ka vendosur Bundestagu gjerman dhe ambasadorët e huaj? Përfaqësitë ndërkombëtare kanë tridhjetë vjet që vijnë e ikin dhe ne kemi mbetur po aty ku e nisëm demokracinë. Nuk më harrohen kurrë fjalët e senatorit amerikan, Henri Kabot Lloxh, thënë për OKB, kur mjaft njerëz në botë i mbështetën shpresat tek ajo. Ky organizëm u shpreh ai është krijuar për të parandaluar që të mos shkoni në skëterrë. Ai nuk është krijuar për t’iu dërguar në qiell. Dhe historia e shtetit shqiptar këtë tregon. Enveri nuk do ta mbante dot pushtetin për 50 vjet, nëse nuk do të kishte patur ndihmën e jugosllavëve, rusëve dhe kinezëve. Berisha nuk do ta kishte ngritur atë shtet gjakatar, sikur të mos kishte patur fillimisht mbështetjen e Rajersonit, i cili bënte fushatë ashiqare në podiumet e tij politike, madje sot do të ishte pas hekurave, sikur mos të ishin ambasadorët e huaj që kanë penguar ndëshkimin ligjor të tij. Gjithashtu kultura e pandëshkueshmërisë që ka hedhur rrënjë e vazhdon të lulëzojë edhe ndaj politikanëve të korruptuar e kriminelëve që vrasin ditën për diell, kryesisht në sajë të mbështetjes së të huajve. “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithmonë si gangster-thotë Stenlej Kabrik - ndërsa shtetet e vogla si prostitutë”. Besoj se kanë rrjedhur mjaft ujëra tek ne, ku jemi munduar të gënjejmë veten e jemi gënjyer nga të huajt, ndaj ka ardhur koha vërtet për ndryshim.