Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sikur Xhevat Hana të ishte Prokuror i Përgjithshëm !...

Postuar: 20/07/2019 - 07:36

Sot nuk ka heronj, sot ka pehlivanë ! Sa herë kujtonim e perifrazonim vargjet e Dritëroit të madh (si për t’i vënë kapak muhabetit rreth njerëzve të ndershëm e trima në pallatin e shenjtë të Drejtësisë), shoku i hershëm i Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike dhe miku im i veçantë, Xhevat Hana, skuqej pakëz në fytyrë,buzëqeshte hidhur dhe gremisej në një meditim jo të zakonshëm. Shpesh humori i tij origjinal ndizej e fikej natyrshëm. I ndjeshëm e asnjëherë indiferent a menefregist përballë çdo padrejtësie, si në monizëm dhe në pluralizëm. Gati 4 dekada kështu! Në vitet e studimeve të larta, nëpër rrethe e në metropol. Edhe pranë Presidentit të Republikës, zotit Moisiu. Edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku befas një ditë mbylli sytë përgjithmonë… Një ikje që mua më ka dhembur e më dhemb ende, sot e gjithë ditën, për njeriun që nuk bëri kurrë kompromis me të ligën, me vrasësit e shtetit të së Drejtës. Brezi im e mbante si model të rrallë në universitet. Jo më kot e thërrisnim “bolshevik”, studentë e pedagogë. Por edhe më tutje, në vite pune e sakrificash, si mbrojtës i akuzës së shtetit. Por kush më nxiti shpirtërisht për të hedhur këto shënime drithëruese, pas një bisede të gjatë parmbrëmë me disa vërsnikë te Ura e Tabakëve në Tiranë?

Gjatë vërshimit të ujërave të turbullta e të kulluara nëpër shtratin e vetingut në drejtësi, cili është mendimi yt si qytetar e gazetar i vjetër profesionist, sikur sot të ishte Prokuror i Përgjithshëm ose Kryetar i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Xhevat Hana i paharruar ?...A do të kishte shumë nevojë për kodra e male me përgjime elektronike apo për një vargan me dosje të mbushura me deklarata, analiza, shifra e relacione pa fund pasurie e katandie? Ose për garancira burokratike morale si “bukë vale” nëpër letra të printuara ? Ose për përrenj me evidenca zhurmuese, teorike e rakitike, të deklamuara si “peshore” zyrtare të profesionalizmit kallp ? Ose për ndalimin e erërave politike e partiake, miqësore e nepotike me brirë, në përzgjedhjen dhe ngritjen e këlëpërave e këlëgjërave pendëfryra në “pavarësi” e në financa ? Ose… Sepse u shushatëm nga shushama e seancave pa fund e krye. Një mjegullnajë me emra prokurorësh e gjyqtarësh (shumica të kamur e të dhjamur), me toka, vila, apartamente e autovetura luksoze; me fëmijë të lindur enkas në SHBA e gjetkë dhe të tjerë të sistemuar me “rroga shteti” nëpër Evropë e Perëndim; me bashkëshortë “të zotë” biznesmenë ose nëpër zyra publike e private ku buron paraja e pistë; me udhëtime e pushime sheikësh nëpër botë etj. etj. Ky sua juristësh të lindur “me këmishë” kanë dhënë e japin “drejtësi”, me firma e vula në emër të Republikës sonë hallemadhe e “demokratike” !... Sikur t’u vendosësh sot përballë figurën e prokurorit Xhevat Hana me shokë pa më thuaj të kam rixha, si do të ligjëronin vallë ?!

Tjetërsimi nga kolltuku i pushtetit në drejtësi, është i llahtarshëm dhe i pafalshëm. Nuk më hiqet nga mendja ofshama tronditëse e poetit peshtanak të pushkatuar, Trifon Xhagjika, pak orë para se të derdheshin plumbat mbi trupin e tij ende pa varr : “E shkreta ti, moj Republikë,/ në emrin tënd të marrin jetën !”. Sapo kishte mbushur 30 pranvera ! Ligësia e padrejtësia do të ulërasin gjatë. Doktor Yllin e dashur (vëllai profesor në mjekësi), e syrgjynosën në qelitë e burgjeve vetëm për dy fjalët e fundit që mundi t’ia thoshte vëllait të prangosur : “Mbaje kokën lart, Trifon !”. Asgjë tjetër. Vetëm për kaq i hodhën prangat. Kjo e vërtetë helm më troket fort në vite, sa herë kaloj pranë ish gjykatës së vjetër, te rruga e Durrësit… Qëndrimin e tij dinjitoz në “pluralizëm”, si intelektual e mjek jo dosido, e komentonte shpesh edhe prokurori Xhevat, pas seancave gjyqësore të mbetura “varur e të pakallur” mbi supet e gjyqtarëve e prokurorëve të tredhur nga SHIK-u i dikurshëm dhe Polit(h)ika pa moral. Ikën mbi 7 vite që në ekranin e celularit tim, nuk del më numri e as zilja e Prokurorit të Krimeve të Rënda ! As për bashkëfshatarët e tij të shtrenjtë në Rrajcë të Librazhdit e gjetkë, të cilët me të drejtë krenoheshin e krenohen me vëllain e tyre faqebardhë.(Këngët përmetare dhe vallen e Rrajcës, i kënduam e hoqëm bashkë për herë të fundit në njërën qoshe të kalasë së Lëkurësit në Sarandë ! Ishte edhe Nardi, që tani vonë iku pa zhurmë e bujë në atë botë…). Por disa edhe irritohen vetiu për heshtjen e shtetit ligjor ndaj vdekjes së shpejtë dhe me pikëpyetje të shumta pa përgjigje. Mos kanë ende shpresa të pashuara tek daullet e Reformës në Drejtësi ?!

Në kohën e Adriatik Llallës, ti ke botuar në dy a tri gazeta shkrimin e gjatë “Ç’i thotë Xhevat Hana, Prokurorit të Përgjithshëm ?”. Kemi kohë që e kërkojmë dhe nuk po e gjejmë gjëkundi në internet. Ç’ka ndodhur vallë e si i ka shkuar filli ?! Na e bëj kabull, a na ndihmon dot ?... Sinqerisht, nuk dua ta besoj plotësisht. Aq më tepër që nuk jam hiç specialist për të lundruar a zhbiruar nëpër xhunglat e Internetit. Veçse këtë kërkesë ma kanë bërë mjaft njerëz të njohur e të panjohur, nga Librazhdi, Tirana etj. Se “çudirat” në Shqipërizën tonë zakonisht nuk zgjatin më shumë se dy a tri ditë… E tha bukur poeti fukara e profet nga Lezha : Ishte koha kur “idealet po rrëzoheshin në kolltukë” ! Shikoni boshllëkun e turpshëm “vrasës me e pa pagesë” në trupin e Gjykatës Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë ! Në cilin shtet demokratik ka ngjarë kështu ? Paaftësia, hajdutëria e korrupsioni gjer në palcë, i katandisi në këtë derexhe neveritëse të pashembullt. Hesht Parlamenti. Hesht Presidenca. Hesht Qeveria. Heshtin OJQ-të me taborë krerësh llafollogë e gjithologë, thithës fondesh të panginjur. Sikur vetëm mbi 30 mijë hallexhinjtë e handakosur nëpër sirtarët e sepetet erë myk të Gjykatës së Lartë, të ngrihen në mitingje e protesta të vërteta qytetare, me siguri nuk do i mbajnë sytë nga qielli duke pritur gjykimet e vendimet pa zot në vite. Cila reformë mund t’i bjerë gjoksit përballë kësaj katrahure të organizuar nga maja e “Olimpit” ? Nga ata 30 mijë fatkeqë, mjaft prej tyre u torturuan në pritjet skandaloze dhe sot akuzojnë përjetësisht nga… varrezat! Pushtetet vijnë e shkojnë me këmbët në yzengji. Por dhënia e drejtësisë së ëndërruar ka mbetur pa gojë, pa sy, pa veshë dhe përtej besimit popullor të thyer në dekada. Besim i thyer pa mëshirë, majtas e djathtas. Dhe na bilbilosin paturpësisht si gjela mbi pasuritë e tundshme e të patundshme, rrëmbyer poshtërsisht nga djersa dhe gjaku i taksapaguesve të mjerë shqiptarë. Bashkë me një grusht “analistësh” e “moderatorë” të kamur nëpër ekrane e sallhane mediatike. Ose më tej. Brenda 4-5 vitesh, në republikën tonë kanë vrarë veten 650 shqiptarë ! Ulërimë me thes në kokë,-do thonë në Labëri. Mirëpo, si janë mbyllur këto 650 çështje përvëluese nëpër komisariate Policie, në prokurorira e gjykata, në shkallët e ulëta e të larta të shtetit “demokratik” ? Gjer më sot, asnjë studim a hetim serioz nuk pipëtin ! Asnjë seancë e posaçme parlamentare, presidenciale e qeveritare ! Asnjë prononcim i thelluar nga shoqata gjyqtarësh e prokurorësh, nga psikologë, ekonomistë, mjekë, shoqëria civile (që gjoja dëgjon zilet, por zakonisht zgjohet vetëm pasi bie ndonjë këmborë partie !)etj. Një rrumpallhanë zyrtare e morale që veç të tjerave, ushqen përditë edhe nostalgjinë reale për shtetin e djeshëm monist ! Nëpër gjirizet e sotme “pluraliste” duhet të mbash hundën me dorë kudo, pranë çdo kështjelle kartoni në pushtet e opozitë. Fjala vjen, po të mbledhësh vetëm programet, vendimet, urdhrat, udhëzimet, projektligjet e ligjet, ndryshimet lumë në çdo legjislaturë, aktet nënligjore e ato administrative, raportet e fjalimet brenda e jashtë Parlamentit, qeverive, Presidencës e ministrive, mund t’ia kalojnë edhe malit të Dajtit !...

-Hajdutët nuk i shkurtojnë vetë duart e tyre, para se t’ua shkurtojnë të tjerët,-më citonte shpesh Saadiun e pavdekshëm, i miri Xhevat Hana, kur i thosha se një kopje nga “Gjylystani dhe Bostani” e gjeta në mars të ’90-ës, kur isha me shërbim nga gazeta “Bashkimi” në Librazhd. Dhe vazhdonte ashtu i çiltër e zëplotë :”Pesë tranguj n’i dhe ti kadiut rryshfet,/ Dhjetë ara me pjepra t’i jep me senet”…

Tani vetingarët merren me qindra fashikuj e formularë; me deklarata bankare e personale; me mbledhje, shumëzim e pjesëtim shifrash; me letra “denoncuese” me shkrim e me gojë; me relacione tavolinash e sokëllimash; me pyetje e hesape pazari, me përgjigje agu e akshami… Por njerëzia, përshembull, do të dijë se kush i mori në dorë dhe si përfunduan dosjet e rënda e të pambyllura të Xhelal Elezit, Xhevat Hanës e Bardhyl Dhamos? (Pak para se të mbyllte sytë rrufeshëm përtej detit, në Itali e pa kurrfarë ndihme shtetërore, tregojnë se dikush veproi tinëzisht e djallëzisht nëpër sirtarët e kasafortën e zyrës së prokurorit Hana! Ç’farë zhdukën e ç’farë lanë atje ? E drejta vonon, por nuk harron. Të dashur vetingarë në këlëpëra e këlëgjëra, përse lodheni e sëkëlldiseni kot ? Apo do i zini “lepujt” me qerre?! Disa modele ndershmërie e trimërie mund t’u shërbejnë më mirë se ata përrenjtë me fashikuj a dosje marramendëse, me rregullore e bregore qumështore. Konkretisht, për pasurinë e “justifikuar” me letra e marifete, mjafton të nxirrni përballë tyre apartamentin parafabrikat të prokuror Xhevatit që shërbeu gati 4 dekada në drejtësi! Si do u përgjigjen vallë ata kokorocë me kollare e pa kollare? E vjedhura-e vjellura… Ose për profesionalizmin. Kush dhe përse u kanë bërë bisht çështjeve “me zarar” e djegëse ndaj interesave private? Arta Marku e tha shkoqur para publikut, për një gjyq të zvarritur tmerrësisht : “Prokurorët u paraqitën aty dhe një pjesë e tyre refuzuan që të marrin pjesë në short”(?!). Mendoni ku paska arritur davaja! Unë prapë këmbëngul: Krahasojini sadopak me Xhevatin me shokë, që tërë jetën besuan e luftuan për të Drejtën. Dhe kurrë nuk iu shmangën përgjegjësive të rënda. Vetëm kjo i bëri trima e guximtarë, në hetim e gjykim. Dhe nuk pritën kurrë të shullëheshin nën hijet e çuditshme të kodrave e maleve me përgjime, siç bëhet sot. Dhe të nesërmen ushqejnë si hajna pas shpine grazhdet e pista të partive, për të bërë luftën politike për kolltukë e ulluqe! Se orekset në këtë “kohë bishtdhelpre” janë ende të mëdha. Mirëpo, nuk është aspak e vështirë të dallosh qartë “fatlumët” nga “fatkatranët”. Sepse siç na thotë shpesh një i mençur: Të gjithëve na mpihen dhëmbët nga thartira, kurse prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar u mpihen nga ëmbëlsira…  

 Nga Kristo MËRTIRI              

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 19:41

Jetojmë në milleniumin e ri dhe syri më sheh ende femra që ndezin qiri në terr. Në këto pirgje imazhesh të ngjallin fobi, shoh shpresë pak të ardhmen e tyre, të binjakezuar me atë që shkoi dhe vazhdon të jetë.

Postuar: 25/08/2019 - 08:03

Nuk ka e si mos të ngjallë indinjatë dhe revoltë të brendshme te njerëzit e ndershëm, jo vetëm at

Postuar: 25/08/2019 - 08:01

Oratori i shkëlqyer, luftëtari trim dhe Hero i Popullit Memo Meto, kur është pyetur se ç’ës

Postuar: 25/08/2019 - 07:58

Një udhëtim drejt humnerës.

Postuar: 25/08/2019 - 07:56

Po po, e dogjën malin e Shëngjinit me qëllim dhe sigurisht te ne është absolutisht epidemi kjo ll

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga