BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia e spitalit 'Shefqet Ndroqi' në Tiranë, policia jep detajet e para

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia
x

Opinion / Editorial

Si dikur bolshevikët, iu thoshin "kukulla të borgjezisë" menshevikëve!

Si dikur bolshevikët, iu thoshin "kukulla të

Partia Demokratike, shtypi i saj, janë në sulm të ashpër, kundër atyre që nga dikur pjesë e saj, tashmë tentojnë të dalin politikisht jashtë saj. As që më intereson si, pse, dhe nga, kjo histori politike, që në demokraci kurrë nuk mund të jetë moment linçimi politik dhe kërkesë drejt militantësh për linçim politik. Po sepse kur me titull të madh nxjerr fytyrat e një ish-lidershipi politik demokrat, i cili vepronte kur Lulëzim Basha "lodronte" dhe thua "kukullat e Ramës" do të thotë urdhër për sulm drejt tyre nga militantët. Mirëpo militantët dhe pse jo një pjesë e madhe e lidershipit politik të PD-së sot e pjesërisht dje nuk e kanë të qartë dhe as që kanë lexuar ndonjëherë se kush i ka praktikuar këto metoda në historinë, e cila polli pastaj dhe "shtetin bolshevik leninist për të kaluar te shteti Stalinist". Po pra atij, që imitoi dhe Enver Hoxha.

Kur u bë ndarja e madhe mes "bolshevikëve dhe menshevikëve" mbas 1908-ës, parulla që iu thuhej revolucionarëve apo militantëve të partisë për menshevikët (nga bolshevikët) ishte: janë kukulla të borgjezisë. Ata ishin bashkë dikur si socialdemokratë dhe luftuan me njëri-tjetrin deri në 1917-ën e më gjatë. U ndanë për parime dhe dallime të mëdha mes tyre. Menshevikët ishin për revolucionin borgjez, kurse bolshevikët për atë proletar. Menshevikët ishin për t’u përfaqësuar në dhomat e politikës, kurse bolshevikët për shkatërrimin dhe largimin nga ato. Menshevikët ishin për t’ia dhënë tokën fshatarit dhe shikimin e tapive, por drejt pronarit, lejimin e ekonomive private dhe karakterin kapitalist deri në fitore të socializmit, bolshevikët për pronën e shtetit dhe suprimimin e saj private. Bolshevikët ishin për partinë me revolucionarë profesionistë dhe idetë e proletariatit ideologjik si luftë klasash, kurse menshevikët për partinë e masave jo populiste ideologjike dhe ku mund të thuhet mendimi personal. Menshevikët morën fund dhe pse ishin shpesh herë (menshevik do të thotë pakicë) shumicë - që me Leninin, por sëbashku dhe me "tradhtarët" që nxorën nga gjiri i tyre bolshevikët, u shfarosën sëbashku përfundimisht në kohë të Stalinit. U sulmuan me militantë dhe "revolucionarët profesionistë", agjitatorë dhe provokatorë politikë, u trembën dhe u persekutuan, sepse bolshevikët kishin pikërisht këtë parim ideologjik dhe sundim të pushtetit, duke u larguar prej kohësh nga social demokracia dhe ngritur pastaj shtetin më shtypës dhe gjakpirës e gjakderdhës me jetëgjatësi të madhe në botë. Shuan pluralizmin, shkatërruan pronën dhe prishën në mënyrë përfundimtare sistemin social-demokraci në Rusi dhe ndërtuan BRSS që mori fund në vitet 1990-të. Sot shprehjen e "kukullës në duart e amerikanëve" e kanë drejtuesit e Koresë së Veriut për ata të Jugut. Po e ka bërë me shumicë Kim Il Sung dhe vazhdojnë pastaj i biri dhe nipi.

Mirëpo çfarë do të thotë ta realizojë këtë gjë PD-ja e Lulzim Bashës dhe shtypi politik i tyre? Mbas disa ngjarjeve të tilla në kohë të Berishës. Por pra për Topallin, Patozin, Murrizin, Hajdarin dhe shumë të tjerë mbas tyre si me ta dhe jashtë tyre. Po mjaftojnë të prononcohen jo pro Bashës dhe partisë së tij sot dhe... Hyn në lojë mekanizmi bolshevik i linçimit politik dhe eliminimit sigurisht politik si armik. Po sidomos mbasi "ideologu i madh" i surrelianëve Lali Eri të thoshte: Ata janë të përçarë në katër pesë parti. Po pra ju kujton një gjë që iu lëviz këtë mekanizëm "proletar bolshevik". Pse duhen shpallur "kukulla dhe pikërisht marioneta në duart e Ramës" demokratët, që tashmë ose janë nxjerrë jashtë nga partia e Bashës ose kanë ikur vetë, sepse kanë mendim ndryshe? Për më tepër të thirret në ndihmë militanti për linçim. Kjo gjë mund të ndodhë në Gjermani apo Austri apo dhe Itali bie fjala. Kjo nuk mund të ndodhë për disa arsye. E unë po mundohem ti rendis.

E para, në kohën moderne nuk mund të shpikësh më as tradhtarë as "kukulla", sepse as nuk është koha dhe as nuk është më fryma për të shpallur tradhtarë dhe kukulla nga që "teatër kukullash" është bërë e gjithë skena jonë politike. E një drejtor teatri kukullash, të ankohet kështu, do të thotë se ka përfunduar frekuentimi i teatrit të tij. E dyta, kanë kaluar mbi 100 vite nga përvoja e luftës mes bolshevikëve dhe menshevikëve dhe është kuptuar se është një marrëzi ideologjike që çon në stalinizëm dhe utopi materialiste dhe "komunizëm" që vret dhe vetë marksizmin. E treta, është turp të bashkosh njerëzit "si një grusht rreth partisë" me sulmet ndaj (ish) kolegëve, (ish) miqve dhe kontribuuesve akoma më shumë se sa ti, pse kanë ide dhe mendim ndryshe nga pikërisht ti. E katërta, mjaft me imitimin e jo vetëm bolshevikëve, por dhe folklorikëve në PPSH tonë që bashkoheshin kundër shokëve dhe miqve të tyre për hatër të Enverit duke i shpallur "kukulla të armiqve dhe spiunë të borgjezisë". Mjaft se të tilla gjëra janë të shëmtuara në kohën e sotme. Tregojnë se je frikacak, i paburrë, se nuk beson ato që thua, se nuk ke meritat që thua dhe se nuk je ai që thua. Mjaft me linçime mediatike dhe më tepër se sa kaq, deri kërcënime, sepse këto tregojnë se ke axhendë shumë të keqe. Një agjendë që do t’u tregojë militantëve se Jozefina dhe Astriti apo Rudina, etj. etj. - janë kukulla të Ramës kur ke në plan të mbarosh deri në fund paktin tënd me Ramën, të krijuar në maj të vitit 2017-të dhe që është shkatërrimi i demokracisë në Shqipëri. Po, me ndarjen e padrejtë të pushteteve, absolutizimin e tyre dhe mos funksionimin e pluralizmit në Shqipëri. Ky plan është realisht ogurzi dhe "fejtonet me kukulla që partia bën" e mbështesin fort atë. Një plan i keq, sepse akoma janë në dyshim te përllogaritjet që kanë bërë dhe plotësimin e grafikut të turpshëm që kanë përpara.