Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sikur të kalonin në sitën e Vettingut edhe politikanët e këtyre 30 viteve?

Postuar: 23/05/2019 - 07:19

Deputetët, por edhe qeveritarët i kemi të rastësishëm dhe më së shumti të paaftë, sepse kanë ardhur nëpër poste si rrjedhojë të njohjeve me politikanët e rastësishëm albanezë, thuajse të pandryshuar prej 30 viteve. Deputetët i kemi skllevër të punësuar nga kryetari – mbret i partisë, të cilit i shërbejnë të nënshtruar. Siç nuk ndodh askund tjetër në këtë botë. 

Në këtë Shqipërinë tonë ç’nuk ka ndodhur e po ndodh. Po ndodhin çudira që mendja e njeriut normal nuk arrin t’i rrokë. Ja, këto ditë mësuam se kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi kandidon për kryetar të Akademisë së Shkencave. Kandidon për postin e Kryetarit të Akademisë, ndërsa vazhdon të mbajë edhe postin e Kryetarit të PSD-së, një post që e mban nga viti 1991, kur kjo Parti nisi të frymojë. Edhe pse kjo parti, tashmë ndjehet si forcë politike e falimentuar, sërish e ka kryetarin që e krijoi. Mos kjo politikë albaneze që na kandidon një prej veteranëve të saj, synon të çojë në falimentim edhe Akademinë e Shkencave, që gjithsesi vitet e fundit ka vrapuar drejt falimentimit? Kryetar Partie prej 30 vitesh. Kështu i kemi edhe plaçkitësit e sindikatave, që nuk ndryshojnë një herë, po kanë plaçkitur milionat e ish BP- së. Dhe askujt nuk i shkon mendja t’i ndëshkojë këta plaçkitës të punëtorëve.

Tjetër. Nëse për plazhistët e Durrësit kemi thënë se pjesa më e madhe e tyre janë të korruptuar, për politikanët e këtyre 30 viteve të fundit, shqiptarët mendojnë se nga i pari te i fundit, janë të gjithë të korruptuar. Edhe pse asnjë prej tyre nuk ka kërkuar një herë ndjesë për poshtërsitë që ka kryer ndaj shqiptarëve. Kjo ka bërë që vetë shqiptarët t’u kërkojnë largimin nga politika që të marrin frymë lirisht. Ndoshta janë ata që edhe ajrin e këtij vendi e kanë ndotur sa është vështirë të pastrohet me malin e maskarallëqeve që kanë kryer gjatë këtyre 30 viteve.

Tjetër. Kryetarja e LSI-së arrin deri atje sa, të na tregojë se, fëmijët e saj kanë shkuar me studime në Londër për shkak të qeverisjes së keqe të Edi Ramës. Ku nuk u shkon mendja këtyre politikanëve tanë. Deri në idiotizma ekstreme.

Tjetër. Vetëm në Shqipëri ndodh që një kilometër rrugë të kushtojë 20 milionë euro në rrugë fushore.

Tjetër. Prej 12 vitesh dëgjojmë vetëm akuza se, kryetari i PD, Lulzim Basha ka shpërdoruar 230 milionë dollarë të autostradës së Kombit. Bile për këtë nisën hetimet, por u pezulluan për shkak të raportit mjekësor që siguroi kryetari i PD-së.

Tjetër. Është e çuditshme mosndëshkimi për Gërdecin, për 21 janarin etj. Gërdeci, të gjithë e pranojmë, se është një krim shtetëror i përbindshëm, ndërsa çudia e 21 janarit është se 4 të vrarët e pafajshëm u shpallën dëshmorë, po asnjë vrasës i tyre, edhe pse të gjithë i njohim, nuk u ndëshkua.

Tjetër. Pak vite më parë e gjithë Shqipëria u mboll me kanabis. Po, në mënyrën më qesharake, u dënuan vetëm disa të varfër që punonin tokën për t’u sjellë bukën thatë fëmijëve. Asnjë oligark i politikës që kishte porositur mbjelljen e Shqipërisë me kanabis nuk është trazuar deri sot.

Tjetër. Se çfarë klase politike groteske kemi ende ne shqiptarët na e tregon edhe sherrnaja idiote mes dy ish presidenteve. Një sherrnajë që ka në qendër vendin ku ata janë njohur, nga kanë nisur së bashku t’i shërbejnë PD-së që gjithsesi popullit nuk i kanë sjellë ndonjë gjë të hajrit. Dy ish presidentët u grindën si për të na treguar ne shqiptarëve të shkretë që ende kemi mbetur këtu çfarë kemi patur dhe kemi ende në krye të punëve. Në fund të fundit ne shqiptarëve të mbytur nga varfëria as na plas fare se ku janë njohur dhe kur Bamir Topi dhe Bujar Nishani. Me grindjen që qullosën, vetëm na treguan, se me këtë klasë politike nuk mund të arrijmë asgjëkundi.

Është i pafund vargu i të tillë idiotizmave që kjo klasë politike mbolli në Shqipëri prej 30 vitesh. Është kjo arsyeja pse shqiptarët e stërlodhur e të stërvarfëruar kërkojnë me një zë nisjen e Vettingut për pastrimin e kësaj klase politike krejtësisht të ndotur dhe pa asnjë ndjenje morali. Për nivelin e lartë të ndotjes së saj, të gjithë shqiptarët me një zë mund të japin me mijëra fakte që nuk mund t’i hedhë poshtë askush. Po fakte mund të japin edhe miqtë tanë të mirë ndërkombëtarë që haptazi na e kanë treguar ne shqiptarëve se kemi një klasë politike pa tru, që veç plaçkitjes që na bën prej 30 vitesh, nuk di të kryejë punë tjetër. Haptazi miqtë na e kanë bërë të ditur se, kjo klasë politike nuk ia ka idenë e organizimit të vetëqeverisjes. Ndaj për zgjidhjen e çdo problemi kërkon ndihmën e miqve të mirë ndërkombëtarë. Në këto kushte pse duhet ta mbajmë ende mbi kurriz? Apo vetëm për poshtërsitë e saj që na i zbraz mbi shpinë?

Pastrimi i gjithë kësaj klase politike, tashmë është bërë imperativ i ditës për ne shqiptarët. Sepse këtë na e kërkojnë edhe miqtë e mirë që i kemi anembanë botës. Janë vetë ata që kanë nisur t’i ndëshkojnë monstrat më të këqija të politikës albaneze. Zëri i Amerikës na tregoi se Amerika, mikja jonë më e mirë ka ndëshkuar dhe ua ka refuzuar vizën të paktën 170 politikanëve. 130 partitë politike që i kemi mbi shpinë duhet t’i pyesim: Pse duhet t’i mbajmë ende mbi kurriz këto 170 plaçkaxhinj, që mikja jonë e mirë i ka ndëshkuar? Po ne shqiptarët, kur do t’i ndëshkojmë ato? Ata dhe monstrat e tjera si ata? Të tillë peshkaqenë duhen ndëshkuar një çast e më parë. Mjaft më me ndëshkime të fakir fukarenjve që për copën e bukës punojnë në arat e kanabisit.

Ndëshkimi i peshkaqenëve është i domosdoshëm që edhe Evropa të na pranojë në gjirin e saj. Nuk duhet të ankohemi se, nuk na pranon për shkaqe që i stisim me të vetmin qëllim: të mbrojmë monstrat e politikës së deritanishme. Vettingu i politikanëve për Shqipërinë është një domosdoshmëri historike. Për të hyrë në BE, por edhe për të ndaluar fluksin e madh të emigracionit. Sepse kjo klasë politike të vetmen punë që po kryen është largimi i shqiptarëve nga streha stërgjyshore. Dhe këtë Vetting mund ta bëjë kushdo, bile edhe dreqi dhe i biri i tij, vetëm kjo klasë politike jo. Sepse asaj i mungon krejtësisht morali. Shikoni çfarë nuk po bën të pengojë edhe Vettingun e plazhistëve të Durrësit që deri dje i kishte mbrojtësit e vet. Këta plazhistë që u bënë brenda natës milionerë përmes bixhozit, apo pse vetëm ata kishin milionerë gjyshërit e gjyshet. Nesër edhe palopolitikanët do të nisin të justifikojnë pasurinë prej miliarderësh.

Ende pa nisur, duhet menduar që realizimi i Vettingut për politikanët duhet parë mirë se, kush do të kryejë. Pasi këta mashtrues si na mashtruan për 30 vjet, mund të na mashtrojnë sërish duke e kthyer Vettingun në favorin e vet. Që tani duhet menduar, formula, si të nxirret e vërteta për nivelin e plaçkitjes që kanë kryer gjatë 30 viteve, cilat shtresa të politikës do të përballen me Vettingun (duhen deri te ish kryetarët e komunave që sot janë kthyer në milionerë dhe kanë biznese në periferi të Tiranës) etj., etj. 

Natyrisht kërkohet një punë kolosale për nxjerrjen e së vërtetës. Dhe këtë punë kolosale, kushdo mund ta bëjë, vetëm kjo klasë politike Jo. Vetëm asaj nuk I duhet lënë në dorë. Sepse ajo di vetëm të shkatërrojë. Siç shkatërroi Shqipërinë gjatë këtyre 30 viteve. Duke i detyruar shqiptarët t’ia japin vrapit për t’u larguar ku të mundin për të shpëtuar prej saj.

Një gjë dihet sot me siguri në Shqipërinë tonë. Të gjithë kërkojnë kalimin në vetting të gjithë klasës politike që sot krenohet se i ka të mbushur xhepat me paratë e vjedhura shqiptarëve dhe diplomat e shumta, edhe pse jo pak prej tyre janë gjysmanalfabetë të universiteteve “Vitrina”, apo “Kristal” etj, etj. Bile të tillë sot janë katandisur edhe universitetet publike. Të gjithë i kujtojmë protestat 2 – 3 mujore të studentëve gjatë dimrit që sapo kaloi, të cilët pas gjithë asaj proteste hynë dhe morën provimet e sezonit të pare në muajin mars. Po askush nuk di të na thotë çfarë dhanë dhe kur mësuan? 

Vettingu i politikanëve në këtë Shqipëri është i domosdoshëm për gjithçka. Përndryshe nuk është e largët dita kur ky vend të shpopullohet plotësisht. Sepse kjo klasë politike u ka lënë shqiptarëve si zgjidhje të vetme largimin. Ndaj ajo duhet larguar që të shpëtojnë shqiptarët.

Nga Riza HOXHA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/06/2019 - 07:24

Edi Rama është nga të pakët politikanë që e ka shoqëruar sherri dhe urrejtja gjatë tërë karrierës së tij politike që sa futi këmbët në Ministrinë e Kulturës, vazhdoi në Bashkinë e Tiranës dhe kurba shënoi kulmin këto

Postuar: 19/06/2019 - 07:23

Ndoshta ne jemi ndër ato vende të pakta që nuk ditëm ta menaxhojmë si duhet demokracinë që e fitu

Postuar: 19/06/2019 - 07:22

Fillimisht do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen, se ideja dhe këmbëngulja e Presidentit Meta për

Postuar: 18/06/2019 - 07:23

Zakonisht dhe praktikisht, "sovran" ka lindur si term për individin mbi popullin!

Postuar: 18/06/2019 - 07:22

Jemi në fushatë për të 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore(bashkitë), por deri tani asnjë vërejtj

Postuar: 18/06/2019 - 07:20

Nuk është as e re dhe as e sotmja, beteja që zhvillohet sot midis “gladiatorëve” të p

Postuar: 16/06/2019 - 10:55

Dekretimi, çdekretimi dhe sërish dekretimi i datës së zgjedhjeve, çd