BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Si ka mundësi, partia më e madhe ka "fobi" hapjen e sistemit?!

Si ka mundësi, partia më e madhe ka "fobi" hapjen e

Me që dje ishte dhe festa e rithemelimit apo ndryshimit për mirë të partisë së vetme që ka pothuaj tetë dekada jetë pa ndërprerje jetë efektive politike, kisha dhe pothuaj kam idenë se ajo duhet të ishte pjesa më e guximshme e ndryshimit të sistemeve drejt demokracisë në Shqipëri! Ajo pra që në fakt është trashëgimtarja zyrtare e PPSH-së (sepse të tjerat janë vajza ilegjitime ose ashtu sillen dhe që kryetari i sotëm i saj i thotë më e madhja dhe që unë jam dakord) dhe që nuk bën pikërisht ajo ndryshimin e të gjitha sistemeve që nuk anohen nga demokracia. Në fund të fundit, do të rregullonin plotësisht dhe "biografinë e mamasë" së tyre (ose të vetes si bijë e demokratizuar) dhe do t’iu mësonin motrave e sidomos PD-së, që demokracia vjen pse guxon! Ku e kam fjalën? Po meqë Murrizi dhe të vetët në Kuvendin e Shqipërisë morën iniciativën për ndryshimin e sistemit realisht dhe jo me "buzë të kuqe" si në ambasada, por dhe meqë vetë Rama është penduar disi nga marrëveshja dikur me Berishën, por dhe pse në fakt brenda për brenda PS-së ka shumë arsye që të mos vazhdohet me sistemin e mbyllur dhe e kam fjalën jo vetëm për listat por dhe sistemin vetë, atëherë pse mos të ishte vetë PS-ja që ndërmerrte apo pranon ndryshimin për mirë! Propozimi nga opozita kuvendore thelbësisht kërkon detajimin aktual kushtetues për konkurrimin rajonal me lista të mbyllura të hiqet nga Kushtetuta. Sistemi i propozuar prej tyre është ai proporcional me konkurrim rajonal. Amendamentet parashikojnë pragun 5% të votave të vlefshme, si kusht për përfshirjen në shpërndarjen e mandateve për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Po ashtu për shkak të modelit të sistemit të propozuar Kushtetuta duhet të parashikojë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, thonë ata. Duke dëgjuar Ramën kur thotë se: Po nuk ka ndonjë rëndësi të madhe lista e hapur apo e mbyllur, sepse sërish te kryetari do të kalojë, atëherë pse mos të bëhet ky hap kur - nuk paska kaq shumë ndryshim? Pastaj pse sot PS-ja ka kaq shumë nevojë për një mbyllje të tillë? Pse duhet një veprim kaq i ashpër (në dukje të parë) nën kontroll të individit që përzgjidhet nga partia që është normalisht më "modernia dhe që nuk ka bërë kurrë gabime kombëtare"? Pse mos të kishte propozimin ajo të një sistemi realisht demokratik, i cili të bënte të mundur si ndryshimin e konceptit mbi kontrollin e partisë ashpërisht dhe plotësisht nga lart dhe ndryshimin e një sistemi që është bërë në kohë realisht të dyshueshme dhe në dëm të demokracisë si në zgjedhje dhe në shtetëzim? Pse mos ta bëjë këtë hap përpara Partia Socialiste si më e madhja, më e guximshmja dhe më e reja në mendime sipas kryetarit të saj - bie fjala?! E sidomos për t’i treguar dhe "partneres" së saj politike ose PD-së, që ne e kemi seriozisht me demokracinë e brendshme dhe padyshim dhe demokracinë në zgjedhje. Pastaj ajo të bënte si të donte si ta pëlqente si mos ta pëlqente.

Mirëpo dhe pse flasin nëpër tavolina dhe pse e dinë që ky sistem është përgojuar tashmë dhe është provuar se funksionon kundër demokracisë dhe pro kryetarit (shumica e njerëzve nuk e duan), por që nuk e pyet kaq shumë vetë partinë, sërish nuk e marrin këtë iniciativë për ndryshim dhe të dalin sëpaku disa hapa përpara demokratëve. Ku e kanë hallin? Kanë frikë se po të bëjnë këtë gjë do të humbin?! Kanë frikë se duke hapur disi sistemin nuk do të kontrollojnë kandidimet dhe pastaj si pasojë partinë? Kanë hallin se kështu nuk mbajnë të tendosur njerëzit apo i bëjnë ato të interesuar për të bërë shifrat individi në dëm dhe të reputacionit të kryetarit të partisë!? Këtë kanë frikë!? Kur po kërkojnë mandatin e tretë do të ishte sa moderne dhe e drejtë. Si ka mundësi që një parti me tetë dekada jetë politike, si partia më e vjetër dhe jetë gjatë e trojeve shqiptare të ketë frikë lirinë dhe demokracinë brenda saj? Po pra dhe me "njeriun më kreativ" në krye dhe atë që kur e mori dhe kandidoi për kryetar i saj kishte idetë më të qarta se si mund të ishte një Parti Socialiste e demokratizuar dhe me sisteme të tilla në ligjësinë e saj politike. Mjafton të kujtojmë se ai ishte (Rama) që propozonte dikur dhe instalonte çadra në qytete ku PS-ja merrte mendimin e masës së majtë (edhe votimin) apo socialistëve për kryebashkiakët e saj apo dhe kryetarët e saj! Po pra këtë gjë donte atëherë Edi Rama. Biles kërkonte dhe vetë deklarimin e tyre në dhjetë pika që njerëzit të njihnin pikërisht kandidatin socialist për kryetar partie apo kryebashkiak. Nuk kishte propozim më të mirë dhe më të qartë politikisht në demokraci! Sot jemi me vite dritë larg nga Edi Rama i asaj kohe dhe nga PS-ja e asaj kohe. Por tashmë i provuan pushtetet dhe të gjitha pothuaj vetëm dhe pyetja shtrohet se pse nuk ndërmarrin hapin e duhur për çlirimin real të sistemit dhe të partisë më të madhe dhe më të demokratizuar që e quajnë veten! Pse pra pse? Nuk e ndërmarrin se kanë frikë se ju del partia dore dikujt lart? Apo se e kuptuan se kur partia është demokratike dhe zgjedhjet bëhen demokratike sundimi i "njëshit" apo dhe kryetarit apo lidershipit nuk është i garantuar? E duke qenë se nuk ka dhe parti të tjera kështu e sigurisht dhe ajo përballë si PD-ja apo LSI-ja janë dhe më keq, atëherë as që iu bëhet vonë për sisteme të hapura, që vota e njerëzve ka realisht vlerë. Por do ishte realisht një ëndërr e bukur! Ëndërr thashë - sepse jam i qartë se as që bëhet fjalë të bëjnë këtë hap cilësor dhe të drejtë përpara. Jo nuk mund dhe nuk do ta bëjnë dot kurrë, sa të kenë kushtin kryesor që është - vetëmjaftueshmëria e kryetarit të tyre! Po padyshim, që ky është dhe momenti që nuk ndryshon dhe që kështu do të vazhdojë dhe për disa vite më pas. Në mos shkoftë akoma më keq se sa sot.