BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Opinion / Editorial

Shteti i replikave ose pushteti i hiçave

Shteti i replikave ose pushteti i hiçave

Nëse i dëgjon me vëmendje pushtetarët tanë, të të gjitha rangjeve dhe përgjegjësive, sipas kolorit, të majtë, të djathtë, blu, mavi, me dhe pa parti që nga maja e piramidës deri poshtë në organet lokale, bashki, njësi, drejtori të përgjithshme, rajonale, tatimorë, doganierë, shoqëri civile, shoqata, analistë, opinionistë,veçanërisht në sallën e Parlamentit, gjatë diskutimit të baballarëve të kombit, komunikim, Presidencë-Qeveri e para dhe e fundit fjalë është replikomani. Të gjithë e nisin me fjalën pararendëse replikë. Ju lutem, dua të bëj një replikë! Dhe fill, do e bëj tani dhe pikë! Të tjerë e nisin debatin e zjarrtë pa e përmendur, po duke e lënë të nënkuptohet në brendinë e saj. Dhe nisin e kundërshtojnë gjithçka me patos, nerv, emocion, thua se do çajnë mikrofonat, do digjen podiumet, do shpartallojnë ata që kanë përpara, duke i denigruar e anatemuar përmes fyerjeve dhe sharjeve, akuzave pa sens e pa masë. Natyrisht, një fjalë e huazuar, kjo fjala replikë që u tingëllon debatuesve, si një gjetje dhe shprehje erudicioni dhe diturie të shumanshme që u duket se zotërojnë, përdoret edhe si horror dhe frikë. Në mes të fjalimeve të politikanëve, hyn si pykë fjala replikë. Kam replikë me parafolësin, zoti kryesuesi i seancës. I nderuar kryetar, dua fjalën për replikë sa më parë. Më përmendi emrin. Më mori mikrofonin. Më citoi, më ngacmoi. Më përgojoi. Kërkoj të flas, dua të bëjë replikë pa masë, e nis diskutimin nga qoshka e sallës së Kuvendit, deputeti më i ri. Kështu edhe ai që ka folur gjithnjë dhe ai që diskuton për herë të parë. Po bëj replikë, deklaron më i vjetëri. Dhe këtë fjalë që u duket si leje kalimi, pasaportë, vizë për ta nisur një diskutim apo për të bërë një debat të zjarrtë, për të shprehur erudicionin dhe kulturën, shumë dimensionale, të gjithë e nisin me fjalën magjike replikë. Kjo është replika ime! Jo në pak raste, dëgjohen edhe replikuesit e replikuesve. Pra replika, vetë replikës. Në debatet e zakonshme, kjo fjalë e futur si pykë në jo pak raste përdoret si kamxhik, qëllohet majtas, goditen mavitë, rozët, blutë, ata me ngjyrë e pangjyrë, me dhe pa parti. Jo rrallë, kjo fjalë përdoret si kamerdare, si shpëtimtare për ta kapërcyer radhën e debateve për të folur edhe kur nuk janë në radhën e folësve. Me replikën si kryefjalë, kërkohet të ndryshohet drejtim, të ekspozohen strategji, të ndërrohet stil për t`i marrë fjalën dikujt tjetër, për të vendosur siç do ti për të akuzuar e sharë jo rrallë. Ajo që ta habit më shumë, është replikomania e zyrtarëve të lartë. Komunikimi mes institucioneve. Në vend të komunikimeve zyrtare, me shkresa, me letra, telefona apo e-maile, info, e-mail, ligje, dekrete, komunikimet janë me replikomani aspak zyrtare aq më pak gjuhë e pushtetarëve. Shumë prej zyrtarëve tanë deri fare lart, Presidencë-Qeveri e kanë mënyrë të sjelluri, stil komunikimi dhe urë kapërcimi. Për replika, me pika, me germa, numra, rrokje presje a shkronjë, përqindje e grafikë, pa lënë një pikë të bjerë mbi dhe, Presidenca është në vend të parë ndër ne. Këshilltarë dhe dhjetëra rrogëtarë më së shumti ata që janë syri dhe veshi i presidentit, qëndrojnë me beben në shënjestër, si të ishin në gjueti në mes të një pylli, në pritje të gjahut të radhës për t`i vënë pushkën fjalës. Sapo dikush lart në qeveri, kuptohet më së shumti kryeministri, përmend një fakt, një episod, kompetencë, ligj, akt normativ, ku flitet për dekretet e presidentit, përzgjedhje, deri në detaje apo imtësi, si p.sh, sa shtëpi ka presidenti, a ka në Lalëz apo në Tiranë, ku i studiojnë fëmijët, në Francë apo në Angli, ku dhe si do bëhet votimi i gjyqtarëve, menjëherë nisin replikat e mëdha dhe duket se në Shqipëri do bëhet ndonjë hata. Nuk ka ndodhur asnjë rast i vetëm të mbetet një fjalë pa iu kundërvënë zëdhënësit dhe këshilltarët, të cilët duket sikur më shumë mision të kenë kundërpërgjigjen ndaj institucioneve të tjera të shtetit, veçanërisht ekzekutivit dhe qeverisë, ministrave, drejtuesve të policisë, komentues të OFL, në radhë, SPAK, BKH, KED, reforma në drejtësi apo zgjedhore në radhë të parë të deklaratave apo opinioneve të kryeministrit, fjala e të cilit nuk arrin kurrë të bjerë mbi dhe sepse e marrin nëpër gojë turma e zëdhënësve. Këshilltarët e shndërrojnë në kamxhik për të qëlluar sa majtas e djathtas. Sqarojnë simbolikat. Flasin për intrigat, megalomaninë, sharlatanizmin, arrogantin epik. Nëse në një citim të kryeqeveritarit, përmenden shtëpitë edhe pse mundet të flitet për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, për rindërtimin, menjëherë replikohet nga zëdhënësit dhe jo rrallë edhe nga vetë presidenti. Të gjithë hedhin në sulm për të kundërshtuar edhe një fjalë të vetme apo kur bëhet për shkaqe reference. Mënyra e debatit, stili, metodat që ndiqen në komunikimet zyrtare, lihen mënjanë përmbajtja, kuptimi, thelbi, brendia dhe në plan të parë vihet replikomania. Për hir të së vërtetës replika dhe batuta fatkeqësisht ka zëvendësuar fjalorin politik, ideologjik dhe marrëveshjet e mëdha. Debatin e diskutimin për punë të kryera apo të pakryera. Tavolinat e dialogut dhe gjithë mënyrat e tjera që kanë në brendësi kulturën, realpolitikën, politikën e brendshme, sigurinë, komunikimin njerëzor, të ngrohtë, të qetë, të ëmbël apo të zjarrtë, po mbështetur mbi argumenta, prova e fakte dhe nuk lihet shtegu për fjalomani që nuk i hynë në punë askujt së pari shqiptarëve. Të dëgjosh një fjalim të kryeministrit në përfundim të tij duhet t`i drejtohesh portaleve të Presidencës dhe të njihesh me deklaratat e këshilltarëve dhe zëdhënësve të shtypit, shkurt ata që i bëjnë jehonë replikave në publik përmes mediave dhe ekraneve të televizioneve, të cilët më shumë se mesazhet për qytetarët kanë shqetësim të vetëm se mos cënohen presidencialët apo kryeqeveritarët. Pikërisht, këtu nisin dhe vazhdojnë pa ndërprerje fjalamanët. Ata që qëndrojnë në ballë për të fyer e për të sharë, për të bërë sherr e pazar, për të bërë copë e çikë cilindo që etiketojnë armik, kriminel, bandit. Po pse i lihet kaq shumë vend replikave nga shtetarët tanë dhe a nuk është kjo politika e replikave baras me pushtetin e hiçave, atyre që u duket se janë sundimtarë dhe kanë të drejtën për ta na çuar në pazar, apo në kandar për të bërë, jo vetëm shtetarin e parë, po edhe të na vënë kufij kur flasim apo votojmë si të ishim jo qytetarë që vendosim, po individë që vetëm dëgjojmë dhe bindemi, ulemi, përulemi e nuk guxojmë as fytyrën t`ua shikojmë atyre që natë-ditë, vetëm replikojnë me politikë. Politikanët tanë të stërvitur në gojëtari me replika, na bëjnë në veçanti kur i dëgjojmë me tërë atë fjalomani, na duket se në kokë na ka rënë pika dhe të gjithë dridhemi nga frika. Presim të dëgjojmë, dialog mesh shtetarëve, marrëveshje fjale, marrdhënie institucionale atyre që kemi deleguar me votë. Të flasin për ekonominë, zhvillimin, drejtësinë, reformat e mëdha, integrimin, pensionet, punësimin, shpopullimin, për jetën njerëzore të minatorëve, naftëtarëve, biznesmenëve, të varfërve, shërbimet shëndetësore, shkollimin, varfërinë, papunësinë, po papritur gjendemi në vorbullën pa kufi të replikatorëve. Duke si një duel i pambarimtë dhe aq më shumë i pakuptimtë. Të gjithë shtetarët tanë nuk kanë merakun si do punojnë e do ndryshojnë jetën në Shqipëri, po si të zgjedhin e të bëjnë replikomani, në garë kush në këtë fushë do shpallet kampioni. Replikojnë për t`i treguar vendin atij tjetrit që kanë përballë në sallë, duke harruar veten për çfarë kanë bërë. Kështu, kjo lufta me replika na e ka bërë të gjithëve trurin me pika dhe na ka rënë frika. Kudo dëgjohen replikues dinjitozë e difektozë. Në podiume në sheshe, tribuna, podiume. Marrëdhëniet mes shteteve, presidentë, kryqeveritarë, ministra, Qeveri-Presidencë në veçanti në vend të marrëdhënieve institucionale është replika e fjalëve. Kështu në mbledhje të vogla e të mëdha. Në takime me ambasadorë e kancelarë të shteteve të mëdha, replika mbetet e para. Betejë replikash, këta gladiatorë të fjalomanisë që e shesin si shërbim ndaj Shqipërisë. Politikanë replikues që vetëm flasin e nuk dëgjojnë, po vetëm replikojnë e replikojnë. Dhe fjalori trashet e ngjishet, fryhet e shfryhet nga fjalomania dhe mbytet nga replikat shqiptarët e Shqipëria. Ngrihen në piedestal, jo njerëzit e punës, po ata që vetëm replikojnë. Të replikosh dhe të kundërshtosh nuk është ndonjë hata. Të gjithë kanë të drejtë të pranojnë ose të kundërshtojnë, atë që nuk u duket e arsyeshme apo nuk u pëlqen. Po kur replika shndërrohet në stil e strategji, zëvendëson instrumentat e fjalës dhe shtetarët, atëherë mund të themi me gojën plot se drejtimi i shtetit me replika është baras me sundim nga ca pushtetarë që është pak të etiketohen si rripa dhe hiça!