Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shumica na voton, po dhuna mbetet opsioni ynë

Postuar: 13/04/2019 - 07:12

Sondazhi më i fundit i cili ishte kompleks dhe merrte në analizë shumë problematika, pyetjes për cilën forcë politike do votonin shqiptarët në se zgjedhjet do mbaheshin ditën e shpalljes së përfundimeve të tij, përgjigja ishte se: Votat më të shumta për pushtetin e ardhshëm do shkonin për koalicionin PD dhe LSI. Vota për këto dy parti shpërndaheshin në raportet 39 dhe 14 përqind. Shifra shënon 53 përqind në favor të partive të opozitës. Nuk po ndalemi për të analizuar analitikisht çdo tregues as nonsenset që duken në këtë sondazh kombëtar, po ndalemi vetëm në rezultatin e preferencave për votën e cila sipas indikatorit të kryer, sjellë një ndryshimin rrënjësor në zgjedhjet e reja politike apo lokale. Shkurt sipas sondazhit, populli shprehet për një kontratë të re politike. Dhe është për ndërrimin, jo vetëm të karrocës, por edhe kuajve që do ta tërheqin atë në rrugëtimin e ardhshëm. Ky është leximi teorik. Një shifër kjo që duhet të ishte entuziaste për frontin e bashkuar opozitar. Një kurajo e jashtëzakonshme për perspektivën e PD dhe LSI-së përmes votave të shqiptarëve. Me këtë përfundim i bie që opozita e bashkuar në zgjedhjet lokale të 30 qershorit të arrijë jo vetëm të fitojë një bashki më shumë se e majta, siç vuri bastin kryeministri Rama, por të dyfishojë fitoren në bashkitë e vendit, referuar vitit 2015, pra më shumë se 30 bashki nga Konispoli në Pukë. Një lajm i tillë për çdo forcë politike do vlerësohej dhe do gjëmonin daullet e fitores. Do të sillte një lumë entuziazmi për çdo forcë politike aq më tepër tek opozita jonë e cila përditë deklaron se është shumicë dhe se populli kërkon në skenë opozitën dhe në krye të qeverisë liderin e PD-së, Lulzim Basha. Logjika gjakftohtë ta donte që nga ky moment opozita të ndërpriste dhunën dhe të tërhiqte “ushtrinë” brenda institucioneve. Të largonte pritat. Të ulte armët. Se të gjitha këto do ishin të panevojshme. Të ulej në dialog, të bënte kompromise të mëdha me popullin. Të dëgjonte së paku zotin Palmer që mori rrugën që nga Amerika. Të arsyetonte: Ju votën për qeverisjen tonë të ndershme dhe një të ardhme të sigurtë. Dhe në këtë ndryshim të madh, rrënjësor do rreshtoheshin rreth frontit të bashkuar opozitar tërë shtresat shoqërore që i besojnë premtimeve të opozitës. Do ndiheshin të lehtësuar ata që paguajnë taksa. Do relaksoheshin ndërtuesit. Do bëheshin zero taksat e biznesit. Energjinë do ta paguante pushteti i ri. Do shtoheshin e pasuroheshin bilancet familjare. Biznesmenët nuk do paguanin as TVSH. Të gjithë, ha, merr, ik! Do merrte frymë i lehtësuar biznesi i rënduar. Oligarkët do strukeshin dhe do i bashkoheshin urgjent Kryeministrit Basha. Kapitalet e tyre do vërshonin rrufeshëm në arkën e PD-së dhe do sponsorizonin pafund për fitoren e opozitës. Kudo nëpër Shqipëri do rreshtoheshin në krah të opozitës të gjithë. Fermerët do garantonin subvensione që do rridhnin lumë siç u premtoi mbarështuesve të lopëve në Golem, zonja Kryemadhi. Studentët do ndiheshin komodë me abrogimin e ligjit për arsimin. Kush do të japë provime, ok. Cili nuk do, le të bëjë qejf. Siç u premtoi Basha, paratë do ndaheshin me ta dhe jo me oligarkët. Të gjithë, kudo do dilnin të fituar. I pari populli, i cili do ndihej i përkëdhelur për erën e re që do frynte dhe diellin ndryshe, i lumturuar në pritje të djemve e vajzave të qeverisë së re. Qytetarëve do u kthehej parajsa e viteve të sundimit të PD-LSI-së. Do ndryshonte sistemi zgjedhor. Vota e popullit do ishte e “garantuar” siç provuam ne vitin 1996, 1999!? Gjithçka do ishte një fillim i ri. Atdheu ynë do shijonte veç lumturi. Të gjithë do t’i drejtonin sytë dhe veshët nga Lulzimi. Do merrte fund korrupsioni. Varfëria do mbetej një kronikë nga e kaluara. Po ndryshimet do shtriheshin në qytete e fshatra në lagje e në periferi. Shkurt do kishim një tjetër Shqipëri. Të gjitha këto të bukura për t’i jetuar apo jo? Një ëndërr e mrekullueshme nëse do ishte e vërtetë. 

Po çuditërisht, edhe pse votuesit shqiptarë sipas sondazhit kanë zgjedhur opozitën, ajo që të çudit është vetë opozita. Entuziazmi opozitar nuk është ngjitur. Vetëm Lulzim Basha ka nisur të flasë si kryeministër i ri i shumicës së re në pritje. I sigurtë se është koha që të ngjitet në fron dhe të nisë revolucionin e zhvillimit dhe t’i japë impulse të shpejta ndryshimit. Me këtë gjuhë ka nisur të flasi në takimet e këtyre ditëve. U drejtohet qytetarëve, jo si opozitar, po si kryeqeveritar. E dëgjuat Bashën në Kavajë, e ndjetë timbrin e zërit, vetëbesimin se është punë ditësh që ai të jetë i parë dhe këtë mazhorancë ta marri zvarrë? Është në të drejtën e vet të bëjë llogari Basha. Të synojë pushtetin. Të luftojë për të fituar. Po pse edhe pas një “fitoreje” të garantuar e konfirmuar nga një kompani serioze, e provuar, jo vetëm në Shqipëri, vazhdon të njejtën politikë, të njejtin avaz e strategji opozita? Edhe pas kësaj “fitoreje” mbeti në rrugë, vë në plan të parë forcën dhe protestat kur duhet të kthehej në institucione? Të bëjë opozitën reale dhe jo atë imagjinare, duke iu drejtuar dialogut dhe marrëveshjeve për të zgjidhur problemet e mëdha nga të cilat vuan sipas tyre Shqipëria! Kur Basha është besimplotë si kryeministri i nesërm, si është e mundur të vazhdojë në rrugën e dhunës? Si ka mundësi të bëjë edhe pas kësaj garancie ultimatume për përmbysje të pushtetit me forcë kur e ka fitoren në xhep me votë? Si është e mundur të mos lëvizë asnjë centimetër nga strategjia e braktisjes së institucioneve dhe sulmi permanent kundër tyre? Edhe fitues në sondazhe edhe dhunues?! Kjo sikur nuk shkon fare dhe e bën opozitën telendare, duke vënë në dyshim edhe treguesit e një sondazhi kaq serioz, të cilit nuk ka pse të mos i besojmë. Populli u jep votën në sondazh, opozita u jep protestave më shumë gaz. Populli votën, opozita kokën Ramës i kërkon. Qytetarët presin me padurim t’i votojnë dhe me votë, të ndryshojnë qeverinë, opozita ngre në çdo rrugë pusinë. Asnjë reflektim për fitore me votë. Duket se opozita jonë udhëhiqet nga slogani: Vërtetë populli na voton, po përmbysja me dhunë mbetet strategjia jonë! Një politikë e tillë pa këmbë e pa kokë, flet për një strategji opozitare që nuk do pushtet, po dhunë, nuk kërkon të qeverisë me votë, po me revoltë. Opozitë që më shumë i beson hurit dhe drurit se votës së popullit. Po mos ndryshimi i kursit opozitar është edhe mosbesim në një sondazh, që i jep fitoren në letër opozitës. Sa më e madhe shifra që favorizon opozitën në zgjedhje, aq më i madh dyshimi se shifrat janë të manipuluara, të porositura. Edhe i besojnë edhe i paragjykojnë. Liderët opozitarë i citojnë në mitingje, i deklarojnë në takime, i shpallin të vërteta, po në strategjinë e politikës së tyre kanë shumë rezerva. Nga njera anë thonë, se jemi shumicë e konfirmuar, në anën tjetër është shifër e manipuluar. Kjo loja, beso-përgënjeshtro, me votë-me dhunë, është e njejta histori me atë të një bariu në malin e Gramozit, të cilit i kishte humbur lopa. Doli ta kërkonte me gjithë vëllanë. Pasi kërkuan në dy shpate të ndryshme, i vogli e gjeti dhe i thirri vëllait të madh të kthehej se lopa u gjet. Po ai që nga maja përballë i tha se doli që doli dhe do ta kontrollonte edhe pjesën e shpatit që i kishte mbetur. Lopa në shtëpi dhe vëllai mbeti në vërri. Kështu edhe opozita jonë që nuk di ç`kërkon. Pushtet me votë, apo me revoltë? Që edhe sondazhin e shikon si një taktikë të mazhorancës dhe ndërkombëtarëve për të mashtruar opozitën dhe për ti treguar rrugën se për të ardhur në pushtet i duhet rikthyer sistemit.

Liderët tanë në opozitë, pas çdo treguesi shohin gogolin “Rama”. Shikojnë me dyshim dhe mendojnë për hile që po u përgatit mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar. Si për çdo gjë, opozita shfaq frikë dhe ndihet e traumatizuar. Siç ka bërë me iniciativat politike, kodin zgjedhor, reformën në drejtësi. Aq i thellë është dyshimi opozitar, sa që edhe shumë protestues iu duken si të infiltruar nga shteti. Sikur këtu policia merret me konspiracion dhe bën lojë kundër opozitës. Është kjo arsyeja që jo pak protestues e pësojnë paq nga bashkëprotestuesit. Është dyshimi i futur thellë në palcë të opozitës se kudo i bëhen intriga, komplote, pabesi. Është kompleksuar kaq thellë sa nuk i beson as sondazheve që nuk kryhen nga shqiptarë. Ndaj edhe për treguesit e sondazhit më të fundit, opozita jonë ngre dyshime. Në mendësinë e liderëve të saj sundon ideja se patjetër te këta tregues është dora e qeverisë. Është loja për t’u hedhur hi syve opozitës ndaj ata nuk e hanë sapunin për djathë. Nuk i besojnë shifrave. Dhe nga dashnorë të votës bëhen rob të forcës. Opozita fatkeqësisht është dyshuese si kurdoherë. Edhe tund si flamur shifrën“53” përqind, po edhe e paragjykon si hile. Dhe në këtë dilemë hamletiane, të besoj apo të mos besoj, deri tani ecën symbyllur sipas platformës për të mbetur në rrugë të madhe, për të ngritur prita e zënë pusi, për të luftuar dhe bërë deklarata të tipit ja erdhi 13 prilli. Është fundi për këtë kriminelqeveri. Në këtë trembëdhjetë merr fund Rama me gjithë kompani. Është kjo arsyeja që në vend të votave ka zgjedhur molotovët, shkopinjtë e shkëmbinjtë. Më shumë i beson rrethimit të Kuvendit e Kryeministrisë, forcës dhe presionit, dhunës, denigrimit, se vetë votës. Në këto kushte fatkeqësisht, opozita jonë vuan nga sindromi i mosbesimit rraskapitës. E ka frikën brenda vetës. Mosbesimi dhe frika për të fituar, ka bërë që edhe treguesve shkencorë të mos u besojë. Nëse do gjykonte ndryshe opozita jonë do deklaronte: Mjaft. Deri këtu. Nuk ka nevojë për luftë dhe beteja në rrugë. Mjafton programi, cilësia e kandidatëve, ruajtja e kohezionit të koalicionit dhe fitorja është e sigurtë. Po mosbesimi, indikatorët opozitarë me sa duket flasin për të tjera shifra dhe këtu e ka bazën frika. Mosbesimi nuk e lë opozitën të shikojë përtej oborrit të selive partiake. Pavarësisht asaj që trumbeton, opozita jonë nuk u beson sondazheve edhe kur e nxjerrin fituese. I duken të gënjeshtërta. Konspiracion ndërkombëtar. E lexon si një manovër për ta futur në kurth dhe rikthim në sistemin politik. Më shumë i beson fantazisë së disa analistëve dhe nxitësve për revolucion, disa kokëmbuluarve me kapuç e dordolecëve në karton, qëndrestarëve dhe ekstremistëve që e nxisin për betejat e rrugës. Ndaj më shumë është dashuruar me forcën dhe mbetur jasht sistemit sa të zgjedh rrugën e zgjedhjeve të ligjshme, të ndershme, me supergaranci, të kontrolluara nga vetë opozita dhe faktori ndërkombëtar. Po pse mban këtë qëndrim opozita jonë edhe pas fitores në sondazhin më të fundit? Loja me sloganin se votat vidhen dhe se populli voton, po mazhoranca numëron, është një shfajësim dhe alibi që shpreh frikë nga vota popullore. Është braktisja e demokracisë. Politikë sipas sloganit: Shumica na voton, po dhuna mbetet opsioni kryesor i opozitës tonë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2019 - 07:09

Shumë shpesh duken nga Gjermania si LVV dhe LDK në momentin kur akoma nuk gjejnë dot një pikë të rëndësishme mbështetjeje themelore për qeverinë e tyre të koalicionit në Kosovë!

Postuar: 11/12/2019 - 07:08

E hëna e 9 dhjetorit ishte pushim, pas së dielës që ishte festë kombëtare, Dita e Rinisë.

Postuar: 11/12/2019 - 07:07

Solidariteti si një produkt shoqëror, lind, rritet e zhvillohet në shoqëritë e emancipuara.

Postuar: 10/12/2019 - 07:12

Është vlerësuar korrekt qëndrimi i Lulzim Bashës pas tërmetit të 26 nëntorit.

Postuar: 10/12/2019 - 07:10

Post tërmeti sigurisht ka mënyrën më të mirë "përfituese" kur nxirren konkluzione, jo v