Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sikur Macron të ishte aq bujar sa Princi Albert i Monakos

Postuar: 18/10/2019 - 07:16

Principata e Monakos është një shtet në pjesën jugperëndimore të Europës. Ndodhet buzë detit Mesdhe. Rrethuar nga Franca. Është shteti me dendësinë më të madhe të popullsisë në botë, i njohur si një vend tërheqës për të pasuritë anembanë globit, por është edhe shteti sovran më i vogël në planet pas Vatikanit. Pjesa më e madhe e relievit të Monakos është malor. Pika më e ulët e relievit gjendet përgjatë bregdetit në detin e Mesdheut, niveli zero. Ajo më e larta mbi nivelin e detit është 140 metër në vendin e quajtur “Maja Exhel”. Monako ka një rrjet shumë të vogël të rrugëve. Janë 50 km rrugë të shtruara që kryesisht janë nëpër lagjet moderne të Monakos dhe rrugët që e lidhin me Francën. Në total brenda kufijve të shtetit ka 50 km rrugë të asfaltuara. Ka të zhvilluar komunikacionin detar, portet, si ai i “Monte Karlos”, i Fontville, etj, të cilët janë investime me standardet më të larta, ku përveç anijeve tregtare, ankorohen në shumicë edhe anijet turistike. Shumicën e popullsisë e përbëjnë francezët, me 47 për qind, ndërsa popullsia vendase, monakienët dhe italianët përbëjnë 16 për qind të popullsisë. Pjesën tjetër prej 21 për qind e përbëjnë 125 pakica të ndryshme, të cilat jetojnë në Monako. Gjuhë zyrtare është gjuha frënge, po është e përhapur edhe gjuha italiane dhe gjuha angleze, bashkë me gjuhën vendase monakiene. Feja zyrtare është ajo katolike, ndërsa me Kushtetutë janë të lejuara edhe fetë e tjera. Shteti përbëhet nga një komunë. Nuk ka asnjë dallim gjeografik midis qytetit dhe shtetit të Monakos. Dallimi qëndron në qeverisje. Ajo qeveriset në nivel shtetërorë, por edhe në atë qyteti apo komunal. Sipas kushtetutës së vitit 1911, principata ishte e ndarë në tre komuna. Kaq sa për të krijuar një ide për Monakon. Çka thamë nuk e bëmë thjeshtë për kuriozitet. Ajo që na nxiti për një vështrim gjeografiko-politik për Monakon është vizita zyrtare që Presidenti i Republikës, Zoti Ilir Meta, zhvilloi në Principatën e Monakos me ftesë të Princit Albert II-të. Siç pohojnë mediat vendase, kjo vizitë është ndjekur me vëmendje të veçantë. Gazetat dhe portalet kryesore të principatës kanë informuar gjerësisht pritjen për Presidentit Meta, duke u fokusuar te takimi dhe diskutimet e bëra në pallatin e Princit Albert II. “Vizita e Presidenti të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, pason atë të Princit Albert II në Shqipëri më 16 tetor 2018. Kjo vizitë në Principatën e Monakos bëri të mundur diskutimet e çështjeve mjedisore të udhëhequr nga Fondacioni Princi Albert II në “Tokën e Shqiponjave”, veçanërisht në lidhje me zhvillimin e një zone detare të mbrojtur dhe temave të ndryshme”, shkruan gazeta më e madhe vendase “La Gazette de Monaco”, teksa thekson se pas takimit zyrtar, Princi Albert II dekoroi Presidentin Meta, me titullin më të lartë të Principatës së Monakos, medaljen e “ Kryqit të Madh të Urdhërit të Shën-Karlit”, në vlerësim të angazhimit të tij konkret për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kur njihesh me vlerësime të tilla për të parin e shtetit, e para që të shkon ndërmend është respekti për vendin që e akordon një dekoratë të tillë dhe urimi, ta gëzojë dekoratën e lartë të akorduar nga princi Albert i II-të presidenti ynë. Ky vlerësim erdhi në një kohë kur pak më tutje, në kryeqytetin e BE-së, udhëheqësit e 28 shteteve janë përfshirë në një debat të gjatë, ku mes problematikave të tjera, Brex, sulmi mbi kurdët, është edhe ajo e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në atë qytet ku udhëheqësit e shteteve të BE-së diskutojnë për mënyrën e trajtimit të vendeve kandidate, për të cilat është dhënë rekomandimi pozitiv nga Komisioni Europian, i cili ka bërë radiografinë e përparimit të Shqipërisë, ka evidentuar plotësimin e prioriteteve dhe zbatimin e rekomandimeve. Dhe jo një, po tri herë brenda dy vitesh që nga refuzimi i 2018-ës, raportet kanë qënë pro pranimit. Takime të shumta mes përfaqësuesve të vendeve, pro dhe atyre që udhëheqin votën kundër, me arsyetimin se Europa duhet të riformatohet dhe të përcaktojë piketat për një politikë pranimi sa më efikase. Ose thënë ndryshe, që pranimet dhe zgjerimi të mos jenë aq teknik, duke shmangur sensibilitetet e popujve dhe vet gjykimin e atyre që mendojnë se zgjerimi duhet të presë deri sa Europa të jetë gati. Në realitet, ky qëndrim është një “Jo” diplomatike e ambalazhuar me fjali të bukura. Sidoqoftë është një “Jo” e hidhur. Është e drejta e çdo shteti të flasë me gjuhën e vet, nga anglishtja e italishtja deri te frëngjishtja. Presidenti Makron është i bindur se nuk është koha për të zgjeruar Europën dhe se ka shumë për të bërë brenda vet unionit dhe më pas të shikohet n se në atë sofër mund të ulen edhe të tjerë mysafirë që i mbajnë larg shtëpisë në oborrin e pasmë të BE-së. Sa kohë zgjat kjo pritje askush nuk e di. Për në qytetarët e Shqipërisë, BE, së paku deri tani ka qenë vërtet një ëndërr e bukur dhe e mbështetur gjerësisht nga jugu në veri. Pas 1990-ës mendonim se për dy -tre vite do ishim anëtarë të unionit. Po koha kalonte dhe ne duke u zgjuar pamë se iluzionet dhe realitetet janë shumë të ndryshme. Edhe pse për shumë probleme nuk jemi unik, për udhëtimin drejtë Europës nuk ka asnjë zë kundër. Jemi gati një mendje. Natyrisht deri sa ta kuptojmë dhe ndajmë dëshirën nga realiteti dhe entuziazmin nga e vërteta, që nuk është kaq rozë. Siç u lexua nga opinioni i gjerë shqiptar, arsyet e vërteta të ngurrimit dhe jo-së për çeljen e negociatave, problematikat janë si të këtushmet edhe të atjeshmet. Gjenden edhe brenda vet shtëpisë europiane. Më në fund dolën se janë me tepri brenda unionit që ende gjykon se shtetet që duan Europën mund të qëndrojnë pas porte deri sa të piqen qershitë europiane. Po koha është e ftohtë dhe kokrrat mbeten në degë të bardha e të tkurrura nga acari. Edhe pse moti natyror është i ngrohtë, ai politik është i acartë, me ato çka po i ndodhin kontinentit tonë. Në këtë atmosferë, ku barra më e madhe i bie qeverisë shqiptare për të negociuar deri në fund, vihet re një braktisje e saj, lënie vetëm nga faktorët e tjerë politikbërës në Shqipëri, të cilët e shohin çeljen e negociatave vetëm si një barrë të qeverisë dhe një kular që duhet ta mbajë në qafë vetëm kryeministri. Nëse vëzhgohen oscilacionet opozitare dhe gjykimi i liderëve të tyre, konstatohet fare lehtë se sapo një shtet deklaron se Shqipëria meriton negociatat, të gjithë brohorasin dhe e duartrokasin si një fitore të tyre. Kujtojmë këtu vendimin e Bundestagut gjerman, ku Basha thirri fitore sapo u tha po. Ashtu sikundër Berisha përgëzoi Macron që thotë jo. Bile duke folur me superlativa. Unë mendoj se Berisha është në të drejtën dhe rrugën e tij. Dhe ai bën atë që i duket më e drejtë. Po ajo që bën përshtypje më shumë, bile dhemb është qëndrimi në shtëpi dhe mos lëvizja e gishtit e faktorëve të tjerë, të cilët duket sikur Po-ja i dëshpëron më shumë se Jo-ja. Në këtë kuadër i pari i shtetit, presidenti ynë, bëri shumë mirë që gjeti kohën për të vizituar Principatën e Monakos, ku vet Princi e dekoroi me dekoratën më të lartë të Principatës. Zoti Ilir Meta në këtë situatën e vrullshme, ku luhet fati i negociatave dhe shumë udhëheqës shtetesh luftojnë për çeljen e tyre, që të mos shkonte pak kilometër më tej dhe të takonte edhe ai miqtë e tij të shumtë për t`i dhënë një dorë vendimmarrjes së ngatërruar dhe të diskutuar me qëllim që të arrihet një konsensus sa më i gjerë dhe Shqipërisë t`i çelen negociatat. Edhe pse i obliguar me vizitën në Monako, ku siç thamë në nisje të këtij shkrimi, shumica janë francezë, prisja që Meta të takonte faktorët përcaktues që kanë në dorë hapjen e portës së BE-së. Po ai u mjaftua të shijonte lavdinë e nderin që iu bë nga Princi Albert i dytë dhe nuk u shty edhe pak më tutje, atje ku luhet drama shqiptare. Edhe pse mendonim që presidenti Macron nëse do takonte homologun e vet Meta mund të lëvizte paska në drejtimin e “Po”-së. Dhe nëse Macron do kishte vetëm një pjesëz të dashamirësisë së Princit të Monakos, ku shumica janë francezë, sigurisht që Shqipëria do kishte nisur festën. Po kjo nuk ishte e thënë. Sidoqoftë Shqipërisë nuk iu mundësuan negociatat për ngurrimin e Makron dhe të gjithë humbasim jo pak, po sëpaku presidentit tonë të nderuar, iu çelën dyert e Europës nga një copëz franceze, me dekoratën e lartë që iu akordua në Monako. Vërtet humbëm një shans si Shqipëri, po sa paku fituam një dekoratë si Presidencë. Kjo është një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Ndoshta edhe më shumë. Jo më kot ka ditë që i bëhet jehonë në median e shkruar e atë televizive dekorimit të presidentit Meta nga shteti i Monakos. Dhe jo pak prej nesh pyesin: Sikur Macron po të ishte pak më i dashur me ne shqiptarët, natyrisht jo sa Princi Albert me Zotin Meta, sa mirë do kishin shkuar punët?! Sidoqoftë, humbëm si Shqipëri, po morëm dekoratën e lartë si Presidencë!

 Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2019 - 07:18

Nuk bëhet fjalë për romanin e Stendalit “E kuqja dhe e zeza” me këtë titull, madje as për uniformën e skuadrës kombëtare, nga ku prej gjoksit e lart, janë krejt në të kuqe dhe si për ironi nga mollaqet e p

Postuar: 21/11/2019 - 07:16

Projekt-ligji për Buxhetin e Shtetit 2020 që Ministria jonë e Financave ka dërguar në Kuvend, për

Postuar: 21/11/2019 - 07:15

Duke shkruar këto radhë, m’u kujtua hyrja e prezantimit të një “senatori” të au

Postuar: 21/11/2019 - 07:12

Një nga "shpresat e humbura", por dhe përkeqësimet shoqërore dhe filozofike te ne, ësht

Postuar: 20/11/2019 - 07:17

Do të vinte ajo ditë kur pjesa më e inkriminuar, më agresive dhe më në hall e politikës, t’

Postuar: 20/11/2019 - 07:16

Vetëvrasjet janë shtuar shumë këto kohët e fundit.

Postuar: 20/11/2019 - 07:14

Të gjithë jemi të përgjuar. Shqiptarë e ndërkombëtarë.