BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

Shushatje parazgjedhore

Shushatje parazgjedhore

Edhe pse zgjedhjet e 25 prillit janë ende larg dhe fushata nuk ka filluar zyrtarisht, ethet elektorale tashmë kanë përfshirë jo vetëm partitë politike, por edhe një pjesë të mirë të popullsisë së vendit tonë. Secila parti deklaron fitoren, madje disa shprehin garanci absolute për numrin e deputetëve që do të fitojnë, pa u bazuar në asnjë lloj sondazhi. Militantët e partive edhe pse tani janë disi më të paktë, jo vetëm që grinden për partinë e tyre, por kanë filluar të vënë edhe baste, duke qenë të sigurtë në fitoren e partisë që i përkasin. Opinionistë të ndryshëm dalin në ekrane dhe, në vend që të bëjnë analiza konkrete të programeve dhe alternativave të forcave politike, duke i dhënë hakun çdo partie, me qëllim që të ftillojnë me argumenta elektoratin që ta hedhë votën në kutinë e duhur, flasin e grinden me njëri-tjetrin, sikur të jenë militantë të flaktë partish. Në disa raste disa analistë e opinionistë, jo vetëm nuk sjellin asnjë argument në dobi të alternativës që përfaqësojnë partitë për të cilat diskutohet, por në shumë raste kalojnë në ofesë ndaj drejtuesve të partive që nuk i kanë për zemër dhe të ministrave të qeverisë Rama, duke u bërë të neveritshëm për shikuesit. Dihet tashmë se po dolën në ekran analistë si Lubonja, Gjekmarkaj, Bushati, Alibekaj, Bejtja, Shkullaku, do të pozicionohen hapur kundra PS, duke errësuar edhe punët e mira të saj. Madje disa përdorin edhe banalitete, apo ofendojnë pa dorashka, siç ishte rasti i Gjekmarkajt me kryeministrin Rama në një debat televiziv. Sado mangësi të ketë një kryeministër, anatemimi i tij nuk bëhet me vulgarizma mllefëse, por brenda limiteve të një etike e debati të kulturuar, një komunikimi të pranueshëm nga të gjithë, se në fund të fundit Edi Rama është përfaqësuesi i një populli dhe vendi, ku bën pjesë edhe analisti. Gjithashtu nëse janë pjestarë të panelit në debat, analistë të tillë, si Peza, Çupi, Bolino, Haxhiu, Yzeiri, e ndonjë tjetër, të cilët edhe pse në përgjithësi janë më argumentues dhe më të matur në ato që shtrojnë, kuptohet qartë se janë në mbrojtje të mazhorancës. Më objektivë janë në mendimet dhe argumentet që paraqesin në të gjitha debatet e organizuara në ekrane, analistët si Skënder Shkupi, Mentor Nazarko, Bedri Islami, Arian Visari, Dritan Hila e ndonjë tjetër. Detyra e analistit që del në ekran, nuk është pasioni i ethshëm për të mbrojtur partinë që është më afër bindjes së tij politike, por të shfaqë argumente në zbërthim të alternativës së partive politike që kanë marrë përsipër të qeverisin vendin duke bërë krahasime e ballafaqime të programeve të tyre, për të qenë sa më bindës për gjithë opinionin. Nëse analisti që ka marrë përsipër të mbrojë idetë demokratike dhe progresin e vërtetë të këtij vendi, të përcjellë tek shikuesi realitetin që jetojmë, duhet të jetë apartiak, i qetë, pa mllefe e pasione, në rast të kundërt të aderojë në partinë që dëshiron dhe të mbrojë atë me të gjitha format dhe mjetet që ka mundësi. Secili politikan që kërkon vota dhe çdo analist që përpiqet të imponohet me klithma çjerrëse, ta bëjë forcërisht të bardhën të zezë dhe të kundërtën, duhet ta ketë të qartë, se votuesit që jetojnë e punojnë në këtë vend, në pjesën më të madhe e kanë mbledhur mendjen se për secilën parti do ta shprehin preferencën e tyre, ndaj mos të lodhen shumë me llomotitje të tilla. Në shumicë votuesit shqiptarë janë të ndarë në të majtë dhe në të djathtë, janë të vendosur për alternativën që do të zgjedhin më 25 prill dhe nuk ua fërshëllen shumë komenteve dhe batutave që hedhin analistë e politikanë të ndryshëm në ekrane apo takime publike. Biles kur del ndonjë politikan e flet me bujë për suksese dhe arritje edhe aty ku nuk janë, apo ndonjë analist “i pavarur” që i bën elozhe e ngre në qiell vetëm një parti, populli që e jeton përditë këtë realitet me një nivel mirëqenie jo në lartësinë që duhej, i kthen shpinën me neveri dhe irritohet edhe më shumë ndaj tij. Në këto raste ai edhe nëse e ka menduar ta votojë politikanin në fjalë, kur dëgjon se ai ka hipur në “kalin e erës”, ndërron mendje. Kështu psh Kryemadhi bëhet më shumë irrituese, kur deklaron se partia e saj do të marrë 40 deputetë, në kohë që ajo po shkoqet përditë. Po kështu është vështirë të besohet Basha, se u qan sinqerisht hallin banorëve të dëmtuar nga tërmeti që kanë mbetur pa strehim, kur vetë ka disa vila. Por edhe ndonjë politikan i PS ka raste që nuk është objektiv në ata që thotë, kur mundohet t’i japë shkëlqim dhe ndonjë pune që mund të ishte bërë më mirë, nuk i shton asnjë vlerë PS, por bën efekt të kundërt në elektorat. Edhe vetë kryeministri Rama ka deklaruar që kjo mazhorancë ka bërë mjaft për vendin, por ka dhe gabime e ka vend për korrigjime, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë e përkushtimin për të bërë më shumë në mandatin e tretë. Shushatja pra për fitoren e partisë fituese në zgjedhjet e 25 prillit vjen jo vetëm nga mungesa e një oponence me alternative të opozitës, nga mosbesimi që ka ajo në pjesën më të madhe të elektoratit, por edhe nga disa mangësi e dobësi subjektive të qeverisjes së mazhorancës, të cilat mund të kapërcehen lehtë deri në ditën e zgjedhjeve. Shushatja vazhdon më shumë tek elektorati gri. “Ne jemi popull i çuditshëm-shprehet dikush,- e hedhim votën kuturu, pa ditur se pushtetari do të spekulojë me votën tonë”. “Ne nuk kemi kë të zgjedhim, janë të gjithë njësoj”, ankohet një tjetër. Por nuk është kështu. Natyrisht ka një pjesë elektorati të lëkundur, i pakënaqur si me mazhorancën ashtu dhe me opozitën dhe ky nuk është pak, ndaj në bindjen e tij duhet përqëndruar puna. Ndaj këtij elektorati indiferent, çdo parti duhet të jetë e kujdesshme, nëse kërkon t’i marrë votën. Ai përgjithësisht, është i zhgënjyer për këtë tranzicion të stërzgjatur 30-vjeçar dhe nuk mund t’i mbushet mendja kollaj që t’i shkojë pas si manare partive që mundohen ta joshin me slogane. Elektorati gri kërkon në radhë të parë që çdo parti që ëndërron të marrë pushtetin, të bëjë autokritikë për ç’ka bërë keq gjatë këtyre viteve, të godasë ashpër autorët e këtyre gabimeve dhe kërkon të bindet plotësisht se qeverisja e ardhshme do të vihet realisht në funksion të tij. Ky elektorat që nuk është mësuar të duartrokasë çdo fjalë që del nga goja e politikanit që pretendon pushtet, kërkon të bindet me fakte se cila parti është për drejtësinë e vërtetë, cila është për luftë pa kompromis kundër korrupsionit, kush nuk influencohet nga nepotizmi e mediokriteti dhe jep prova të sigurta nuk bie në kurthin e tenderimeve të pista. Elektorati shqiptar është shumë i zgjuar dhe nuk ka gabuar kurrë, asnjëherë në zgjedhjen e tij. Edhe këtë herë ai pret i qetë votimet e 25 prillit, me mendjen mbledhur top, i sigurtë që votën t’ia japë atij që e meriton. Siç tregojnë sondazhet që bazohen në rezultatet e arritura, PS do të jetë patjetër fituese edhe e këtyre zgjedhjeve. Jo thjesht se opozita e drejtuar nga Basha është shumë e dobët, por ka bërë mjaft punë e ka shtruar objektiva të arritshme për të ardhmen. Por duhet më shumë ekspozim i punëve konkrete që ka bërë, më shumë luftë kundër korrupsionit dhe më pak eufori, më shumë bashkëpunim të sinqertë midis strukturave të saj, duke mos shpresuar shumë nga rrjedhjet e ndotura që vinë nga partitë e tjera.