BREAKING NEWS

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën deklaratën ‘bombë’ për atë që fshihet pas pandemisë së COVID-19: Ky krim nuk del me armë në dorë, është i nivelit të lartë!

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën
x

Opinion / Editorial

Socialistët rrudhin buzët, demokratët e shpallin armik Besartin!

Socialistët rrudhin buzët, demokratët e shpallin armik Besartin!

Në Shqipëri ende partitë politike e njësojnë veten me shtetin. Parulla, “partia mbi të gjitha” edhe pse kanë kaluar tri dekada nga përmbysja e sistemit komunist dhe kanë rrjedhur shumë ujëra dhe demokracia ka kaluar nëpër shtigje e rrugë të njohura, presupozohet që klasa politike të jetë më e pjekur. Po fatkeqësisht ende është në fuqi thënia “Ç`thotë partia bën shteti dhe ne jemi vetë shteti”, është ngulitur thellë në psikikën dhe filozofinë e partive shqiptare. Si tek pretendentët për pushtet edhe partitë në mazhorancë. Mburremi kot, mbajnë fjalime oratorët, nxjerrin gjoksin liderët, bëjnë deklarata funksionarët e partive, çohet zëri kur duan të tregojnë se shteti është shtylla, i pavarur nga ndikimi i politikës dhe administrata shtetërore nga kreu i piramidës deri tek kryeplaku i fshatit më skajor janë shërbëtorë të shqiptarëve. Edhe pse duhet që shteti të përfaqësojë të gjitha shtresat shoqërore me dhe pa parti. Kështu në partitë në pushtet apo opozitë. Teorikisht të gjithë janë të barabartë dhe meritojnë të jenë pjesë e strukturave shtetërore dhe administrative dhe kjo nuk varet nga tesera e partisë apo militantizmi, po nga profesionalizmi për t`i shërbyer shoqërisë dhe reformave të rëndësishme në të gjitha fushat e jetës. Edhe pse në dukje, ka një perceptim se të gjitha partitë politike, së paku ato që kanë drejtuar Shqipërinë në këto tridhjetë vjet, veprojnë me të njëjtin mekanizëm dhe janë njëlloj në trajtimin e administratës, si të pavarur dhe tregues që vendos është përgatitja dhe kualifikimi, ndershmëria dhe aftësitë profesionale jeta tregon të kundërtën. Kjo nuk ka qenë asnjëherë e barabartë përballë pushteteve që kanë alternuar gjatë këtyre tridhjetë viteve. Kujtojmë këtu vitet e para sapo PD erdhi në pushtet me flamurin e përmbysjes deri në thellësi në çdo qelizë të shoqërisë dhe zhdukjen e tërë administratës së trashëguar nga sistemi i përmbysur edhe pse shumica ishin nga specialistët më të kualifikuar që vinin nga një përvojë shumë vjeçare. U fshinë me një të rënë të lapsit ata që kishin shërbyer dyzetë vite. Administrata u barazua me partinë që erdhi në qeverisje në vitin 1992. Në krye të komisariateve të policisë u emëruan, brigadierë, mekanikë, barinj, mjekë. Aq sa shpërthyen barcaletat si në rastin e Sarandës pasi në krye të policisë u emërua një mjek i anëtarësuar në PD. Ish-drejtuesi u tha kolegëve: Tani mua më takon të drejtoj spitalin. Përderisa mjeku u bë drejtues i parë i policisë përse mos të bëhem edhe unë drejtues i spitalit. Po sa raste të tilla kanë qenë. Administrata humbi tërë përmbajtjen. U bë njësh me partinë. Qeveria dhe institucionet u shndërruan në kopje të partisë. Po nuk ndodhi gjithnjë kështu. Me ardhjen e socialistëve në pushtet në 1997, Kryeministri, Fatos Nano zbatoi një filozofi krejt ndryshe. Ish-drejtues të rëndësishëm të PD-së, u emëruan prej tij në krye të dikastereve të rëndësishme. Genc Ruli, një nga themeluesit e PD u bë ministër, Arben Imami, Kryetar i Komisionit të hartimit të Kushtetutës, Kryetari PR, i ndjeri Sabri Godo, i urti Godo, bashkëkryetar i këtij komisioni. Pa folur që specialistët e kualifikuar edhe pse me tesër të PD-së mbetën në detyrat që kishin. Asnjëri nuk iu tha: Ikni se tani pushteti është yni! Për herë të parë qeveria socialiste pranoi në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit oponentin e vet një figurë të PD-së dhe prej asaj kohe deri në ditët e sotme vijon kryesimin e këtij organi kushtetues me rrezatim të gjerë për punët e shtetit ta drejtojë opozita, e cila sa herë i duhet i bën gjyqin qeverisë me raportet e Kontrollit të Lart të Shtetit me të dhënat e publikuara prej tij. E njëjta situatë edhe me Kryetarin e Shtetit. Në tri dekada, vetëm një herë socialistët patën në krye të shtetit një nga figurat e partisë, Rexhep Mejdani, i cili për hir të së vërtetës, ishte i baraslarguar dhe bëri presidentin dhe nuk ka asnjë pikë takimi as me paraardhësit as pasardhësit në zbatimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë. Pas ardhjes së Edi Ramës në krye të qeverisë, emërimet kanë ndryshuar tërësisht. Në logjikën e Ramës në zgjedhjet e tij, ka qenë filozofia moderne dhe praktikat e shtetit për të gjithë. Në qeverinë socialiste në këto tetë vite shumë pak kanë qenë figura të njohura të partisë në krye të dikastereve të rëndësishme. Emërimet kanë ndjekur një logjikë tjetër, shumë më progresive dhe të larguar nga përzgjedhja sipas bindjeve dhe teserës së anëtarësisë. Nuk është fjala për prurjet nga Kosova që edhe kjo një risi larg sloganeve dhe propagandës patriotike, po edhe ministrat më të rëndësishëm të përzgjedhur, kanë qenë figura që nuk kishin bërë asnjë ditë jetë partie, po vinin nga sektor të bankave apo fusha të tjera të cilët dallonin për begraundin e tyre shkencor, individ me profesionalizëm të spikatur, shkolluar në universitetet më me reputacion të botës. Fillimet e qeverisjes së socialistëve me këto vendime nuk ishin të paktë socialistët qejfmbetur, kritikë me kryesocialistin Edi Rama. Jo pak mbetën në hije dhe nuk ishin aktivë në punët e përditshme. Kjo, jo vetëm për emërimet e zyrtarëve të lartë, po edhe atyre poshtë deri tek specialistët e zakonshëm që janë thjesht rrogëtarë që marrin nga shteti një pagë modeste. Në vitin 2013 dhe 2017 specialistët dhe punonjës të administratës nuk u flakën për bindje politike. Edhe sot pas tetë vitesh, janë jo të paktë ata që paradite shkojnë në zyrat e shtetit dhe në mbrëmje në takimet e opozitës. Po ky qëndrim nuk u bë shkas për ndëshkim. Tek e fundit ata janë shtetas të këtij vendi. Bashkëkombës, miq të socialistëve, të afërm të tyre, popull që jeton në këto troje dhe bindjet si dhe shijet janë personale. Punët i ngatërrojnë vetëm politikanët. Njëherësh për ta shkëputur sa më shumë praktikën e mëparshme, kryeministri, pa llogaritur qefmbetjet, shijen e emërimeve tek baza socialiste, solli në drejtim individë të spikatur që nuk kishin as ideologjinë e socialistëve as i lidhte gjë me këtë forcë politike. Dhe jo vetëm zyrtarë të lartë të pushtetit. Në poste të rëndësishme përzgjodhi specialistë të shquar, njohës të ekonomisë dhe politikave të zhvillimit. Kjo përzgjedhje, natyrisht ka shkaktuar pakënaqësi. Në jo pak raste dhe inate nga individë që e kanë lidhur jetën me partinë socialiste dhe nuk mund ta kuptojnë veten jashtë llogarive të emërimeve në vende pune, ku sigurohet një pagë e mirë me shumë pak mund dhe në jo pak raste është e fortë psikologjia se ka vende me para të madhe pasi jo pak militantë gjykojnë se kanë tagrin të vënë dorë në portofolin e atyre që i kanë deleguar në këto pozicione me votën e tyre kur kërkojnë shërbime prej tyre në zyrat e shtetit. Me vendimet surprizë, Edi Rama ka bërë të pakënaqur jo pak socialistë. Ka fituar edhe urrejtjen e demokratëve. Kështu me përzgjedhjen e ish-ministrit të Financave Bode në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, u anatemua nga të dy krahët e politikës. Ridvan Bode ishte nga figurat më të rëndësishme të PD-së. Ishte Sekretar i Përgjithshëm dhe ministër prej vitesh. Si i tillë, ai mbart kudo që shkon i dashuruar me partinë mëmë dhe i ka sytë tek bashkëpartiakët kur bëhet fjalë për politikë. Dhe kjo nuk është e qortueshme. Po zgjedhja e tij nuk u bë për arsye politike. Ai nuk mund të anatemohet si specialist dhe përgatitje për të reformuar sistemin bankar apo atë financiar. Është njohës i politikave makro e mini. Si i tillë shkoi edhe në Bankën e Shqipërisë. Dhe atje do bëjë politikë ekonomike. Po rasti më i fundit i përzgjedhjes jashtë oazit të partisë rozë, socialistëve, ishte emërimi i Besart Kadisë, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Shqipërisë. Pra, ish-sekretari për Sipërmarrjen e Lirë në PD, shkolluar në Perëndim, u emërua në një post kyç të qeverisë, atje ku nisin dhe marrin jetë projektet më madhore dhe alokohen miliona euro për zhvillimin e ekonomisë tonë kombëtare. Zoti Kadia do marri vendime në emër të qeverisë Rama. Profesionalizmi i tij nuk ia lejon që të bëjë politikë. Dhe këtu frika e socialistëve, pse jo edhe zilia dhe ideja se i takonte një figure socialisti posti që i ka rënë bretku në fushata elektorale në këto tri dekada, është pa bazë. Në opinionin e gjerë, qytetarë emërimin e Kadisë e vlerësojnë si nxitim nga ana e Ramës. U kujton Mukën! Disa socialistë janë të pakënaqur. Ata nuk duan të justifikojnë këtë emërim dhe as të gjykojnë arsyet pse. Po nëse socialistët janë të pakënaqur dhe jo pak kanë rrudhur buzët dhe sharë nën dhëmbë Ramën që peshkoi në ujërat blu një personalitet të financës dhe ekonomisë, në PD ra rrufeja, bomba më keq se Gërdeci dhe dogji ideologjinë bashkë me protokollet dhe dokumentat e anëtarësisë dhe vendimet e kryesisë. Si është e mundur? Njëri nga tanët ikën pa pyetur partinë?! Pranoi ofertën e Ramës! Kjo është blasfemi. Shkelje e parimeve. Shkelmim i unitetit të partisë. Është tradhëti e patolerueshme. Është e paimagjinueshme. Është ikje e turpshme. Dhe për ta bërë më të qarte qëndrimin e PD-së, me urgjencë, partia e përjashtoi anëtarin e Këshillit Kombëtar, i mohoi çdo të drejtë për t`u zgjedhur apo për të përfaqësuar PD-në. E shkishëroi. E bëri haram. Ky qëndrim flet as më shumë as më pak për mentalitet bolshevik, komunist, çka gjykohej i kapërcyer, i harruar. Po ky mentalitet është ulur këmbëkryq mbi kokat e politikanëve të partisë që drejton Lulzim Basha që betohet se është demokrat i kulluar me formim perëndimor, luajal, më shumë se amerikanët shtetformues që do sjelli ndryshimin e madh, lumturinë, drejtësinë, tolerancën, super demokracinë. I deklaron të gjitha këto, ai që për një ikje normale në interes të shtetit e trajton si thikë pas shpine. Sikur Besarti tradhtoi dhe u larguan drejt kampit armik të Bako Haram. Si të bënte kapërcimin e ylberit. Dhe vepron kështu, pretendenti për kryeministër. Ec e besoje që nesër nuk do rrafshojë gjithë administratën, që nuk do ta bëjë shtetin njësh me partinë. Mos u çudisni! Shembullin e flakjes nga partia e dha me Kadinë, i cili u shpall person non grata i PD-së. Këtej e tutje, Kadia është armiku që la frontin bosh dhe u rreshtua në kampin armik. Edhe pse si shtetar dhe jo militant! Të tjerët do rreshtojnë teoritë konspirative të bashkëqeverisjes. Jo të paktë do jenë ata që do e shesin këtë emërim si shitje të parimeve dhe shkelje të ideologjisë së partisë si rozë edhe blu!