BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Sikur, jo vetëm disa me fytyrë njeriu, të mësonin më shumë nga kafshët!

Sikur, jo vetëm disa me fytyrë njeriu, të mësonin më

A meritojnë kafshët, më shumë “shpërblim” nga ana morale? Pse njeriut i jepet e drejta që për atë të llojit të tij që kryen veprime të jashtëligjshme të fyejë “ik more kafshë”! Po sikur edhe kafshët, të kishin mendje dhe gojë, a kanë të drejtë që për ndonjë kolegen/un e tyre që shkel moralin ta poshtëronin me shprehjen “ik more njeri”? Le të jem unë i gabuar, por do ta argumentoj që kafshët, kanë shumë herë më shumë të drejtë t’u drejtohen “kolegëve” të tyre me këtë ofendim, kurse njeriu, nuk ka asnjë të drejtë që t’i drejtohet atyre që shkelin etikën, sjelljen etj. etj. me shprehjen “ik more kafshë”, sepse kafsha, pavarësisht që nuk ka logjikën e njeriut, as ka kryer e as ka ndërmend të kryejë ato veprime antinjerëzore, antihumane që kryejnë shumë njerëz e që nuk i përmban asnjë “qitap”. Njeriu dhe kafsha, kanë shumë të përbashkëta, por edhe të veçanta. Mbi të gjitha, të dy janë qenie frymore dhe janë në shërbim të njëri-tjetrit. Por kanë edhe të veçanta, që asnjëri prej tyre, nuk mund të kryejë ato të tjetrës. Njeriu arsyeton dhe logjikon sepse ka të zhvilluar në shkallën më të lartë trurin, atë që kafsha nuk e ka. Njeriu mendon me anën e trurit, i cili ky, si forma më e lartë e “kuvendit” ku merret çdo vendim, i “komandon” të themi të gjitha organet “vartëse të trupit, të cilat këto janë të gjitha nën “komandën e trurit”! Truri, me një shpejtësi të çuditshme, merr “vendime” të menjëhershme në çdo rast, qofshin këto të rëndësishme apo fare të papërfillshme, ama çdo gjë do të kalojë nëpërmjet tij, i cili është vetë “Zoti” për trupin e njeriut. Truri, i jep “komandë” gojës që të shprehi atë ç’ka ka formuluar ai dhe jo vetëm të hajë, që edhe ky akt, nuk mund të kryhet pa i dhënë “komandë” truri. Truri, gjithashtu, i jep “komandë” duarve dhe këmbëve që edhe ato të veprojnë sipas “udhëzimeve” të tij, e gjithçka, çdo organi sipas funksioneve që ato kanë në brendësi të trupit apo në sipërfaqe të tij. Kjo është mëse e qartë. Po kafsha? Ah kafsha. Përveç shumë të mirave ajo nuk i ka ato “privilegje” që ka njeriu. Kafsha, mbi të gjitha nuk ka të zhvilluar trurin në atë shkallë si e ka njeriu, por e ka të themi me veprime të kufizuara. Mbi të gjitha, kafshës, Zoti, nuk i ka dhënë atë që të arsyetojë me anën e trurit, apo të shprehi me gojë atë që mendon. Pra kafsha, nuk ka gojë për të folur, por e ka atë vetëm për të ngrënë. Në këtë kuptim edhe ajo, atë “komandë” që i jep truri, e shpreh me anën e organeve të tjera si p. sh. me anën e kokës, me anën e këmbëve, apo e shpreh në mënyrë që njeriu ta kuptojë si p.sh. të mos veprojë si i thotë njeriu, apo i Zoti, kur ajo e sheh të arsyeshme, të egërsohet apo të gëzohet sipas mënyrës së saj. Njeriu, sipas nevojave të tij, e ther kafshën për konsum mishi, që kafsha një “privilegj” të tillë nuk e ka, as mund ta “theri” njeriun me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë kur njeriu ia bën “borxh” si ndonjë qeni apo ndonjë kafshë tjetër që megjithëse ka shumë tru, por nuk mendon pasojat dhe e hedh njeriun nga samari poshtë dhe më pas, i thotë “plaç” apo bëhet “pishman”! Nejse, kështu është “kurdisur” dhe kështu e ka lënë i pari. Këto, janë gjëra që dihen tashmë, por kam mendimin dhe më është krijuar bindja për të thelluar më tej atë ç’ka thotë shkrimtari i madh Jack London: “Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë e dua qenin tim”! Këtu do të ndalem. Mendoj që edhe kafshët e tjera, përveç qenit dhe maces të cilët gëzojnë ndoshta edhe më shumë kujdes nga sa meritojnë deri sa edhe të bëhen pjestarë të familjes duke fituar edhe zemrën e njeriut sidomos të grave dhe vajzave. Po pse kafshët e tjera të mos kenë të drejta më shumë, siç janë kali, kjo kafshë engjëllore, dhia, delja, gomari e sa e sa të tjera, ndoshta jo për t’i bërë pjestarë të familjes, por kujdesin që ata meritojnë. Nëqoftëse qeni, përveç shërbimit që na bën si roje besnike edhe kafshët e tjera, nuk kanë vlera më pak se ai sepse na japin mishin, qumështin, gjalpin, djathin, leshin, lëkurët etj. etj. etj. etj. Përveç këtyre të mirave materiale që kafshët na japin, hallin më të madh e kam tek shpërblimi nga ana morale e tyre, duke mos menduar asnjëherë që ato nuk e kuptojnë, e kuptojnë që ç’ke me të, por nuk mund ta shprehin me gojë atë ç’ka meritojnë ata për njeriun edhe kur ai i shërben atyre edhe kur i përçmon apo më keq akoma i godet duke menduar “Hë mo se kafshë është”! Nuk besoj të ketë njeri në këtë botë që të mos i shohë e dëgjojë sakrificat e mëdha që bën kafsha për pjellat e saj dhe jo vetëm për të sajat, por edhe të një gjaku tjetër. Qindra km bëjnë pinguinët duke i mbajtur të vegjlit mbi vete, e mbulojnë pjellën e tyre me trupin e vet për ta ruajtur nga grabitqarët, luftojnë me thonj e sqep shpendët duke sakrifikuar edhe jetën e tyre përpara grabitqarëve, e kanë tërë “botën” pranë kur kanë edhe të voglin pas vetes. Nuk ia vlen të zgjatemi për këtë. Në rastin e njeriut, kur përmend kafshën si “antihumane”, bën një gabim fatal dhe në këtë rast na vjen në ndihmë ajo që Zoti, nuk u dha atyre përveç gojës edhe dëgjimin që edhe këtë, ata e kanë sepse veshë kanë, por nuk mund ta shprehin... Insistoj gjithmonë tek “shpërblimi” që duhet t’i japim atyre nga ana morale. Ashtu si theksuam më lart, njeriu ka disa privilegje më shumë se kafshët, jo nga shqisat, sepse këto Zoti ia ka dhënë të gjitha kafshëve, por nuk e kanë logjikën. Duke përfituar nga kjo mungesë e tyre, njerëzit spekulojnë. Po si spekulojnë? Ja, të shohim. Sapo hap sytë në mëngjes, njerëzit e të gjitha moshave, shikojnë dëgjojnë dhe shqetësohen për “bëmat” që bën njeriu. Dëgjon dhe shikon këto media që na i shpifën dhe na i “mërzitën” jetën me hajdutë, vrasës, kriminelë, aksidente, drogaxhinj, tritol, djegie makinash dhe banesash, përdhunime, trafikime, mashtrime, e ç’të them unë. Nga të tëra “bëmat” dhe “markat” e njerëzve dëgjojmë dhe ajo ç’ka nuk dëgjojmë e nuk shohim janë ndonjë bamirësi, ndonjë punë e mirë etj. etj. Të gjitha këto, të kuptohemi, i bëjnë ata që Zoti i ka dhënë mendjen të logjikojnë e të arsyetojnë, të maten për çdo gjë e të bëjnë punë të mira, të ndihmojnë njëri-tjetrin e ta duan dhe jo edhe kur e pyet për diçka, qoftë edhe mjek, të sheh si egërsirë pylli, të cilat këto, kanë shumë ngjashmëri me shumë njerëz dhe jo si kafshë e butë e humane. Zoti, thonë që nuk t’i jep të tëra të mirat, por nuk t’i jep as tërë të këqijat. Ja p.sh. nga sa thamë deri tani, njerëzve Zoti u bëri “pilaf” një virus që ka çorroditur tërë njerëzimin, por që këtë të keqe të madhe, nuk ua ka dhënë kafshëve, të cilat nuk “shqetësohen” ashtu si njeriu orë e çast, qysh nga mëngjesi e deri në darkë, bile edhe në gjumë flenë “të trembur” nga shqetësimet që kanë, që i dalin edhe në ëndërr. Kafshët, nuk shqetësohen, jo nga ajo që në ahur, nuk kanë televizor, sepse edhe po të kishin, nuk do ia hidhnin sytë e ca më pak të merrnin vesh se çfarë broçkullisin folësit, moderatorët, pa i zënë në gojë ca emisione si “Përputhen”, “Shiko kush luan” që na i tromaksën edhe zorrët e barkut edhe ne njerëzve. Kafshët, po t’i kuptonin ato, do të ishin hedhur nga gardhi e do të kishin shkuar në mal. Tërë ditën e tërë natën, këta moderatorë e gazetarë që shkruajnë nëpër gazeta sipas oreksit të shefave të partive, u lëpihen aq shumë atyre, saqë të mos kujtosh kurrë të shohësh e të dëgjosh televizor e të lexosh gazeta. I përsëritin e ripërsëritin të njëjtat “bëma” që thamë më lart, për t’u bërë sa më tërheqës, pa menduar që stresojnë qytetarët kur të njëjtin krim e japin disa herë që edhe në orën 09:00 të mëngjesit, na thonë “mirëmbrëma” apo “natën e mirë” sepse “gjilpërën” e kanë lënë aty ku e kishin njëzet e katër orë më parë. Shkojmë edhe më tej: Nëna e hedh foshnjën e saj në kazanin e plehrave. Babai e hedh fëmijën e tij nga ballkoni sepse u bë vajzë. Djali vret me armë babain e tij, nipi përdhunon gjyshen e tij tetëdhjetë e nëntë vjeçare, nipi i vjedh shtëpinë dajës dhe tezes dhe më pas u merr jetën, vritet me armë zjarri X, Y, Z, në prani të fëmijëve të mitur, bashkëshorti i merr jetën bashkëshortes me armë të ftohtë apo me armë zjarri në sytë e fëmijëve. Babai përdhunon vajzën e tij të mitur, 70-vjeçari ngacmon seksualisht të miturën në ashensor, mësuesi ngacmon seksualisht nxënësen e tij, hajdutët, vjedhin disa herë banesën e 70-vjeçarit, përleshen me të dhe e plagosin me armë zjarri. Shpërthen një bombë e telekomanduar e vendosur në makinën e X biznesmeni apo qytetari me precedentë penalë. I vendosin tritol banesës së X zyrtari, apo X punonjësi. Sikur të vazhdoj kështu me këto bëma, jo jashtë kufijve, të “Shqipërisë së Madhe” e përtej asaj, por vetëm brendapërbrenda kufijve të Shqipërisë së Vogël” nuk do të mjaftonin as numri i “vandakëve” të gazetave “të pavarura” të këtyre tridhjetë viteve të fundit. Kjo është një e vërtetë dhe është njëra anë e “medaljes” pra e atyre që kanë tru, që kanë logjikë e mendojnë e veprojnë me anën e shkallës më të lartë të arsyes, të trurit. Mbasi i dimë të gjitha këto, a nuk kemi të drejtë që të themi atë që më shumë të drejta kanë kafshët që t’i thonë ndonjërës që “del nga rruga e zotit” (gjë që deri më sot nuk ka ndodhur), “ik more njeri”!