BREAKING NEWS

Balla tha se gjyqtari i Bashës liroi të arrestuarit e ‘Toyota Yaris’, reagon PD: Lot krokodili, bëre gjithçka për të zhdukur provat, por e vërteta... (PARALAJMËRIMI)

x

Opinion / Editorial

Solidariteti politik dhe mediatik

Solidariteti si një produkt shoqëror, lind, rritet e zhvillohet në shoqëritë e emancipuara. Ai do të ishte një instrument i përshtatshëm në duart e politikanëve, po të transmetonte pozitivitet sipas vullnetit të popullit, që manifeston idealet e bashkimit për çështje kombëtare. Solidariteti politik, para së gjithash është një solidaritet njerëzor. Njerëzit jetojnë sëbashku sepse kanë dobi reciproke. Solidariteti shoqëror është një ndjenjë e thellë njerëzore. Edhe bota shtazore, që është e ndarë në gjini e specie të panumërta edhe pse ndeshen egërsisht mes llojit, kur vjen puna brenda familjes së tyre, janë solidare. Tërmeti i 26 nëntorit, me tragjeditë që u shkaktoi mijëra njerëzve në Shqipëri, nxori në pah një vlerë të lartë njerëzore në shkallë globale, që sado të ndryshëm të jenë racat, ngjyrat e lëkurës, origjinat, etnitë, kombësitë, qofshin europianë, aziatikë apo arabë, përsëri ata përbëjnë një njësi biologjike dhe janë metafizikisht të bashkuar nga e njëjta natyrë njerëzore. Çdo veprim tregon fizionominë e popullit dhe politikës që rrezaton. Pa dyshim që ka një ndryshim midis ndërgjegjes së njeriut të pazhvilluar dhe asaj të njeriut të civilizuar, megjithatë, si njëra dhe tjetra janë ndërgjegje njerëzore midis të cilave ka ngjashmëri të krahasueshme. Popujt ndryshe nga politika, orientohen më shpejt drejt vlerave morale, humane e solidare, në të mirën e përbashkët. Këto vlera sociale realizohen me bashkëpunimin e të gjithë popujve dhe të gjitha hapësirave kulturore, të historisë mbarë botërore. Shembujt e një solidariteti shpirtëror dhe etik, u shfaqën me ngjyra befasuese kur shikoje se individ të izoluar nga politika, me energji të brendshme pozitive, pavarësisht nga politikat denigruese të vendit të tyre, u ndodhën pranë, me kontribute e ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti. Një dukuri kjo, që ndan strukturën shpirtërore të popujve nga politika. Një shembull i spikatur ishte vajza nga Serbia, që me një kolegun e saj kosovar dhe një nga Shqipëria (miq mes njëri-tjetrit), erdhën dhe shpërndanë ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti. Koha ka provuar se në raste fatkeqësish, janë gjendur pranë njëri-tjetrit të gjitha shtresat e shoqërisë, pa dallime politike. Liderët e politikës opozitare, për hir të së mirës së përbashkët që është mbizotëruese në aspektin kombëtar, nuk zbritën dot as në nivelin mesatar të solidaritetit popullor, por bëjnë karshillëk politik, kur vendi është zhytur në fatkeqësi. Kjo flet për mungesën e vlerave të personalitetit të këtyre liderëve, që nuk përmbushin as esencën shoqërore të njeriut të thjeshtë. Liderët e opozitës, Basha e Berisha, po na shfaqen përsëri në skenën mediatike si “aleatë me tërmetin”, për të marrë me çdo çmim pushtetin. Dëgjojmë çdo ditë marrëzinë që përcjellin disa televizione okulte, mesazhet publike të Bashës, se kur të vijë në pushtet do rregullojë Shqipërinë, do zhdukë varfërinë dhe do na sjelli qetësinë, sipas përvojës katër vjeçare që ka fituar kur drejtoi bashkinë. Ai, e mendon popullin kaq budalla, që këto broçkulla i ha?! Partitë politike që udhëhiqen nga liderë që partinë e kuptojnë si pronë personale, harrojnë një fakt konsistent se partitë janë gjymtyrë të një trupi të madh, që duhet t’i shërbejnë interesave kombëtare. Me këtë miopi e megalomani politike që ka në themel të ndërgjegjes të klasës politike konfliktin, përçarjen e bojkotin për të marrë pushtetin me dhunë, përbën një rrezik eminent për demokracinë liberale në Shqipëri. Shkalla e zhvillimit të shoqërisë, pasqyrohet nga induksionet e politikës. Një komb nuk është gjë tjetër veçse një qenie e emërtuar, është një fjalë që shërben për të përcaktuar një agregat mekanik individësh të vendosur përballë njëri-tjetrit me përkatësinë e tyre politiko-shoqërore. Politikani real që njohim ne sot është patjetër kompleks, ai i takon një periudhe dhe një zone të caktuar, rrjedh nga një familje, ka një qytet apo fshat, një besim fetar dhe një bindje politike të caktuar. Të gjitha këto vlera dhe kapacitete politike dhe shumë të tjera, përzihen, kombinohen, konvergohen në shumë mënyra, kryqëzojnë dhe ndërkryqëzojnë influencën e tyre, ku në një vështrim të parë, e ke vështirë të dallosh se ku fillon njëra dhe mbaron tjetra. Partia si një organizëm shoqëror, përbëhet nga shuma e individëve, me edukatën, sjelljen, kulturën, traditën që mbartin dhe transmetojnë, pra në rrënjët e thella të ndërgjegjes së individit. Gjithsesi, jeta kolektive në grupe partiake nuk është thjesht një imazh i zmadhuar i jetës individuale. Ajo përfaqëson karaktere sui generis, që induksionet e vetme të psikologjisë shoqërore nuk arrihen të klasifikohen. Në këtë vështrim, individi brenda shoqërisë e ndryshon sjelljen dhe moralin e tij. Brenda hierarkisë partiake, në mbretërinë e forcës politike ku aderon megjithë kompleksitetet dominuese, individi ndryshon brenda natyrës së tij specifike. Pra, çfarëdo forcë politike qoftë, alternohet me fytyra të ndryshme të të njëjtit realitet të gjallë shoqëror. Në vështrim linear të forcave politike, gjendesh në prani të një sistemi të madh veprimesh dhe reagimesh, në një ekuilibër gjithmonë të lëvizshëm skajor. Sipas rrethanave dhe temperamentëve, morali luhatet midis dy palëve, pa ditur ku të qëndrojë përfundimisht. Shpeshherë na del përpara dilema: A duhet të ketë moral politika?! Ne jetojmë në një vend që nuk njeh tjetër mjeshtëri, përveç opinionit. Jeta jonë politike me një pafundësi fenomenesh, kërkon një inteligjencë politike solidare. Duhet të dish të ndash çështjet sipas llojit dhe peshës specifike që kanë. Problemet kombëtare, që lidhen me ekzistencën dhe zhvillimin e vendit, kërkojnë medoemos një solidaritet mbarë politik dhe mediatik. Fatkeqësitë natyrore, siç janë tërmetet, përmbytjet dhe cunamet dhe ato njerëzore si luftërat, kërkojnë medoemos konsensusin universal të politikës dhe të medias. Por sot edhe pse pas 30 vjetëve pluralizëm, është vështirë të besosh se ka një evolucion partiak, kudo identik të njëtrajtshëm me vetveten dhe se partitë s’janë gjë tjetër veçse një mozaik varietetesh të ndryshme që ndryshojnë nga maturia, ideologjia, idealet dhe patriotizmi kombëtar. Shpirti i solidaritetit politik dhe mediatik në tërësinë e vet, në këto 30 vjet të ashtuquajtura demokraci, jo vetëm që nuk është rritur, por është dobësuar ekstremisht, për të mos thënë, që në disa raste është shuar. Secili politikan ka në vetvete një ndjenjë madhështie dhe vetëbesimi aq të tepruar, saqë nuk përfill mendimin kolektiv dhe nuk i njeh dhe respekton kufijtë që e rrethojnë me kundërshtarin politik. Ka spekulime delirante dhe aventureske, nga liria e individit. Liria individuale gjendet kudo dhe gjithmonë e kufizuar nga detyrime sociale, që marrin formën e zakoneve, traditave, riteve, rregullave dhe ligjeve shoqërore. Edhe kur shoqëria bëhet më voluminoze, sfera e veprimit të shoqërisë zmadhohet në raport të drejtë me atë të individit. Simetria e një sistemi të gjerë politik varet nga aktorët politikë. Politikani si produkt i familjes, shoqërisë, mjedisit nga vjen, ideologjisë që përfaqëson, shfaq ato cilësi të trashëguara nga origjina dhe faktorët veprues. Sigurisht që evolucioni është një tipar sa individual aq dhe shoqëror. Ka dinamikë të ndryshme zhvillimi. Ka individë që ndryshojnë shpejt dhe e kapin të renë, ka që ndryshojnë ngadalë, por ka edhe që ngecin në vend. Thirrja që i bëri kryeministri Rama kryetarit të opozitës Basha, për tu ulur sëbashku për të administruar këtë situatë kritike, është mëse e motivuar. O sot o kurrë duhet të jemi të bashkuar para një fatkeqësie kombëtare. Refuzimi i këtij solidariteti nga lideri Basha, për të bashkëpunuar për të mirën e përbashkët, tregon se është skllav i tutorit të vet Berisha. Ky qëndrim përligj thënien e Volterit se: “Fatkeqësia vjen gjithmonë fluturim dhe ikën çalë-çalë”. Duhet që shoqëria jonë të ndërgjegjësohet për unitetin e saj organik, që politikani si individ të ndjekë këtë masë sociale që e rrethon dhe të depërtojë aktivisht në të, duke e parë veten si objekt dhe subjekt të lëvizjes përpara të shoqërisë. Forca politike ku lideri aderon, duhet ta bëjë të kuptojë ç’është shoqëria, se ajo i kompenson çdo deficit që ai manifeston dhe ta shohë veten sa i vogël është jashtë këtij organizmi politik. Ajo do t’i mësojë se ai nuk është një perandori më vete, në gjirin e një perandorie tjetër, siç ndodh me ndonjë lidership të pushtuar nga deliri i madhështisë te opozita e sotme, por ta shohë veten si organ i një organizmi shoqëror. Forca politike, qoftë e djathtë apo e majtë, duhet t’i bëjë të ndjehen të ndërgjegjshëm individët prijësa, se ata nuk i përkasin më vetvetes, përderisa kanë marrë një rol të tillë, por janë përgjegjës për fatet e shoqërisë, prandaj duhet të ngrenë në sistem solidaritetin politik, jashtë meskiniteteve komunitare, egoizmit për pushtet dhe miopisë politike, që duan të dallojnë hijen në errësirë.

Nga Prof. Dr. Ago NEZHA