Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Shtëpitë” që ndotin Shqipërinë dhe Kryepleqtë, si simbol i përçarjes!

Postuar: 19/10/2018 - 07:22

Asnjë ndryshim nuk kanë në aktivitetin e tyre të përditshëm një shtëpi në hyrje të një fshati në Zonën e Korçës dhe “shtëpisë” në hyrje të Shqipërisë, që gabimisht kundërshtarët në mënyrë tallëse e quajnë me emrin e dikurshëm të nderuar SHQUP! Më duhet të sqaroj se kur kjo shtëpi ishte SHQUP, ishte një shtëpi e nderuar për vetë funksionin që kishte si Shtëpi Qendrore e Ushtrisë. Këtej e tutje, kundërshtarët, ta quajnë si të duan, por unë do ta quaj SHQNSH ose Shtëpia Qendër e ndotjes së Shqipërisë!. Të dyja këto shtëpi kanë të veçantën e përbashkët që të dyja janë në hyrje, njëra të fshatit e tjetra të Shqipërisë dhe ç’do vendas apo i huaj që do të vijë, do apo nuk do, do të kalojë pranë saj apo edhe brenda saj, për të hyrë në fshat a po në Shqipëri. Të dyja shtëpitë, në pamje të jashtme, janë model nga arkitektura dhe bukuria,janë model gjithashtu edhe antarët e familjeve të tyre nga veshja! SHQNSH-ja, i ka të kullandrisur, me kollaro, kostume, e fustane firmato të firmës “Versaçe”, me byzylykë e çanta që i sheh në Dubai etj., etj. Flokët i mbajnë të lyera me xhel, me model “papion” ato të lidhura sipas modelit “Kufall”! Ata të shtëpisë së fshatit nuk “arrijnë” dot kaq larg, por sidoqoftë, rrobat nuk i kanë të blera atje në gabi, ku ka pa masë por në ato të dyqaneve në Pjacë, në Bulevardin e Korçës. Edhe të parët, edhe të dytët nuk lejojnë asnjë qime t’i mbështetet në rrobat e tyre, dhe nga ana tjetër e kanë “profesion” që “lumenjtë” e pisllëqeve t’ua lëshojnë të tjerëve, t’i derdhin nëpër rrugët e ç’do fshati e të tërë Shqipërisë.

Po cila është tjetra që të dyja këto shtëpi kanë të përbashkët? Përveç “të mirave” që përmendëm më lart, ja cilat janë edhe të “zezat” e tyre që kanë marrë dhenë! Ujërat e zeza të shtëpisë së fshatit, janë të kanalizuar deri tek porta dhe më tej lëvizin të “pashqetësuara” jo vetëm anës rrugës por edhe mespërmes rrugës së fshatit. Të zotët nuk i vendosin prita që ato të mos dalin në rrugë, por i vendosin “pritë” në kanal që të derdhen rrugës e të “pushtojnë” rrugën në hyrje të fshatit e gjithë fshatin bashkë. Të gjithë sa vijnë në fshat, zënë hundën me dorë kurse ata më të rinjtë këtë “zonë të infektuar” e kalojnë me vrap! E përsëri, ndotja e “Kryesisë” të kësaj familje, nuk mbaron këtu. Edhe mbeturinat që ka si ç’do shtëpi, jo t’i çojnë si gjithë të tjerët atje ku e kanë vendin por i hedhin në rrugë. Nuk i futin as në ato që pyesin shitësit apo shitëset në dyqane, “Doni qese”? Makina e Bashkisë shkon e ja merr secilit pranë shtëpisë dhe “shyqyr që ja arritëm kësaj dite. Por, askush të mos gëzohet për këtë “arritje” sepse rrugët, kanalet, ambientet përrenjtë e arrat, janë plot e përplot me qese e shishe plastike nga ato që në sistemin e kaluar, sikur edhe një të tillë të kishin do ta mbanin në bufe, në një vend të dukshëm, si shprehje e “kulturës” që sot është kthyer në të kundërtën e saj. Po nejse, nuk dua të dal nga tema. Një ditë, dy nga antarët më të moshuar të kësaj familje, shkuan në dasëm... Nuk do të gjendeshin të papërgatitur, për atë që i zoti i dasmës, kishte thirrur edhe mikun tjetër të tij por që këta nuk e donin, e kishin hasmë sepse grindeshin përditë për mbeturinat që i hidhnin në rrugë! Të dy familjet i zoti i dasmës, nuk i ndante nga tavolina. “Ne nuk duam të rrimë me kriminelët, me këta që i kemi hasëm në derë të shtëpisë, këta trafikantë”, çirreshin të paudhët nëpërmjet atyre që i përfaqësonin, dy biondë me qime në ngjyrën e kaçkavallit që dolën para të zotit të dasmës, apo si i thonë nga fshati i tij si “kërrja para gomarit”. “More, po dale bre, unë kam hallin e dasmës që po martoj djalën, yve më shpini dëpër thekra. Javashni bre ta marrëm cazë më shtruar dhe kur të mbarojë muhabeti, yve, bëni cuarë të duani, por ama, këtu, de mua, nuku bëhen gjëra të këtilla ce kështu, nuku e nderoni as vehten as fisin tuaj”, mundohej t’i qetësonte i zoti i dasmës. Atë që nuk e bëri i zoti i dasmës, e bënë thelat me mish dhe vera “Lombardi” në drekën dasmës përpara derisa u bënë çakërrqejf dhe e harruan edhe kundërshtarin, i harruan edhe ato ç’ka kishin thënë për atë “mynafikun! E njëjta gjë, si me porosi i ndodhi edhe anëtarëve të SHQNSH-së, ku si për çudi edhe këta dërguan përfaqësuesit e tyre diku më larg nga Floqi. Edhe këta ishin biondë, por kjo nuk është ndonjë gjë e veçantë sepse biondët, janë edhe më të “bukur”!

Nuk do të zgjatem për këtë, sepse idea, është e njëjtë dhe përpara se të shkoj tek Kryeplaku, i cili në fshat është “simbol i unitetit” për të zgjidhur ç’do mosmarrëveshje, edhe në Shqipëri ka një “Kryeplak” që nuk ka asnjë dallim nga kryeplaku i fshatit, por më parë, duhet të bëj një sqarim, jo se nuk e dinë të gjithë. Ç’do shtëpi, ka halle e veta dhe kjo nuk diskutohet. Po të hash, të pish e të rrish, do të bësh edhe pafshirë. Kjo është normale, por populli thotë edhe dy shprehje: E para: “Pazari i shtëpisë, nuk del në mejdan” dhe tjetra, “Nuk ka shtëpi pa hale”, duke i vendosur theksin ku të doni. Mirë e thotë populli, por e keqja është kur kjo “hale” del në rrugë e merr fshatin shkon e “ndot” tërë Shqipërinë e nuk ka “Kryeplak” që t’i bëjë pritë! Megjithatë, nuk janë pak ata që shkojnë tek Kryeplaku i fshatit. Ankuesit i thonë “Mirëmëngjes”, ai i përgjigjet: “Po mbjell qepë”. Herën tjetër, i thonë “Ka shkuar për lajthi”, një herë tjetër “nuk ka kohë” sepse nuk e lë përgjysëm lojën me domino”. Megjithëse nuk bën shkrap punë në fshat, përsëri i thonë “Kryeplak babaxhan”, “Kryeplak që e mban grurë me të gjithë”, që nuk prish qejf. Kush i thotë? Ata që nuk duan ligj, sepse po të “grindej e të kërkonte të bënte punën me ndonjë edhe do ta bënte “misër” sepse fshati ka shumë probleme, që nga grindjet për tokën e pronën e deri tek ujrat e zeza me “bollëk” e mungesa e ujit të pijshëm! Ky Kryeplak, asnjëherë nuk i ka tërhequr veshin asnjërit prej grindavecëve të “papunë” që nuk lënë dy gurë bashkë në fshat dhe që banorët i ka gjetur belaja. Përkundrazi, gjithë ditën, jo vetëm qëndron, por ha e pi bashkë me ta e me një të “fortin” e fshatit që edhe banorët e kanë frikë! Edhe Kryeplaku, duket sikur i thotë bashkëfshatarëve të tij: “Mos më mërzisni mua sepse ua lëshova atë që ju ka qejf dhe e dini vetë pastaj”!

Ta lëmë mënjanë Kryeplakun e fshatit dhe të dalim njëherë andej nga Kryeplaku i Shqipërisë. Edhe ai, qejf pa prishur e punë pa bitisur”! Në Kushtetutë thuhet që ai përfaqëson “Simbolin e unitetit”! Si “simbol i unitetit” atij i ka mbetur vetëm shprehja “me qetësi e dashuri” dhe asgjë tjetër. Është e vërtetë që këtij, nuk i del koha të luajë domino por ama, deri më sot, nuk ka gjetur as edhe një minutë kohë të merret me atë që e diskrediton në sytë e botës dhe ja zhvlerësojnë atë atribut që i jep Kushtetuta si “Simbol i unitetit”! Këtë nuk e bën as për të përmirësuar imazhin e tij të së kaluarës. Ky si “Kryeplak” më i madh nga ai i fshatit, flet edhe në forume ndërkombëtare ku thotë: “Shqipëria faktor stabiliteti në Ballkan dhe Europës”, “Shpresojmë që Shqipëria të marri statusin e antarsimit në Europë”, “Shqipëria ka shënuar progres të kënaqshëm”, “Shqipëria, ka resurse të mëdha zhvillimi” etj., p... me rigon! Të gjitha këto, pavarësisht ku i thotë, brenda apo jashtë vendit, i thotë ditën, kurse natën, nxit ata që i hahet muhabeti bashkë me “këshilltaren” e tij e i mëson se si të rrëzojnë qeverinë e paudhë! “Kalanderët” e tij sulmojnë vetëm njërin krah të kundërshtarëve, kurse me të tjerët e mbajnë “grurë” dhe pranojnë të bëhen edhe “Babale” vetëm për të rrëzuar qeverinë! S’ka gjë që prishet imazhi i Shqipërisë, me “ujrat e zeza” që ndotin atë papushim, që bota ta njohin më mirë se kush është kjo Shqipëri, që dikur na thuhej që është “Shkëmb graniti” kurse në të vërtetë na qenkërka një “llom me ujë të ndotur”! E shikon këtë Kryeplak të kacavirret në majën e Jezercës e të promovojë turizmin në Plavë e Guci, të shëtisë i qetë me varkë në ujrat e Ksamilit etj., por që të bëjë diçka për forcimin e këtij uniteti me të dyja palët, nuk ka bërë shkrap! Dikur kacavirrej mbi karriget e parlamentit dhe me shumë të drejtë, por e pa që nuk i doli gjë dhe sulmoi lartësitë! Është tjetër punë se sa do ta dëgjojnë, por as formalisht nuk e ka bërë. Nesër, kur të vijë puna, fjala vjen, të hapen negociatat, e para pyetje që do t’i thotë Evropa, përpara asaj “Si ju quanjë” do të jetë: “More, po si e keni harmoninë në shtëpi”? Dhe Kryeplaku do të fillojë: “Harmonia, ëëëëë, ka shumëëëëëë rëndësi dheeee, ëëëëë për këtë po punojmë, ëëëë me të gjitha forcat...”! Tralala o xha Rushan, por ku ishe? Hiçgjëkundi! Asnjë “gjemb” nuk i ka hyrë në këmbë, asnjë kritikë nga askush. Kush bën diçka për Shqipërinë, vihet në shënjestër, kush rri ngrohet në diell si Kryeplaku ynë, është i nderuar! Ky “Kryeplak” shkon në veri dhe e bën “hero” atë që i ka shkaktuar sa e sa të zeza Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo më mirë shumicës së shqiptarëve. Por hakun të mos ja hamë. E bën këtë sepse në sajë të atij “heroi” ai sot është “Kryeplak”, në të kundërt do të katandisej si qindra Babale e Alizotë të tjerë. Po presim me padurim kur të shkojë në Jug të Shqipërisë dhe do të shohim a do të zbulojë atje ndonjë “hero” apo jo dhe a do t’i vendosi dikujt ndonjë medalje nga ato prej llamarine! Nejse, këto janë detyrat e tij funksionale, por problemi është që me punën e deritanishme, është “simbol i unitetit” apo “Simbol i përçarjes” dhe kjo e dyta sikur predominon në tërë jetën dhe aktivitetin e tij. Asgjë, asnjë hap nuk ka hedhur për t’i bërë “zap” këta, “Stërnipa të Kainit, tepdilë si barinj”, për këta “derbederë, ujk e derë” siç i quante Noli, që ndonëse duket sikur nuk na”shtypin”, nuk na “ndrydhin”e nuk na pijnë gjakun, na bëjnë një të keqe edhe më të madhe akoma, na nxijnë faqen e nuk na kanë lënë pjesë të “trupit” pa na e nxirë në sytë e ndërkombëtarëve. Gjasat janë që edhe më shumë do të na e nxijnë sa më shumë afrohet dita e integrimit të Shqipërisë, sa më përpara të shkojë Vetingu megjithëse nuk ka gjasa t’i përfshijë edhe këta “ndotës” të Shqipërisë, të majtë apo të djathtë! Të dy krahët e politikës tek ne, janë si dy drejtëza paralele që nuk takohen kurrë përveçse me “revolucion” alla “berishiste” apo alla “saliançe”!

Nga Pandeli BARDHI       

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të histo

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit

Postuar: 14/11/2018 - 12:25

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksio

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame