Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Si t’i bashkohem thirrjes së presidentit për t’u rreshtuar nën armë?

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri. Një numër rendor në bashkësinë e madhe, popull edhe pse pakësuar në këto vitet e demokracisë. Jam një shifër, renditur në librin e madh të statistikës së gjendjes civile. Kam një adresë, një emër dhe aq. Pjesë e këtij populli, me të cilin kam të njëjtat zakone, një shtetësi, një fat, një gjak, një ndërgjegje kombëtare. I gatshëm t`i përgjigjem thirrjes së cilitdo që më fton të rreshtohem në mbrojtje të vendit tim. Të marr edhe unë pushkën në rast kushtrimi kur cënohen kufijtë e vendit. Të bashkohem me armatën e madhe të atyre që marrin përsipër të shpëtojnë qytetarët që rrezikohen nga përmbytjet apo fatkeqësi natyrore. Mjafton një zë i arsyeshëm, thirrje e sinqertë dhe jam gati të zë pozicionin tim në emër të atdheut dhe popullit. Për interes të popullit dhe të ardhmes për lumturinë e bashkëkombësve të mi. Për këtë i them “Po” presidentit! Si urdhëron, Komandantit të Përgjithshëm. Po kur më thërret për interesa pushteti nuk e dëgjoj! Në historinë e këtij populli, ka mijëra raste kur pa thirrje fare, vetëm në emër të ndërgjegjes, paprekshmërisë të cenimit të trojeve, shqiptarët janë çuar në këmbë i kanë vënë gjoksin armikut. Për këtë do derdhja gjakun e do jepja jetën edhe unë. Ky popull i është përgjigjur zërit të atdheut pa as më të voglin hezitim. Ky është shqiptari. Dhe unë veten e llogarisë mes këtij populli, pjesëz e tij. Po si mund të jem gati t’i përgjigjem thirrjes së presidentit, sa here inatoset apo hap një konflikt me qeverinë, Kuvendin, drejtësinë. Kur ai gjykon se shkelen interesa që nuk janë mbarëkombëtare po thjesht personale? E kam dëgjuar thirrjen për t`u armatosur nga goja e Ilir Metës dhjetëra herë. Nga Lezha, dy vjet më parë, presidenti na tronditi me kushtrimin, të armatoseshim për të mbrojtur votën. Thirrje për t’u ngritur kundër njëri-tjetrit. Të gjithë përballë grykës së pushkës. Reshtim me urdhër të presidentit, sepse ishte cenuar vota e LSI-së. Liria e votës. Kur e dëgjova këtë thirrje u drithërova. Mendova se zoti Meta nuk e kishte me gjithë mend. Ishte thjesht i ngarkuar. Si mundet të rreshtohesha unë, lsi-sti, pd-isti, agraristi, socialdemokrati, kundër vëllait tim socialist? A nuk jemi të gjithë kushërinj mendova dhe shansi për të rrëmbyer armët kundër njëri-tjetrit ishte zero? Si mund t`i zija pusi vëllait tim, vetëm se dikush, qoftë ai edhe i pari i këtij shteti, më kërkonte të rreshtohesha nën armë? Kjo ishte e pamundur! Në dreq të venin edhe ato vota, ai pushtet dhe kurrë nuk do pranoja të ngrija as gishtin pas një kushtrimi kundër vëllait tim, vlonjat, kuksian, durrsak, tiranas, shkodran, korçar, dibran. A nuk jemi shqiptarë të gjithë?! Thirrje në gjaknxehtësi e quajtëm të gjithë. Epo situatë zgjedhjesh dhe emocionesh, thamë dhe e kapërcyem. Po këto thirrje nuk mbetën këtu. Presidenti thirrje të tilla na bën shpesh, çdo javë në forma të ndryshme. Me ton të lartë. Me rreptësi. Me stil elokuent. Me simbolika ngjyrash e tingujsh. Natyrisht, jo me qetësi e dashuri. Sa herë gjendet ngushtë, presidenti i bën thirrje popullit për t’u rreshtuar nën armë. Koristët rreth tij na duan urgjent. Po kundër kujt do ngrihemi në shqiptarët o president? Cili është armiku që na ka mbërritur te porta? Kush na ka zënë shtegun e integrimit? Cilët janë mamuthët që na shkelin me putrat e korrupsionit? Cilët na bëjnë leksione e moral kundër oligarkëve dhe na qajnë hallin se jetojmë në varfëri, ne të varfërve? Supermilionerët?! Çudi! Presidenti Meta në këto dy vjet nga maja e piramidës shtetërore, ka bërë thirrje kundër arrogancës. Të jemi vigjilentë se po shkelet demokracia, të mbrojmë Kushtetutën. Dakord jemi me presidentin në ruajtje të sovranitetit të vendit. Po pse duhet të na kërcënojë sa herë nxehet e ndihet keq, se do bëjë Alenden. Do ndjekë Mic Sokolin e Vojo Kushin. Vërtet jemi në atë situatë dhe ne populli nuk e kuptojmë e nuk ngrihemi për të mbrojtur demokracinë e Kushtetutën kërcënuar nga qeveritarët, Kuvendi, KED, ndërkombëtarët që i përdor kryeministri, siç deklaron presidenti ynë? Të dëgjova. Popull jam edhe unë. U njoha me kushtrimin tuaj për t’u ngritur ashtu siç mësuam se do ngresh komision ndërkombëtar hetimor për ata që pengojnë krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Dakord për merakun tuaj. Po cili pengon? Se deri tani kemi parë shumë beteja anti reformë nga ana juaj, opozita dhe se kjo nuk është reformë, po Ramaformë, që përdoret rëndom nga ndihmësat e këshilltarët tuaj në mungesë kur ju jeni me shërbime shtetërore jashtë vendit. I dashur president! A nuk duhet ta dimë, ne populli juaj, si garant që të kemi, si ka mundësi që keni gjithnjë ju të drejtë dhe tërë të tjerët, kombëtarët e ndërkombëtarët e kanë gabim? Si ka mundësi sa herë merret një vendim i rëndësishëm, siç ishte edhe ai i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Kushtetueses, vendimmarrësit gabojnë kaq shumë? Ne populli që të rreshtohemi në betejat presidenciale, duke qenë larg vendimmarrjeve, të pakualifikuar për të njohur labirintet e ligjit e Kushtetutës nuk na mbushet mendjen se u gabua kur e para e listës së KED u shpall anëtare e Kushtetueses pasi ju brenda 30 ditëve nuk bëtë propozimin sipas ligjit?! Kur dekretuat e nisët nga fundi i listës. Me numrin katër, zonjën Xhaferllari, e cila ka vite që ka dalë nga sistemi i drejtësisë pasi është aktivizuar në institucione ekzekutive. Ju i kishit të gjitha mundësitë të zgjidhnit njërin nga tre të rreshtuarit në listë. Pse të bënit kapërcim katër shkallë me një hap? Dhe kështu anëtari i ri i gjykatës sot do ishte funksional. Do na kursenit një histeri deklaratash nga të gjitha palët. Me sa duket, tre emrat e parë nuk ta mbushën mendjen. Nuk ishin të ngjyrimit që parapëlqen. E konsideruat proces delegjitim. Vetëm se Marsida nuk ishte në krye të listës, si e shquar, siç e cilësuat ju dhe i është ngrënë haku prej bashkëjetuesit të saj. Me këtë lëmsh u bë identik si me 30 qershorin me zgjedhjet e pushtetit lokal, ku me dekretet u bë loja ngriva –shkriva. Asnjëri nga ne populli nuk kuptojmë ku qëndron faji i Kuvendit, qeverisë dhe KED që të ngrihemi. A vërtet duhet paditur Zoti Dvorani, vetëm se Xhaferllari nuk u ngjit në vend të parë? Nëse me informacionet tuaja keni dijeni se është luajtur ndonjë lojë e madhe keqdashëse, ujë të zi t`i nxirrni të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin. Po u bënë shumë konflikte dhe ngërçe, të cilat në vend ti zgjidhni, po i korkolepsni e zmadhoni gjithnjë e më shumë. Të gjitha kanë për frikë Presidencën. Ne populli nuk ta kemi borxh të torturohemi. Një ditë na hidh një bombë me Alende. Të nesërmen mosdekretim ministrash. Ditën tjetër zhdekretime. Kthim ligjesh serial. Etiketohemi mafiozë. Pa asnjë etikë funksionar kushtetues noterizohen rrugaçë. Ngrihet një stuhi e tërë kundër gjithë ambasadorëve. Etiketohen të përdorur amerikanët nga Rama. Deri sa të kthjellohemi dhe të dimë thelbin e asaj që po ndodh në vendin tonë, në këtë rrumpallë demokraci, të kuptojmë lojën presidenciale dhe të ndajmë të mirën, të mirin nga e keqja e i keqi, mos na bëj thirrje për t’u reshtuar në beteja pasi nuk është lufta jonë. Është kauzë e juaja. Kurrë nuk do pranonim t`iu përgjigjeshim thirrjeve që nuk na drejtojnë nga vëllazërimi dhe harmonia, progresi dhe demokracia. Do i bojkotojmë këto thirrje. Nuk do pranojmë kurrë të rreshtohemi për t’u vetësakrifikuar për interesa pushtetarësh i nderuari president! 

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të publikut", por dhe të dashur, përdorur sigurisht për mirë, të depërtuar dhe ngritur në skenë të famshme, që kanë në

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon

Postuar: 11/12/2019 - 07:09

Shumë shpesh duken nga Gjermania si LVV dhe LDK në momentin kur akoma nuk gjejnë dot një pikë të

Postuar: 11/12/2019 - 07:08

E hëna e 9 dhjetorit ishte pushim, pas së dielës që ishte festë kombëtare, Dita e Rinisë.

Postuar: 11/12/2019 - 07:07

Solidariteti si një produkt shoqëror, lind, rritet e zhvillohet në shoqëritë e emancipuara.