BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Si ta shërojmë vetveten?!

Si ta shërojmë vetveten?!

Niçe apo filozofë të tjerë, vazhdimisht dhe kurdoherë kanë shkruar për rolin e rinisë në një shoqëri demokratike. Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëjë vend demokratik, ashtu si vendet e tjera perëndimore, por, akoma në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar, duke na lënë në një fazë ndërmjetëse që jemi mësuar ta quajmë tranzicion. Në Shqipëri, me të vërtetë u rrëzua rrëgjimi komunist këtu e dy dekada më parë, si dhe u ndërrua fytyra qeverisëse, por pak ndryshoi modeli, i cili edhe për dy dekada qëndroi i “vjetër” në formën e të vepruarit dhe të të qeverisurit. E për këtë fajtore është klasa politike shqiptare, çka vitet e fundit ka ndryshuar diskursi i drejtimit të institucioneve të shtetit, duke u emëruar në postet drejtuese të rinj me vizione për të ndryshuar disi busullën e shtrembër të deritanishme. Me këtë kanë ardhur edhe rezultate të mira, si në dogana, tatime, etj. Prandaj, krahas impenjimit me përkushtim në thellimin e reformave në vend, për të dalë nga tranzicioni, vendi ynë ka nevojë për një frymë të re, për një mentalitet të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po shkollohet duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë perëndimore. Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të japë ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur. Të rinjtë shqiptarë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, nuk duhet ta lënë fatin e atdheut në dorën e një klase politike të demoduar e jashtë mode, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese. Problemet e papunësisë janë sa sociale, aq komplekse, sa të pazgjidhura, aq me pasoja, kryesisht te të rinjtë, por edhe për të ardhmen e vendit. Papunësia shkakton zhvlerësimin e kapitalit human. Një papunësi e zgjatur, ul në mënyrë serioze vlerën e një investimi të kryer në kapitalin human. Rritja e papunësisë, sidomos te adoleshentët dhe të rinjtë, rrit kriminalitetin. Kostot sociale të papunësisë marrin edhe formën e uljes së autoritetit personal dhe keqësimin e shëndetit të papunëve. Sipas të dhënave, papunësia rezulton më problematike tek të rinjtë. Shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15-34 vjeç është mbi 30 për qind, duke u rritur nga viti në vit. Shkallës e papunësisë për personat me arsim të lartë rritet me rreth 2 për qind. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të lartë, se sa për personat me arsim bazë apo 8 dhe 9-vjeçar.

Shkak për të shkruar këto radhë, u bënë disa intervista të publikuara nga kandidatët për kryetarë bashkish në media, ku në pyetjet dhe përgjigjet e tyre, asnjë fjalë nuk thuhet as nuk përmendet rinia shqiptare, të rinjtë e të rejat që mbarojnë studimet dhe mbeten në mes të katër rrugëve, apo përfundojnë në kamarierë me një pagesë qesharake, e shumë syresh marrin udhët e botës. Në çdo vend demokratik, rinia është katalizator i zhvillimeve politike në të gjitha sferat shoqërore, e duhet kuptuar se forca vitale e saj nuk duhet cenuar. E cenueshmëria e forcës vitale të brezit të ri, përbën rrezik permanent në dobi të zhvillimeve negative që dëmtojnë shoqërinë në përgjithësi. Duke parë që shumica e shteteve në botë veprojnë me ligj në mbrojtje dhe zhvillim të kësaj shtrese në, shohim që zbatueshmëria e këtyre neneve është me rëndësi kombëtare dhe se prekja nga elementët negativë sanksionohen me ligj.

Ekonomitë e vendeve në zhvillim janë duke investuar në trajnimin e resurseve me të rëndësishme të tyre, pra në resurset njerëzore të rinisë shkollore dhe intelektuale. Ndërsa ne, shqiptarët në përgjithësi, në Shqipëri, Kosovë apo Maqedonia e Veriut, jemi ndër vendet e pakta që eksportojmë talente, ndërkohë që ne si vend me një ekonomi mjaft të paqëndrueshme, së paku talentet që janë shkolluar këtu apo në vendet perëndimore, duhet t’iu ofrojmë kushte të përshtatshme, duke përdorur politika të ndryshme punësimi, e jo të mbetemi indiferentë. Në asnjë program të tyre, kandidatët për drejtues vendorë, nuk posedojnë asnjë rresht për rininë, duke qëndruar pasivë ndaj fenomeneve të tilla. Ndonëse ka edhe disa arsye që resurset njerëzore të rinisë së shkolluar dhe edukuar në vend, nuk e kanë trajtimin dhe përkushtimin e duhur.

Ne jemi ndër vendet e pakta të demokracive perëndimore, ku rinia nuk ka asnjë lloj roli në vendimmarrje, si dhe nuk përbën forcën rinovuese të vendit dhe po tenton të largohet nga vendi. Të rinjtë që kanë studiuar duke investuar mundin e tyre, me sakrifica dhe vështirësi të shumta financiare, ku janë vlerësuar për vlera të larta intelektuale, me nivele të lakmueshme edhe në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit, nuk vlerësohen dhe përkrahen as nga shoqëria, as nga organizmat shtetërore.