BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Opinion / Editorial

Solidariteti shoqëror, sfida e fitores mbi pandeminë

Solidariteti shoqëror, sfida e fitores mbi pandeminë

Si një nga vlerat thelbësore të baraspeshës shoqërore, në këtë situatë të emergjencës kombëtare mer përparësi të veçantë, për domosdoshmërinë e tij më tepër se kurrë. Mungesa e tij do të fliste për shuarje të humanizmit, që duke qenë të një natyre shoqërore, njëri nënkupton dhe ushqen tjetrin si enët komunikuese. Në këto momente kaq dramatike, kur një pjesë e vendeve më të fuqishme të Evropës, janë vënë në vetizolim, nuk ka kuptim që edhe shoqëria shqiptare të mos bëhet bashkë, në përballimin e kësaj situate të pazakontë. Ky virus që ka vënë në karantinë këto vende, ashtu si edhe vendin tonë, nuk ka identitet nacional por agresivitet të pamëshirshëm. E vetmja strategji për ta sfiduar atë është dhe mbetet bashkëpunimi, i të gjithë forcave politike, si dhe strukturave të angazhuara totalisht në këtë luftë ndaj një armiku të padukshëm. Shembulli më i mirë për të gjithë shoqërinë tonë është, solidariteti i 3 mijë mjekëve, infermierëve, farmacistëve, stomatologëve profesionistë të shëndetit publik, si dhe studentët e fakultetit të mjekësisë, që i janë bashkuar thirrjes për të shpëtuar jetët e njerëzve, është një ogur i mirë. Ky solidaritet flet edhe për politikën, e cila duhet t'i bashkohet kësaj fryme, pa bërë demagogji e deklarata që nuk i shërbejnë emergjencës kombëtare. Në se nuk bëhemi bashkë në këto momente, kur shoqëria bën apel për solidaritet, atëherë ai automatikisht mpakt dhe bën të shuhet edhe humanizmi. Qytetarët shqiptarë duhet të binden se nuk janë vetëm, sepse në këtë front lindje perëndim, janë rreshtuar të gjithë me të njëjtën qëllim, për ta sfiduar këtë epidemi pa dallime etnike, politike e fetare. Jeta e njerëzve nuk është llogari ekonomike, por prioritet mbi të gjitha detyrat dhe misionet, për të mbrojtur njerëzit si kapitali më i çmuar për çdo shoqëri demokratike. Në lidhje me këtë problem kaq madhor, kancelarja gjermane Merkel u shpreh; "nuk ka ç'më duhet buxheti i shtetit, përpara jetës së njerëzve", kjo thënie vlen edhe për drejtuesit shqiptarë, pavarësisht se nuk jemi fuqi ekonomike si Gjermania, Franca apo Italia. E veçanta e këtij virusi si ndër më agresivët është se, ktheu me dekada prapa rendin e tanishëm botëror të globalizmit, ku për pasojë nuk mund të mos ndihej edhe në Shqipëri. Prandaj sot duhet t'i tregojmë Evropës se duke u bërë më solidarë, jemi më pranë saj në sfidën e përbashkët, por nga ana tjetër tregojmë maturi e përgjegjësi si faktor në rajon. Qëndrimet e njëanshme dhe alibitë djallëzore për kredo politike, nuk e përmirësojnë situatën por e ndërlikojnë duke e futur shoqërinë në kolaps. Por më keq akoma këto akte janë derivate të mungesës së civilizimit e qytetërimit, që ndikojnë negativisht, në ngjalljen e shpresës dhe rritjen e besimit për ndryshim. Të dëmtuarit aktualisht nuk kërkojnë demagogji e llafallogji, por sjellje solidare, afrimitet e përkrahje, për t'u larguar frikën dhe ngjallur optimizëm. Pseudo-patriotët dhe demagogët që anatemojnë masat e mara nga qeveria, nuk e ndihmojnë shoqërinë për të fituar këtë betejë të përbashkët. Këto momente kulmore bëjnë diferencën e kujtdo që ndien përgjegjësi si pjesëtar i kësaj shoqërie, pa qenë nevoja se çfarë grada ka e poste mban. Duke ndjekur me përparësi se çfarë po ndodh edhe në vendet e tjera rrotull nesh, nuk është as e moralshme dhe as e ndershme, që të mos e quajmë veten ushtar dhe të japim gjithçka në këtë betejë për jetë a vdekje. Të gjitha vendet që po luftojnë me vetëizolimin, për të mos shkuar në kufijtë e katastrofës, po sakrifikojnë gjithçka sipas modelit të ekspertëve dhe rekomandimeve të tyre që edhe në Shqipëri nuk mungojnë, por që kërkojnë ndërgjegjësim dhe kulturë respektimi për të cilën vuajmë aq shumë. Sado programe të bëjë kushdo qeveri qoftë, apo OJQ-të, polici, ushtri e gjykata, në se nuk bëhemi bashkë duke lënë mënjanë demagogjitë boshe, situata bëhet e pa shpresë dhe e pa mundur për të ndryshuar, qoftë edhe me predikimet e kuranit dhe biblës. Kush e zbret solidaritetin në derexhe gjymtuese, ka dëmtuar kombin, shoqërinë, familjen, duke mos nxitur besimin dhe ngjalljen e shpresës tek e ardhmja. Prandaj në këto momente kritike, të tregojmë solidaritet, bashkëpunim individual e institucional, për ta sfiduar këtë të keqe të padëshiruar, për të mirën e përbashkët.