BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

Si luftoi dhe ra Heroi i Popullit Mitro Xhani

Si luftoi dhe ra Heroi i Popullit Mitro Xhani

Sa nisa të shkruaj për këtë Hero, nuk munda të vazhdoj. Më mbuluan emocionet. Para syve m’u shfaq zëvendës komisari: shtrirë me atë trupin e bukur të “balenës”, siç kishte pseudonimin. Nga balli i rridhte gjak, që i zbriste në fytyrë. Sytë ende të hapur, si të ishte gjallë. Por e mora veten. Dhe në vend të dorës e të penës, po shkruaj me zemër, është zemër e një partizani, që pas dy javësh do të mbushte 17 vjeç.

24 korrik 1944 - Batalioni i dytë “Abaz Shehu” i Brigadës VI Sulmuese ishte në Damës të Tepelenës. Dy ditë më parë, Mitro Xhani me një skuadër në fshehtësi kishin bërë rikonjicionin për të çliruar Dukajn. Ishte vepruar sipas parimit: “Njihe armikun më parë se të të njohë ai ty”. Në bazë të këtij plani taktik të sulmit, u hartua formacioni i luftimit, pozicionet e nisjes, drejtimet për sulm dhe gjithçka tjetër për asgjësimin e armikut. Mitro Xhani, kishte thirrur mbledhjen e komunistëve e të kuadrove, të cilëve ndër të tjera u kishte thënë: “Shokë, në Dukaj dhe Salari kanë bërë fole vrasësit. A jeni gati t’u futemi në strofkë e t’i asgjësojmë këta banditë? Populli na thërret, fshatarët i kanë kthyer sytë nga ne dhe presin t’i shpëtojmë nga këta banditë”. Fjala e tij ndezi zjarr zemrat e luftëtarëve. Mbledhja e batalionit tregoi gatishmërinë e luftëtarëve. Atë mbrëmje Damsi gjëmonte nga këngët partizane. Ra boria, kënga ndërpritet. Mblidhet urgjent batalioni. Komandant Sefedin Meçe, bën thirrje për një skuadër vullnetare sulmuese për një luftim. Ngrenë dorën të gjithë partizanët! Atëherë komandanti cakton vetë 11 partizanë, djem të rinj. Në çast, skuadra pajiset me automatikë. Ra nata. Batalioni niset. Pararoja vrojton. Xhadeja kalohet kur nuk lëvizte ndonjë makine gjermane. Me një fshatar vendës kalohet vahu.: “Pushkët krahë-qafë. Në lumë dorë më dorë”. Grupe- grupe të gjithë në lumë dhe dolën përtej. Batalioni në rresht. Iu afrua Dukajës, ku gjermanë e ballistë kishin vranë 12 djem e burra, më i vogli Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Para nënës, nuses e fëmijëve morën lidhur dhe pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllanë e tij, Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan: i prenë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe i hodhën jashtë mureve të saj! Çfarë vandalësh! Por nëna dhe i ati, trima, e ngarkuan në kalë natën kufomën e djalit dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë, pranë vëllait tjetër dëshmor. Dy lulëkuqe në mjedis familjar. Krime si këto armiqtë do t’i paguanin shtrenjtë. Populli i këtij fshati i kërkoi Komandës së Brigadës VI të çlirohej nga këta armiq gjakpirës.

 25 korrik. Pa zbardhur mirë dita, fshati rrethohet. Një pjesë e armiqve ishin në pozicione të betonuara në kodrën shkëmbore. Partizanët zënë vend në kushte rrethanore. Skuadra sulmuese fare afër llogoreve të fortifikuara; Lufta fillon. Predhat e forcave partizanëve goditnin në frëngjitë e llogoreve të armikut. Këta e kishin vështirë të qëllonin nga frëngjitë, se u priste kokën automatiku i skuadrës. Hidhnin bomba përpjetë me hamendje. Zjarr nga të dy palët. Dara e rrethimit të armiqve ngushtohet. Teatri i luftimeve ashpërsohet. Skuadra sulmuese në vijën e parë të zjarrit dëgjon fyerje e sharje ndaj partizanëve. Apostol Çuni nga Piqerasi, me 6 bomba në gji, niset drejt pozicioneve armike nga ana e greminës, andej nga armiku nuk e priste. Hedh dy bomba në drejtim të mitralozit të rëndë gjerman dhe vret dy mitralierët. Merr mitralozin e armiqve dhe shtie kundër tyre. Armiqtë befasohen. Duke luftuar trimi partizan bie heroikisht. E gjetën shokët mbi mitraloz me dy nazistët e vrarë. Mitro Xhani niset nga vendi ku ishte dhe afrohet te skuadra sulmuese. Shtrihet barkas tri metra përballë llogores të armikut. Qëllon me automatik në frëngjinë e armiqve. Mbërrin Mehmet Karabolli, me një sasi granatash angleze. Balena merr një prej tyre, i heq siguresën dhe e vërviti mbi armiqtë. Llogorja u hodh në erë, armiqtë brenda saj u vranë. Por zhdukja e kësaj llogoreje bëri që të shfaqej trupi i Mitros. Në çast një armik tjetër mori shenjë dhe plumb i tij e zuri në ballë! Karabolli dhe dy sulmues i shkuan pranë. Ndërsa mendohej si do të njoftohej, shoqja e jetës së tij Athinaja mbërriti. E pa të shtrirë Balenën. E përmbajti veten. Pa lot në sy të grupit partizan dhe me kurajë tha: “Trimat nuk qahen, por këndohen”! Dhe nisi kënga: “Shokë të mbajmë dy minuta zi/ u vra Mitro Xhani nga Piqerasi”. Hodhi në krah automatikun e Mitros dhe vazhdoi me heroizëm luftën deri në çlirimin e plotë të atdheut. Me vrasjen e Balenës partizanëve u hipi gjaku në kokë. Shkëmbi u bë tym e flakë. Sulmi partizan arriti kulmin. Në sulm i gjithë batalioni. Frëngjitë pushuan. Armiqtë që mbetën gjallë, tërhiqen. Disa zbrisnin përroit për “të shpëtuar”, të tjerë dorëzoheshin. Oficeri i xhandarmërisë Isuf Dema me pesë kriminelë, mundën të largohen në Vlorë. Kështu veproi edhe komandanti i batalionit armik, major Dod Nikolla, i cili kur mësoi për asgjësimin e plotë të batalionit “Vermoshi”, u çmend dhe shkoi në komandën gjermane në Vlorë duke folur përçart: “Para partizanë”, 207...207”! (kaq ishte efektivi i armikut) Kodra shkëmbore u mor. U vranë 8 oficerë gjermanë, 35 xhandarë (midis tyre 5 ballistë). U kapën rob: 4 gjermanë (njëri marshall), 59 xhandarë, 4 italianë, 17 ballistë etj.. Robërit i kaluan gjyqit partizan. Të tjerë u lanë të lirë të shkonin në shtëpitë e tyre. Mitroja ishte atdhetar i vendosur. I kalitur si punëtor. Mbijetonte me punë të hamallit në Sarandë. Në 1942 ishte mobilizuar ushtar, por iku me gjithë armatim dhe shkoi në çetën e Pezës, nga ku u dërgua në zonën e Bregdetit, të Rrëzomës e të Kurveleshit. Në çdo detyrë politike e komanduese ishte treguar trim. Provën e fundit e dha shkëlqyer në Dukaj.

***

 Lufta e Dukajes ishte një nga aksionet e mëdha të Brigadës VI Sulmuese. Ranë në fushën e nderit 11 dëshmorë dhe u plagosën 11 të tjerë. Në orën 15.00, në sheshin para shkollës u zhvillua ceremonia e fitores dhe varrimi me nderime i dëshmorëve. Foli komisari i batalionit Heroi i ardhshëm i Popullit, Abdyl Hakiu. Dukaj u çlirua. Ai 25 korrik mbeti dita e çlirimit të këtij fshati. Ka shkruar për këtë biri i Dukajes, publicisti Selfo Allka. Dhe populli këndon: “Dyzet e katër seneja/ njëzet e pesë korriku/ lule Mitro komisari/ lule ti, zemër çeliku/ Ti kudo ishe i pari/ Ti i pari ndër të parë/ ngjite shkëmbin si azgan/ bir i varfër i bregdetit/ Mitro xhan, o trim i rrallë”.

*Pjesëmarrës në këtë aksion