BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Sinicë të qaj me lot, pa ty nuk rrimë dot...

Sinicë të qaj me lot, pa ty nuk rrimë dot...

…Por nuk është vetëm Eshrefi që shkruan kështu, janë dhjetëra e qindra e ndoshta më shumë sinicarë që dashurinë dhe mallin për vendlindjen e shprehin me lot kudo ku ndodhen, Eshrefin takojmë të parin në Sinicë. Është më i gëzuar se kurrë. Eshrefi, 84-vjeçar, megjithëse as mendimi i tij krijues që krijon e prodhon dashuri për vendlindjen, as energjitë fizike që u japin forcë këmbëve për të shëtitur çdo pëllëmbë të kurorës përreth, as dora që i shkruan si në rininë e tij, nuk i binden viteve. Gjithçka ka në bark, i derdh me “bardhak”, me poezi që i burojnë nga shpirti: “Ju o sinicarë të mërguar / Sinicën s’e keni harruar/ Për Sinicën mos vajtoni / Por hajdeni e së bashku ta rindërtojmë”! Dhe Eshrefi, jep shembullin e tij për të rindërtuar Sinicën. Me të drejtë më thanë: “Të njohësh Eshrefin i keni njohur të gjithë”! Kjo, është e vërtetë, Eshrefi është mishërimi i të gjithë banorëve. Ai është vetë Sinica, Sinica vendi në gropë / Ku më ka rënë kjo kokë! Të gjithë, kudo ku kanë shkuar, kanë “marrë me vete” edhe Sinicën, e “marrin me vete” këtë “margaritar”, të bekuar nga natyra, të “mallkuar” nga politika e politikanët e megjithatë, “shkëlqimin” nuk mund t’ia heqin dot. Vargjet e Fuat Memellit, janë rrënjosur thellë në zemrat e çdo sinicari: “Sikur të kisha mundësi / Trupin ta ndaja në dy copë / Gjysmën ta lija në Shqipëri / E gjysmën tjetër nëpër botë”! Por të mos shkëputem nga Eshrefi. Kisha dëgjuar shumë për këtë burrë fisnik dhe tani që e njoha kam aq shumë për të shkruar, për këtë “model” atdhetari, patriot si askush, baba shembullor, gjysh “i rinuar”. I qeshin sytë nga gëzimi, i qesh zemra. Ka ardhur t’i japi dorën e fundit urës që ka ndërtuar me shpenzimet e veta, urrës që bashkon shtëpinë e prindërve të tij me anën tjetër të lumit, që ata të qëndrojnë më afër me bashkëfshatarët, myslimanë e të krishterë. Nga kursimet e tij, ka shpenzuar jo pak, por 2 milionë lekë, në kujtim të prindërve. “Këtu, ku urat me gurrë / Të mos bien kurrë / Ku shkojnë myslimanë e të krishterë / Që duhen më shumë se përherë / Janë bërë krushq disa herë, / Rrallë ndodh në fshatrat e tjerë”! Po cili është Eshrefi? Është njëri nga pesë djemtë e Selim Memellit bashkë me Nazmiun, Seferin, Ramadanin, Asllanin dhe dy motrat. Shtatë fëmijë Selimi, i rriti i edukoi e i shkolloi me punën e tij me sakrificat e tij që tërë banorët e zonës e mbajnë në gojë për punën e tij, për sakrificat që bëri. Si i tillë, Eshrefi, nuk mund ta linte të veçuar shtëpinë ku u rritën, por i bashkoi me të gjithë.. Për shumë vite Eshrefi ka punuar ushtarak në organet e punëve të Brendshme. Shkollën 7-vjeçare e përfundoi në fshat, për të vazhduar shkollën e mesme e të lartë për ekonomist e më pas si ushtarak. Në vitin 1966, kur u hoqën gradat ishte me gradën Kapiten i Parë. Punoi si atdhetar i vërtetë, në Korçë, në Fier e së fundi në Pogradec, ku doli edhe në pension. Aktualisht, jeton në qytetin e Pogradecit, por kohën e ndan më dysh që të mos i mbetet “hatri” as Sinicës, as Pogradecit. Mallin për Sinicën nuk e “shoi” asnjëherë. Nuk vjen vetëm në behar në Sinicë, por edhe dimrin. “Valë e bukur moj Sinicë / Do të vij dimrit me ngricë / Do vishem trashë si shakull / Do sodit qirinjtë me akull”! Duket sikur Eshrefi, është “vakëfi” ku kanë gjetur “strehë” të gjithë, të rinj, të reja, moshatarë. Dy vajzat e Eshrefit, Linda dhe Merita Memelli jetojnë në Nju Xhersi në Amerikë. Të dyja lule mes luleve në Garden State, Kopshtin e Luleve në Nju Xhersi, ku respektohen si askush tjetër. Krenaria e tyre, është Sinica. Që të dyja me profesionin e ekonomistes së lartë dhe çdo qindarkë për Sinicën e shkojnë në “vrimë të gjilpërës”, i mbledhin për Sinicën, që e kanë si pjesëtar të familjes. Eshrefi, të gjithë i përfaqëson denjësisht, me hallet, me brengat, me mallin për Sinicën, për Valën, për kurorën e gjelbër, për traditat e të parëve... Të gjithë kanë të njëjtat halle, të njëjtin “infeksion” që nuk i shqitet, dashurinë për Sinicën, mallin që i djeg... Kush vallë të jetë ajo forcë që këta banorë, brez pas brezi i “pasojnë” njëri-tjetrit dashurinë për fshatin, për vendlindjen, për Shqipërinë? Të jetë bekimi që i ka bërë natyra qysh nga të parët e tyre me zgjuarsinë dhe bujarinë natyrale të pleksur me ato të shkollës me idhullin e mësuesisë Dhimitër Farmaqi? Ah shkolla, “burimi” i dijeve nga mësuesit që kanë bërë epokë, Dhimitër Farmaqi, Petraq Samsuri, Stavri Dimashi, Jani Depo, Arthimi Depo… Janë me dhjetra. Kushte tejet të vështira ishin, por vështirësitë, i mposhtnin. Edhe orë nuk kishin, atë e zëvendësonte qyqja që bënte zgjimin, kambanat e kishave të Shën Kollit e Shën Thanasit i lajmëronin nxënësit për t’u nisur në shkollë. I shkruan bukur Eshrefi: “Kushtet për të mësuar mungonin / Nën dritën e kandilit mësonim / Veten, prindër e mësues të nderonim”! Shumë vite përpara, Fuat Memelli, gazetari dhe kronikani që për më shumë se dyzet vite u “serviri” shqiptarëve çdo “pjesë” të Shqipërisë, duke e shkelur pëllëmbë për pëllëmbë, i “serviri” njerëzit punëtorë... Shumë vite përpara Fuat Memelli shkruante për “Shkollën që pikon lot”. “Lotët” e saj, ishin edhe “lotët” e sinicarëve. U mblodhën nga ishin e nga nuk ishin e vendosën të kursenin diçka nga kursimet e tyre edhe për shkollën si për familjet e tyre. Sot, “lotët” e shkollës, kanë pushuar, por akoma nuk po “i qesh buza”! “Lotët” ia pushoi Fuat Memelli me Linda Memelli (Musain) që i mblodhën “shamiçkat” nga sinicarët që ishin të gatshëm. Edhe mendjen edhe zëmrën Fuati, Linda, Alberti (Hysolli) e qindra të tjerë e kanë në Shqipëri edhe sytë i mbajnë “katër” e shohin gjithçka ndodh në Sinicë e Shqipëri edhe veshët i mbajnë “pipëz”, dëgjojnë e nuk u shpëton asgjë të mësojnë edhe sa kursime janë mbledhur për Sinicën, sikur të ishin në garë me njëri-tjetrin, që shkolla të mos pikojë “lot”, që uji kristal të rrjedhë në çezmat e çdo shtëpie, që traditat e të parëve të mos “vdesin” kurrë… Nga viti 2015 e këtej janë mbledhur 1 milion e gjashtëqind e dyzet e një mijë e treqind e tetëdhjetë lek, (i them me lekët e reja, e kështu do t’i them të gjitha jo si shteti që i thotë me të vjetrat, vetëm kur flet për pensionet që jep, që pensionistëve t’u “mbushet goja”, por jo xhepat që u rrinë bosh)! Pesëqind mijë nga këto (të reja) janë dhënë vetëm nga Fuat Memelli. Edhe Albert Hysollin, Koco Tahirin e qindra të tjerë nuk i zë gjumi. Me kontributin e të gjithëve, do të bëhet e mundur që së shpejti  shkolla të “flasi” vetë me “gojën” e saj si muze, të “flasi”, për traditat e të parëve, për historinë, për dritën e diturinë për ata qindra e mijëra të larguar me kohë, për nipat dhe mbesat… Sa shumë kanë bërë për Sinicën Linda Memelli (Musaj) e cila bëri thurjen me rrjetë teli e shtylla betoni të varrezave të komunitetit mysliman me një shumë afër dyqind mijë lek e po kështu u bë thurja e varrezave të komunitetit të krishterë me mbi dyqind mijë nga zotërinjtë Koco Jorgo Tahiri, Valbona Jorgo Tahiri dhe Petrika Thoma Terezi, që të parët të prehen të qetë, të prehen në qetësi për punët e shkëlqyera që kanë bërë. Duket sikur të gjithë, janë në garë me njëri-tjetrin edhe për ata që janë ndarë nga jeta, për sakrificat që kanë bërë. Nga komuniteti sinicar kudo ndodhen në botë e nga shoqatat bamirëse, janë shpenzuar jo më pak se dy milionë lek të reja për riparimin e kishës së Shën Thanasit e jo më pak për Kishën e Shën Kollit, përvjetori i së cilës çdo 20 Maj, i mbledh të gjithë sinicarët e festojnë së bashku. Aty promovoi edhe librin e tij me këngë e serenata të të gjitha kohëve Perikli Pano, me mbi dyqind e ca serenata, aty e promovoi edhe librin e tij të fundit Besnik Memelli. Tash së fundi edhe nëpërmjet Shoqatës “Sinica” që Linda e ka për zëmër, po mbledhin fonde edhe për rrugën atë rrugë nga fshati Miras në Sinicë. Ah rrugë, më mirë t’i themi “mallkimi” që politikanët vazhdojnë t’i bëjnë sinicarëve. Gjuha, vjen këtu, ku dhëmb “dhëmbi”! Nuk e bëri këtë rrugë për pesëqind vjet pushtuesi turk. Më mirë bëri, që turqit të mos vinin në fshat për të mbledhur të dhjetën, sepse qytetërim ata nuk sillnin... Nuk e bëri as diktatori, pavarësisht që thoshte: “Sikur të isha 20 vjeç do të vija të jetoja e të punoja në fshat”. Nuk po e bën as ky  kapitalizëm që nuk është as “larush” e as “balash”! Rruga ka filluar të bëhet, por përfundimi i saj nuk dihet. Këtë na e ka mësuar kjo kohë që dikur Shekspiri shkruante: “Në këtë kohë të ngjallme e shpirtboshe / U dashka virtuti, t’i kërkojë ndjesë vesit”! Rregullimi i rrugës ka filluar, por kjo gjoja demokraci na ka mësuar që “fillimi dihet por nuk dihet mbarimi”! E megjithatë, le të shpresojmë. Edhe ujin e Valës së Madhe, këtë mrekulli të natyrës politikanët deshën ta shëmtonin që Eshrefi proteston: “Valkë me kë ke hyrë në “gjak” / Më i bukuri katarakt / Ujë flak e ujë rrëshqet / Ke natyrën arkitekt”. Këto, janë edhe “mallkimet” që politika i ka bërë këtij vendi të shenjtë e të bekuar, qysh kur Natyra, i tha: “Ju vendosa në një vend të zgjedhur për turizëm që të jetoni si e meritoni. Nuk ju dhashë shumë tokë, por ju dhashë livadhe e kullota, ajrin e pastër të mbushur me ozon për jetën, ju dhashë ujë të pastër, ju dhashë të gjitha mirësitë”. Ndoshta është “bekimi” i natyrës, ndoshta është mallkimi nga politika që këta njerëz janë kaq të bashkuar me njëri-tjetrin, ndoshta janë të dyja, ndoshta asnjëra. Të gjitha këto, i hamendësoj për të gjetur burimin e asaj force që i ka bërë këta banorë si njërin edhe tjetrin qysh nga fëmija e deri tek më i moshuari të kenë të njëjtën “prerje” mallin dhe dashurinë për fshatin e tyre, si askush tjetër. E megjithatë, kudo ku ata janë në çdo cep të Botës, e dëgjojnë njëri-tjetrin, nuk ia prishin njëri-tjetrit, kanë të njëjtat halle me njëri-tjetrin, hallet e vendlindjes, përpjekjet e të gjithëve për t’i “zbutur” sa më shumë vështirësitë, le të shpresojmë... Sido që të jetë, ata të tillë mbeten, shembull kudo ku jetojnë e punojnë. Kudo ku ndodhen, secili prej tyre “ka marrë me vete” edhe Sinicën e secili prej tyre sipas mundësive, sjell në fshat një urë, një kishë, një vakëf, një ujësjellës, një muze. Kam takuar shumë banorë të këtij fshati në Tiranë, Korçë, Elbasan, Pogradec e kudo. Të gjithë janë një “prerje” të gjithë kanë të njëjtin mall e dashuri për fshatin e tyre, të gjithë mendojnë të bëjnë diçka. Për Sinicën, nuk shkruajnë vetëm shkrimtarët dhe poetët e afirmuar të themi si Fuat Memelli, Riko Hanelli etj. etj. nuk shkruan vetëm Eshrefi ky burrë fisnik me shume vlera, por kush më shumë e kush më pak, shkruajnë të gjithë, sepse “lëndën e parë” e kanë të gjithë, mallin, dashurinë, natyrën e rrallë të Sinicës. Të gjitha së bashku kanë bërë atë që Devolli dhe Sinica të marrin të drejtën e qytetarisë ndërkombëtare. Edhe unë ndihem disi i hutuar mes vlerave të shumta të këtyre banorëve, që duket sikur nuk janë të formuar prej mishi e gjaku, por prej malli e dashurie për vendlindjen. Edhe në këto pak rreshta, jam i ndërgjegjshëm që jo pak herë jam ngatërruar e megjithatë, unë nuk jam i kënaqur për ta vazhduar këtë nismë e për të mos e lënë me kaq, sepse siç thonë: “sherri kërkon nge” dhe duhet ulur këmbëkryq…