BREAKING NEWS

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos heqjen e koalicioneve, Basha dhe amerikanët lënë në baltë presidentin

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos
x

Opinion / Editorial

Sindikatat e arsimit, ja si po i manipulojnë mediatikisht mësuesit për t’i marrë kuotat

Sindikatat e arsimit, ja si po i manipulojnë mediatikisht mësuesit

Në kohë fushatash, apo në kohë trazirash politike “mbijnë” në ekrane dhe në faqet e gazetave sindikatat e arsimit që nuk janë gjë tjetër veçse mbrojtëse të interesave të tyre. Me disa kontrata në dorë të vulosura nga shtetarë që dinë vetëm emrin “sindikatë”, të deleguarit e këtyre të fundit shëtisin në disa shkolla dhe kopshte për të marrë të ardhura. Kësaj po i shërbejnë dhe daljet televizive të disa drejtuesve sindikalë që kanë kohë që e kanë shndërruar misionin e tyre vetëm në shërbim të kuotave dhe asgjë më shumë. Janë mjeshtra të shfrytëzimit të paaftësisë së institucioneve për t’u thelluar në aktivitetin e tyre, pothuajse zero. E njëjta gjë po ndodh dhe me disa gazetarë në gazeta, televizione apo portale që se kanë idenë se kë po marrin në intervistë dhe se a janë në gjendje ata të paraqesin fakte për problematikën që intervistohen. Të ftosh në studio televizive të ashtuquajturit mbrojtës të punonjësve të arsimit, t’u hapësh faqet e gazetave dhe portaleve do të thotë për mua si gazetar me përvojë të punosh për të humbur audiencën dhe lexuesin. Mësuesit sot kanë shumë nevoja, janë nën presion të vazhdueshëm, pa përmendur pagat e tyre të cilat jo vetëm duhen rritur, por për mendimin tim duhen dyfishuar. Është për të qeshur dhe për të qarë me deklarimet e sindikatave të mësuesve në lidhje me vështirësitë e personelin mësimor në këtë kohë pandemie. Sindikatat nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të zhvilluar sondazhe, gjithashtu janë të paafta për të bërë hulumtime. Thjesht, ata janë dëgjues të rregullt të pasqyrës së shtypit të ditës në TV dhe komentues çfarë thonë të tjerët. Sepse këtyre drejtuesve nuk u hapen dyert e pushtetit, po ashtu në shumë shkolla dhe në arsimin parashkollor janë bojkotuar sepse nuk ofrojnë zgjidhje. Ka perënduar koha kur mblidheshin me bordero kuotat e mësuesve për sindikatat. Tashmë duhet deklarim individual që pranon të jesh anëtar i sindikatës dhe të paguash kuotën. Sindikatat e arsimit sot krenohen vetëm me firmosjen e kontratës kolektive të punës me Ministrinë e Arsimit. Kjo kontratë nuk ka asnjë vlerë. Ka shumë arsye, por për mua është një dhe vetëm një, që ka të bëjë me figurën e mësuesit, e cila sot është më e goditura. Sindikatat nënshkruese të kontratës me qeverinë kanë heshtur ndaj kërkesave tuaja. Sot ju edukatorë të nderuar nuk keni nevojë për ata që nuk ju kanë mbrojtur, sepse misioni i tyre ka qenë, është dhe do të jetë grumbullimi i të ardhurave nga kontributet tuaja. Pushteti i ka për zemër sindikatat “flluskë” sepse i shtyp me frymë. Sindikatat e arsimit nuk janë në gjendje të mbledhin as 50 vetë në protestë, e jo më të jenë zëri juaj mbrojtës. Sot, ata veprojnë me dopio maskë. E para e përhershme për ta, ndërsa e dyta prej COVID-19.