BREAKING NEWS

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik raportimesh për UFO-t në Itali, ja rasti i paprecedentë që ka kapur radari në aeroportin Malpensa në Milano dhe lidhja me pandeminë e COVID-19

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik
x

Opinion / Editorial

Sikur shqiptarët të donin njëri-tjetrin, do të donin edhe Shqipërinë

Sikur shqiptarët të donin njëri-tjetrin, do të donin edhe

Pyetjes se “Nga u vjen e keqja shqiptarëve” At Zef Pllumi i përgjigjet: “Prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Kjo, është e keqja ma e madhe e shqiptarëve”! Gjatë tërë periudhave të historisë, por ca më tepër sot, shqiptarët, po tregojnë se nuk e duan njëri-tjetrin. Për të mos shkuar më thellë e të gërmojmë në histori nga e cila do të nxjerrim shumë “xhevahire” po marrim vetëm këto të ditëve të fundit. Vetë shqiptarët, mazhorancë dhe opozitë, janë përfshirë në një sulm kundër njëri-tjetrit që jo vetëm as nuk “ndez e as nuk shuan”, por më së tepërmi dëmton vetë shqiptarët duke dëgjuar “gërrmërre” ditë e natë. Njëra palë akuzon palën tjetër se “ka fshehur kasetën e masakrave në Krushë” kurse pala tjetër e akuzon se “Numri i të vdekurve nga Covid-19, nuk është pesëqind por është dy herë më i lartë dhe qeveria, gënjen haptazi duke mos i treguar të vërtetën shqiptarëve”. “Bam” njëri krah i politikës e “bam” krahu tjetër e shumica e qytetarëve të thjeshtë rrinë e bëjnë sehir në këtë “betejë” që duket sikur nuk do të ketë fund. Krerët e politikës janë përfshirë në “betejë” me njëri-tjetrin, “betejë” që është në funksion të marrjes apo të dorëzimit të pushtetit. Një pakicë tjetër edhe ata duke menduar “kështu e lëntë e kokat hëngshin” vazhdojnë avazin e vjetër të merren me trafikime, falsifikime, mashtrime për hesap të tyre sepse askush nuk e ka mendjen të merret me hallet që heqin shumica e qytetarëve, askush nuk e ka mendjen, mbi të gjitha të merren me Shqipërinë. Biznesmenët nga ana e tyre, rritin çmimet, pushteti vendor nga ana e tij “dremit” e shohin hesapet e tyre, por Shqipëria, me hallet e saj as që është fare në “axhendën” e politikës se do të vijë një ditë e do të punojnë për shtëpinë e përbashkët, atje ku janë lindur e rritur, atje ku edhe të larguarit, presin që një ditë të vijnë e të çmallen në vendlindjen e tyre. Dikur “shtëpia” Shqipëri, kishte një zot që komandonte pjesëtarët e “shtëpisë” i komandonte se si duhej të vepronte njëri e tjetri. Ky “Zot” i shtëpisë, vërtet që ishte diktator, por mendonte për shtëpinë, që ajo të qëndronte gjithmonë e fortë e të mos i shembej as edhe një “tullë”! Edhe kur shkonte në punë edhe kur kthehej nga puna “Diktatori” do t’i hidhte një sy “shtëpisë”, se mos ndonjë copë suva kishte rënë apo diku “pikonte” dhe vetë i pari do të merrte masa që shtëpia, të ishte ashtu si i kishte hije. Ja mësuan “huqin” edhe “pjesëtarët” e “shtëpisë” dhe nga “dashuria” për shtëpinë apo nga frika e “Diktatorit” do të merrnin masa që ajo të ishte në rregull. Erdhi koha dhe pjesëtarët e “shtëpisë” shpëtuan nga “shtypja” që i bënte Diktatori ashtu si ata kërkonin të jetonin sikush jetën e vet “pa telashe”, të kishin liri më shumë e të mos kishin një “Diktator” që të bënte komandë, por të bëheshin të tërë “komandantë. Të gjithë kapadainj, mendjellinj, të gjithë “të ditur”, të gjithë “të parë” nëpër botë, të gjithë të pispillosur dhe kur i sheh rrugës mendon që këta, do të jenë dikush. Disa kanë marrë rrugët e botës sepse demokracia, ja krijoi kushtet që të ikin sipas mënyrës së tyre që i duket më e përshtatshme. Kur njërin nga pjesëtarët e shtëpisë kur e pyet për vëllanë tjetër se ku ndodhet ai i përgjigjet: Di unë se ku ka thyer qafën ai, se mos më ka pyetur”! Të gjithë, “vëllezër e motra” bashkë, të kapardisur si jo më mirë të veshur spic e me gusto, janë pjestarë të të njëjtës familje, por njëri-tjetrin nuk e duan sa e duan qenin. Nuk bëjnë keq, sepse në fund të fundit edhe ajo kafshë besnike shpirt ka dhe nuk ka ku të presë tjetër kujdes përveç se tek i zoti. Shumëkush që i sheh, mendon: “Megjithë mend që këta, jo vetëm kanë shkuar në Europë, por edhe i kanë dhënë mend Europës”! Të veshur “spic” e me gusto, me mjekra e gjerdanë floriri, gjithçka bëjnë, por vetë një gjë nuk bëjnë. Nuk bëjnë atë që të kthejnë sytë nga “shtëpia” e tyre, siç e thamë, ku janë lindur e rritur, që nuk krahasohet me asgjë të shtrenjtë në botë e cila kjo, që ka mbetur atje ku ishte më shumë se një shekull më parë, me atë rrugë ku nuk shkon as gomari i ngarkuar me ujë që e merr larg, ka mbetur në kohën kur parcelat ndaheshin me gardhe e ferra, ka mbetur njësoj si shekuj më parë e mbushur me plehra e hedhurina, ku oborri i shtëpisë i mbushur me bajgat e bagëtive dhe zonja e shtëpisë mundohet ta mbajnë pastër duke e fshirë me degë shkurresh. Shumica ka mbetur më të varfër se kurrë, kurse ata pak të kamur politikanë e dallaveraxhinj, “shtëpinë” Shqipëri e konsiderojnë si një “lopë” që ta mjelin sa herë të duan, kurse për të tjerët, nuk ka. Këta, dergjen rrugëve me shpresën e vetme për të ikur “një orë e më parë” nga ky vend sepse këtyre, askush nuk u a hedh sytë, askush nuk u a qan hallin. Në biseda të shumta me të moshuar në Zonën e Korçës, në Voskopojë e Boboshticë e kudo, dëgjon që shqiptarët në çdo kohë e në çdo periudhë të historisë kanë ikur “për një jetë më të mirë” nëpër Europë apo siç thotë shprehja latine “Atdheu im është atje ku unë jetoj më mirë”. Shqipëria, asnjëherë nuk ka qenë mirë, as në periudhën qindra vjeçare nën sundimin turk që edhe sot është atje ku e la në “Cono kala”, as në periudhën kur Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët i shqyenin nga një copë, as në periudhën e Naltmadhnisë së tij Zogu i I-rë, as në periudhën e sundimit komunist afro pesëdhjetë vjeçar, por, ca më keq akoma as në këtë periudhë tridhjetë vjeçare të quajtur periudha e “banditokracicë”, bile kjo, më e keqe nga të tëra periudhat e historisë. Nga këta të moshuar dëgjon: Në fillimet e shekullit të kaluar ai që do të largohej për në një vend tjetër të Europës, duhej të jepte “prova” përpara krerëve të pleqësisë së fshatit, si psh të ndërtonte një rrugë apo një urrë, të mbillte një parcelë me pemë apo çfarëdo dhe pastaj të largohej. Largoheshin, por ama sytë i mbanin nga familja e fshati i tyre. Kështu edhe në periudhën e Mbretërisë, largoheshin dhe një pjesë të të ardhurave të tyre i dërgonin pranë familjeve dhe të afërmve të tyre, për infrastrukturën e fshatit, për shkollat apo çfarëdo tjetër. Diktatura i mbylli kufijtë për të mos kaluar matanë as miza. Erdhi koha dhe “muri” ra. Në fillimet e shek. të kaluar iknin për të shpëtuar nga zgjedha e “turkut të lig”, në fundin e shek. të kaluar, përsëri morën rrugën e kurbetit me “torbushka” në krah, siç kanë ecur gjithmonë monopateve të historisë. Ikën nga diktatura që ja kishte sjellë “në majë të hundës”, por me shpresë që një ditë do të ktheheshin. Po nga kjo farë demokracie tridhjetë vjeçare si po ikin? Po ikin as më shumë e as më pas, siç nuk kanë ikur ndonjëherë, siç shprehen edhe vetë, “nga sytë këmbët”. Ikin nga pasiguria e jetë, e cila kjo në çdo regjim nuk ka qenë në nivelet e sotme të kësaj pasigurie. Nuk janë të paktë ata që i janë futur rrugës së pisllëqeve, të pazareve dhe marrëveshjeve të ndyra nën shembullin e politikanëve. Buka e gojës, është e fundit që pretendojnë politikanët, sepse, mbi këtë janë kallashi, tritoli, arma e ftohtë, vetëgjyqësia kur dremit drejtësia. E mbi këtë tablo të zymtë të kësaj demokracie, politikanët mburren me liberalizimin e vizave, me kilometrat që i treguan qytetarëve dhe koha që ju duhet për të shkuar në kryeqytetet e Europës, me “suksesin” e madh për futjen e Shqipërisë në NATO! Për të qeshur e për të qarë. U premtua se shqiptarët do të shkojnë në Europë si “bossa”, por vetëm 5% shkojnë si “bossa” në Europë kurse nëntëdhjetë e pesë për qind shkojnë të fshehur nëpër hambarët e anijeve, nëpër frigoriferët e kamionëve, nëpër varkat dhe skafet mes dallgëve të tërbuara të detit për të shkuar në destinacion. Po në xhep, mos vallë mbajnë vizat për të shkuar si njerëz në Europë? Jo mor jo mbajnë shumat e parave që i kanë marrë borxh, për t’ua dhënë matrapazëve, trafikantëve dhe falsifikatorëve, që edhe ata të bërë njësh me politikanët, do të nxjerrin “bukën” e tyre nga “kokëpalarët” dhe “barkthatët”. Gjendja e sotme në dogana, e vërteton më së miri këtë. Sikur të mos mjaftonin shumat e majme që qytetarët e thjeshtë paguanin për të zgjidhur hallet e tyre në shtetin fqinj, tani do t’u duhet që të flenë me ditë e netë të tëra nëpër Dogana, sepse duhet të fitojnë matrapazët, trafikantët, falsifikatorët dhe askush nuk e ka mendjen që të bëjë diçka. Mbi të gjitha, shqiptarët, nuk e duan njëri-tjetrin dhe nuk ka se si të duan Shqipërinë. “Shtëpinë” e tyre aq të bukura e aq të stolisura dikur, sot të kthyera në një “kasolle” që përditë rrënohet e shkon drejt shembjes. Askush nga këta të “kullandrisurit” e sotëm, nuk merr mundimin as të suvatojë të themi një pjesë suvaje të murit të kësaj shtëpie që është rrëzuar, të vendosi një qeramidhe që shtëpia të moj pikojë e të mos kalbi trarët e tavanit, që muret të mos marrin lagështi, të vendosi një xham që të mos fryjë era etj. etj. Jo jo, absolutisht asgjë nga këto. Shqipëria sot nuk ka “Zot” si dikur Diktatorin me të ligat e të mirat e tij, sot janë bërë të gjithë “Komandantë” dhe askush nuk dëgjon njëri-tjetrin, por secili për hesap të vet. Tridhjetë vjet që Shqipëria është ndodhur në “aksidente”, në përmbytje, në zjarre, në tërmete. Ata që me të vërtetë Shqipëria i dhëmb, janë ata që kanë luftuar e punuar, që kanë derdhur djersë. Këta janë veteranët e nderuar, janë brezi i vuajtur i të kaluarës, specialistë të të gjitha profesioneve, janë armata e madhe e kuadrove ushtarakë. Por këta, nuk kanë asgjë në dorë dhe jo vetëm kaq, por janë edhe më të diskriminuarit politikisht dhe ekonomikisht, janë ata që po ikin nga jeta një e nga një. Këta që u dhëmb Shqipëria, nuk kanë gjë në dorë përveç degëve të shkurreve për të shuar zjarrin, përveç “gavetave” për të hequr ujin, përveç psherëtimave e të mbajnë sytë nga Zoti në këtë pandemi që nuk dihet ku do të mbahet. Po ata që kanë në dorë? Ata që kanë në dorë, po “kërkojnë” fajtorët tek njëri-tjetri ndoshta edhe më larg. Nuk ka gjë më të keqe, nuk ka spekullim më bastard se sa të spekulosh edhe me viktimat. Do të vazhdojnë të “kacafyten” kështu pambarim, derisa të dali një “i tretë” i quajtur drejtësi e t’u vërë “fre” këtyre njerëzve pa frena. Edhe fatkeqësitë e natyrës kështu i kanë përdorur edhe zjarret po kështu edhe tërmetet po kështu, jo t’i futen punës, por akuzojnë të tjerët siç e kanë zakon dhe mbasi të marrin pushtetin e radhës e Shqipëria të jetë “djegur” e braktisur, mbase do të kthehen e të pyesin: “Po Shqipëria, ku është”?