BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Siguria njerëzore dhe të drejtat e njeriut në kohën e pandemisë

Siguria njerëzore dhe të drejtat e njeriut në kohën e

Siguria njerëzore është e lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut. Koncepti i sigurisë njerëzore është zhvilluar si rezultat i kërkesave të kohës dhe zhvillimeve shoqërore, me qëllim që individi të ndihet sa më i sigurt përballë rreziqeve dhe kërcënimeve ndaj jetës dhe të ardhmes së tij.

Në vitin 1994, OKB-ja, me Programin Zhvillues të Kombeve të Bashkuara, synoi të ndryshojë konceptin e sigurisë, duke mos e interpretuar atë thjesht si siguri territoriale, kombëtare, apo globale, por duke e zgjeruar me fokus sigurinë njerëzore, duke përfshirë shtatë komponentë të saj: siguria ekonomike, ushqimore, shëndetësore, e mjedisit, personale, komunitare, politike.

Sot, siguria njerëzore kërcënohet nga terrorizmi, droga, sëmundjet infektive, emigracioni klandestin etj. Rreziqet dhe kërcënimet që mund të ekzistojnë brenda një shteti, kanë pasoja të drejtpërdrejta në nivel lokal, rajonal dhe global. Pandemia e koronavirusit rrezikoi stabilitetin dhe sigurinë e shumë shteteve. Mbizotërimi dhe përhapja e kësaj sëmundjeje ndikoi në uljen e sigurisë, duke minuar kushtet sociale dhe ekonomike, gjë e cila rrjedhimisht rrit paqëndrueshmërinë, krimin, dhunën në familje, protestat dhe tronditjen e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Zhvillimi i konceptit të sigurisë njerëzore ka bërë që të qartësohet dallimi ndërmjet sigurisë dhe të drejtave të njeriut. Koncepti i sigurisë njerëzore është një koncept i ri, i pas Luftës së Ftohtë, i zhvilluar si rezultat i proceseve politike, ekonomike dhe sociale, synimi i të cilit kryesisht është të përmirësojë funksionet e shtetit për sigurinë e individit. Siguria njerëzore konceptohet si reagim ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve që mund t’i vijnë individit, të cilave duhet t’u bëjë ballë shteti, i cili ka përgjegjësinë e mbrojtjes së shtetasve të vet.

Siguria njerëzore legjitimon përgjegjësinë morale, detyrimin dhe angazhimin e shtetit/shteteve për jetë dhe të ardhme të sigurt të individit. Siguri nuk do të thotë mungesë kërcënimi, por mbrojtje kundër një kërcënimi.

E ndërsa sa më shumë drejt globalizmit të shkojë njerëzimi, aq më të ndjeshme, të prekshme dhe lehtësisht të zbatueshme bëhen të drejtat e njeriut, siguria njerëzore dhe sidomos komponentë të veçantë të saj si siguria sociale, shëndetësore, e mjedisit, ekonomike, kërcënohen nga prirja globale.

Ka patur dhe ka diskutime dhe debate të shumta teorike për raportin midis sigurisë njerëzore dhe të drejtave të njeriu, debate që u shtuan në rastin konkret të sëmundjes së koronavirusit, kësaj pandemie të pazakonshme e tejet sfiduese.

Pandemia e jashtëzakonshme që u shfaq agresivisht në planetin tonë, krahas shumë rreziqeve, problematikave, sfidave dhe të panjohurave të saj, nxori në pah disa tendenca për shkelje të të drejtave të njeriut, në emër të sigurisë, si dhe prirjen e shumë liderëve të shteteve të ndryshme për të shfrytëzuar këtë situatë në interes të tyre, për autoritarizëm.

Në kohën e një pandemie, detyra për të mbrojtur jetën i detyron shtetet të marrin masa të përshtatshme për të hequr kërcënimet për jetën, siç është "virusi". Në këtë këndvështrim, reagimi i shteteve ndaj koronavirusit ka konsistuar kryesisht në masa kufizuese, si mbyllja e veprimtarive tregtare jo thelbësore, bllokimi i popullatës, ndalimi i tubimeve, distancimi shoqëror e fizik, por edhe kriminalizimi i përhapjes së informacionit mashtrues në lidhje me virusin. Nëse këto masa kishin për qëllim të ndalojnë përhapjen e virusit, ato gjithashtu kufizuan ashpër disa të drejta dhe liri që njerëzit janë mësuar t'i kenë, i marri si të mirëqena dhe që i kanë fituar me shumë mundim përgjatë shekujsh. Masa të tilla cënojnë lirinë e lëvizjes, lirinë e tubimit, të drejtën e lirisë personale dhe, në disa rrethana, lirinë e shprehjes dhe shtypit.

Sigurisht, kur vlerat bien ndesh, shtetet vihen para një detyre të vështirë për të zgjedhur se çfarë duhet të mbrohet dhe çfarë të sakrifikohet, por kjo duhet bërë duke u mbështetur në referenca konkrete ligjore, sepse qeveritë nuk mund të veprojnë sipas dëshirave të tyre. E Drejta Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut synon të sigurojë që të drejtat themelore të individëve respektohen dhe janë të garantuara ndaj veprimeve të shteteve në çdo kohë. Megjithatë, sipas traktateve mbi të drejtat e njeriut, shtetet janë të autorizuar të kufizojnë disa të drejta dhe liri në emër të imperativave sociale, përkatësisht rendit publik, shëndetit, moralit dhe sigurisë kombëtare. Por në të njëjtën kohë, ekzistojnë garanci specifike për të siguruar që kufizime të tilla të jenë në përputhje me të drejtat e njeriut. Qeveritë e shteteve duhet të sigurojnë që çdo masë urgjente të jetë ligjore, proporcionale, e nevojshme dhe jo-diskriminuese, dhe të ketë një kohëzgjatje specifike që të ndihmojë për të mbrojtur shëndetin publik, por me një kosto sa më të ulët për të drejtat e njeriut.

Reagimi në mënyrë efektive ndaj epidemisë aktuale për të ruajtur jetën është përgjegjësi kryesore e shtetit ndaj njerëzve të vet. Në këtë kuptim, masat shtrënguese të miratuara në shumë shtete për të kufizuar të drejtat, me qëllimin e eliminimit të rrezikut të virusit, nuk janë në vetvete të paligjshme. Megjithatë, ligjshmëria e tyre varet përfundimisht nga mënyra se si shteti i ushtron të drejtat e veta, për të kufizuar të drejtat e njeriut në praktikë.

Së pari, vetë shtetet duhet të veprojnë si aktorë përgjegjës brenda kufijve të ligjit, kur vendosin të kufizojnë disa të drejta dhe liri. Së dyti, mekanizmat e krijuar në nivel ndërkombëtar, për të mbikëqyrur dhe garantuar të drejtat që gëzojnë individët nga aktet e brendshme dhe ndërkombëtare duhet të veprojnë në kohën e duhur dhe në mënyrë efektive për të siguruar që garancitë respektohen dhe se shtetet nuk abuzojnë me prerogativat e tyre. Diskrecioni i shteteve për t'iu përgjigjur urgjencave duke pezulluar segmente të caktuara të të drejtave të njeriut, nuk duhet të shërbejë si pretekst për të ndjekur qëllime të tjera jolegjitime.

Udhëheqës të shumë shteteve përdorën koronavirusin për të shkelur të drejtat e njeriut. Shumë vende deklaruan gjendje të jashtëzakonshme dhe pati raporte në rritje të abuzimeve të të drejtave të njeriut në të gjithë globin. Disa udhëheqës shtetesh përfituan nga virusi për të goditur civilët në mënyra që nuk ishin parë më parë. Shumë qeveri nuk ishin transparente ndaj informacioneve rreth virusit. Për shumë shtete të botës që ende kanë probleme me luftën, trazirat civile, krizën e migracionit dhe katastrofat e tjera, pandemia Covid-19 e vështirësoi gjendjen.

Qeveria kineze injoroi realitetin. Mosrespektimi i paralajmërimeve të mjekëve të tyre i dha Covid-19 një fillim shkatërrimtar tre-javor, ndërsa miliona udhëtarë hynë e dolën nga Wuhan dhe virusi u përhap në Kinë dhe në mbarë botën. Qeveria kineze po i vendos qëllimet e saj politike mbi shëndetin publik dhe nuk lejon verifikim të pavarur. Në Tajlandë, Kamboxhia, Venezuelë, Bangladesh dhe Turqi, qeveritë kanë ndaluar gazetarët, aktivistët e opozitës, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe këdo tjetër që guxon të kritikojë përgjigjen zyrtare ndaj koronavirusit. Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, minimizoi me javë kërcënimin e koronavirusit, me sa duket për të shmangur dëmtimin e industrisë turistike të Egjiptit. Disa qeveri po marrin frymë lehtësisht, për arsye se koronavirusi është një arsye e përshtatshme për të kufizuar demonstrimet politike. Qeveria ruse ka ndaluar madje edhe protestat me një person të vetëm. Qeveri të tjera janë duke përdorur koronavirusin për të intensifikuar mbikëqyrjen dixhitale. Qeveria e Izraelit ka përdorur koronavirusin për të autorizuar agjencinë e saj të brendshme të sigurisë, për të përdorur sasi të mëdha të të dhënave për përcaktimin e vendndodhjes së izraelitëve të zakonshëm nga celularët.

 

Mund të jetë e vështirë të ketë kthim prapa nga këto mënyra edhe pasi kriza të zbehet. Prandaj, opinioni publik duhet të jetë i kujdesshëm ndaj drejtuesve që shfrytëzojnë këtë krizë për t'i shërbyer qëllimeve të tyre politike, sepse mund të ketë pasoja të rënda për demokracinë. Ajo që u vu re, gjatë kësaj pandemie është dhe përdorimi i terminologjisë ushtarake në përkufizimin e saj. Përkufizimi i pandemisë si një luftë, me beteja dhe sakrifica, provokon emocione të panevojshme dhe rrit nivelin e ankthit tek opinioni publik dhe veçanërisht te të prekurit nga ky virus. Mendoj që përdorimi i kësaj terminologjie ka disa arsye. Një arsye është të fitohet bashkëpunim në shkallë të gjerë nga publiku, për të siguruar që ai ka kujdesin e duhur dhe është i frikësuar siç duhet nga kërcënimi i virusit. Vetë autoritetet ishin të frikësuara se përshkallëzimi i pandemisë mund të arrinte në ato përmasa, që të kolapsonte jo vetëm sistemin shëndetësor të vendit, por edhe të gjithë vendin. Një arsye tjetër është të sigurohet pranimi nga publiku i ndryshimeve ligjore për efekt të kësaj situate, sa më shpejt që të jetë e mundur. Një arsye tjetër janë qëndrimet autoritare të drejtuesve të ndryshëm.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, në një deklaratë të tij në lidhje me situatën e pandemisë, kundërshtoi pikëpamjet e disa udhëheqësve të tjerë, duke thënë se pandemia nuk është një luftë. "Jo, kjo pandemi nuk është një luftë. Kombet nuk janë kundër kombeve të tjerë dhe as ushtarët kundër ushtarëve të tjerë. Ishte një provë e njerëzimit."

Gjatë kësaj pandemie, ajo që lehtësisht mund të vërtetohet, është se shtresat më të rrezikuara janë shtresat e varfra, me probleme ekonomike dhe sociale. Ky është një problem jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende të zhvilluara. Ndër kategoritë më të rrezikuara në vendin tonë kanë qenë punonjësit e sistemit fason dhe të call center, të cilat konsiderohen si sisteme me kushte jo të mira pune dhe paga të ulta. Në nivel global, komunitetet e goditura më shumë nga pandemia janë ato komunitete që janë më të diskriminuar dhe me fuqi më të vogla politike. Ndikimet e virusit zbulojnë gjithashtu pabarazitë e thella në pagat, punën, aksesin e kujdesit shëndetësor dhe një sërë mbrojtjesh sociale. Zgjidhjet që shumë njerëz i konsiderojnë si të mirëqena, si qëndrimi në shtëpi, distanca sociale, larja e duarve etj, janë të pamundura për individët që duhet të vazhdojnë të punojnë, për ata që nuk kanë kushte të përshtatshme jetese.

Siguria shëndetësore, si një nga shtatë përbërësit e sigurisë njerëzore synon të garantojë një minimum të domosdoshëm mbrojtjeje nga sëmundjet, veçanërisht nga ato infektive, epidemike dhe të kushteve të këqija të jetesës. Institucionet shtetërore kanë përgjegjësi për të garantuar trajtim mjekësor sipas nevojës. Injorimi, ose refuzimi i këtij shërbimi, qoftë edhe ndaj një qytetari të vetëm, mund të jetë me pasoja fatale edhe për sigurinë kombëtare. Një shembull domethënës për këtë është dhe përqendrimi i vëmendjes te koronavirusi, duke neglizhuar nevojat e tjera shëndetësore të njerëzve.

Kjo pandemi parashtron nevojën e rivlerësimit të konceptit të sigurisë njerëzore, të rivlerësimit të kërcënimeve për mbijetesën tonë dhe të përdorimit me efikasitet të burimeve njerëzore e të buxheteve të sigurisë.

Ajo që mund të thuhet paraprakisht është se në vendin tonë po përballohet me sukses, për arsye të masave paraprake të marra nga autoritetet, kujdesit të popullsisë, masave afatgjata të imunizimit, përkushtimit të profesionistëve etj.

Për mënyrën se si shteti mbron qytetarët e vet nga rreziqet dhe kërcënimet, ai jo vetëm që duhet të ketë përgjegjësinë ligjore për të dhënë llogari para qytetarëve të vet, por edhe duhet të përmirësojë kulturën e transparencës dhe të llogaridhënies të të gjithë shoqërisë. E rëndësishme në këtë drejtim është përmirësimi i kulturës së qytetarëve të thjeshtë, të profesionistëve dhe vendimmarrësve, në mbajtjen e qëndrimeve dhe marrjen e vendimeve për situata të ndryshme kur vihet në diskutim siguria, se prirja është që në qendër duhet të vendoset siguria e njeriut, pa neglizhuar në asnjë rast liritë e tij themelore.

Është detyrë e shtetit të analizojë, të vlerësojë dhe të konsiderojë si kërcënime serioze për sigurinë e tij: varfërinë, degradimin e mjedisit dhe sëmundjet infektive, duke investuar për to me burime efikase njerëzore dhe financiare.

Në kuadrin e shfaqjes së problematikave të reja, shpesh të panjohura dhe të paparashikuara, është e nevojshme të bëhen përpjekje të vazhdueshme për ridimensionimin e problemeve të sigurisë, sidomos për specifikime lidhur me: Cilat vlera të mbrohen? Nga cilat kërcënime? Mbi çfarë qëllimi? Me çfarë kostoje?

Pandemia e Covid -19 shkaktoi kaos dhe kolaps edhe në vende të zhvilluara, me ekonomi të fuqishme dhe sistem shëndetësor të përparuar. Diskutohet për një valë të dytë apo të tretë të pandemisë. Sëmundje të tjera infektive mund të kërcënojnë njerëzimin. Përvoja dhe mësimet e nxjerra nga kjo pandemi duhet të shërbejnë që një situatë e tillë potenciale në të ardhmen të jetë sa më pak emergjente. E rëndësishme për këtë, ndër të tjera, është vlerësimi dhe respektimi i komuniteteve të profesionistëve e në rastin konkret i atyre më të nderuarve, bluzave të bardha.  

* Pedagoge e të Drejtës Ndërkombëtare