Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Si duhet gjykuar fenomeni Dritan Abazoviç?

Si duhet gjykuar fenomeni Dritan Abazoviç?

Përfundimi i zgjedhjeve në Mal të Zi dhe rrëzimi nga froni i Milo Gjukanoviçit vazhdon të komentohet akoma nga optika të ndryshme. Vëmendje të veçantë ka marrë po ashtu edhe lideri 34-vjeçar i Lëvizjes “Ura”, Dritan Abazoviç. Ai është përcaktuar si “kingmaker” për qeverisjen e ardhshme. Faktori shqiptar në të gjithë trevat duket se nuk ka qenë aspak dakord me diskursin e tij anti-Gjukanoviç me të cilin përpiqet të justifikojë gjithë aksionin e ndërmarrë. Duke e bërë më të brishtë pozitën e shqiptarëve dhe boshnjakëve atje dhe favorizuar dukshëm atë serbe. Kjo qasje e Abazoviçit përngjan me dy pika uji me thirrjet e dikurshme të aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm në tokën amë kundër autoritarizmit dhe pushtetit absolut të Berishës. Mundet ka një lloj idealizmi, euforie, naiviteti që për shkak të moshës së re dhe mungesës së përvojës injoron faktorët e tjerë relevantë. Abazoviç vazhdon të theksojë se prirja e Malit të Zi do mbetet europianiste dhe euroatlantike, pa zhbërë arritjet e deritanishme, përfshirë edhe njohjen e Kosovës. Ai konfirmon si kusht të panegociueshëm qeverinë e ekspertëve, duke lënë të kuptohet se ndryshimi i gjasave mund ta bëjë të rishikojë pozicionin e tij politik. Pra, përpiqet të krijojë imazhin e një shtetari të mirë, modern, ku shteti-komb vlen më shumë se çdo retorikë tjetër nacionaliste. Gjë që në optikën time në Ballkan dhe jo vetëm, mbetet utopi. Dhe ngjarjet e fundit greko-turke, pozicionimi i forcave të tjera aleate në përputhje me interesat imediate, është prova më e pakontestueshme. Por pas mëkatit kryesor, Dritanit me të drejtë i kujtojnë dhe atë fillestar: mohimin e origjinës shqiptare të Skënderbeut dhe mosvendosjes së bustit të Heroit në Ulqin, për arsye të “militarizmit” që përfaqëson. Kjo është sjellje tipike kozmopolite, e “qytetarit të botës” pa asnjë pikë reference apo historie me të shkuarën. Në këtë kontekst nuk duket aspak çudi ndryshimi i mbiemrit, shtimi i prapashtesës sllavo-ortodokse “viç”. Sa për tezën e origjinës joshqiptare të heroit tonë kombëtar, nuk është rrufe në qiell të hapur, pasi plot të tjerë nga nahija jonë, me petk analistësh, historianësh etj., i kanë mëshuar sa herë që u është dhënë rasti. Dhe shtesa në mbiemër (me detyrim apo me dëshirë) ka ndodhur rëndom gjatë gjithë historisë sonë, për interesa të çastit dhe për shkak të konotacionit të dobët fetar. Po ashtu edhe me emigrantët tanë në Greqi për shumë e shumë vite. Madje sot ka shumë syresh që në emër të racionalizmit apo modernizmit nuk po jua trashëgojnë gjuhën fëmijëve dhe kur vijnë këtej të kalojnë pushimet komunikojnë në helenishte apo italishte. Pra, kjo është prirje, tendencë, fenomen kombëtar që nuk zgjidhet me klithma, me sharje, me patetizma, por me vetëdijesim dhe strategji bashkërenduese. Dritan Abazoviç tek e fundit kërkoi falje për artikulimin për Skënderbeun dhe nuk duhet vënë asesi në cep të ringut. Ai s’mund të jetë as heroi dhe as tradhtari i momentit. Patriotizmi është shumatore e mendimeve, veprimeve dhe sjelljeve tona dhe jo një akt i veçuar, diçka statike, një dogmë.