BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Është civilizim demokratik kur të ndëshkojnë të tutë!

Është civilizim demokratik kur të ndëshkojnë të

Votimi i kandidatëve nga anëtarësia në qarqet e vendit ka pasur surpriza. Në jo pak raste të parët në lista kanë marrë më shumë vota kundër. Nuk kanë munguar rastet më pikante kur në përfundim të numërimit të votave të anëtarësisë në qytete të ndryshme, siç ishte rasti i Durrësit, kanë dalë kandidatë, individ të parekomanduar më parë në lista. Kjo është një risi që mund ta gjykosh nga kënde të ndryshme. Demokraci në funksionim perfekt i anëtarësisë të shtojë kandidatë të harruar nga qendra apo rekomandime nga kanale jo transparente dhënë me simbolika për të hequr apo shtuar?! Kuptohet janë çështje të brendshme të partisë dhe komisioni peshë përzgjedhës në fund të procesit do vërë vulën për rregullsinë a parregullsinë. Do evidentoj rastet flagrante që zbehin procesin sipas praktikës angleze që aplikohet nga partia më e madhe në opozitë apo do t’i lërë në rënie të lirë veprime të tilla? Në Sarandë, lista e kandidatëve edhe pse e ndryshme nga ajo e fillimit, publikuar në shtyp dhe dërguar Degës së Partisë Demokratike, pati ndryshime. Disa prej të propozuarve gjetën mbështetje nga anëtarësia dhe vlerësohen edhe në opinionin shoqëror si individ me integritet, të papërlyer në afera e akuza për korrupsion që janë aq të shpeshta në vendin tonë. Kandidatët që pretendojnë për të zënë një vend në dymbëdhjetëshen e qarkut të Vlorës, janë dinamikë, të kulturuar, pa të kaluar të dyshimtë premtues për të qenë të denjë nëse komisioni i miraton në listën përfundimtare të PD-së në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo mbetet për t’u verifikuar, është vota ajo që vendos për individët dhe forcat politike më të preferuara për qytetarët. Votuesit qëndrojnë larg zhurmës. Nuk bëhen rob të entuziazmit dhe shifrave të publikuara si numra magjikë, me njëqind e tetëdhjetë deputetë dhe zero deputetë mazhoranca, e cila paraqitet si inegzistente. Kjo llogari, ky projeksion është boomerangu më i madh që i bëjnë partitë opozitare rezultatit të zgjedhjeve të pritshme. Është propagandë nga e cila ka jo pak individë e militantë që janë duke përjetuar eufori të pamotivuar dhe iu duket e lehtë të arrijnë treguesit që pretendojnë me një lehtësi të paparë, sikur mos të jenë parti politike, po parashikues të fatit apo llogaritarë që u duket se një plus një bëjnë pesë. Pothuaj tek të gjithë pretendentët më shumë se pesha e elektoratit dhe votës faktor përcaktues, llogaritet gabimisht periudha tetë vjeçare që ka plotësuar mazhoranca e sotme, duke e parë numrin tetë, si shifër mitike dhe pas saj është i sigurtë rotacioni dhe rokada e pushteteve, vetëm se plotësuan tetë vjet në pushtet. Realiteti me fantazinë, dëshira me mundësinë, janë larg dhe është në dëm të vetë opozitës të ushqejë mbështetësit me slogane e ëndërrime se fitorja është në prag. Se nuk ka fuqi mbi dhe të pengojë rotacionin. Opozita e ka fitoren në xhep. Siç shprehet Basha edhe nëse Rama ndryshon popullin me Kushtetutë dhe të tjerë opozitarë që deklarojnë sikur votat të numërohen në selinë e Partisë Socialiste. Për pretendentët socialistët janë të mbaruar?? Ky vetëbesim, është jo vetëm vetëkënaqësi, po edhe supereufori. Nuk ka të bëjë me terrenin politik në të cilin zhvillohen zgjedhjet. Jo pak qytetarë në debatet e tyre shprehen se mazhoranca e sotme ka bërë punë të mëdha. Numërojnë vepra ndërtimore, investime, reforma të rëndësishme, si ajo në drejtësi, zgjedhore, polici, shërbimin shëndetësor apo administratë, veçanërisht në rritjen e pagave në sektorët më jetikë. Vendimi më i fundit i qeverisë, është mirëpritur nga opinioni i gjerë shoqëror pasi janë vlerësuar sektorët më jetikë, shëndetësia dhe arsimi. Kategori e pakënaqur që pret qeverinë të ndërhyjë, janë pensionistët të cilët kërkojnë vlerësim për pensionin. Kërkohet reformë rrënjësore në këtë fushë pasi kjo kategori përbën më shumë se gjysmë milionë dhe janë shtresa në nevojë. Kanë shërbyer për gjysmë shekulli dhe kanë kontribuar me sigurime shoqërore e shëndetësore. Ndërhyrjet për të rritur përfitimet për barnat mjekësore, zerimin e taksave bashkiake apo kompensimin e energjisë elektrike, janë të pamjaftueshme. Megjithatë mazhorancën mund ta dërgojë në opozitë pakënaqësia e të vetëve. Dhe ky është civilizim demokratik. Le t`i kthehemi analizës së votimit të kandidatëve të PD-së për të treguar se realizmi është përcaktues në marrjen e vendimeve, jo subjektivizmi ekstrem. Votimi nga anëtarësia e PD për kandidatët preferencialë, proces që vjen drejt fundit, flet për gjykim objektiv e subjektiv. Edhe pse janë shumë hapa deri në përfundim të procesit të përzgjedhjes dhe do ishte fantastike mënjanimi i subjektivizmit të komisionerëve dhe forumeve për të preferuar individë, jo me integritet, po me kuletë çka nuk kanë munguar në shumë prej përzgjedhjeve në qarqe të ndryshme të vendit. Ditën e mërkurë, radha për votim i erdhi qarkut të Korçës dhe qytetit të Pogradecit. Pa pasur asgjë me individin Klevis Balliu, po me fenomenin që përfaqëson, me atë që identifikohet në politikë, në këto katër vite ish-deputeti Balliu me atë që shpalosi dhe individualitetin që krijoi përmes marshimeve ushtarake, protestave të dhunshme, mobilizimeve për t`iu kundërvënë policisë, tranazhit që u bëri banorëve të Astirit gjatë ditë-netëve të dezhurnit në unazë, beteja për kauza fallco, kundërshtimi me fjalorin më të egër e banal, fyerjet që shpalosi në segmentin rrugor, ku do ndërtohet Unaza e Madhe e Tiranës, vepër e mezi pritur nga qytetarët, jo vetëm të Tiranës, po edhe Shqipërisë që hynë në Tiranë si vrapim me pengesa, presin në radhë me orë të tëra, duke humbur kohë dhe energji. Balliu nuk veproi asnjëherë si qytetar i zgjedhur nga populli, po si kamikaz që zbrazi mllefin personal ndaj cilido që mbronte këtë vepër të rëndësishme për qarkullimin normal të mjeteve në kryeqytet. Klevis Balliu mobilizoi individë në hall, banorë që humbnin prona të ndërtuara me vështirësi edhe pse në shkelje të ligjit. I përdori, jo në drejtim të zgjidhjeve, po si forcë goditëse ndaj policisë me të cilën u gjakosën dhe u përleshën si të ishin përballë pushtuesve dhe jo mes qytetarëve të Shqipërisë. I shkolluar në Perëndim, Balliu nuk u tregua perëndimor. Përkundrazi shfaqi ashpërsinë në vend të dialogut. Urrejtjen në emër të drejtësisë dhe qetësisë. Mllefin në vend të mirëkuptimit dhe dialogut. Veproi në këtë mënyrë nisur nga një logjikë e mbrapshtë të cilën më shumë e kishte dëgjuar si të suksesshme, si një mundësi për t’u bërë faktor. Këto forma i kanë demonstruar jo pak deputetë të forcave të ndryshme politike dhe partisë së tij në vendin tonë në këto tri dekada demokraci. Sot nuk jemi në vitet 1990 kur justifikohej çdo sjellje e dhunshme dhe të fortët merrnin fletë nderi, ngjiteshin në piedestalin e vlerësimit, ishin heronjtë që brohoriteshin në sheshet e mitingjeve të qyteteve nga Saranda në Shkodër. Në këtë linjë janë evidentuar dhe gjatë kësaj periudhe, jo pak figura që kanë zgjedhur të bëjnë ekstremistin, të tregojnë muskujt, të shantazhojnë, duke shfryrë urrejtje dhe akuza lumë mbi cilindo që e gjykojnë se i pengon rrugëtimin drejt pushtetit. Shqiptarët i ka lodhur kjo sjellje. I ka mërzitur dhe kërkojnë të ecin në shtigje më të qeta, të dëgjohen e të vlerësohen. Janë qytetarët vetë që seleksionojnë zhurmëmëdhenjtë, ata që i thonë këmbës dorë dhe në vend të logjikës dhe argumentit, përdorin dhunën, aksionin revolucionar, siç ndodhi gjatë protestave të dhunshme në qendër të Tiranës. Dhunuesit, shantazhuesit revolucionarët e çartur, shkatërrimtarët nuk janë më në modë, përbuzen nga opinion i gjerë demokratik shqiptar dhe sapo u jepet mundësia i vënë kryq emrave problematikë. Qytetarët tanë nuk kanë më nerva të durojnë beteja dhe luftë me mullinjtë e erës as betejat mes faktorëve politikë, përleshjet për të asgjesuar kundërshtarët si armiq. Qytetarët, simpatizojnë urrejtësin, dashurojnë, jo sherrxhiun, po njeriun racional. Llafazanët, grindavecët, pazarxhinjtë nuk i duan as brenda shtëpisë, as bashkpartiakët të qëndrojnë në podiume pasi i konsiderojnë si përfaqësues të së keqes që nxijnë shoqërinë e bëjnë të vështirë jetën e tyre. Kjo sjellje është një nga arsyet që politikës i qëndrojnë larg shumë mendje të ndritura, figura të spikatura, me kulturë, njerëz që mund të bëjnë epokë me profesionalizmin e tyre. Shoqëria shqiptare, njëherë në katër vjet, seleksionon me votë ata që janë problematikë dhe nuk japin asgjë, veç i lënë mbi shpinë vese të rënda që i përjetojnë me dhimbje qytetarët e thjeshtë. Pikërisht, opinioni qytetar është filtri që ndan shapin nga sheqeri. Populli di ta bëjë mrekullisht këtë seleksionim. Ta nisë pastrimin nga vetja ashtu si tërë natyrën njerëzore. Po edhe partitë e kanë detyrim moral dhe etik dhe duhet të jenë në lartësinë e kohës që jetojmë. Është demokraci e pjekur kur vendimin për largim të individëve ekzemplarë e marrin ata që të kanë brenda vathës së tyre. Këtë shembull e dha anëtarësia e Partisë Demokratike në Pogradec. Nga 450 votues, 310 prej tyre ose mbi shtatëdhjetë për qind votuan kundër kandidatit të propozuar nga qendra Klevis Balliu. Këto vota nuk janë vota kundër qytetarit Balliu. Janë vota kundër fenomenit Klevis. Janë penalizim për sjelljen e përfaqësuesit të popullit pa dinjitet që nuk zbaton ligjet në fuqi. Është ndëshkim ndaj atyre që nuk shpalosin etikë, moral sjellje, kulturë, thjeshtësi, qetësi, shpirt bashkëpunues, ndershmëri, po veprojnë si militantë të rëndomtë. Është ndëshkim ndaj individëve që në vend të demokracisë bëjnë diktaturën. Pikërisht kundër këtij fenomeni, anëtarësia e PD-së në Pogradec nuk dënoi Balliun si qytetar apo patriot, po Balliun përfaqësues. Po kjo është e pamjaftueshme. Ky duhet të jetë proces i përhershëm. Të veproj kudo në të gjitha partitë politike, institucione, atje ku merren vendime. Shoqëria jonë është demokraci tridhjetë vjeçare. Nuk është as e re as e vjetër. Po mesazhin për të zgjedhur përfaqësues të denjë e jep me një mijë mënyra. Këtë e vulosi me votë dhe anëtarësia e PD në Pogradec. I tha jo fenomenit Balliu, mënyrës se si u soll në këto katër vjet ky axhami politik, duke u thënë të gjithëve: Preferojmë urtësinë dhe demokracinë e vërtetë, jo dhunën e sherret. Njeriun e qetë, jo problematikun. Kulturën, jo anti-kulturën. Demokracinë, jo demokraturën! Mesazh që duhet kuptuar, jo vetëm nga partitë politike, ndaj çdo axhamiu sherrxhi, po ndëshkim shembullor nga i gjithë populli shqiptar në 25 prill! Është bukur kur të ndëshkon yti, njeriu i shtëpisë!