Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Simboli i unitetit të kombit, apo menaxher i protestave të opozitës?

Postuar: 16/06/2019 - 07:35

Nuk është hera e para që presidenti aktual Ilir Meta merr vendime që dëmtojnë më shumë figurën e tij, se sa fyerjet që po u bën shqiptarëve me manovra nga më të rëndomtat politike. Këto lojra po e bëjnë edhe më mirë spektralizimin e figurës së tij, e cila nga simbol i kombit është kthyer në menaxher i protestave të dhunshme të opozitës. Dalldisjet në marrjen e vendimeve mbi bazën politikës destruktive, po e bëjnë edhe më të pavlerë qëndrimin e tij në selinë e unitetit të kombit. Të marrësh vendim për ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve, do të thotë të mohosh dhe godasësh autoritetin e figurës së presidentit, duke rënë në qerthullin e manipulatorëve politikë, që përligjin çdo të keqe, që po bëjnë në emër të demokracisë. Këto veprime konfirmojnë edhe një herë, se relevanca e tij është kundër çdo ndryshimi dhe aq më keq kundër reformës në drejtësi, si një institucion i munguar për ndëshkimin e padrejtësive. Qëndrimet e tij pragmatiste që përfunduan në koshin e plehrave, nuk janë të panjohura nga shqiptarët, që nuk mendojnë si ai dhe aleatët e tij. Kjo politikë që po ndjek, edhe pse nuk i ka hyrë as një gjemb në këmbë, për të gjithë ato akuza në drejtim të tij, po e vënë përballë aspiratave të shumicës së shqiptarëve, që nuk mund të murosin hipokrizinë e motos së tij; "me qetësi e dashuri". Si produkt i autokratizmit dhe allishverizmit me partitë e mëdha PD-PS, nuk mund t'i largohet kësaj filozofie. Megjithëse gjatë gjithë karrierës politike së bashku me partinë e tij, nuk shënoi histori suksesi, ai diti të shfrytëzojë rrethanat politike për interesat familjare e klanore.

Partia LSI që u krijua prej tij, duke afruar brenda saj të pakënaqurit e dy partive të mëdha, nuk u identifikua kurrë si parti programore në dobi të proceseve demokratike, por u shndërrua në faktor, në kurriz të dy partive të mëdha. "Arratisja" e tij nga e majta në të djathtë, e shndërroi në një patericë për rrëzim dhe ngritje qeverishë, ashtu siç bëri më 2009 dhe më vonë më 2013. Nga politika dhe kritika e kohës brenda dhe jashtë vendit, lëvizjet e tij u morën si një colpo di scena, për krijimin e një poli të tretë, që do të ndryshonte panoramën e pluralizmit politik në Shqipëri. Por Lëvizja Socialiste për Integrim, degjeneroi shpejt në lëvizje për pasurim dhe ç’integrim. Ndarja nga kampi i majtë erdhi si rezultat i situatës mafioze brenda saj, ngaqë nuk kishte vend tjetër për kapo. Një tjetër faktor ishte personalizimi i të gjitha opsioneve, nga ish. sekretari i PS z. Nano, ku midis tyre kishin shpërthyer divergjencat e papajtueshme politike. Largimi i tij nga e majta shkaktoi dramën e humbjes së zgjedhjeve politike më 2005, por në të njëjtën kohë ato shërbyen edhe si një leksion reformimi i këtij formacioni, duke u ndarë përfundimisht nga autoritarizmi i së kaluarës, gjë që e djathta nuk e bëri kurrë. Pragmatizmi i Ilir Metës, i propaganduar me tam-tame të mëdha, si një lëvizje që do të sillte ndryshim në reduktimin e pabarazisë, të papunësisë dhe varfërisë, nuk u panë asgjëkundi. Ato u mbyllën në sirtarët e demagogjisë populiste, së bashku me sfidën e reformave institucionale, si në drejtësi, shëndetësi, arsim ej. Të gjitha këto premtime, të kujtojnë këngën e të ndierit, artistit të popullit Demir Zyko; "Mbeçë more shokë mbeçë, atje tek ura e Qabesë". Propaganda e "Kapitalizmit social" u konvertua në mirëqenie familjare e klanore, ku gjurmët e tyre i gjen tek Gjiri i Lalzit, me vilën e tij me 11 banjo. Të vetmin program që zbatoi partia familjare e tij, ishte "Learm and earm" që u bë moto e të gjithë militantëve në administratat shtetërore, që nxitën dhe ushqyen kancerin korrupsion që mbuloi të gjithë sistemin. Megjithëse partia e tij nuk u bë drejtuese e vendit, ajo shërbeu vetëm në pozicionin komod si patericë e mbajtjes në këmbë të qeverive djathtas e majtas, duke mbetur në pozitat e një orientimi masiv populist, ku brenda saj fshihej metamorfoza e hilesë dhe hipokrizisë. Por historia e demokracive të zhvilluara ka treguar se edhe partitë e vogla luajnë rol ekuilibrues, në evitimin e përplasjeve dhe krizave politike. Kështu ka ndodhur në SHBA, me reformistët, socialistët, të gjelbërtit, të cilët megjithëse ndikojnë simbolikisht në shifrat e zgjedhjeve, nuk bëhen shkak për kriza politike. Shembuj kemi edhe në disa vende evropiane si Gjermani, Hollandë, Francë, Austri e gjetkë. Ato janë një shembull i mirë edhe për strukturat e sistemit partiak në Shqipëri, të cilat duhet të përforcojnë tezën se liria brenda tyre në shtetin komb, duhet të reflektojnë nivelin e demokracisë. Por fatkeqësisht në Shqipëri, inatet personale të liderëve të partive, kthehen në strategji sulmesh verbale e dhune në dëm të proceseve demokratike. Por presidenti aktual, duke qenë në pozita sunduese si kryetar shteti, po punon me të njejtën strategji si dikur, kur nga një sekt u shndërrua në korporatë, duke vënë në mengene pushtetin autokratik gjatë qeverisjes së bashku me Berishën, duke qenë se kishin një hall të përbashkët, atë të abuzivizmit me pushtetin. Ashtu siç bëri dikur që adaptoi armikun e armikut të tij për t’i zgjatur jetën pushtetit autokratik të Berishës, të njëjtën gjë po bën edhe sot me lojrat e tij politike. Por historitë e vendeve të zhvilluara demokratike, tregojnë se këtë praktikë ndjek edhe mafia, e cila ka si politikë programore nxitjen dhe ushqimin e terrorizmit, për t'i shpëtuar ndëshkueshmërisë.

Kështu presidenti aktual, me ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve kërkon të nxisë destabilitet, të shkatërrojë sistemin e ri të drejtësisë, për të shpëtuar nga ndëshkueshmëria e marrëzive abuzuese me pushtetin, të figurës së tij dhe aleatëve që u është bërë krahu mbështetës i aventurizmit politik. Këto lëvizje po përkojnë me stërvitjet e trupave ruse e bjelloruse në Serbi, të cilat ndjekin me vëmendje edhe situatën e acaruar në Shqipëri, që përkeqësimi i saj, do të favorizonte planet e tyre. Por presidentit aktual nuk i interesojnë lëvizjet e fqinjëve, por mbështetja dhe shpëtimi i kafshës aristoteliane Berishës, të cilit i po kthen reston duke e ndihmuar atë, për të dalë nga qerthulli ku ka rënë, paçka se merr goditje Shqipëria dhe sistemi demokratik. Por opinioni dhe zëri qytetar po flet qartë, se lojës së amoralitetit politik të tij, si përdhosës i figurës së simbolit të kombit, që është kthyer në menaxher i protestave të dhunshme, i ka ardhur fundi. Filozofia e pragmatizmit të tij, e mbështetur mbi allishverishe dhe hipokrizi, do të mbetet një histori e hidhur, sepse nuk u bë kurrë funksionale në shërbim të komunitetit por të klaneve mafioze. Ora e historisë për reflektim politik ka mbaruar, ajo bën apel për pastrimin e këtyre strukturave nga aliazhet e mbetjeve demoniane, që nuk i kanë shërbyer demokracisë, por janë kthyer në dhunues vlerave të saj.

Nga Kastriot ALIAJ

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 07:15

Kjo farë demokracie, që s’po hyn ende në brazdë, ka sjellë një çoroditje, që fjalën e lirë po e shpërdorojnë pa asnjë efekt,por as nuk po mjedisohemi me këto mendësi.

Postuar: 18/07/2019 - 07:13

Nuk do të rrinte pa bërë demagogji dhe llafollogji prej somnambuli politik dhe të pa afti të meri

Postuar: 18/07/2019 - 07:11

Lajmin se Monika Kryemadhi, ka një pallat në “Unazën e re” e kumtoi Presidenti Meta n

Postuar: 17/07/2019 - 07:15

Nëse i kthehemi retrospektivës për t'u ballafaquar me shprehjen epokale të bashkimit kombëtar

Postuar: 17/07/2019 - 07:14

- 422 mijë të punësuar nuk paguajnë kontributet!182 milionë euro deficit të skemës fundosin buxhe

Postuar: 17/07/2019 - 07:10

(Nuk di, pse mu kujtua kjo thënie e Shvejkut nga Bugjeovica)

Postuar: 17/07/2019 - 07:08

Ai socialisti i mirë aty në periferi, apo në qendër të Tiranës, ai që lexon i vetëm gazetat, ai q