BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Skandali: Një profesor lëngon në spitale, Posta e Tiranës i vjedh pensionin!

Skandali: Një profesor lëngon në spitale, Posta e Tiranës i

Përfytyroni pak çaste një njeri që heq e vuan në shpellën e tij të zhgënjimit e të dëshpërimit; një ish pedagog model i Arsimit të Lartë që ka rrojtur e rron vetëm me djersën e ballit; një familjar të përkushtuar plot dashuri e kujdes prindëror të admirueshëm; një Profesor Doktor që ngjiti shkallët pa katapulte e pa furka nepotike ! Gdhihet e ngryset fiks 40 vjet në një apartament të vogël dhomë e kuzhinë, pa u qarë e pa trokitur dyerve të pushteteve që vijnë e shkojnë me daulle të çjerra e gërneta elektorale fasadë e ëndrrandjellëse. Djathtas e majtas !  Aty, te Bërryli në kryeqytet, ku “Dovleti”(shteti) i vuri bërrylin dhe nuk u kujtua më për të, e as për gruan dhe dy vajzat ! Përfytyroni e krahasojeni me mjaft kolegë të tij nëpër universitetet publike e private që janë majmur e bërë pasanikë me “rrogën” e bekuar të shtetit pluralisto-demokratik, me disa apartamente banimi, me dyqane e llogari bankare dhe janë gati të të thyejnë kokën me para në dorë ! Abuzues të pacipë e moralist leksionesh të pandreqshëm gjatë Tranzicionit shqiptar rrokopujë…Dje, dhe sot e kësaj dite, rrugën për në Kamzë e gjetkë e ka bërë përditë me këmbë, me autobuz urbanë e furgona. Kështu, si në monizëm dhe në pluralizëm. Por karriera e kulluar pedagogjike, shkencore e akademike e Kristaq Bërxholit nuk nisi nga metropoli verbues e pak mosbesues dhe as nëpër bulevardet e tij herë-herë të mbarsur me pazare e horrllëqe xhambazësh. Hapat e para djaloshare i hodhi kodrave e maleve të Tepelenës, atje ku dikur blegtoria kapte majat e zhvillimit të vërtetë. Atje, ky bir Lunxhërie punoi e eksperimentoi me pasion e sedër profesionale. Ashtu si kalliri kokëulur e me përgjegjshmëri maksimale, arriti suksese që jo rrallë ndiznin edhe shkëndija xhelozie, zilira, smira e qesëndira provinciale të një fodullëku bosh e pa ideale të pastra.

Profesor Kristaqi nuk çau në jetë as me bërryla e as me rryla të lëpirë si karçinë vjeshte nga servilizmi gogësitës e neveritës. Dhe asnjëherë nuk i tha derrit dajë ! Ai nuk flet hiç me bërryl, është i sinqertë, i hapur e i drejtpërdrejtë me të gjithë, i ndershëm gjer te kufijtë e naivitetit administrativ. Por sot…këtë Profesor Doktor të pakorruptuar e kurdoherë të pajoshur nga tringëllimat vezulluese e zarfet me “barrë” brenda e jashtë mjediseve të errëta universitare, gati nuk e përfillin fare. Shkurt, e kanë në bërryl !? Veçse jeta jo gjithmonë u tregua e drejtë, dorëlëshuar e hovardare me këtë intelektual jo dosido: -Fatkeqësitë personale e familjare nuk e thyen, i priti e po i përballon me dinjitet të pashoq, pa zhurmë mëhalle e larg përpëlitjeve qaramane e mëshirëlypëse. Nuk kërkoi kurrë e as lakmoi ndonjëherë favore e “ndere” mbi e nën Ligj. Fjala vjen, media e shkruar dhe ajo elektronike tashmë e ruan si një aset të çmuar, serioz e skrupuloz për fushën e Veterinarisë shqiptare dhe të sigurisë ushqimore. Po për mua është edhe vëllai i Andonit të paharruar (përkthyes, diplomat e Ambasador me emër të nderuar). Është edhe vëllai i Arqilesë, mikut tim qysh prej viteve të rinisë studentore, që la një emër të ndritshëm në fushën e Gjeografisë dhe në brezat e Fakultetit Histori-Filologji si pedagog e dekan. Mendoj se vështirë të gjesh 3 vëllezër Profesorë nga një derë, nga një familje që i dhanë jo pak mëmëdheut, Shqipërisë sonë hallemadhe ! Sepse me ata 3 vëllezër nuk krenohet vetëm “Lunxhëria plot lezete”. Por jeta nuk hedh gjithnjë lule e pekule mbi kurrizin e njerëzve të mirë… Kristaqit tonë nuk i ka pjellë kurrë mushka ! Dhe nuk thonë kot lunxhiotët e mençur: “Rron i miri sa do i ligu”…Vitet e fundit, një mëngjes drithërues te Bërryli, befas bashkëshortja i mbylli përgjithmonë sytë pa u ngritur ende nga krevati dhe shkoi në atë botë në paqe me veten dhe të tjerët. Por edhe plagëhapur që nuk shërohet kurrë për Kicon e urtë e fisnik dhe për dy vajzat e martuara që jetojnë e punojnë jashtë shtetit. Mirëpo edhe vetmia të vret, të than e të përthan, sidomos kur qaset ajo mosha e bardhë dhe çdo ditë sikur “të ha shtëpia” për së gjalli. Prandaj njeriu kërkon të bëjë miq sa më shumë doktorë, përballë ilaçeve që nuk i shërojnë dot të gjitha dhimbjet sfilitëse, fizike e shpirtërore… Sapo kish dalë faqepanjollosur në pension pleqërie e akademie. Brenda apartamentit furrik 40 vjeçar tashmë askush nuk pipëtiu, ta përqafonte e uronte për ta ngrënë gëzuar pensionin. Një dhimbje koke e padurueshme po ia rrëmbushte sytë dhe vetminë shpirtngrënëse. Sepse mosha dhe sëmundjet nuk mund të lidhen me litar. Aq më tepër që Kicua as lidhet e as zgjidhet kollaj dhe as dorëzohet lehtë. Por fatin nganjëherë nuk e bën dot vetë… Aq më tepër ato metastazat kanceroze që s’bëjnë asnjë kompromis me njeriun dhe zhdukin miliona nëpër botë. Diagnoza e shpejtë dhe e saktë i hapi udhë operimit, trajtimit e mjekimit, nën kujdesin e dy vajzave të shtrenjta në Gjermani. Pastaj iu qep edhe Covidi !...Kalvari i mundimeve  zgjati jo pak. Kalvar shëndetësor me jetën në fije të perit. Por edhe kalvar ngushtues e torturues financiar. Gjatë rrugës së kthimit për në Shqipëri, bluante në heshtje se si do të mbyllte ndonjë vrimë shpenzimesh e borxhesh me pensionin e profesorit. Por të papriturat irrituese e revoltuese nuk iu ndanë. Gjatë kohës që dergjej e lëngonte spitaleve, Posta e Tiranës i kish vjedhur pensionin e dy muajve (?!). Ulërimë me thes në kokë ! D he nisi një kalvar tjetër të pamerituar, të lodhshëm e dërmues psikologjikisht. Ashtu i pashëruar e si me shpirt ndër dhëmbë trokiti në Drejtorinë e Postave të Tiranës, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, te ministrja Balluku e gjer te Kryeministri dixhital. Rrodhën muaj të tërë torture, fizike e shpirtërore. Asnjë zgjidhje ! Asnjë përgjigje zyrtare e institucionale ! Vetëm Posta e Tiranës tund e shkund një fjali sa qesharake dhe kulpërake nëpër udhë, telefona e sokaqe: “-Po verifikojmë firmat e hajdutëve tanë”…Një tallje e papërgjegjshme, e paparë ! Nuk duam të lodhim lexuesin. Subjekt i rrallë dhe me personazhe realë në krye të Administratës Shtetërore, që fundosin kokë e këmbë  disa shërbime ndaj njeriut të ndershëm në pension.

Profesor Bërxholi, para pak ditësh zuri krevatin nga Covidi, ashtu në vetminë rrënqethëse te “Bërryli”. Trokitjet dhe ankesat e tij ranë në veshë të shurdhët ! Muaj të tërë heshtin memurët (jo gajdhurët) e pushstetit e të shtetit nëpër kolltuqe e dhuruara padrejtësisht në krye të Postës së Tiranës; po kështu në kokën e Postave të Republikës; në bedenat me spaleta e grada të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit ku denoncimi me gojë e me shkrim i një akademiku nuk pika asnjë pikë ujë (!); në emailet fëshfëritëse si gjarpri dërguar ministres së shumëpërkëdhelur Balluku, tani me dy kolltuqe(jo ulluqe) të rënda qeveritare; në atë Portalin (jo pordhalin, siç e thërrasin me qesëndi mjaft nga miqtë e mi vlonjate të zhgënjyer) e Kryeministrit dixhital ku mjaft halle të njerëzisë së thjeshtë e pa shpatulla të ngrohta, ka kohë që po mbushin koshat dhe kanalet e ujërave të zeza rreth selisë kryeministrore ?!... Më thoni, ku të falet i ziu njeri ? Gati të gjithë tallen e mbllaçiten këmbë mbi këmbë e me bulçi të fryra dhe me vithe të rënda përballë taksapaguesve që u paguajnë rrogat e larta. Vërtet Edi Rama “ka kohë që nuk dëgjon hiç nga ky vesh”? Nuk dua ta besoj plotësisht. Mirëpo faktet ulëritëse të militantizmit yrrja-byrrja dhe ato të nepotizmit ngritur sa një mal, tashmë i gjen kudo nëpër piramidën shtetërore. Këto po hanë e gërryejnë përditë më keq se mola trarët e shtetit të së Drejtës, trarët e Demokracisë së vërtetë. Kur hajdutëria shtetërore arrin deri te lëkura e pensionistëve(Hapur e në mes të ditës); kur vjedhin dhe sillen harbutërisht me një Profesor Doktor, merreni me mend se si sillen me qytetarët e thjeshtë taksapagues. “U bëfsha naftën “reformave administrative” me lëtyra të trumbetuara nga gurmazet e çjerra të pushteteve që vijnë me këmbë dhe shkojnë kaluar e të pasuruar !”,-na thotë shpesh një ish montator i vjetër i veprave hidroenergjetike.-Borie të tilla pa bereqet për fukarenjtë e njerëzit e ndershëm  kanë vetëm një emër domethënës: Dang e dung këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare !”…Shkurt, na mbytën batakçinjtë, kusarët, fodullët e kokëboshët partiakë që duan temenara e hosanara dhe trasta me “arra”. Më tej. ( Po e theksoj jo pa revoltë, hidhësirën e një Administrate Postare të ndryshkur e të mykur e “shijova” keq edhe gjatë komunikimit tim ditët e fundit me disa drejtues e specialistë në Postën Shqiptare dhe në Policinë e Shtetit. Dallkaukë, të paaftë gjer në neveri e krejt të papërgjegjshëm që nuk u lëvizte qerpiku para Ligjit. Nepotizmi llahtarë i ka bërë  trima me zarfa e bikutina. Sepse këta sojsëzë brohorasin gati përditë para syve tanë habitore: Rroftë e qoftë Maliqi !! Qoftë edhe për këtë rast tepër skandaloz, po të isha Kryeministër serioz do të kërkoja minimalisht shkarkimin e menjëhershëm të zinxhirit drejtues lapanjoz e të pacipë të punëve të ndyra. Kush do ia kthejë pensionet e vjedhura nga istikamet e shtetit Profesorit që lëngon ende ?!). Edhe ju vetë, përse e fyeni duke mos I kthyer asnjë përgjigje as nga aparatçikët tuaj, bashkë me ministreshën që e bëtë fët e fët nr. 2 të Qeverisë ?! Ju nuk e dini fare kontributin e Kristaq Bërxholit edhe në PS e Tiranës dhe është disa minare më lart se ju dhe mjaft të tjerë që sot kapardisen e stolisen në emër të asaj partie që mua më dhemb shumë. Domethënë, të tjerë punuan e luftuan, të tjerë krejt aguridhë e anonimë në sofër u shtruan !! Kjo është e vërteta që shpon çdo të majtë dinjitoz e aspak këpucëfshirës dhe lëpirës të paskrupullt që nuk I lidh asgjë me elektoratin e mrekullueshëm e fatkeq të PS-së…Sot mund të jeni bërë vërtet pasanikë e të kollarisur nëpër monopate pushteti; sot mund të mos u dhimbset hiç qytetari halleshumë; sot mund të mos e lexoni fare median(sic thonë), por lëngimet dhe rënkimet e ati Profesori, mbase një ditë do iu trembin gjumin natyral e institucional !). Në këtë botë jallane, të rrish gojëkyçur nëpër kolltuqe të larta zyrtare, “ askush nuk mund ta marrë vesh a e bën ai këtë se është plot me mend apo se nuk ka mend fare”! Dhe vjen një cast e na gurgullojnë pranë 5 vargje nga R. Bërnsi: “ Kështu, ashtu,/ Nuk kam qeder !/ Nga qyrku s’duhen matur !/ Ai që rron me djersë e nder/ Për mua është I pasur !”…